Lajmet

Udhëheqësit evropianë zgjedhin drejtuesit e rinj të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian

Published

on

Udhëheqësit evropianë pritet që sot të miratojnë kandidaturat për pozitat kryesore drejtuese të institucioneve të Bashkimin Evropian. Kryetarja e tanishme e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të propozohet për një mandat të ri në krye të këtij institucioni, ndërsa ish kryeministri portugez Antonio Costa do të emërohet president i Këshillit Evropian. Ndërkohë, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e njohur për qëndrimin e ashpër ndaj Rusisë, do të propozohet për të zëvendësuar shefin e politikës së jashtme, Josep Borrell.

Në Bruksel po bëhen përgatitjet e fundit për takimin dy ditor të udhëheqësve evropianë, të cilët pritet të zgjedhin drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian dhe të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Udhëheqësit e bllokut më të madh tregtar në botë, të përbërë nga 27 shtete anëtare, pritet të miratojnë edhe për një mandat zonjën Ursula von der Leyen në postin e kryetares së Komisionit Evropian, ish kyrministrin portugez Antonio Costa për të zëvendësuar presidentin aktual të Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryeministren estoneze Kaja Kallas për të zëvendësuar Përfaqësuesin e lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell.

Miratimi i tyre u mundësua pas arritjes së një marrëveshjeje në fillim të javës në mes të tre grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian – partive konservatore, atyre social-demokrate dhe partive liberale, përkundër kritikave të ashpra nga e djathta e skajshme.

“Jemi të lumtur që propozimi ynë për emërimin e Ursula von der Leyen-it për të vazhduar si kryetare e Komisionit Evropian do të përkrahet në takimin e sotëm të Këshillit Evropian…Ata që duan përkrahjen tonë duhet të kenë qëndrim të qartë për të ndaluar emigracionin e jashtëligjshëm, për procesin e rimëkëmbjes ekonomike të Evropës dhe për sigurinë në nivelin evropian. Këto janë premtimet kryesore që kemi bërë dhe njerëzit presin që t’i realizojmë ato,” deklaroi Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, EPP, Manfred Weber.

Zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Evropian e bëjnë udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ndërsa kandidaturat e zonjës Von der Leyen dhe zonjës Kallas duhet të miratohen nga Parlamentit Evropian.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane, partitë e djathta shënuan përparim, në veçanti në Gjermani, Francë dhe Itali, por tre grupet kryesore politike në parlamentin evropian vazhdojnë të kenë shumicën. Kundërshtimet e partive të së djathtës ekstreme për kandidaturat nuk u morrën parasysh.

Në prag të takimit të BE-së, Kryeministrja Meloni kritikoi marrëveshjen për postet e larta të institucioneve evropiane, duke thënë se ajo nuk mori parasysh vullnetin e qytetarëve të BE-së për një “Evropë më konkrete dhe më pak ideologjike.”

Presidenti i Komisionit Evropian është përgjegjës për hartimin e politikave të Bashkimit Evropian, duke filluar nga menaxhimi i çështjeve klimatike e deri te buxheti i përbashkët i bllokut. Ndërkaq, puna kryesore e presidentit të Këshillit Evropian është të ndërmjetësojë marrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri përfaqëson BE-në në skenën globale.

Takimi i të enjtes fillon me nënshkrimin e një marrëveshje për sigurinë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të përmbushin premtimet për të siguruar pajisje ushtarake për Ukrainën, vetëm pak ditë pasi blloku nisi negociatat për anëtarësim me qeverinë e tij.

“Duhet të punojmë për hapat e ardhshëm. Njëra prej çështjeve urgjente është mbrojtja ajrore….Falenderoj shtetet që premtuan pajisje, armë dhe municione, por ato na duhen urgjentisht në fushëbetejë,” tha Presidenti Zelenskyy.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, agjenda e takimit përpos çështjeve të mbrojtjes, përfshinë plane për të forcuar Bashkimin Evropian për t’i bërë ballë trysnive ekonomike nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përgatitjen e bllokut për një valë të re zgjerimi, që do të përfshinte Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Lajmet

Çifti ngjitet në majën e Empire State Building, shpalos banderolë për paqen dhe përfundon në pranga

Published

on

Dy persona u ngjitën në majën e ndërtesës ikonike Empire State Building në Nju Jork, ku shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen.”

Sipas Reuters, bëhet fjalë për rusët Angela Nikolau dhe Ivan Kuznetsov, i njohur edhe si Vanya Beerkus, të cilët njihen për ngjitjet e tyre në rrokaqiej dhe struktura të larta në vende të ndryshme të botës. Historia e tyre është dokumentuar edhe në filmin e Netflix “Skywalkers: A Love Story”, i publikuar në vitin 2024.

Pas zbritjes nga maja e ndërtesës, çifti u arrestua nga Policia e Nju Jorkut dhe përballet me disa akuza, përfshirë hyrje të paligjshme, rrezikim të jetës dhe shkelje të masave të sigurisë.

Menaxhmenti i Empire State Building e cilësoi incidentin si një hyrje të paautorizuar, duke theksuar se ngjarja nuk ka rrezikuar vizitorët apo stafin e ndërtesës.

Sipas raportimeve, para se të nisnin zbritjen, Ivan Kuznetsov i propozoi martesë partneres së tij, Angela Nikolau, e cila pranoi, duke e kthyer aksionin simbolik në një moment personal që mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbuluar se si çifti arriti të anashkalonte masat e sigurisë dhe të ngjitej në majën e kullës 443 metra të lartë, një prej monumenteve më të njohura të Nju Jorkut./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në qendër të Podujevës, dyshohet për një të vdekur dhe dy të plagosur

Published

on

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në qendër të Podujevës, ku sipas informacioneve fillestare raportohet për të shtëna me armë.

Sipas burimeve jozyrtare, tre persona dyshohet se janë plagosur, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Policia e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht rastin.

Lajmi do të përditësohet me informacione të reja./Kosovapress/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci përgëzon Operën e Kosovës pas premierës së veprave të Puccinit

Published

on

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Operën e Kosovës pas premierës së suksesshme të veprave të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”, duke e cilësuar mbrëmjen si një ngjarje të veçantë artistike për publikun.

Bogujevci vlerësoi produksionin e realizuar nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe me regji të Luca Ramacciottit, si dhe interpretimin e solistëve, Korit dhe Orkestrës së Operës së Kosovës, të cilët, sipas saj, sollën në skenë një shfaqje të nivelit të lartë artistik.

Ajo theksoi se ky projekt dëshmon edhe një herë zhvillimin e vazhdueshëm të skenës operistike në Kosovë dhe përkushtimin e artistëve për të realizuar produksione cilësore.

Sipas ministres, premierat e dy veprave të Puccinit përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore dhe forcimin e skenës artistike në vend./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE paralajmëron sanksione të reja ndaj industrisë ushtarake ruse pas sulmit masiv mbi Kiev

Published

on

By

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka dënuar ashpër sulmet brutale ruse gjatë natës mbi Kiev dhe ka paralajmëruar se do të propozojë menjëherë sanksione të reja ekonomike dhe ushtarake ndaj Moskës.

Masat e reja ndëshkuese do të shënjestrojnë direkt kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, me fokus të veçantë te firmat që prodhojnë pjesë për dronët vetëvrasës “Shahed” dhe “Geran”, të cilët po përdoren për të shkatërruar qytetet ukrainase.

Kallas deklaroi prerazi se vetëm fjalët nuk do t’i ndalin sulmet ndaj Kievit dhe se kjo mund të arrihet vetëm përmes mbështetjes së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe presionit në rritje ndaj Moskës.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë përditësuar bilancin e këtij sulmi, duke shpërfaqur përmasat e një prej goditjeve më masive ajrore të regjistruara deri më tani. Sipas të dhënave zyrtare, Rusia lëshoi 74 raketa dhe 496 dronë kamikazë.

Përkundër faktit që njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase arritën të rrëzonin shumicën dërrmuese të mjeteve fluturuese, 25 raketa balistike dhe 12 dronë depërtuan sistemin mbrojtës duke goditur 33 lokacione të ndryshme. Si pasojë e këtyre goditjeve, të paktën 17 persona kanë mbetur të vrarë.

Nga ana tjetër, kërcënimet e Brukselit për sanksione të reja nuk e kanë zmbrapsur Moskën zyrtare. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i është përgjigjur drejtpërdrejt deklaratës së Kallas duke konfirmuar se Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ushtarak ndaj asaj që ai e quajti “regjimi i Kievit”.

Peskov deklaroi me ftohtësi se ky presion do të vazhdojë në mënyrë që shteti rus të arrijë të gjitha objektivat e përcaktuara të luftës. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara