Botë

Udhëheqësi finlandez: Ka nisur një epokë e re e armëve bërthamore

Published

on

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se ka nisur “një epokë e re e armëve bërthamore”, pasi javën e kaluar Shtetet e Bashkuara njoftuan se planifikojnë të kryejnë testime të reja të armëve bërthamore.

Stubb tha se “logjika e frenimit” dhe “stabiliteti strategjik midis superfuqive” po i nënshtrohet një transformimi.

Ne kemi hyrë në një epokë të re të armëve bërthamore, të cilën, fatkeqësisht, rëndësia e armëve bërthamore është në rritje”, tha Stubb gjatë një fjalimi në Helsinki më 3 nëntor.

Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se SHBA-ja do të fillojë testimet e armëve bërthamore – për herë të parë që nga viti 1992.

Njoftimi erdhi pasi Rusia tha se kishte testuar një raketë të re lundruese bërthamore, Burevestnik, si dhe një dron nënujor me kapacitet bërthamor.

Asnjë shtet tjetër, përveç Koresë së Veriut, nuk dihet të ketë kryer ndonjë shpërthim bërthamor për dekada të tëra.

Rusia dhe Kina nuk kanë zhvilluar testime të tilla që nga viti 1990, respektivisht nga viti 1996.

Të dielën, Trump pretendoi se shtetet si Rusia dhe Kina kanë kryer testime bërthamore nëntokësore, të panjohura për publikun, dhe SHBA-ja do të veprojë njësoj.

”Si mund të ndërtojmë së bashku politikën e frenimit? Si mund ta kontrollojmë përshkallëzimin”, pyeti Stubb, duke theksuar se këto janë pyetje që një vend i vogël i Finlanda, që ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë, duhet t’i shqyrtojë tani bashkë me aleatët e saj.

Duke hequr dorë nga dekada të mosangazhimit ushtarak, ky vend nordik iu bashkua NATO-s më 2023, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës./EO

Lajmet

REL: Kompania kineze e sanksionuar nga Perëndimi merr pjesë në panairin ushtarak në Sarajevë

Published

on

By

Një prodhues dhe tregtues shtetëror kinez i armëve, i cili është nën sanksione të Perëndimit për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, që po zhvillon luftë kundër Ukrainës, është ndër ekspozuesit në panairin e pajisjeve ushtarake të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Bosnje e Hercegovinës dhe nga Qeveria e entitetit të Federatës së BeH-së, së bashku me kompani vendase.

Poly Technologies ka shkuar në Sarajevë me makete të dronëve që përdoren nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës, sisteme kundër dronëve, si dhe raketa, granata, raketahedhës dhe anije sulmuese.

Organizatorët në Bosnje nuk iu përgjigjën pyetjes së Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) se si një kompani kineze nën sanksione u gjend në një panair në një vend që është në Planin e Veprimit për Anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe që, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, duhet të ndjekë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë.

Një gjë e tillë nuk duhej të ndodhte. Miratimet për ardhjen e njerëzve, kompanive dhe mjeteve, armëve dhe municioneve duhej të jepeshin nga disa institucione. Ai që e organizoi panairin duhej të bënte verifikimet. Nuk do të çuditesha as nëse kjo do të ishte një neglizhencë e qëllimshme, sepse besoj se nuk ka ndodhur rastësisht”, tha për REL-in Sead Jusiq, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes i Bosnjes.

Jusiq thotë se këto ardhje dhe paraqitje “duhej t’i filtronin Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Sigurisë dhe Ministria e Tregtisë së Jashtme e BeH-së”.

“E dini si është në BeH, për disa njerëz në këto ministri, disa vende janë mike, për të tjerët nuk janë”, thotë Jusiq.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën Poly Technologies në listën e subjekteve të sanksionuara në qershor të vitit 2024.

Sipas autoriteteve amerikane, kompania kineze e ka furnizuar industrinë ushtarake ruse me sisteme navigimi për helikopterët ushtarakë Mi-17, si dhe me teknologji të tjera “me përdorim të dyfishtë”, të cilat mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Londra vendosi sanksione ndaj Poly Technologies në prill të vitit 2025, për shkak të aktiviteteve që, sipas arsyetimit të autoriteteve britanike, kontribuojnë në kapacitetet ushtarake të Rusisë dhe cenojnë sovranitetin e Ukrainës.

BE-ja e përfshiu Poly Technologies në listën e subjekteve të sanksionuara në maj të vitit 2025, duke thënë se kompania kineze i kishte furnizuar Rusisë komponentë për helikopterë ushtarakë. Sanksione ndaj saj kanë vendosur edhe Kanadaja dhe Ukraina.

Organizata kërkimore C4ADS tha se në bazat ndërkombëtare të të dhënave për doganat dhe tregtinë kishte identifikuar më shumë se 280 dërgesa të Poly Technologies drejt Rusisë.

Poly Technologies e ka furnizuar prodhuesin rus të municioneve Barnaul Cartridge Plant me barut të mjaftueshëm për prodhimin e të paktën 80 milionë fishekëve, sipas të dhënave të ImportGenius.

BeH-ja është “pajtuar” me sanksionet e Brukselit ndaj Rusisë dhe është zotuar ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në, por sanksionet nuk janë zbatuar, ndërsa prej vitesh refuzon kërkesat e BE-së për t’u vendosur viza shtetasve të Rusisë, Kinës, Turqisë, Arabisë Saudite dhe disa vendeve të tjera.

“BeH-ja në letër është harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, por jo edhe në praktikë. Këtë e shohim edhe në shembullin e këtij panairi të armëve. Sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të brendshme, secili bën çfarë të dojë pa asnjë pasojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Haris Qutahija nga Iniciativa për Politikë të Jashtme e BeH-së.

Çfarë nënkupton prania e kompanisë nën sanksione?

Në prill të këtij viti, para se të publikohej lista e ekspozuesve, ministri federal i Energjisë, Minierave dhe Industrisë, Vedran Lakiq, deklaroi se organizatorët do t’i “përzgjidhnin me kujdes ekspozuesit”.

“Që të mos gjendemi në një situatë ku nga një ide e mirë, të cilën duam ta realizojmë, të krijojmë një problem gjeopolitik”, tha atëherë Lakiq, duke prezantuar projektin e panairit Balkan Shield 2026.

REL-i kërkoi përgjigje nga UNIS Group, zyra e kryeministrit të Qeverisë së Federatës së BeH-së, zyra e ministrit Lakiq dhe ministri i Mbrojtjes i BeH-së lidhur me pyetjen se si kompania kineze nën sanksione u gjend mes ekspozuesve.

Deri në momentin e publikimit, nuk kishin mbërritur përgjigje në pyetjet nëse ata e dinin se Poly Technologies ishte nën sanksione dhe si kishte kaluar procesin e verifikimit.

Vetë prania e një kompanie nën sanksione në një panair nuk përbën automatikisht shkelje të sanksioneve amerikane ose evropiane.

Megjithatë, lidhja e marrëveshjeve afariste ose kryerja e transaksioneve financiare me një subjekt të sanksionuar mund të bëjë që individë, kompani ose qeveri të përfshihen në të ashtuquajturat sanksione dytësore.

Kush janë ekspozuesit e tjerë?

Përveç 22 ekspozuesve nga Bosnje e Hercegovina, në panair marrin pjesë edhe pesë kompani nga Turqia, dy nga Sllovenia dhe nga një kompani nga Egjipti, Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Mes ekspozuesve ishte edhe Zyra Presidenciale Turke për Industrinë e Mbrojtjes (SSB), e cila më herët ishte objekt i sanksioneve amerikane pas blerjes nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Përveç kompanive nga entiteti i Federatës së BeH-së, në panair ekspozon edhe kompania Orao nga entiteti Republika Sërpska, e cila në fillim të viteve 2000 ishte objekt i hetimeve ndërkombëtare të lidhura me Irakun dhe shkeljen e regjimit të atëhershëm të embargos së Kombeve të Bashkuara.

BeH-ja ka 15 ndërmarrje të industrisë ushtarake, ndërsa SHBA-ja prej vitesh ka qenë blerësi më i madh i armëve nga BeH-ja, kryesisht fishekëve dhe predhave të artilerisë, së bashku me Çekinë, Holandën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.

Eksporti ka rënë këtë vit, ndërsa prodhuesit si arsye kryesore përmendin vështirësitë në sigurimin e lëndëve të para, rritjen e çmimeve të tyre dhe afatet më të gjata të dorëzimit “për shkak të ndryshimeve gjeopolitike dhe kërkesës më të madhe për armatim”.

BeH-ja, në përgjithësi, nuk eksporton armë në zonat e përfshira nga konfliktet e armatosura dhe, ndryshe nga Serbia, nuk ka blerë armë nga Kina. Në vitet e mëparshme është regjistruar vetëm një donacion kamionësh dhe buldozerësh.

Sipas të dhënave që doganat e Bosnjes ia kanë dorëzuar REL-it, që nga viti 2019 nuk ka pasur asnjë tregti të drejtpërdrejtë të armëve dhe pajisjeve me Ukrainën dhe Iranin.

Në përgjithësi, duke marrë parasysh të gjitha mallrat, partnerët më të rëndësishëm tregtarë të jashtëm janë vendet anëtare të BE-së dhe të rajonit, ndërsa BeH-ja ka deficitin më të madh tregtar me Kinën. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Gjermania miraton 800 milionë euro armë për Izraelin

Published

on

Gjermania ka miratuar eksporte të pajisjeve ushtarake në Izrael me vlerë prej gati 800 milionë eurosh gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në kohën kur lufta në Rripin e Gazës vazhdon.

Sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë, të publikuara pas një kërkese parlamentare nga Partia e Majtë, vlera e licencave të eksportit të miratuara nga janari deri në qershor ka tejkaluar katër herë shumën e miratuar për Izraelin gjatë gjithë vitit 2025.

Rritja e eksporteve erdhi pasi qeveria e kancelarit Friedrich Merz hoqi kufizimet e pjesshme për eksportet e armëve drejt Izraelit më 24 nëntor 2025.

Nga 735.8 milionë euro në licencat e miratuara vetëm gjatë tremujorit të dytë, rreth 67 për qind ishin të lidhura me një projekt detar.

Mes tyre përmendet edhe INS Drakon, një nëndetëse me shtytje të pavarur nga ajri, e ndërtuar nga kompania gjermane ThyssenKrupp Marine Systems, e cila së fundmi është nisur nga kantieri në Kiel drejt Izraelit.

Rreth 21 për qind e licencave lidhen me projekte të përbashkëta mes kompanive gjermane dhe izraelite, të cilat konsiderohen të rëndësishme për interesat strategjike të Bundeswehr-it.

Pjesa tjetër e eksporteve përfshin pajisje të ndryshme ushtarake, mes tyre armë të vogla, municion, eksplozivë dhe mjete ajrore pa pilot.

Në vitet e fundit, Gjermania kishte miratuar eksporte ushtarake në Izrael në vlerë prej 327 milionë euro në vitin 2023, 161.1 milionë euro në 2024 dhe 260 milionë euro në 2025.

Ndërkohë, sipas raportimeve, eksportet e armëve gjermane drejt Izraelit ishin rritur rreth dhjetëfish në vitin 2023 krahasuar me vitin paraprak./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Putin: Ka shans për paqe me Ukrainën, por sulmet e Kievit po e ndërlikojnë dialogun

Published

on

By

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ekziston një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, por ka akuzuar Kievin se po i ndërlikon bisedimet përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare dhe paralajmërimeve për hapësirën ajrore ruse.

Gjatë fjalës së tij në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë, Putin ka theksuar se vende si SHBA-ja dhe Kina janë të gatshme të mbështesin procesin, mirëpo zgjidhja përfundimtare u takon dy vendeve në konflikt. Ai i cilësoi veprimet e fundit të Ukrainës si “akte të terrorizmit shtetëror”, duke iu referuar sulmeve ndaj anijeve dhe thirrjeve të Kievit drejtuar agjencisë së OKB-së për aviacionin që të ndalohen fluturimet civile mbi territorin rus.

Pavarësisht ngecjes së bisedimeve që nga shkurti, kreu i Kremlinit bëri të ditur se Rusia po mban kontakte me administratën e presidentit amerikan Donald Trump përmes shërbimeve të inteligjencës dhe të dërguarve të posaçëm, duke shprehur gatishmërinë për rivendosjen e plotë të marrëdhënieve me Uashingtonin.

Continue Reading

Lajmet

Aksident i rëndë në Berlin: Tramvaji ndahet përgjysmë pas daljes nga shinat, dhjetëra të plagosur

Published

on

By

Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti të rëndë në pjesën lindore të Berlinit, ku një tramvaj doli nga shinat dhe u nda përgjysmë.

Sipas shërbimit të zjarrfikësve, ngjarja ka ndodhur në qarkun Lichtenberg. Tramvaji dyshohet se ka goditur një shtyllë të linjës elektrike gjatë marrjes së një kthese, çka ka shkaktuar shkëputjen e mjetit dhe daljen e pjesës së pasme nga shinat.

Të gjithë të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Si pasojë e aksidentit, qarkullimi i linjave të tramvajit në atë zonë të kryeqytetit gjerman është pezulluar tërësisht. /Bild/

Continue Reading

Të kërkuara