UBT ka arritur një sukses tjetër të jashtëzakonshëm ndërkombëtar duke u renditur në mesin e 100 universiteteve më të mira në botë për inovacion.
Në listën e “World’s Universities with Real Impact (WURI)”, të cilës i prijnë universitetet prestigjioze si Stanford e Harvard, për herë të parë për arritje të pakrahasueshme, rankohet edhe një bartës i arsimit të lartë nga Kosova.
UBT po e mban lartë flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare ku viteve të fundit ka korrur suksese të mëdha në gara të forta përballë universiteteve me histori qindra vjeçare.
Institucioni lider i edukimit në vend – UBT, është vlerësuar nga WURI për rolin e jashtëzakonshëm inovativ, duke u rankuar në mes të 51-100 universiteteve më të mira për Impakt Real në Menaxhim të Krizave, Impakt Real në Shpirt Sipërmarrës, Impakt Real në Vlera Etike dhe Impakt Real në Aplikime Industriale. Ndërsa është rankuar në mesin e 52-100 universiteteve më të mira për Impakt Real në Mobilitet dhe Mundësi për Student dhe në mesin e 101-200 universiteteve më të mira për Impakt Real.
Rankimi prestigjioz nga WURI nuk bazohet në traditën, reputacionin ose popullaritetin e një universiteti, por përkundrazi fokusohet në koncepte të reja të tilla si inovacioni, sipërmarrja, përgjegjësia dhe menaxhimi i krizave. Këto janë fushat ku janë shënuar arritje të mëdha nga UBT e të cilat janë vlerësuar ndërkombëtarisht nga organizata prestigjioze WURI.
“Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se UBT është zgjedhur si një nga universitetet më novatore midis Universiteteve Botërore me Ndikim Real (WURI) për Renditjet e vitit 2021”, thuhet në letrën që Hwy-Chang MOON, Drejtor themelues i “The WURI Ranking” i ka dërguar Presidentit dhe themeluesit të UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi.
“Edhe pse WURI 2021 renditi MIT, Stanford dhe Harvard në krye të listës, ai gjithashtu përfshiu shumë institucione të arsimit të lartë më pak të njohura por jashtëzakonisht novatore të cilat nuk ishin shfaqur më parë në renditjet e tjera tradicionale të universiteteve”, shtoi tutje Moon.
“Ne besojmë se përvojat tuaja me programe inovative janë të denja për t’u ndarë me institucionet e tjera të arsimit të lartë. Duke pasur parasysh sfidat e mëdha si rezultat i pandemisë COVID-19, përvoja të tilla tani janë më të vlefshme se kurrë”, thuhet ndër të tjera në letrën që Drejtori themelues i “The WURI Ranking” i ka dërguar Rektorit Hajrizi, përnes të cilës UBT është inkurajuar për të marrë pjesë edhe në Rankimin, WURI 2022, për të prezantuar arritjet e reja inovative gjatë vitit të ri.
Presidenti dhe themeluesi i UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi, e ka vlerësuar lartë këtë rankim për UBT-në, duke e parë këtë si produkt të investimeve të mëdha disavjeçare në këtë institucion, përfshirë krijimin e një ekosistemi super modern dhe cilësinë e pakrahasusshme të mësimdhënies.
“UBT ka një komunitet të jashtëzakonshëm, një infrastrukturë moderne dhe një rini të mrekullueshme. Të tri këto komponente, të bashkuara në një Park Inovativ e Shkencor në UBT, po e lartësojnë çdo ditë imazhin e Kosovën përballë botës me arritje të mëdha në secilën fushë“, ka thënë rektori Hajrizi.
“UBT si institucion ekselent i arsimit është shndërruar në institucion model në rajon e më gjerë. Do të synojmë ta bëjmë Kosovën vend atraktiv e konkurrues edhe për studentët e vendeve të tjera, duke dëshmuar para secilit se cilësia dhe arritjet shkencore e teknologjike i përkasin institucioneve inovative e nuk janë ekskluzivitet i traditës apo popullaritetit”. – shtoi tutje rektori Hajrizi.
Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.
Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.
Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/
Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.
Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.
E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.
Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.
Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/