UBT Radio Campus është radio e cila operon në kuadër të veprimtarisë së UBT-së. E licencuar më 25 mars 2015 nga Komisioni i Pavarur i Mediave, UBT Radio Campus ka filluar me transmetimin e programeve në gjashtë muajt e fundit.
Njëra nga ish-studentet e drejtimit Media dhe Komunikim të UBT-së, Saranda Krasniqi, e cila tani është e punësuar në Radio Campus, tregoi për transmetimin që bënë radio gjatë ditës.
“UBT Radio Campus transmeton muzikë për 24 orë. Ka programin e mëngjesit, programin e pasdites dhe katër edicione të lajmeve blic. Në programin e mëngjesit publiku mund të informohet për më të rejat nga politika, shëndetësia, arsimi, madje edhe për ushqime e dieta si dhe kuriozitete, ndërsa në atë të pasdites për showbizz dhe teknologji”, tha ajo.
Tutje Krasniqi tregoi për orarin e transmetimeve të emisioneve dhe të edicioneve të lajmeve.
“Emisioni i mëngjesit Campus AM fillon në ora 08:00 dhe mbaron në orën 10:00, kurse programi i pasdites ”Java me ju” nis transmetimin në orën 14:00 dhe mbaron në 16:00. Edicionet e lajmeve blic transmetohen katër herë në ditë, njëri duke filluar nga ora 10:00, edicioni i dytë në 12:00, pastaj në orën 14:00 dhe i fundit në orën 16:00”, shtoi ajo.
Lajmet dhe zhvillimet që transmetohen nga kjo radio janë në përputhje me kodin e etikës, si dhe në përputhje me standardet e parapara nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Radio ka prioritet objektivitetin, shpejtësinë, saktësinë dhe të jetë një media e balancuar.
Radio Campus zbaton një standard të avancuar të programeve informative duke zhvilluar biseda nga tereni, intervista në studio, mysafirë nga fusha të ndryshme, si: Arsim, Inovacion, Ekonomi, Ndërmarrësi, Kulturë, Politikë, Sport etj.
Udhëhiqet nga një staf profesional dhe është i hapur për të gjithë kategoritë e shoqërisë. Krasniqi tregoi se stafi i radios përbëhet nga pesë persona, ku tri janë studente të cilat kanë diplomuar në Media dhe Komunikim në UBT, dhe që tani udhëheqin disa prej emisioneve të radios.
“Pjesë e stafit janë edhe një teknik së bashku me drejtorin gjeneral të radios, Pëparim Namani”, deklaroi Krasniqi.
UBT Radio Campus ka dëgjues në shumë qytete të Kosovës, e që synon që dita-ditës të fuqizohet edhe më tej.
“Dëgjohet në Prishtinë, Lipjan, Ferizaj e në qytete të tjera. Duke u bazuar në mesazhe e komente, ka dëgjueshmëri e cila dita ditës po rritet”, përfundoi Krasniqi.
Në radio involvohen direkt edhe studentët e UBT-së të Media dhe Komunikimit, të cilët i zhvillojnë njohuritë e tyre dhe punën praktike.
(Autore e tekstit është Margarita Llausha, studente e vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)
Protestat kundër femicidit dhe për drejtësi për Arlinda Zekajn do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar një protestë kombëtare me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes kundër dhunës ndaj grave.
Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh radhazi të mobilizimit qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.
Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.
Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë institucionale në parandalimin e femicidit.
Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.
Në Prizren është raportuar një rast i vdekjes së dyshimtë, ku një burrë shtetas i Shqipërisë është gjetur pa shenja jete.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e parë të mëngjesit të datës 1 nëntor, rreth orës 01:20.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe ekipi mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet e rendit. /E.A/
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje dhe kanosjes në disa qytete të ndryshme të vendit.
Në Prishtinë është raportuar se një viktimë grua është kanosur verbalisht nga një i dyshuar burrë, i cili tashmë ndodhet në kërkim policor.
Në Lipjan, pas një mosmarrëveshjeje, një viktimë grua është sulmuar nga një i dyshuar mashkull, i cili me vendim të prokurorit është liruar pasi ka pranuar tretman mjekësor.
Po ashtu në Prishtinë është regjistruar edhe një rast tjetër i dhunës në familje ndaj një viktime grua, ku pas intervistimit të palëve, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Viti është arrestuar një person pasi ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy personave. I dyshuari, me rekomandim të specialistit dhe vendim të prokurorit, është dërguar për trajtim mjekësor nën mbikëqyrje të policisë.
Ndërsa në Klinë, njësitë policore kanë arrestuar dhe dërguar në mbajtje një të dyshuar burrë për veprat penale kanosje dhe dhunë në familje ndaj një viktime burrë. /E.A/