Lajmet nga UBT

UBT nënshkruan marrëveshje me kompaninë Ditron Dental

Published

on

Në kuadër të pjesëmarrjes në panairin më të madh në Evropë të stomatologjisë dhe teknologjisë dentare IDS 2025, UBT zgjeroi partneritetet e tij strategjike duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ditron Dental, një prej kompanive më inovative në fushën e komponentëve për restaurime dentare me bazë implanti.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Presidenti i kompanisë Ditron Dental, Eyal Baruch, dhe përmes kësaj, UBT do të ofrojë këtë teknologji inovative te klinikat dentare në Kosovë.

Ky bashkëpunim hap rrugën për projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore, shkëmbim ekspertize, trajnime për studentët dhe profesorët e Fakultetit të Stomatologjisë, si dhe integrimin e teknologjive të Ditron Dental në laboratorët dhe klinikat moderne të UBT-së.

“Kjo marrëveshje me Ditron Dental është një hap konkret drejt integrimit të teknologjisë më të lartë botërore në arsimin dhe praktikën dentare në Kosovë. Synimi ynë është të fuqizojmë kapacitetet vendore, cilësitë botërore në Kosovë, që shëndeti dhe mjekësia dentare të jetë sa më e kompletuar”, deklaroi Rektori Hajrizi.

Falë kësaj marrëveshjeje, profesionistët nga Kosova do të kenë mundësi të qasen në teknologjitë më të fundit si implantet dentare të sofistikuara, sistemet digjitale të trajtimit, skanimi 3D dhe aplikimet e inteligjencës artificiale në stomatologji.

Lajmet nga UBT

Përmbyllet me sukses Akademia Verore e Fakultetit Juridik – Një eksperiencë praktike dhe teorike për studentët

Published

on

Më 11 korrik 2025, përmbylli aktivitetet e saj Akademia Verore e Fakultetit Juridik të UBT, organizuar nga prodekanja e Fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Egzone Osmanaj. Aktiviteti, i cili u zhvillua për pesë ditë radhazi, ofroi një përvojë intensive dhe gjithëpërfshirëse në fushën e ndërmjetësimit civil, penal dhe tregtar, duke përfshirë sesi teoritë përkthehen në praktikë.

Përmbyllja e Akademisë Verore u shoqërua me një vizitë studimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku studentët u pritën nga autoritete të larta të sistemit gjyqësor, përfshirë Kryetaren e Gjykatës, Albina Shabani Rama, Nënkryetaren Ilire Vitija, Administratori i Gjykatës, Shaban Gërxhaliu, dhe gjyqtarin e Departamentit Special, Ngadhnjim Arrni.

Gjatë takimit, u zhvillua një diskutim i thelluar mbi rëndësinë dhe rolin që ka ndërmjetësimi në procedurat civile, penale dhe tregtare, si dhe mbi aplikimin e tij në praktikën gjyqësore në Kosovë. Studentët patën mundësinë të mësojnë direkt nga profesionistët e sistemit gjyqësor dhe të kuptojnë përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar praktikat e ndërmjetësimit.

Vizita përfshiu një ekskursion në hapësirat e brendshme të Gjykatës Themelore, duke përfshirë sallat ku mbahen seancat gjyqësore, hapësirat administrative dhe qelitë e paraburgosurve. Ky vizitë u dha mundësinë studentëve të njoftoheshin nga afër me mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në Kosovë, si dhe me procedurat që ndiqen për të garantuar drejtësinë për të gjithë qytetarët.

Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për lidhjen e studimeve akademike me praktikën profesionale, duke u dhënë studentëve një pasqyrë të thellë të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe të aplikimit të ndihmës ligjore në situata reale.

Akademia Verore e Fakultetit Juridik i UBT-së ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët që të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të forcojnë njohuritë e tyre përmes një kombinimi të teorisë dhe praktikës në fushën e ligjit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Fakulteti i Shkencave të Sportit në UBT përmbyll me sukses aktivitetet e Akademisë Verore 2025

Published

on

Fakulteti i Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes i UBT-së ka përmbyllur me sukses një tjetër edicion të Akademisë Verore, duke organizuar një seri aktivitetesh dhe garash sportive gjatë javës së kaluar. Gara të tilla si volejboll, futsall dhe pingpong u mbajtën në ambientet e kampusit, duke sjellë studentët në një atmosferë dinamike dhe të ngjeshur me emocion.

Studentët tanë u angazhuan me shumë pasion dhe energji, duke krijuar një frymë të jashtëzakonshme bashkëpunimi dhe sportiviteti në garat e futsallit, ku secili ekip tregoi aftësi të larta dhe një moral të shkëlqyer sportiv. Pjesëmarrësit kontribuuan në ndërtimin e një atmosfere pozitive dhe motivuese, e cila e bëri këtë ngjarje një festë të vërtetë të sporteve.

Aktivitetet përmbyllëse të Akademisë Verore 2025 përfunduan me shpërblime për fituesit: medalje dhe kupa që simbolizuan përkushtimin dhe angazhimin e secilit pjesëmarrës. Të gjithë ata që morën pjesë në gara u shpërblyen për performancën e tyre të shkëlqyer, ndërsa atmosfera e ngrohtë e krijuar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit ndihmoi në rritjen e motivimit dhe pasionit për sport.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Publikohet studimi i studentëve dhe profesorëve të UBT-së për ankthin stomatologjik tek studentët në revistën shkencore të Odës së Stomatologëve të Kosovës

Published

on

Një grup studentësh të Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, në bashkëpunim me Prof. Ass. Dr. Jeta Kiseri Kubati, kanë publikuar me sukses një hulumtim të rëndësishëm në revistën shkencore të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK), në numrin 4 të saj.

Studimi, me titull “Perceptimi i ankthit stomatologjik te studentët e Kolegjit UBT në Prishtinë”, ofron një vështrim të thelluar mbi përjetimet emocionale të studentëve përballë trajtimeve dentare dhe shkaqet kryesore të ankthit në këtë kontekst.

Hulumtimi u realizua përmes një ankete të dërguar me email, që përfshinte 17 pyetje dhe u plotësua nga 120 studentë të programeve të ndryshme në UBT, përfshirë stomatologjinë, farmacinë, ekonominë, arkitekturën, shkencat kompjuterike dhe të tjera.

Studimi arrin në përfundimin se komunikimi ndërmjet dentistit dhe pacientit, si dhe përdorimi i metodave të qasjes së ndjeshme, janë çelësi për reduktimin e frikës dhe përmirësimin e përvojës dentare.

Ky publikim është një kontribut i rëndësishëm akademik dhe profesional, që jo vetëm pasuron literaturën shkencore të fushës së stomatologjisë në Kosovë, por edhe fuqizon rolin kërkimor të studentëve të UBT-së në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Autorë të studimit janë: Yllka Rugova, Festina Bala, Rudina Kurteshi, Delvina Panxhaj dhe Jeta Kiseri Kubati. Ky është një tjetër dëshmi se në UBT, edukimi shoqërohet me kërkim, ndërsa teoria lidhet drejtpërdrejt me praktikën dhe inovacionin në shërbim të pacientit dhe shëndetit publik.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Akademia Verore e Psikologjisë në UBT dhe Samiti F’Oda: Rritja e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor të gruas

Published

on

Akademia Verore e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, edhe këtë vit, realizoi me sukses një ngjarje të jashtëzakonshme përmes bashkëpunimit të ngushtë me F’Oda. Samiti F’Oda 2025 – Edicioni III, duke bërë bashkë vajza dhe gra nga mbarë Kosova, dhe ofruar një mundësi të pazëvendësueshme për trajtimin e temave të rëndësishme dhe shpesh të nënvlerësuara rreth shëndetit mendor të grave dhe vajzave.

Samiti, nën moton frymëzuese “Hapësira të Sigurta / Blooming”, kishte një fokus të veçantë në përvojat dhe nevojat e grave dhe vajzave në kontekstin e shëndetit mendor. Secila ditë ofroi mundësi për të adresuar çështje të ndryshme, si dhe për të krijuar hapësira ku diskutimet mund të zhvilloheshin në mënyrë të hapur dhe konstruktive.

Dita e parë fokusohej në procesin e thyerjes së heshtjes rreth temave të dhunës, abuzimit dhe traumatizmit, duke ofruar mundësi për pjesëmarrësit që të emërtojnë dhe njohin pasojat e këtyre përvojave. Njohja e dhimbjes dhe identifikimi i plagëve të thella është një hap i rëndësishëm drejt shërimit dhe krijimit të hapësirave më të sigurta për vajzat dhe gratë.

Dita e dytë u përqëndrua te fuqizimi i individëve dhe grupeve, përmes krijimit të mundësive për shprehjen e lirisë personale, zhvillimin e kreativitetit dhe rigjenerimin e trupit dhe mendjes. U theksua rëndësia e mbështetjes komunitare, duke përfshirë grupet e mbështetjes dhe mundësitë për terapitë kreative që ofrojnë mundësi për shërim dhe rikuperim emocional.

Dita e tretë ishte thelbësore për kalimin nga përvoja individuale dhe personale drejt veprimit kolektiv dhe politik. Ajo shërbeu si një mundësi për të diskutuar dhe ndërmarrë hapa konkretë për të krijuar kushte më të mira për gratë dhe vajzat, duke theksuar se ndihma mendorë dhe shëndeti i komunitetit lidhen ngushtë me drejtësinë sociale dhe fuqizimin gjinor.

Një nga karakteristikat më të dallueshme të Samitit ishte formatimi i aktivitetit ndërveprues dhe angazhimi i të gjithë pjesëmarrësve. Pjesëmarrësit patën mundësi të angazhoheshin në panele, punëtori, aktivitete kulturore dhe vizita në terren, duke pasur mundësinë të reflektonin mbi përvojat e tyre personale, të mësojnë nga njëra-tjetra dhe të ndërtojnë lidhje të forta me profesionistë dhe studentë të fushës së psikologjisë.

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë të UBT-së luajtën një rol aktiv në mbështetje të pjesëmarrësve. Ata shërbyen si lehtësues, mentorë dhe bashkëbisedues, duke u mundësuar vajzave dhe grave që të përfitojnë nga njohuritë e tyre profesionale dhe përvojat e tyre akademike. Ky angazhim i studentëve ndihmoi në rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit dhe sigurimin e një ambienti mbështetës dhe të sigurt për të gjitha ato që morën pjesë.

Një nga momentet më të fuqishme të Samitit ishte vizita në Krushën e Madhe, një vend me histori të pasur dhe simbolikë të rëndësishme për qëndresën, kujtesën kolektive dhe fuqizimin e grave. Aty, pjesëmarrësit patën mundësinë të lidhen me historinë dhe të kuptojnë më mirë sfidat që gratë e këtij rajoni kanë kaluar, si dhe rolin e tyre të pandalshëm në forcimin e bashkësisë dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Kjo vizitë ndihmoi në lidhjen e temave të shëndetit mendor dhe fuqizimit social me një kontekst të gjallë dhe emocionalisht të rëndësishëm.

Continue Reading

Të kërkuara