Në kuadër të angazhimeve akademike për ofrimin e njohurive bashkëkohore dhe përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor, u realizua me sukses një ligjëratë online me Dr. Tanja Tamminen, eksperte e njohur në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë evropiane.
Ligjërata u mbajt me ftesë të posaçme për studentët e Studimeve të Sigurisë dhe ishte përqendruar në temën: “Misionet Civile të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Bashkimit Evropian (CSDP)”. Ky aktivitet u mundësua falë angazhimit të Profesor Naim Dedushaj, i cili realizoi kontaktin me Dr. Tamminen dhe krijoi hapësirë për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen, përfshirë diskutimet për praktika studentore në institucionet e BE-së në Bruksel.
Gjatë ligjëratës, Dr. Tamminen solli një analizë të thelluar mbi rolin dhe funksionin e misioneve civile të Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në menaxhimin e krizave, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe mbështetjen institucionale në vendet që përballen me sfida të sigurisë. Ajo ndau përvojat e saj konkrete nga misionet EUAM Ukrainë dhe EULEX Kosovë, duke ofruar një perspektivë të drejtpërdrejtë për dinamikën dhe sfidat në terren.
Kjo temë u vlerësua si shumë e rëndësishme dhe aktuale për studentët, veçanërisht në një kohë kur roli i Bashkimit Evropian në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutim interaktiv me pyetje dhe komente, duke përfituar nga përvoja dhe ekspertiza e një profesionisteje të kalibrit ndërkombëtar.
Kush është Dr. Tanja Tamminen?
Dr. Tanja Tamminen është doktore e shkencave politike nga Sciences Po Paris, dhe aktualisht udhëheq projektin e Bashkimit Evropian EU4Dialogue. Me një përvojë të pasur në politikën e jashtme të BE-së, sigurinë evropiane dhe zhvillimet në Ballkan, ajo ka shërbyer në disa prej misioneve më të rëndësishme të BE-së dhe ka kontribuar në hulumtime të nivelit të lartë në institutet më të njohura të Evropës.
Aktualisht, ajo është edhe profesoreshë e jashtme në Universitetin e Turku në Finlandë, dhe vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në fushën e analizës politike dhe ndërtimit të paqes në rajonet e tensionuara.
Ky aktivitet shënon një hap tjetër të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit në fushën e sigurisë dhe është dëshmi e përkushtimit për të ofruar arsim të cilësisë së lartë me standarde evropiane.