Lajmet nga UBT

UBT mbajti mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Fetah Jagxhiu

Profesori Jagxhiu dha një kontribut të veçantë në themelimin e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore (Ndërtimtarisë) dhe Infrastrukturës në UBT.

Published

on

Studentë, familjarë, profesorë, kolegë e miq të shumtë u mblodhën sot në UBT, në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të veprës dhe kontributit të pashuar të profesorit Fetah Jagxhiu.

Profesori Jagxhiu dha një kontribut të veçantë në themelimin e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore (Ndërtimtarisë) dhe Infrastrukturës në UBT, teksa për 50 vjet me radhë u angazhua në fushën e arsimit. Ai u nderua me një çmim nga UBT për kontributin e tij në arsim.

Po ashtu, kontributi i tij ka qenë i madh në vitet e 90-ta, ku ka qenë kryetar i Senatit të Universitetit të Prishtinës. Ishte pjesëmarrës edhe i Lëvizjes Studentore të 1997.

Në emër të UBT-së foli Dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Prof. Dr. Binak Beqaj, ndërsa në emër të familjes Jagxhiu foli e bija e profesorit, profesoresha Besa Jagxhiu.

Biografia e Profesorit Fetah Jagxhiu:

Profesor Fetah (Selman) Jagxhiu është lindur me 25 dhjetor 1937 në Prizren. Shkollën Fillore dhe Gjimnazin e ka kryer në vendlindje me sukses shembullor.

Në vitin shkollor 1957/58 regjistrohet në Fakultetin AGG në drejtimin e Ndërtimtarisë, në Universitetin e Zagrebit. Studimet i përfundon si ndër të parët e gjeneratës së vet në prill të vitit 1963. Si inxhinier i parë i ndërtimtarisë i qytetit të Prizrenit, punësohet në ndërmarrjen shtetërore ndërtimore “Sharr”, ku punon deri në muajin tetor të po atij viti 1963, kur me kërkesën e disa kolegëve të studimeve të Zagrebit dhe me lejen e drejtorit të ndërmarrjes “Sharr”, Gani Demiri, i cili ka qenë luftëtar dhe patriot dhe largpamës, në tetor të vitit 1963 punësohet si asistent në Shkollën e Lartë Teknike në Prishtinë, të posa themeluar me tri drejtime: Ndërtimtari, Elektroteknikë dhe Makineri.

Në drejtimin e Ndërtimtarisë dhe të Makinerisë nuk ka pasur asnjë shqiptar, ndërsa në drejtimin e Elektroteknikës ishin disa inxhinier të diplomuar me përvojë dhe atëherë u kuptua pse ishte ftesa e atyre kolegëve të elektroteknikës, që edhe ky inxhinier i ri i diplomuar i Ndërtimtarisë të vjen në SHLT në Prishtinë, t’i bashkëngjitet atyre kolegëve, që atëherë ishin asistent në drejtimin e elektroteknikës.

Në tetor të vitit 1965 themelohet Fakulteti Teknik në Prishtinë si dega e Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Beogradit me vetëm një drejtim, atë të Ndërtimtarisë ngase në atë drejtim ishin më shumë kuadro (inxh. të dipl.) serbë, edhe vetë drejtori i ShLT ishte serb, i cili u zgjodh edhe dekan i parë i Fakultetit Teknik. Prej komisionit Amë të Fakultetit të Ndërtimtarisë u zgjodh, atëherë inxh. i dipl. Fetah Jagxhiu, asistent i parë shqiptar i Fakultetit Teknik në Prishtinë ku mbaheshin ligjëratat vetëm në gjuhën Serbokroate. Në tetor të vitit 1965 Fetah Jagxhiu regjistrohet në studime pasdiplomike posa të themeluara, në Universitetin e Zagrebit.

Në vitin 1970, ishte ndër të parit në gjeneratën e vet që diplomoi, kështu që ishte magjistri i parë i shkencave teknike ne Kosove. Po atë vit, sipas ligjit të asaj kohe u zgjodh në thirrjen universitare Docent për dy lëndë: Mekanika dhe Rezistenca e materialeve.

Në tetor të vitit 1971 u zgjodh dekan i Fakultetit Teknik (dekan i parë shqiptar i Fakultetit Teknik) me pesë drejtime (3 në Prishtinë – Ndërtimtaria, Elektroteknika dhe Makineria dhe 2 drejtime në Mitrovicë – Xehtaria dhe Metalurgjia).

Në vitin 1977 paraqet tezën e Doktoratës në Prishtinë, UP. Në vitin 1978 qëndroi në studime shkencore në Universitetin Politeknik të Krakovit në Republikën e Polonisë. Në vitin 1982 mbron tezën e Doktoratës në Prishtinë.

Në po të njëjtin vit zgjedhet në thirrjen Prof. inordiner, ndërsa në vitin 1987 zgjedhet në thirrjen Prof. ordiner. Në vitin 1991 nga ana e organeve të dhunshme të asaj kohe së bashku me pedagogët dhe studentët shqiptar largohet nga Universiteti. Në Tetor të po atij viti kyҫet në grupin organizativ të pedagogëve të Universitetit të Prishtinës për organizimin e mësimit në shtëpia private (sistemi i arsimit paralel). Në atë kohë të sistemit paralel, zgjedhet Dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Detyrën e dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës e kryen në dy mandate deri në tetor të vitit 1994. Derisa ishte dekan i FNA në tetor të vitit 1992 në protestat e atij viti burgoset dhe maltretohet nga policia serbosllave e asaj kohe. Posa e përfundon mandatin e dekanit të FNA (tetor 1994), nga Senatit i Universitetit të Prishtinës zgjedhet Kryetar i parë i Senatit të Universitetit të Prishtinës me mandat 4 vjeçar deri në vitin 1998.

Deri sa ishte dekan i FNA organizon studimet pasdiplomike në vitin 1994/95 në degën e Ndërtimtarisë – drejtimi konstruktiv, të cilat studime edhe i udhëheq prej vitit 1995 deri në vitin 2003 (kur është pensionuar).

Paralel punës si pedagog universitar ka dhënë kontributin e madh në përpilimin e teksteve universitare.

Disa nga tekstet e botuara të tij të cilat do të shërbejnë edhe për shumë gjenerata në të ardhmen janë:

  1. “Mekanika I (Statika)”
  2. “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga Mekanika I”
  3. “Mekanika II (Kinematika)”
  4. “Mekanika III (Dinamika)”
  5. “Rezistenca materialeve pjesa e I”
  6. “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga Mekanika II (Kinematika)”
  7. “Rezistenca e materialeve – pjesa e dytë”
  8. “Teoria e elasticitetit”
  9. “Teoria e plasticitetit”
  10. “Teoria e zvarritjes”

Vendi

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT ndan certifikata për pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT ka ndarë certifikatat për pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare të këtij programi, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e tyre akademik e profesional.

Organizatorët e Konferencës, Dekani i Fakultetit, Visar Krelani, profesorët: Hazir Çadraku dhe Bekim Selimi, theksuan se organizimi i aktiviteteve të tilla shkencore kontribuon në avancimin e dijes, shkëmbimin e përvojave ndërmjet studiuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional.

Po ashtu, u bë e ditur se pjesëmarrësit të cilët dëshirojnë njohjen e pikëve nga Oda e Inxhinierëve të Kosovës duhet të aplikojnë pranë Odës duke bashkëngjitur certifikatën e pjesëmarrjes, agjendën e konferencës si dhe licencën e tyre profesionale. Përmes këtij procesi, atyre u mundësohet që angazhimi i tyre shkencor të njihet zyrtarisht dhe të kontribuojë në zhvillimin dhe avancimin e tyre profesional.

Organizatorët nënvizuan rëndësinë e përfshirjes së studentëve dhe hulumtuesve të rinj në konferenca ndërkombëtare, duke theksuar se këto platforma shërbejnë si mundësi për prezantimin e punimeve shkencore, zhvillimin e rrjeteve profesionale dhe rritjen e cilësisë në fushën e inxhinierisë së ndërtimit dhe infrastrukturës.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori australian Richard Mason Rodgers viziton UBT-në dhe vlerëson zhvillimin teknologjik dhe akademik

Published

on

By

Ambasadori i Australisë në Kroaci dhe ambasador jo-rezident në Kosovë, Richard Mason Rodgers, realizoi një vizitë të veçantë në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, ku u prit nga Rektori, Edmond Hajrizi, si dhe nga stafi akademik e profesional i institucionit.

Rektori Hajrizi e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke e cilësuar këtë takim si një hap konkret drejt bashkëpunimeve të reja strategjike.

Gjatë vizitës, Ambasadori Rodgers u njoh nga afër me kapacitetet teknologjike, laboratorët e avancuar dhe projektet inovative që zhvillohen në këtë qendër unike në rajon.

Me këtë rast, u diskutua për mundësitë e konsiderueshme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe kompanive australiane me UBT-në dhe Kosovën, me fokus të veçantë në inovacion, kërkim shkencor dhe iniciativa të përbashkëta në fushën e teknologjisë dhe qëndrueshmërisë.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Traumën e Luftës në Kosovë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “From war to recovery: A multidisciplinary approach to Kosovo’s war trauma”, e organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).

Gjatë konferencës u theksua roli i institucioneve akademike në dokumentimin e krimeve të luftës, analizën kritike të pasojave dhe rëndësinë e mbështetjes së të mbijetuarve dhe viktimave.

Konferenca ofroi gjithashtu një platformë multidisiplinare për të diskutuar qasjet shkencore ndaj traumës së luftës, si dhe u potencua nevoja për bashkëpunim institucional dhe projekte kërkimore që mbështesin kujtesën kolektive dhe paqen e qëndrueshme.

Në këtë ngjarje, stafi i UBT-së kontribuoi me punimin shkencor “Preserving collective memory through architectural heritage documentation in post-war Kosovo”, njw punim i Dr. Fjollë Cakës, arkitekte, planifikuese urbane dhe sociologe.

Dr. Caka u përqendrua në zhvillimin urban të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mobilitetin dhe strehimin e qëndrueshëm, si dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme multidisiplinare në diskutimin mbi rimëkëmbjen pas luftës.

Continue Reading

Lajmet

UBT mbështet rreth 200 studentë me bursa në 18-vjetorin e Pavarësisë

Published

on

By

Në një ditë simbolike për vendin, UBT ka zgjedhur të shënojë 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke investuar mbi të ardhmen dhe zhvillimin e studentëve të tij. Rreth 200 studentë ekselentë nga të gjitha fakultetet janë mbështetur me bursa studimi si vlerësim për arritjet dhe përkushtimin e tyre akademik, ndërsa dhjetra studentë të tjerë kanë përfituar mbështetje nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”.

Studentët përfitues, me notë mesatare mbi 9.0, do të kenë tashmë një mbështetje konkrete financiare që do t’u lehtësojë rrugëtimin akademik dhe profesional. Ky veprim u konsiderua jo vetëm si shpërblim për suksesin individual, por edhe si një mesazh motivues për të gjithë të rinjtë që synojnë rezultate të larta.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se investimi në dije është forma më e qëndrueshme e kontributit për shtetin. Ai u shpreh se UBT mbetet i përkushtuar në krijimin e një mjedisi që nxit inovacionin, zhvillimin profesional dhe përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

Përveç bursave të ndara në këtë përvjetor, UBT çdo vit akordon bursa në vlerë totale prej rreth 2 milionë eurosh, duke mbështetur qindra të rinj nga Kosova dhe rajoni. Kjo politikë mbështetëse ka ndikuar në rritjen e qasjes në arsim cilësor dhe në fuqizimin e brezave të rinj në më shumë se 50 fusha studimi.

Në të njëjtën ceremoni u bë e ditur edhe nënshkrimi i thirrjeve akademike për stafin profesorësh, si pjesë e strategjisë për rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e kapaciteteve akademike. Me këtë hap, UBT synon të forcojë më tej pozitën e tij si institucion lider në arsimin e lartë dhe inovacion.

Në këtë mënyrë, përvjetori i Pavarësisë nuk u shënua vetëm si një datë historike, por si një angazhim konkret për të ndërtuar të ardhmen përmes dijes dhe mbështetjes së talenteve të reja.

Continue Reading

Të kërkuara