Lajmet

UBT dhe AMIK nisin projektin “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi” me trajnimin e parë

Published

on

Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua hapja e projektit “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi”, një iniciativë e organizuar nga UBT në bashkëpunim me AMIK – Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës.

Ky aktivitet ka për qëllim fuqizimin e vajzave dhe grave të reja përmes ofrimit të njohurive praktike, mentorimit dhe krijimit të mundësive të reja për angazhim në botën e ndërmarrësisë. Pjesëmarrëset do të pajisen me shkathtësi të rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa profesionale dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke rritur mundësitë e tyre për punësim, krijim të bizneseve të vogla dhe inovacion.

Në hapje të aktivitetit, u theksua rëndësia e partneritetit mes institucioneve akademike dhe sektorit financiar për mbështetjen e gjeneratës së re të sipërmarrësve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vuri në pah se projektet e tilla janë të nevojshme për të krijuar një platformë të qëndrueshme për ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik në nivel vendi, dhe se bashkëpunimi me sektorin financiar dhe organizatat që mbështesin inovacionin është kyç për suksesin e vajzave të reja.

Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala, i inkurajoi pjesëmarrëset duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar, planifikimit dhe guximit për të ndërmarrë iniciativa të reja, duke u bërë modele suksesi për komunitetet e tyre.

Drejtori i Bordit të AMIK, Adrian Alo, theksoi se fuqizimi i vajzave përmes projekteve të ndërmarrësisë kontribuon në stabilitetin ekonomik dhe përfshirjen sociale, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorit mikrofinanciar dhe inovacionin në vend.

Përfaqësuesi i AMIK, Prof. Shpresim Vranovci, nënvizoi rëndësinë e mentorimit dhe krijimit të rrjetit të kontakteve për pjesëmarrëset, si një element kyç për arritjen e suksesit profesional dhe zhvillimin e projekteve të reja sipërmarrëse.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, theksoi se institucioni mbetet i përkushtuar të ofrojë platforma praktike për zhvillimin e studentëve dhe të rinjve, duke i lidhur ata me sektorët strategjikë të ekonomisë dhe aktorë që kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të reja për punësim, ndërmarrësi dhe inovacion.

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vajzave dhe grave në ekonominë inovative dhe ndërmarrëse të vendit, duke nxitur një kulturë të barazisë, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Vendi

Ekstradohen dy persona nga Gjermania dhe Hungaria drejt Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar me sukses dy ekstradime nga shtete të ndryshme drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit dhe zbatimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 12 gusht është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë shtetasi kosovar me inicialet M.T.. Ai ishte në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe substancave analoge.

Pas ekstradimit, M.T. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Ndërkohë, më 13 gusht 2026, nga Hungaria drejt Kosovës është ekstraduar shtetasi i Serbisë me inicialet I.S., i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për dyshime lidhur me veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe substancave analoge.

Pas mbërritjes në Kosovë, edhe I.S. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në kuadër të DRP Prishtinë, për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto dy ekstradime janë mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Hungarisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e veprave penale dhe lokalizimin e personave të kërkuar nga drejtësia.

Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Kimi Aplikative në UBT – Një program që hap rrugën drejt karrierës në shkencë, industri dhe inovacion

Published

on

By

UBT vazhdon të zgjerojë mundësitë për studentët që synojnë të ndërtojnë një të ardhme profesionale në shkencë, teknologji dhe industri, duke ofruar Programin Kimi Aplikative, program ky i dizajnuar për t’i pajisur studentët me njohuri të avancuara shkencore dhe aftësi praktike të kërkuara në tregun bashkëkohor të punës.

Programi Kimi Aplikative në UBT ka për qëllim të formojë profesionistë të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshme industriale, mjedisore dhe shkencore përmes aplikimit të njohurive kimike dhe qasjeve inovative. Përmes kombinimit të bazës teorike me punën praktike laboratorike, studentët krijojnë një kuptim të thellë të proceseve kimike dhe mësojnë se si këto njohuri mund të aplikohen në situata konkrete dhe në zgjidhjen e problemeve reale.

Gjatë studimeve, studentët kanë mundësi të thellojnë njohuritë në fusha të rëndësishme të kimisë, përfshirë kiminë organike, inorganike, fizike dhe analitike, ndërsa një vëmendje e veçantë i kushtohet aplikimit të kimisë në shkencën e materialeve, industrinë farmaceutike, mbrojtjen e mjedisit dhe proceset industriale. Kjo qasje u mundëson studentëve të ndërthurin njohuritë teorike me praktikën, duke zhvilluar aftësi për të analizuar, eksperimentuar dhe gjetur zgjidhje për probleme konkrete.

Një nga veçoritë e rëndësishme të programit është orientimi drejt kërkimit shkencor dhe nevojave të industrisë. Studentët inkurajohen të zhvillojnë të menduarit kritik, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe përgjegjësinë profesionale e etike, duke u përgatitur për një treg pune që kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca të avancuara shkencore dhe praktike.

Këto njohuri dhe kompetenca krijojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional pas përfundimit të studimeve. Të diplomuarit në drejtimin Kimi Aplikative mund të ndërtojnë karrierë në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë industrinë farmaceutike, energjinë, mbrojtjen e mjedisit, laboratorët, industrinë prodhuese, shkencën e materialeve, si dhe fushën e kërkimit dhe zhvillimit. Për më tepër, përgatitja e tyre u krijon mundësi për angazhim në projekte shkencore dhe profesionale, si në Kosovë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Një tjetër avantazh i rëndësishëm i programit Kimi AplikativeUBT është licensimi ndërkombëtar, i cili u krijon të diplomuarve mundësi më të gjera për angazhim profesional përtej tregut vendor. Ky orientim ndërkombëtar u mundëson profesionistëve të fushës, në përputhje me kërkesat dhe procedurat e vendeve përkatëse, të zgjerojnë mundësitë e tyre për zhvillim të karrierës dhe të jenë më të përgatitur për konkurrencën në tregun global. Kështu, studentët e UBT-së përgatiten jo vetëm për nevojat e tregut të punës në Kosovë, por edhe për mundësi profesionale në laboratorë, industri, institucione kërkimore dhe kompani ndërkombëtare.

Në kuadër të misionit të tij akademik, UBT synon të krijojë një mjedis inovativ dhe dinamik, ku studentët mund të zhvillohen profesionalisht, të angazhohen në kërkime dhe të bashkëpunojnë në projekte që kontribuojnë në zhvillimin shkencor, ekonomik dhe shoqëror. Përmes një arsimi të orientuar drejt standardeve globale dhe kërkesave të shekullit XXI, UBT synon të përgatisë profesionistë të aftë për të sjellë ide të reja dhe për të kontribuar në zgjidhjen e sfidave të së ardhmes.

Në një kohë kur shkenca dhe teknologjia po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në zhvillimin e shoqërisë, programi Kimi Aplikative përfaqëson një mundësi të veçantë për të rinjtë që duan ta shndërrojnë pasionin për kiminë në një profesion me perspektivë. Për studentët që kërkojnë një program që ndërthur shkencën, praktikën, inovacionin dhe mundësitë e karrierës, Kimi Aplikative në UBT është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një të ardhmeje profesionale, si në Kosovë, ashtu edhe në tregun ndërkombëtar.

Apliko në UBT dhe bëhu pjesë e gjeneratës së re të profesionistëve që do të krijojnë zgjidhjet shkencore dhe teknologjike të së ardhmes.

 

Continue Reading

Vendi

Konferenca e përbashkët: PDK dhe AAK nesër në Kuvend

Published

on

By

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë konferencës, Arian Tahiri bëri të ditur se Aleanca i është përgjigjur pozitivisht ftesës së PDK-së dhe shprehu shpresën se njësoj do të veprojnë edhe subjektet e tjera politike.

Ai i bëri ftesë publike kryesuesit të seancës, Avni Dehari, si dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se po e pengojnë konstituimin e Kuvendit përmes mosftimit të seancës, e cila sipas tij është obligim ligjor e kushtetues që të thirret çdo 48 orë. Deputeti i PDK-së konfirmoi se partia e tij do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit të premten nga ora 11:00, duke pritur që aty t’i bashkohen edhe tjerët.

Nga ana e tij, Besnik Tahiri i Aleancës konfirmoi gjithashtu praninë e subjektit të tij në Kuvend në të njëjtin orar. Ai bëri me dije se në koordinim me partitë e tjera opozitare i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit Avni Dehari për një takim koordinues, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Përfaqësuesi i AAK-së nënvizoi se po dëshmohet një fillim i shpërbërjes së institucioneve, prandaj do të ndjekin të gjitha rrugët institucionale përpara se të ndërmarrin hapa të tjerë politikë në shërbim të kthimit të rendit kushtetues./E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen mijëra euro te i dyshuari për spiunazh në Dragash

Published

on

By

Shtetasi i Kosovës, Fehim Sali, i cili u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar një urdhërkontroll në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

Përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale: 39,500 euro para të gatshme; 500 dinarë para të gatshme; 4 telefona celularë; Dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Prokuroria Speciale njoftoi se brenda afatit të përcaktuar ligjor do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë konfirmuan se mbeten të angazhuara plotësisht për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me zbardhjen e këtij rasti. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara