Botë

Uashingtoni dhe Kievi, pranë marrëveshjes për “mineralet e rralla” të Ukrainës

Published

on

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë të dielën se janë më pranë një marrëveshjeje që Kievi t’i japë Uashingtonit një pjesë të madhe të të drejtave për shfrytëzimin e mineraleve të rralla si kompensim për miliarda dollarë në municione që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një konferencë për shtypin në Kiev se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po “bëjnë përparim” në arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se është rënë dakord për një projekt-marrëveshje, sipas së cilës Ukraina t’i paguajë Shteteve të Bashkuara 2 dollarë për çdo dollar në ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit për luftën kundër forcave ruse, megjithëse detajet e saj nuk janë bërë të ditura.

Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar sasinë më të madhe të ndihmave, duke i dhënë Kievit 128 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare, sipas Institutit gjerman të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihma e Shteteve të Bashkura për Kievin është pak e madhe se 124 miliardë dollarët që 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë për Ukrainën.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, i tha rrjetit CNN se ai pret që Presidenti Zelenskyy të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet këtë javë.

Presidenti Zelenskyy fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për gjysmën e rezervave minerale të rralla të Ukrainës, të cilat përdoren për prodhimin e pajisjeve elektronike.

Zoti Witkoff sinjalizoi në intervistën për rrjetin CNN se marrëveshja tani do të arrihej, ndonëse ai nuk i shpjegoi detajet e saj.

Zoti Witkoff tha se vendet evropiane dhanë kontributin e tyre në mbështetje të luftës të Ukrainës pas arritjes së marrëveshjes me Kievin për t’ia kthyer përfundimisht paratë e tyre, por Shtetet e Bashkuara nuk e kishin bërë këtë.

Zoti Witkoff tha se një mbështetje e tillë pa kushte e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën “ishte e pakuptimtë” për Presidentin Donald Trump, i cili ishte angazhuar për një kohë të gjatë në negociata për marrëveshje mbi pasuritë e paluajtshme në Nju Jork përpara se të hynte në politikë në 2015.

Presidenti Zelenskyy tha, “kam pasur një marrëveshje me ish-Presidentin Biden dhe Kongresin Amerikan, i jam mirënjohës Kongresit, të dyja palëve. Mbështetja ishte në formë grantesh. Granti nuk është hua. Ne nuk kemi pse ta kthejmë kredinë në këtë rast. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen dhe mendon se është e padrejtë. Por ndoshta kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje. Prandaj, nuk ka të bëjë me shifrën, ne thjesht nuk e shohim atë si një hua. Kjo kishte të bënte me grantet jo me shifrat. Ne thjeshtë nuk e shohim këtë si një hua.”

Presidenti Trump, i cili javën e kaluar e quajti Presidentin Zelenskyy “diktator” dhe e akuzoi atë për fillimin e luftës edhe pse Rusia e sulmoi Ukrainën, ka kërkuar pagesat dhe ka fajësuar paraardhësin e tij, Biden, për mossigurimin e një lloji garancie për kompensim të ndihmës.

Zoti Zelenskyy tha të dielën se dëshiron që Presidenti Trump të “kuptojë” pozicionin e tij dhe të sigurojë garanci konkrete të sigurisë për të ndihmuar Kievin që të mbrohet nga sulmet e Rusisë.

“Dua shumë mirëkuptim nga zoti Trump”, tha zoti Zelensky në konferencën e tij për shtypin, duke shtuar: “Garancitë e sigurisë nga Presidenti Trump janë shumë të nevojshme”.

Zoti Zelenskiy tha se është i gatshëm të heqë dorë nga posti nëse kjo do të thoshte paqe për Ukrainën dhe shtoi se ai do ta shkëmbente largimin e tij nga detyra me hyrjen e Ukrainës në NATO.

“Nëse një gjë e tillë (do të thoshte) paqe për Ukrainën, nëse vërtet mendoni që është e nevojshme që unë të largohem nga posti, unë jam gati,” tha zoti Zelenskiy kur u pyet gjatë një konference për shtyp a do të ishte gati të largohej nga posti nëse kjo do të thoshte një arritje e paqes.

“Do ta këmbeja këtë menjëherë me një (anëtarësim) në NATO, nëse është ky kusht”, shtoi presidenti.

Kryediplomatët e lartë amerikan dhe rus, Marco Rubio dhe Sergey Lavrov, u takuan në Arabinë Saudite pa pjesëmarrjen e zyrtarëve ukrainas apo evropianë javën e kaluar për të hedhur bazat për bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti Zelenskiy shprehu pakënaqësinë për përjashtimin e Ukrainës nga bisedimet, por Trump tha se ai mund të kishte negociuar me Rusinë paraprakisht që të parandalonte agresionin e Moskës.

“Kam pasur bisedime shumë të mira me Putinin dhe nuk kam pasur bisedime aq të mira me Ukrainën”, tha zoti Trump para guvernatorëve të amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ata (Ukraina) nuk kanë asnjë kartë për të luajtur, por po luajnë fort“, shtoi ai.

Televizioni shtetëror rus tha ditët e fundit se pikëpamja e zotit Trump për konfliktin Rusi-Ukrainë është “në përputhje të plotë me mënyrën se si ne i shohim gjërat”.

I dërguari Witkoff tha se lufta “nuk do të kishte ndodhur” nëse Ukraina nuk do të kishte bërë presion në atë kohë për anëtarësim në NATO. Kievi ende vazhdon të kërkojë me këmbëngulje që të bashkohet me aleancën me 32 vende, por Uashingtoni thotë se është jorealiste që kjo të ndodhë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të negociuar për t’i dhënë fund luftës.

Zoti Witkoff tha se “do të shihni lëshime nga të dyja palët” në një marrëveshje paqeje.

Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas të njohur ndërkombëtarisht. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se Moska nuk ka ndërmend t’i kthejë asnjë nga territoret qeverisë së Kievit.

“Ata njerëz vendosën t’i bashkohen Rusisë shumë kohë më parë,” tha ai, duke iu referuar votimeve të organizuara nga Moska në Ukrainën lindore të mbajtura në mes të ofensivës trevjeçare që janë konsideruar të pavlefshme nga Kievi, Perëndimi dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Një telefonatë mes presidentëve Trump dhe Putin dy javë më parë u hapi rrugën bisedimeve Rubio-Lavrov në Arabinë Saudite.

“Ky është një dialog midis dy presidentëve të jashtëzakonshëm,” tha zëdhënësi Peskov për televizionin shtetëror.

Rusia të dielën shënoi Ditën e Mbrojtësve të Atdheut – një festë për nder të ushtarëve dhe veteranët. Në një video të publikuar nga Kremlini, Presidenti Putin tha se Zoti dhe fati i kishin besuar atij dhe ushtrisë së tij “misionin” për të mbrojtur Rusinë.

Ndërkohë, Presidenti Zelenskyy tha se Rusia ndërmori sulme me 267 dronë gjatë natës në Ukrainë, të cilat ai i dënoi si “terror nga ajri”.

Zyrtarët ukrainas njoftuan për dëme në pesë rajone të vendit.

Presidenti Zelenskiy tha se rreth 1,150 dronë, më shumë se 1,400 bomba dhe 35 raketa të llojeve të ndryshme, u lëshuan gjithsej nga Rusia në drejtim të Ukrainës gjatë javës së kaluar.

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara