Botë
Uashingtoni dhe Kievi, pranë marrëveshjes për “mineralet e rralla” të Ukrainës
Published
1 year agoon
By
UBTnewsShtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë të dielën se janë më pranë një marrëveshjeje që Kievi t’i japë Uashingtonit një pjesë të madhe të të drejtave për shfrytëzimin e mineraleve të rralla si kompensim për miliarda dollarë në municione që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një konferencë për shtypin në Kiev se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po “bëjnë përparim” në arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se është rënë dakord për një projekt-marrëveshje, sipas së cilës Ukraina t’i paguajë Shteteve të Bashkuara 2 dollarë për çdo dollar në ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit për luftën kundër forcave ruse, megjithëse detajet e saj nuk janë bërë të ditura.
Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar sasinë më të madhe të ndihmave, duke i dhënë Kievit 128 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare, sipas Institutit gjerman të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihma e Shteteve të Bashkura për Kievin është pak e madhe se 124 miliardë dollarët që 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë për Ukrainën.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, i tha rrjetit CNN se ai pret që Presidenti Zelenskyy të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet këtë javë.
Presidenti Zelenskyy fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për gjysmën e rezervave minerale të rralla të Ukrainës, të cilat përdoren për prodhimin e pajisjeve elektronike.
Zoti Witkoff sinjalizoi në intervistën për rrjetin CNN se marrëveshja tani do të arrihej, ndonëse ai nuk i shpjegoi detajet e saj.
Zoti Witkoff tha se vendet evropiane dhanë kontributin e tyre në mbështetje të luftës të Ukrainës pas arritjes së marrëveshjes me Kievin për t’ia kthyer përfundimisht paratë e tyre, por Shtetet e Bashkuara nuk e kishin bërë këtë.
Zoti Witkoff tha se një mbështetje e tillë pa kushte e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën “ishte e pakuptimtë” për Presidentin Donald Trump, i cili ishte angazhuar për një kohë të gjatë në negociata për marrëveshje mbi pasuritë e paluajtshme në Nju Jork përpara se të hynte në politikë në 2015.
Presidenti Zelenskyy tha, “kam pasur një marrëveshje me ish-Presidentin Biden dhe Kongresin Amerikan, i jam mirënjohës Kongresit, të dyja palëve. Mbështetja ishte në formë grantesh. Granti nuk është hua. Ne nuk kemi pse ta kthejmë kredinë në këtë rast. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen dhe mendon se është e padrejtë. Por ndoshta kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje. Prandaj, nuk ka të bëjë me shifrën, ne thjesht nuk e shohim atë si një hua. Kjo kishte të bënte me grantet jo me shifrat. Ne thjeshtë nuk e shohim këtë si një hua.”
Presidenti Trump, i cili javën e kaluar e quajti Presidentin Zelenskyy “diktator” dhe e akuzoi atë për fillimin e luftës edhe pse Rusia e sulmoi Ukrainën, ka kërkuar pagesat dhe ka fajësuar paraardhësin e tij, Biden, për mossigurimin e një lloji garancie për kompensim të ndihmës.
Zoti Zelenskyy tha të dielën se dëshiron që Presidenti Trump të “kuptojë” pozicionin e tij dhe të sigurojë garanci konkrete të sigurisë për të ndihmuar Kievin që të mbrohet nga sulmet e Rusisë.
“Dua shumë mirëkuptim nga zoti Trump”, tha zoti Zelensky në konferencën e tij për shtypin, duke shtuar: “Garancitë e sigurisë nga Presidenti Trump janë shumë të nevojshme”.
Zoti Zelenskiy tha se është i gatshëm të heqë dorë nga posti nëse kjo do të thoshte paqe për Ukrainën dhe shtoi se ai do ta shkëmbente largimin e tij nga detyra me hyrjen e Ukrainës në NATO.
“Nëse një gjë e tillë (do të thoshte) paqe për Ukrainën, nëse vërtet mendoni që është e nevojshme që unë të largohem nga posti, unë jam gati,” tha zoti Zelenskiy kur u pyet gjatë një konference për shtyp a do të ishte gati të largohej nga posti nëse kjo do të thoshte një arritje e paqes.
“Do ta këmbeja këtë menjëherë me një (anëtarësim) në NATO, nëse është ky kusht”, shtoi presidenti.
Kryediplomatët e lartë amerikan dhe rus, Marco Rubio dhe Sergey Lavrov, u takuan në Arabinë Saudite pa pjesëmarrjen e zyrtarëve ukrainas apo evropianë javën e kaluar për të hedhur bazat për bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti Zelenskiy shprehu pakënaqësinë për përjashtimin e Ukrainës nga bisedimet, por Trump tha se ai mund të kishte negociuar me Rusinë paraprakisht që të parandalonte agresionin e Moskës.
“Kam pasur bisedime shumë të mira me Putinin dhe nuk kam pasur bisedime aq të mira me Ukrainën”, tha zoti Trump para guvernatorëve të amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.
“Ata (Ukraina) nuk kanë asnjë kartë për të luajtur, por po luajnë fort“, shtoi ai.
Televizioni shtetëror rus tha ditët e fundit se pikëpamja e zotit Trump për konfliktin Rusi-Ukrainë është “në përputhje të plotë me mënyrën se si ne i shohim gjërat”.
I dërguari Witkoff tha se lufta “nuk do të kishte ndodhur” nëse Ukraina nuk do të kishte bërë presion në atë kohë për anëtarësim në NATO. Kievi ende vazhdon të kërkojë me këmbëngulje që të bashkohet me aleancën me 32 vende, por Uashingtoni thotë se është jorealiste që kjo të ndodhë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të negociuar për t’i dhënë fund luftës.
Zoti Witkoff tha se “do të shihni lëshime nga të dyja palët” në një marrëveshje paqeje.
Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas të njohur ndërkombëtarisht. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se Moska nuk ka ndërmend t’i kthejë asnjë nga territoret qeverisë së Kievit.
“Ata njerëz vendosën t’i bashkohen Rusisë shumë kohë më parë,” tha ai, duke iu referuar votimeve të organizuara nga Moska në Ukrainën lindore të mbajtura në mes të ofensivës trevjeçare që janë konsideruar të pavlefshme nga Kievi, Perëndimi dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Një telefonatë mes presidentëve Trump dhe Putin dy javë më parë u hapi rrugën bisedimeve Rubio-Lavrov në Arabinë Saudite.
“Ky është një dialog midis dy presidentëve të jashtëzakonshëm,” tha zëdhënësi Peskov për televizionin shtetëror.
Rusia të dielën shënoi Ditën e Mbrojtësve të Atdheut – një festë për nder të ushtarëve dhe veteranët. Në një video të publikuar nga Kremlini, Presidenti Putin tha se Zoti dhe fati i kishin besuar atij dhe ushtrisë së tij “misionin” për të mbrojtur Rusinë.
Ndërkohë, Presidenti Zelenskyy tha se Rusia ndërmori sulme me 267 dronë gjatë natës në Ukrainë, të cilat ai i dënoi si “terror nga ajri”.
Zyrtarët ukrainas njoftuan për dëme në pesë rajone të vendit.
Presidenti Zelenskiy tha se rreth 1,150 dronë, më shumë se 1,400 bomba dhe 35 raketa të llojeve të ndryshme, u lëshuan gjithsej nga Rusia në drejtim të Ukrainës gjatë javës së kaluar.
Aktualitet
Lideri i ri i Iranit kërcënon me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit
Published
9 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNews
Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, përmes mesazhit të tij të parë zyrtar, ka deklaruar se Irani duhet të vazhdojë të përdorë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit si “levë” ndaj kundërshtarëve.
Ky është fjalimi i tij i parë që prej marrjes së detyrës pas vdekjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei.
Në deklaratën e lexuar në televizionin shtetëror iranian, Khamenei theksoi se politika e Iranit me vendet fqinje mbetet “miqësore”, por u dha atyre një këshillë të prerë: mbylljen e bazave amerikane në territoret e tyre.
Ai paralajmëroi se Irani do të vazhdojë t’i shënjestrojë këto baza ushtarake.
Sipas përkthimeve të bëra nga BBC Persian, ky qëndrim i liderit të ri tregon për një vazhdimësi të politikës së ashpër të Teheranit në rajon, duke vënë në rrezik rrugët kryesore të furnizimit me naftë dhe stabilitetin e sigurisë globale./BBC/
Aktualitet
Irani: Sulmet amerikane dhe izraelite kanë goditur spitale dhe lagje
Published
12 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNews
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se sulmet e ndërmarra nga United States dhe Israel kanë shkaktuar dëme të mëdha në spitale dhe në lagje civile në Iran.
Zëvendësministri iranian i shëndetësisë, Ali Jafarian, tha në një intervistë për Al Jazeera nga Tehran se ekipet mjekësore po përballen me një numër në rritje viktimash, shumë prej tyre civilë që kanë humbur jetën në vendet e sulmeve.
“Fatkeqësisht ka shumë viktima që vriten në vendngjarje, sepse po bombardohen infrastrukturat civile”, tha ai, duke shtuar se të paktën 1,395 persona janë vrarë dhe se shumë të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
Sipas tij, shumica e viktimave janë civilë që jetonin në zonat e goditura, ndërsa sulmet në zonat urbane janë intensifikuar ditët e fundit.
Jafarian bëri të ditur se 31 objekte të mëdha klinike dhe spitale janë dëmtuar, ndërsa 12 prej tyre kanë dalë jashtë funksionit. Gjithashtu, janë goditur 149 qendra shëndetësore, rreth 100 prej të cilave vetëm në katër ditët e fundit.
Ai shtoi se dy punonjës të sistemit shëndetësor janë vrarë gjatë katër ditëve të fundit si pasojë e sulmeve. /Euronews/
Aktualitet
Tensionet në Lindjen e Mesme: Çmimi i naftës arrin 100 dollarë pas sulmeve të reja
Published
15 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNews
Situata në Lindjen e Mesme është rënduar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar trazira të mëdha në tregjet botërore dhe pasiguri të lartë në rajon.
Çmimi i naftës ka shënuar rritje të menjëhershme duke prekur vlerën prej 100 dollarë për fuçi, pas sulmeve të reja ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik.
Edhe pse 32 shtete u pajtuan të mërkurën që të nxjerrin në treg 400 milionë fuçi nga rezervat e tyre për të qetësuar tregun, sulmet e fundit ndaj dy anijeve cisternë afër Irakut dhe një anijeje transportuese pranë Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbajtur çmimet në nivele të larta.
Përveç krizës së energjisë, rajoni është përfshirë nga një valë sulmesh ajrore. Në Liban, goditjet izraelite në bregdetin e Bejrutit kanë lënë të vdekur të paktën tetë persona, ndërkohë që janë raportuar sulme iraniane në Bahrejn dhe Oman.
Në Dubai, një dron ka goditur një ndërtesë të lartë, duke shkaktuar dëme të dukshme por pa lëndime në njerëz. Gjithashtu, një raketë ka goditur një bazë italiane në veri të Irakut, fatmirësisht pa shkaktuar pasoja te ushtarët.
Në anën tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se çmimet e naftës do të pësojnë rënie të madhe, duke i cilësuar lëkundjet aktuale si një “pasojë lufte” që do të rregullohet më shpejt nga sa pritet.
Megjithatë, gjendja në terren mbetet e ndezur me alarmet që vazhdojnë të dëgjohen në Bahrejn dhe largimet e reja të urdhëruara nga Izraeli në jug të Libanit, ndërsa bankat ndërkombëtare kanë filluar të mbyllin zyrat e tyre në Gji për shkaqe sigurie. /BBC/
Aktualitet
Irani kërcënon botën: Nafta do të shkojë në 200 dollarë, vazhdojnë sulmet në det
Published
1 day agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Irani ka deklaruar se bota duhet të përgatitet që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi, ndërsa forcat e tij sulmuan anijet tregtare të mërkurën në Gjirin e bllokuar. Paralelisht, Irani hodhi predha drejt Izraelit dhe objektivave të tjerë në Lindjen e Mesme, duke dëshmuar se mund të kundërpërgjigjet përkundër asaj që Pentagoni i ka përshkruar si sulmet më intensive amerikano-izraelite deri më tani.
Çmimet e naftës, të cilat u rritën ndjeshëm në fillim të kësaj jave, janë stabilizuar disi dhe bursat janë rimëkëmbur, pasi investitorët po vënë bast se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të gjejë një mënyrë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës që nisi krah Izraelit rreth dy javë më parë.
Trump, i cili vazhdimisht është përpjekur të qetësojë tregjet, tha në një intervistë telefonike për Axios se “praktikisht nuk ka mbetur asgjë” për të goditur në Iran. “Pak këtu e pak atje… Kurdo që unë dua që kjo të përfundojë, do të përfundojë,” u shpreh ai.
Ndërprerja më e rëndë e furnizimit që nga vitet ’70
Përkundër optimizmit të tregjeve, në terren nuk ka shenja të zbutjes së konfliktit apo ndonjë sinjal se anijet mund të lundrojnë të sigurta përmes Ngushticës së Hormuzit. Aty është bllokuar një e pesta e naftës në botë, duke shënuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me energji që nga goditjet e naftës në vitet 1970.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka rekomanduar lëshimin e 400 milionë fuçive nga rezervat strategjike globale për të stabilizuar çmimet—ndërhyrja më e madhe në histori, e cila u miratua menjëherë nga Uashingtoni. Megjithatë, ritmi me të cilin vendet mund ta lëshojnë këtë rezervë përbën vetëm një pjesë të vogël të furnizimit që zakonisht kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Bëhuni gati që nafta të shkojë në 200 dollarë për fuçi, sepse çmimi i naftës varet nga siguria rajonale, të cilën ju e keni destabilizuar,” deklaroi Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës ushtarake të Iranit, në një mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara.
Çmimet e naftës, të cilat të hënën arritën për pak kohë në gati 120 dollarë, që atëherë janë stabilizuar rreth 90 dollarëve, gjë që sugjeron se investitorët shpresojnë në një përfundim të shpejtë të luftës dhe rihapjen e ngushticës. /Reuters/
Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë
Krerët e FFK-së takojnë ministrin e ri të Sportit, diskutohet për bashkëpunim dhe infrastrukturë
Lideri i ri i Iranit kërcënon me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit
Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së
KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit
Dy vlerësime për Kosovën në turneun ndërkombëtar të boksit për të rinj në Budva
IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë
Heronj të Heshtur: Kur Jeta u Rrezikua për Çdo Fletë Librash
Mesazhi i Ramës për Beogradin: Nëse preket Kosova, preket Shqipëria
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
