Botë

Uashington, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit urdhërohet të ndërpresë punën

Published

on

UASHINGTON – Administrata e Presidentit Trump ka urdhëruar Byronë e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorëve (CFPB) që të ndërpresë pothuajse të gjithë funksionet e saj, duke mbyllur praktikisht një agjenci që u krijua për të mbrojtur konsumatorët pas krizës financiare të vitit 2008 dhe skandalit të kredive për blerjen e shtëpive.

Russell Vought, drejtori i ri i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, udhëzoi CFPB-në, në një email të konfirmuar nga agjencia e lajmeve Associated Press të dërguar mbrëmjen e së shtunës, të ndalë punën për proceset në vijim dhe të mos fillojë asnjë hetim të ri. Agjencia ka tërhequr vëmendjen e konservatorëve që kur ish-Presidenti Barack Obama këmbënguli për krijimin e saj me legjislacionin e reformës financiare të vitit 2010, që pasoi krizën financiare të periudhës 2007-2008.

Mesazhi i dërguar me email gjithashtu urdhëroi CFPB-në të “ndërpriste të gjitha aktivitetet e mbikëqyrjes dhe ekzaminimit”.

Meqenëse CFPB-ja është krijuar nga Kongresi, do të duhej një akt i veçantë i Kongresit për ta eliminuar atë zyrtarisht. Por drejtuesi i agjencisë vendos sidoqoftë në lidhje me veprimtarinë e saj ligjzbatuese.

Në platformën e mediave sociale X, Elon Musk komentoi të premten: “U prehtë në paqe CFPB-ja” (“CFPB RIP”). Dhe faqja kryesore në internet e CFPB-së nuk funksionoi të dielën, e zëvendësuar me një mesazh se “faqja nuk gjendet”.

Ndërkohë në orët e vona të së shtunës, zoti Vought tha në një postim në mediat sociale se CFPB-ja nuk do të tërhiqte shumën e ardhshme të financimit nga Rezerva Federale, duke shtuar se rezervat e saj aktuale prej 711.6 milionë dollarësh janë “të tepruara”. Kongresi pati vendosur që buxheti i kësaj byroje të jepej nga Rezerva Federale, për ta mbrojtur atë nga trysnia politike.

Ky mekanizëm “që kontribuon prej kohësh për mos-përgjegjshmërinë e CFPB-së, tashmë po mbyllet”, tha zoti Vought në rrjetin ‘X’.

CFPB-ja thotë se ka arritur të lehtësojë financiarisht me rreth 20 miliardë dollarë konsumatorët amerikanë, që nga themelimi i saj, në formën e borxheve të anuluara, kompensimit dhe kredive të reduktuara. Muajin e kaluar, byroja paditi bankën Capital One me akuza për mashtrimin e konsumatorëve në lidhje me ofertat e saj për llogaritë e kursimeve me interes të lartë, duke përfituar për rrjedhojë mbi 2 miliardë dollarë që duhet t’u kishin shkuar klientëve në formën e interesit.

Dennis Kelleher, president i organizatës “Better Markets”, tha se, “kjo është arsyeja përse bankat më të mëdha të Wall Street-it dhe aleatët miliarderë të Trump-it e urrejnë byronë: pasi është një zbatuese efektive e ligjeve për financat dhe ka qëndruar krah për krah me qindra miliona amerikanë – republikanë dhe demokratë – përballë financierëve grabitqarë, mashtruesve dhe shkelësve”.

Masa ndaj CFPB-së gjithashtu vë në dukje tensionet mes premtimeve më populiste të Presidentit Trump për të ulur kostot për familjet e klasës punëtore dhe premtimit të tij për të reduktuar rregullat e qeverisë.

Gjatë fushatës, Presidenti Trump tha se do t’i kufizonte normat e interesit të kartave të kreditit në 10%, pasi ato u rritën në nivele mesatare rekord mbi 20%, kur Rezerva Federale rriti normat e interesit në 2022 dhe 2023. CFPB-ja kishte filluar punën për zbatimin e këtij propozimi.

Byroja mund të vazhdojë të pranojë ankesa, por nuk mund të fillojë hetime ose të vazhdojë me ato ekzistuese, sipas një personi në dijeni të proceseve të agjencisë, që kërkoi t’i ruhet anonimiteti. Memorandumi lë të kuptohet se ndalohet gjithashtu komunikimi me kompanitë, organizatat e konsumatorëve ose grupe të tjera të jashtme.

Ekipi i zotit Musk do të kishte gjithashtu qasje tek ankesat, hetimet dhe të dhënat e mbikëqyrjes rregullatore. Qasja do të ngrinte pikëpyetje të pakëndshme nëse kompania X e zotit Musk krijon një sistem të ri pagesash, pasi CFPB-ja ka të dhëna për kompani të ngjashme që do të ishin konkurrente me të, si Cash App, tha personi.

Email-i i zotit Vought u dërgua pasi një direktivë e ngjashme u dha nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent më 3 shkurt dhe është masa më e fundit e administratës së Presidentit Trump për të kufizuar me shpejtësi punën e agjencive federale që i ka konsideruar të tepërta.

Ish-Presidenti Obama udhëhoqi përpjekjet për krijimin e byrosë në vazhdën e krizës së strehimit dhe asaj financiare të viteve 2007-2008, e cila u shkaktua pjesërisht nga dhënia e huave të parregullta për blerjen e shtëpive. Ideja për krijimin e kësaj byroje ishte propozuar nga senatorja demokrate nga Massachusetts, Elizabeth Warren. Ndaj byrosë janë ngritur padi nga banka të mëdha dhe shoqatat e sektorit financiar.

“Vought po u hap bankave të mëdha dhe korporatave gjigante dritën jeshile për të mashtruar familjet“, tha senatorja Warren.

Javën e kaluar, senatorja Warren i bëri thirrje Presidentit Trump që të punojë me byronë për të mbrojtur amerikanët nga praktika e bankave që mbyllin llogaritë e klientëve sepse besojnë se ato paraqesin rreziqe financiare, ligjore apo për reputacionin e bankave.

Në email-in e zotit Vought thuhej se Presidenti Donald Trump e kishte ngarkuar atë të premten me detyrën e drejtorit të përkohshëm të CFPB-së. Presidenti Trump shkarkoi drejtorin e mëparshëm të byrosë, Rohit Chopra, më 1 shkurt. Zoti Vought ishte ndër hartuesit e Projektit 2025, një plan politikash për Shtëpinë e Bardhë, plan që Presidenti Trump u përpoq ta mohonte gjatë fushatës së vitit të kaluar.

Nën drejtimin e zotit Chopra, CFPB-ja miratoi rregulla për të kufizuar tarifat bankare dhe ka propozuar kufizime për kompanitë ndërmjetëse që kanë qasje tek informacione personale, si numrat e Sigurimeve Shoqërore.

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Skandali me spiunazh kinez: Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, pranon aferën jashtëmartesore

Published

on

By

Jensen Huang, bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i gjigantit të inteligjencës artificiale Nvidia, është përfshirë në një skandal të madh personal dhe gjeopolitik pas raportimeve se ka pasur një marrëdhënësi jashtëmartesore me një grua të dyshuar si spiune e inteligjencës kineze.

Raportimet e New York Times bëjnë të ditur se shërbimet amerikane të inteligjencës kishin identifikuar Alice Huang (e njohur edhe si Huang Le), ish-ekzekutive në kompaninë e qendrave të të dhënave Megaspeed me seli në Singapor, si person të rekrutuar nga agjencitë kineze të zbulimit. Përgjimet e inteligjencës zbuluan komunikimet e saj me Huang, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare.

Lidhur me ngjarjen, 63-vjeçari Huang ka reaguar me anë të një deklarate publike ku pranoi tradhtinë bashkëshortore, duke shprehur keqardhje të thellë ndaj bashkëshortes së tij Lori dhe dy fëmijëve të tyre:

“I kam qenë i pabesë gruas sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë arsyetim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq.”

Bordi i drejtuesve të Nvidia-s ka njoftuar nisjen e një hetimi të brendshëm, por për momentin ka konfirmuar besimin te udhëheqja e Huang, duke pasur parasysh edhe peshën financiare të kompanisë e cila kap vlerën e rreth 4.5 trilonë dollarëve. Skandali vjen në një periudhë delikate të rivalitetit teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës, ku Nvidia luan një rol kyç në furnizimin e tregut global me çipa të avancuar të inteligjencës artificiale. /BBC/

Continue Reading

Live

Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë

Published

on

By

Një seri kërcënimesh të rreme për bomba ka përfshirë katër vende evropiane – Danimarkën, Çekinë, Rumaninë dhe Irlandën – duke prekur aeroporte, fluturime pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE.

Incidentet vijnë pas një jave të ngarkuar me alarme të ngjashme, ku më shumë se 20 fluturime kanë pranuar kërcënime anonime, duke detyruar devijimin e disave prej tyre.

Në Rumani, një avion i kompanisë “TAROM” që udhëtonte nga Praga për në Bukuresht mori kërcënim për bombë, mirëpo vazhdoi fluturimin dhe u ul i sigurt në destinacion, ku autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Në Danimarkë, policia forcoi praninë në aeroportin e Kopenhagës për të dytën ditë me radhë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror, duke njoftuar se situata mbetet nën kontroll dhe fluturimet po zhvillohen normalisht.

Në Çeki, policia ndërmori masa shtesë sigurie në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës pas sinjaleve të reja ndaj avionëve.

Në Irlandë, selia e televizionit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë, gjë që solli ndërprerjen e transmetimeve të drejtpërdrejta. Policia irlandeze konfirmoi se po heton kërcënimet e drejtuara ndaj mediave atje dhe në Evropë.

Vëllimi i madh i kërcënimeve brenda një kohe të shkurtër konsiderohet i pazakontë nga ekspertët e sigurisë. Incidentet po ndodhin në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike dhe paralajmërimesh se rajoni mund të jetë cak i sulmeve hibride. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara