Lajmet

U hap zyrtarisht edicioni i 13-të i Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion

Published

on

Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në rajon, u hap zyrtarisht, duke mbledhur në Kosovë qindra akademikë dhe studentë nga dhjetëra shtete të ndryshme të botës. Kjo konferencë ndërkombëtare shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive ndërmjet hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të industrisë.

Në hapjen zyrtare të edicionit të 13-të të Konferencës Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion në UBT, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi e vlerësoi konferencën si një moment të rëndësishëm që shënon një tjetër hap në rrugën e përbashkët për avancimin e dijes dhe mbështetjen e inovacionit shkencor, duke krijuar një platformë unike bashkëpunimi ndërmjet studiuesve nga fusha të ndryshme. Me një mision të qartë, ai tha se konferenca sjell së bashku mendjet më të ndritura nga e gjithë bota për të ndarë ide, përvoja dhe rezultate kërkimore në fusha të specializuara dhe ndërdisiplinare.

Rektori Hajrizi theksoi pjesëmarrjen e mbi 3,000 individëve – hulumtues, shkencëtarë dhe studentë nga vende të ndryshme të cilët do të ndajnë rezultatet e punës së tyre shkencore dhe do të diskutojnë për të ardhmen e inovacionit në shkencë, biznes dhe teknologji. Ai falënderoi veçanërisht kërkuesit ndërkombëtarë dhe komitetin organizativ për punën e tyre të palodhur në realizimin e këtij eventi të suksesshëm. Duke pasur 24 fusha të ndryshme studimi që zhvillohen njëkohësisht, rektori përmendi rëndësinë e kësaj konference si një platformë ku përpjekjet për avancimin e njohurive shpërblehen me bashkëpunime të reja dhe rezultate konkrete.

Për më tepër, ai ndau suksesin e UBT-së në arenën ndërkombëtare, duke përmendur mbi 500 partneritete globale dhe pozicionimet e larta në renditjet ndërkombëtare, si në WURI për inovacion dhe inteligjencë artificiale, si dhe në SCImago ku UBT është vlerësuar si institucioni më i mirë privat në trojet shqiptare për vitin 2024. Përveç kësaj, ai përmendi rëndësinë e përkushtimit të UBT-së ndaj qëndrueshmërisë, duke u renditur ndër 200 universitetet më të mira në botë për luftën ndaj Ndryshimeve Klimatike nga GreenMetric për vitin 2023, dhe duke u vlerësuar si “Universiteti i Ri Evropian për Ndërmarrësi i Vitit” në Lisbonë nga Triple E Awards.

Në përfundim, Rektori Hajrizi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar në përmirësimin e botës përmes shkencës dhe inovacionit, duke theksuar përkushtimin e UBT-së për të ofruar një platformë të fuqishme për zhvillimin dhe frymëzimin e gjeneratave të ardhshme të shkencëtarëve dhe liderëve.

Në ceremoninë hapëse morën fjalën personalitete të njohura nga bota akademike ndërkombëtare, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të dijes në nivel global. Prof. Dr. Galia Marinova nga Universiteti Teknik i Sofjes, me përvojën e saj të gjerë në fushën e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë, theksoi rolin e teknologjisë në avancimin e inovacioneve dhe impaktin e saj në edukim. Prof. Dr. Ilaria Venanzi nga Universiteti i Perugias u ndal tek rëndësia e kërkimeve ndërdisiplinare në shkencat sociale dhe ekonomike për adresimin e sfidave bashkëkohore dhe Prof. Dr. Harald Tschan nga Universiteti i Vjenës.

Konferenca mbulon 24 fusha të ndryshme, duke përfshirë: Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit dhe Siguri, Menaxhim i Mekatronikës dhe Robotikës, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieria Ndërtimit dhe Mjedisit, Energji Efiçiente, Juridik, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Gazetari, Media dhe Komunikim, Shkenca të Ushqimit, Shkenca Mjekësore, Kimi dhe Farmaci, Dizajn i Integruar, si dhe Shkenca e Psikologjisë; Edukim dhe Zhvillim.

Nëpërmjet kësaj ngjarjeje të organizuar çdo vit, UBT po vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e shkencës dhe kërkimit, duke u dhënë mundësi profesorëve dhe profesionistëve të ndryshëm të ndajnë rezultatet e punës së tyre shkencore. Përveç përfitimeve akademike, konferenca ka një ndikim të rëndësishëm për publikun e gjerë, duke u shërbyer si një burim informacioni mbi trendet më të fundit në të gjitha fushat e zhvillimit shkencor dhe teknologjik./UBTNews/

Lajmet

UBT organizon Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e profesorit dhe arkitektit Arsim Murseli

Published

on

By

Nën patronatin e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, të hënën më 26 maj 2025, në Sallën e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, duke filluar nga ora 10:00, do të organizohet një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë profesionale e njerëzore të profesor Arsim Murselit – arkitektit të njohur dhe intelektualit të shquar të komunitetit akademik.

Profesor Murseli ishte një bashkëpunëtor i respektuar, mik i afërt dhe kontribuues i rëndësishëm në rrugëtimin e UBT-së. Ai ishte ndër figurat më të dashura dhe më të përkushtuara, i njohur për mençurinë, modesti të rrallë, integritet të lartë dhe dashurinë e pakushtëzuar për dijen.

Në rolin e tij si ligjërues dhe arkitekt, profesor Murseli la gjurmë të thella përmes angazhimit të palodhur në projekte të shumta akademike e arkitektonike, duke përçuar përherë mesazhin e përparësisë së dijes, edukimit cilësor dhe formimit profesional të brezave të rinj. Si udhëheqës i degës së UBT-së në Ferizaj, ai vendosi standarde të larta të lidershipit akademik dhe krijoi një trashëgimi të qëndrueshme në edukimin e studentëve.

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari për spiunazh për inteligjencën serbe

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri, të cilin e akuzon se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për kohë të papërcaktuar.

Të dyshuarin, e identifikuar vetëm me inicialet A.V., prokurorët e ngarkojnë me dy vepra penale, spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, i dyshuari kishte “mbledhur të dhëna dhe dokumente të rëndësishme, të cilat, më pas dërgoi në cilësinë e Agjentit Rezident BIA-s serb”, duke e “cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës si dhe jetën e zyrtarëve shtetëror dhe të qytetarëve të saj”.

Ai dyshohet se e ka kryer veprën për kohë të papërcaktuar deri në arrestimin e tij në qershor të vitit 2024.

Nga provat e siguruara… A.V kishte krijuar një rrjet të punësuarve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe kishte mbledhur informacione, për persona të nacionalitet serbë, me qëllimin që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Ai dyshohet se të dhënat dhe dokumentet e siguruara ia kishte “dorëzuar zyrtarit të lart të BIA-së, R.G, shef i njërës prej Qendrave të BIA-së në territorin e Serbisë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike”.

Prokuroria tha se në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një spërkatës gaz lotsjellës, gjatë një bastisjeje policore.

Prokurorët kanë kërkuar që ai të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.

Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth identitetit apo kombësisë së A.V., por vitet e fundit serbë e shqiptarë janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Derisa shpeshtohen rastet, njohësit e sigurisë thonë se inteligjenca serbe ka shtrirë rrënjët në tërë territorin e Kosovës ndër vite./REL/

Continue Reading

Lajmet

FFK pajtohet me vërejtjet e MKRS-s, Kuvendi i Punës do të përsëritet

Published

on

By

Federata e Futbollit të Kosovës do pa përsëris Kuvendin e Punës të mbajtur më 20 shkurt të këtij viti pasi Komisioni Vlerësues brenda Ministrisë së Sportit kishte gjetur parregullësi në këtë kuvend, me theks të veçantë në pjesëmarrjen e dy klubeve që nuk ishin të licencuara në këtë kuvend.

Si pasojë e këtyre shkeljeve, MKRS kishe pezulluar lëshimin e vërtetimeve nga Ligji i Sponsorizimeve për të gjitha klubet e futbollit, duke shkaktuar kështu dëm të madh financiar tek secila prej tyre.

Por, situata tashmë ka ndryshuar. Ekskluzivisht për KosovaPress, Kryesuesi i Komisionit për Licencim të Federatave Sportive, Fidan Shatri ka thënë se FFK është pajtuar që ta përsëris Kuvendin e Punës duke u pajtuar me gjetjet e shkeljeve nga ana e MKRS-së

Sipas zyrtarit të MKRS-së, Fatmir Shatri, një nga shkeljet më të theksuara ishte përfshirja e klubeve të palicencuara në procesin e vendimmarrjes, çka bie ndesh me Ligjin për Sport.

Rasti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë pas vlerësimit të komisionit mbi kuvendin e punës që është mbajtur në muajin shkurt, kanë qenë disa vërejtje të cilat kanë qenë edhe publike, dhe një nga vërejtjet kyçe ka qenë pjesëmarrja e klubeve të cilat nuk janë të licencuara në procesin e vendimmarrjes, pra pjesëmarrja në Kuvendin e Federatës së Futbollit. Në rastin e tillë është standard për të gjitha federatat që klubet të cilat nuk janë të licencuara nuk mund të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe me strukturat e federatës përkatëse, në këtë rast FFK”, ka thënë fillimisht Shatri.

Shatri ka bërë të ditur se FFK është zotuar që Kuvendi i të mbahet gjatë muajit qershor

Pas vlerësimit të komisionit, kemi pasur disa takime me FFK-në ku me të gjitha federatat jemi të gatshëm të kontribuojmë në mundësinë e dhënies së propozimeve tona në lidhje me harmonizimin e të gjitha akteve pasi është ligj i ri i sportit dhe nuk është i njohur për të gjithë. Në këtë rast, Federata e Futbollit është pajtuar që të gjeturat që i ka dhënë komisioni në drejtim të federatës që këto të gjetura ku kanë marrë pjesë klubet e palicencuara është vërejtje e komisionit që nuk mund të jenë pjesë e kuvendit. Në këtë rast, janë zotuar që gjatë muajit qershor Federata e Futbollit do ta mbaj Kuvendin e Punës dhe në harmoni me Ligjin për Sport, udhëzimet dhe rekomandimet e komisionit të miratohen në kuvendin që do të mbahet në qershor”, ka bërë të ditur Shatri.

Ai ka shtuar në fund se në rast se FFK nuk e mban këtë zotim, atëherë mund të pezullohet sërish lëshimi i vërtetimeve të sponsorizimit për të gjitha klubet sportive që janë anëtare të FFK-së.

 

Continue Reading

Lajmet

​Kallas në Shkup: Plotësoni kushtet

Published

on

By

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas pas takimit në Shkup me kryeministrin Hrisitjan Mickoski, paralajmëroi se ka mundësi për lëvizje, lidhur me bllokadën e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat i kërkon Bullgaria.

Rruga deri në anëtarësim nuk është e lehtë dhe porosia e ime sot është që të mbeteni në të njëjtin drejtim. T’i ndërmerrni hapat e nevojshme për hapjen e bisedimeve hyrëse”, tha Kaja Kallas, përfaqësuese e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Është e qartë se duam që Maqedonia e Veriut me të vërtetë të lëvizë nëpërmjet kësaj rruge dhe e dimë se ka pengesa. Atë e diskutuam sot që të mundemi të gjejmë mekanizma që të tejkalohen ato pengesa. Gjithsesi kryeministri mund t’i sqarojë idetë e tij, por vlerësoj se ka hapësirë ku mundemi të bëjmë diçka, nuk do të hyja në detaje. Në qoftë se lëvizim, atëherë do ta publikojmë para mediave”, theksoi Kaja Kallas, përfaqësuese e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, shkruan Alsat.

Mickoski, nga ana tjetër theksoi se vendi është i gatshëm për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë, megjithatë ajo duhet të jetë e qëndrueshme dhe e dinjitetshme.

Sot, kërkova trajtim korrekt. Kërkova qëndrueshmëri. Evropa të tregojë lidership, i cili do të sjellë diçka me vlerë për qytetarët në realitet. Të kthehet besimi në idenë evropiane, veçanërisht te të rinjtë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Dora jonë mbetet e shtrirë. Ne jemi të hapur për miqësi, dialog dhe bashkëpunim. Por ne qëndrojmë të vendosur, të drejtë dhe dinjitoz – me porosi të qartë: jemi gati. Evropa mund të mbështetet te ne – dhe tani është koha që ne të fillojmë të mbështetemi te Evropa”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër, transmeton KosovaPress.

Kallas gjatë ditës ka realizuar takime edhe me ministrin e Jashtëm Timço Mucunski dhe atë të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Kallas viziton Shkupin, derisa ende nuk ka një strategji të qartë se vendi do ta tejkalojë veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave, e cila kërkon që të futen bullgarët në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Ky kusht, është pjesë e kornizës negociuese, ndërsa Bullgaria këmbëngul që për të nuk ka çfarë të rinegociohet. Megjithatë, Maqedonia e Veriut kërkon garanci që të mos përsëritet ngecja, me ndonjë veto tjetër eventuale në lidhje me çështjet bilaterale.

Continue Reading

Të kërkuara