Lajmet

U hap zyrtarisht edicioni i 13-të i Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion

Published

on

Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në rajon, u hap zyrtarisht, duke mbledhur në Kosovë qindra akademikë dhe studentë nga dhjetëra shtete të ndryshme të botës. Kjo konferencë ndërkombëtare shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive ndërmjet hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të industrisë.

Në hapjen zyrtare të edicionit të 13-të të Konferencës Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion në UBT, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi e vlerësoi konferencën si një moment të rëndësishëm që shënon një tjetër hap në rrugën e përbashkët për avancimin e dijes dhe mbështetjen e inovacionit shkencor, duke krijuar një platformë unike bashkëpunimi ndërmjet studiuesve nga fusha të ndryshme. Me një mision të qartë, ai tha se konferenca sjell së bashku mendjet më të ndritura nga e gjithë bota për të ndarë ide, përvoja dhe rezultate kërkimore në fusha të specializuara dhe ndërdisiplinare.

Rektori Hajrizi theksoi pjesëmarrjen e mbi 3,000 individëve – hulumtues, shkencëtarë dhe studentë nga vende të ndryshme të cilët do të ndajnë rezultatet e punës së tyre shkencore dhe do të diskutojnë për të ardhmen e inovacionit në shkencë, biznes dhe teknologji. Ai falënderoi veçanërisht kërkuesit ndërkombëtarë dhe komitetin organizativ për punën e tyre të palodhur në realizimin e këtij eventi të suksesshëm. Duke pasur 24 fusha të ndryshme studimi që zhvillohen njëkohësisht, rektori përmendi rëndësinë e kësaj konference si një platformë ku përpjekjet për avancimin e njohurive shpërblehen me bashkëpunime të reja dhe rezultate konkrete.

Për më tepër, ai ndau suksesin e UBT-së në arenën ndërkombëtare, duke përmendur mbi 500 partneritete globale dhe pozicionimet e larta në renditjet ndërkombëtare, si në WURI për inovacion dhe inteligjencë artificiale, si dhe në SCImago ku UBT është vlerësuar si institucioni më i mirë privat në trojet shqiptare për vitin 2024. Përveç kësaj, ai përmendi rëndësinë e përkushtimit të UBT-së ndaj qëndrueshmërisë, duke u renditur ndër 200 universitetet më të mira në botë për luftën ndaj Ndryshimeve Klimatike nga GreenMetric për vitin 2023, dhe duke u vlerësuar si “Universiteti i Ri Evropian për Ndërmarrësi i Vitit” në Lisbonë nga Triple E Awards.

Në përfundim, Rektori Hajrizi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar në përmirësimin e botës përmes shkencës dhe inovacionit, duke theksuar përkushtimin e UBT-së për të ofruar një platformë të fuqishme për zhvillimin dhe frymëzimin e gjeneratave të ardhshme të shkencëtarëve dhe liderëve.

Në ceremoninë hapëse morën fjalën personalitete të njohura nga bota akademike ndërkombëtare, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të dijes në nivel global. Prof. Dr. Galia Marinova nga Universiteti Teknik i Sofjes, me përvojën e saj të gjerë në fushën e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë, theksoi rolin e teknologjisë në avancimin e inovacioneve dhe impaktin e saj në edukim. Prof. Dr. Ilaria Venanzi nga Universiteti i Perugias u ndal tek rëndësia e kërkimeve ndërdisiplinare në shkencat sociale dhe ekonomike për adresimin e sfidave bashkëkohore dhe Prof. Dr. Harald Tschan nga Universiteti i Vjenës.

Konferenca mbulon 24 fusha të ndryshme, duke përfshirë: Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit dhe Siguri, Menaxhim i Mekatronikës dhe Robotikës, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieria Ndërtimit dhe Mjedisit, Energji Efiçiente, Juridik, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Gazetari, Media dhe Komunikim, Shkenca të Ushqimit, Shkenca Mjekësore, Kimi dhe Farmaci, Dizajn i Integruar, si dhe Shkenca e Psikologjisë; Edukim dhe Zhvillim.

Nëpërmjet kësaj ngjarjeje të organizuar çdo vit, UBT po vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e shkencës dhe kërkimit, duke u dhënë mundësi profesorëve dhe profesionistëve të ndryshëm të ndajnë rezultatet e punës së tyre shkencore. Përveç përfitimeve akademike, konferenca ka një ndikim të rëndësishëm për publikun e gjerë, duke u shërbyer si një burim informacioni mbi trendet më të fundit në të gjitha fushat e zhvillimit shkencor dhe teknologjik./UBTNews/

lajme

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Probleme globale me Microsoft: Pa qasje në Outlook edhe në Kosovë

Published

on

By

Si pasojë e problemeve të mëdha teknike që kanë prekur shërbimet e Microsoft në nivel global, edhe në Kosovë nuk ka qasje në platformën e postës elektronike Outlook.

Ndërprerja ka pamundësuar hapjen e emaileve dhe ka shkaktuar vështirësi në komunikimet zyrtare dhe punën e përditshme, njëjtë sikurse në shumë vende të tjera të botës.

Ekipet teknike të kompanisë janë duke punuar për identifikimin dhe rregullimin e defektit, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë se kur do të rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimeve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon kryeministrin britanik Burnham në Dublin: Thellojmë partneritetin dhe bashkëpunimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, në përmbyllje të punimeve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kurti e ka vlerësuar Mbretërinë e Bashkuar si një partnere dhe aleate të posaçme të Republikës së Kosovës, duke shprehur synimin e Qeverisë për të avancuar më tej raportet bilaterale.

“Jemi mirënjohës e falënderues për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të saj, teksa synojmë e angazhohemi për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit”, ka deklaruar kryeministri Kurti. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara