Botë

Trump vendos sanksione ndaj GJNP-së

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke vendosur sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), lidhur me hetimet ndaj Izraelit, aleatit të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

As SHBA-ja e as Izraeli nuk janë anëtarë apo nuk e njohin gjykatën, e cila ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për krimet e pretenduara të luftës lidhur me përgjigjen ushtarake të shtetit të tij në Gazë, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023.

Si pasojë e sulmit të Hamasit u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen, afër 250 të tjerë. Ndërkaq, dhjetëra mijëra palestinezë u vranë gjatë fushatës ushtarake izraelite.

Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e akuzon GJNP-në se po përfshihet në “veprime të paligjshme dhe pa bazë që shënjestrojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin” dhe për abuzim të pushtetit duke lëshuar “fletarrestime të pabaza” kundër Netanyahut dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

“GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi Shtetet e Bashkuara e as Izraelin”, thuhet në urdhër, ku shtohet se gjykata ka vendosur një “precedent të rrezikshme” me veprimet e saj kundër këtyre dy shteteve.

Nënshkrimi i urdhrit ekzekutiv nga presidenti Trump më 6 shkurt ndodhi teksa Netanyahu po vizitonte Uashingtonin. Ai u takua me Trumpin të martën në Shtëpinë e Bardhë dhe të enjten zhvilloi takime me ligjvënësit në Kongresin amerikan.

Në urdhër thuhet se SHBA-ja do të vendosë “pasoja të prekshme dhe të rëndësishme” ndaj atyre që janë përgjegjës për shkeljet në GJNP. Veprimet mund të përfshijnë bllokime të pronës dhe aseteve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për zyrtarët e GJNP-së, punonjësit dhe të afërmit e tyre.

As Izraeli dhe as SHBA-ja nuk janë në mesin e 124 shteteve anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Një ligj i vitit 2002 autorizonte Pentagonin që të çlironte çdo amerikan apo aleat të SHBA-së që do të mbahej nga gjykata. Më 2020, Trump sanksionoi kryeprokuroren e atëhershme në GJNP, Fatou Bensouda, lidhur me vendimin e saj për të hapur një hetim lidhur me krimet e mundshme të luftës të kryera nga të gjitha palët, përfshirë nga SHBA-ja, në Afganistan.

Megjithatë, sanksionet u hoqën gjatë mandatit të presidentit Joe Biden, dhe SHBA-ja nisi të bashkëpunonte me Gjykatën, veçmas pasi kryeprokurori i ri Karim Khan, më 2023 akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, për krime lufte në Ukrainë.

Ndërkaq, sa i përket fletarrestimeve të lëshuara ndaj Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë Izraelitë, Binden i kishte cilësuar si të turpshme, ndërkaq këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, Mike Waltz, e ka akuzuar gjykatën për njëanshmëri./REL/

Live

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

lajme

Republikanët bllokojnë procedurën e shkarkimit ndaj Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth

Published

on

By

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bllokuar përpjekjen për të nisur procedurën e shkarkimit ndaj Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Përmes një votimi të zhvilluar në Dhomën e Përfaqësuesve, rezoluta për shkarkimin e Hegsethit u dërgua për shqyrtim në komisionet përkatëse, duke u hequr nga rendi i ditës për votim në seancë plenare. Ky vendim e bën pothuajse të pamundur që nisma të arrijë votimin përfundimtar deri më 3 janar 2027, kur përfundon legjislatura aktuale e Kongresit amerikan.

Nisma për shkarkimin e Hegsethit u ndërmor nga kongresmeni republikan Thomas Massie, një kritik i njohur i presidentit Donald Trump. Bllokimi i kësaj nisme po cilësohet si një shfaqje uniteti brenda radhëve të republikanëve në Kongres, pavarësisht sfidave dhe mosmarrëveshjeve të fundit politike. /BBC/

Continue Reading

lajme

SHBA ngre akuza ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani për komplote terroriste në Evropë

Published

on

By

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza penale ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani, të cilët akuzohen për përfshirje në një seri komplotesh terroriste në SHBA dhe Evropë, përfshirë një sulm të dështuar ndaj një baze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Sipas aktakuzës së bërë publike nga autoritetet amerikane, agjentët iranianë orkestruan një plan sulmi në bazën ushtarake ajrore “RAF Fairford” në Gloucestershire të Mbretërisë së Bashkuar, ku janë të vendosura forcat e armatosura amerikane. Të akuzuarit janë shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy shtetësi (iraniane-irakiane) Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi. Unë prej tyre akuzohet se ka komunikuar me kontaktet e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku po pret gjykimin për akuza të mëparshme, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar nga Irani.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se triot i ngarkohet përgjegjësia për planifikimin e sulmeve në Evropë nën emrin e një grupi fiktiv me pseudonimin “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” (HAYI). Nga 18 sulmet terroriste në Evropë për të cilat ky grup mori përgjegjësinë gjatë pranverës së këtij viti, shtatë prej tyre ndodhën në Britani, përfshirë zjarrvënie, përdorim eksplozivi dhe sulmin me thikë ndaj dy burrave çifutë në Londër.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se kjo aktakuzë dëshmon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA, duke shtuar se të akuzuarit ishin të përfshirë në afërsi të 20 përpjekjeve për sulme në mbështetje të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah.

Sa i përket ngjarjes në bazën ajrore britanike, hetimet tregojnë se në gusht dhe shtator al-Hassani kishte paguar bashkëpunëtorë në Britani për të kryer vëzhgime dhe për të siguruar logjistikën, përfshirë blerjen e furgonave, fuçive me lëndë djegëse dhe lëndëve kimike për shpërthim. Më 27 shtator, tre furgona të dyshimtë u pikasën nga një fermer lokal afër bazës “RAF Fairford”, gjë që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e shtatë personave në Britani.

Teherani zyrtar i ka mohuar kategorikisht akuzat për përfshirje në incidentin e bazës ushtarake britanike. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Shkon në 12 numri i të vdekurve nga aksidenti në Bullgari

Published

on

By

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve të rënda zinxhirore të ndodhura mëngjesin e sotëm në autostradën që lidh kryeqytetin e Bullgarisë, Sofjen, me qytetin bregdetar të Burgasit.

Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, bëri me dije se 10 persona ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë nuk u mbijetuan plagëve gjatë transportimit për në spital.

Përplasja e fuqishme, e cila ndodhi rreth orës 07:00, përfshiu 86 automjete dhe kamionë të rëndë në të dyja drejtimet e autostradës, duke detyruar autoritetet të bllokojnë tërësisht qarkullimin. Sipas vlerësimeve të para të policisë, shkak për tragjedinë dyshohet të jenë bërë mjegulla e dendur, lagështia në rrugë dhe shpejtësia e papërshtatshme.

Tragjedia ka tronditur udhëheqjen shtetërore në Sofje. Kryeministri Rumen Radev ndërpreu takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të inspektuar vendin e ngjarjes, ndërsa presidentja Iliana Yotova u kthye me urgjencë nga Forumi i Paqes në Paris. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara