Botë
Trump vendos ndalesë udhëtimi për qytetarët nga 12 shtete
Published
10 months agoon
By
UBTnewsPresidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një vendim që ua ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 12 shtete, përfshirë nga Afganistani dhe Irani.
Një ndalesë të tillë udhëtimi, Trump e kishte ndërmarrë edhe gjatë mandatit të parë presidencial.
Presidenti amerikan tha se ndalesa e udhëtimit është e nevojshme për të mbrojtur amerikanët nga sulmet terroriste, sikurse sulmi që ndodhi më 1 qershor në Kolorado. Autoritetet kanë thënë se një grup personash që protestonin në mbështetje të pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – u sulmuan nga një shtetas egjiptian.
“Sulmi i fundit terrorist në Kolorado ka vënë në pah rreziqet ekstreme që i kanosen vendit tonë nga hyrja e shtetasve të huaj që nuk kanë kaluar nëpër kontrolle siç duhet, si dhe nga ata që vijnë këtu si vizitorë të përkohshëm dhe qëndrojnë më gjatë sesa lejohet me vizat që posedojnë. Ne nuk i duam ata”, tha Trump përmes një video-mesazhi.
Sipas policisë, i dyshuari për sulmin në Kolorado, Mohammed Sabry Soliman, hodhi mjete plasëse dhe spërkati grupin me benzinë të ndezur. Pesëmbëdhjetë persona u plagosën. Zyrtarët e sigurisë kombëtare të SHBA-së thanë se Soliman gjendej në SHBA në mënyrë të paligjshme, pasi ai kishte tejkaluar afatin e qëndrimit të vizës së tij turistike.
Trump e krahasoi ndalesën e re të udhëtimit me “kufizimet e ashpra të udhëtimit” që ai vendosi ndaj një numri shtetesh, kryesisht myslimane më 2017, pak pasi nisi mandatin e parë presidencial. Ai tha se ai vendim ishte një nga politikat më të suksesshme të mandatit të tij të parë dhe ishte pjesë e rëndësishme e parandalimit të sulmeve të mëdha terroriste nga jashtë në SHBA, duke përmendur sulmet terroriste që kanë ndodhur në Evropë në vitet e fundit.
“Nuk do të lejojmë që ajo që ndodhi në Evropë të ndodhë në Amerikë”, tha Trump. “Ne nuk mund të kemi një migrim të hapur nga asnjë vend prej nga nuk mund të bëjmë një verifikim të sigurt dhe të besueshëm”.
Përveç Afganistanit dhe Iranit, shtetet që përfshihen në ndalesën e re janë: Burma, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Ndalesa e udhëtimit do të hyjë në fuqi më 9 qershor.
Edhe pse kufizimi nuk prek udhëtarët nga Egjipti, Trump tha se “në dritë të ngjarjeve të fundit”, ai ka urdhëruar sekretarin e Shtetit që ta informojë lidhur me rishikimin e praktikave dhe procedurave të Egjiptit “për të konfirmuar nëse kapacitetet e tyre aktuale të kontrollit dhe verifikimit janë të mjaftueshme”.
Përveç ndalimit të udhëtimit do të ketë edhe kufizime shtesë për vizitorët nga Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela, thuhet në vendimin e nënshkruar nga presidenti Trump.
Trump tha se mbetet “i përkushtuar për t’u angazhuar me shtetet që janë të gatshëm të bashkëpunojnë në përmirësimin e këmbimit të informacioneve dhe për procedurat për menaxhimin e identitetit, si dhe për të adresuar rreziqet që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë publike”.
Ndalesa e udhëtimit, e vendosur gjatë mandatit të parë të Trumpit, ua ndalonte shtetasve nga shtatë shtete, kryesisht myslimane – Irak, Siri, Iran, Sudan, Libi, Somali dhe Jemen – që të udhëtonin në SHBA. Ai vendim kishte shkaktuar kaos dhe paqartësi në aeroportet e këtyre shteteve dhe në aeroportet amerikane, pasi udhëtarëve ose iu ndalua hipja në avion për në SHBA ose ata u ndaluan sapo arritën në tokën amerikane.
Udhëtarët e prekur nga vendimi përfshinin studentë dhe staf akademik, si dhe biznesmenë, turistë dhe persona që vizitonin miqtë dhe të afërmit e tyre.
Trump e mbrojti vendimin duke u thirrur në çështje të sigurisë kombëtare dhe duke argumentuar se vendimi nuk bazohej në paragjykime kundër myslimanëve. Vendimi i rishikua gjatë betejave ligjore, teksa një version i vendimit u mbështet nga Gjykata Supreme më 2018.
Ndalesa e re e udhëtimit vjen pas një vendimi ekzekutiv të lëshuar nga Trumpi në janar, i cili kërkonte nga Departamenti i Shtetit, nga ai i Sigurisë Kombëtare si dhe nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, që të përgatisnin një raport mbi “qëndrimet armiqësore” ndaj SHBA-së. Urdhri ekzekutiv kërkonte edhe një vlerësim nëse hyrja e qytetarëve nga disa vende përbënte rrezik për sigurinë kombëtare./REL/
Aktualitet
Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin
Published
5 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.
Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.
Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.
“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.
Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.
Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.
Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.
“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”
Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.
Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.
“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”
Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/
Aktualitet
Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë
Published
1 day agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.
Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.
Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.
“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.
“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”
Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.
Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/
Lajmet
Sulmi ndaj së drejtës për të protestuar në Britaninë e Madhe nuk ka të bëjë vetëm me Palestinën
Published
1 day agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Modelet e policimit të politizuar të zbuluara në një gjyq të fundit ndaj aktivistëve pro-palestinezë – së bashku me legjislacionin që synon frenimin e tubimit të lirë – duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Më 1 prill, një gjykatë britanike pritet të marrë vendimin në një gjyq të rëndësishëm që mund të përcaktojë kufijtë e protestave masive në Britani. Ben Jamal, drejtor i Fushatës së Solidaritetit me Palestinën, dhe Chris Nineham, nënkryetar i koalicionit “Stop the War”, u akuzuan të dy për shkelje të Aktit të Rendit Publik të vitit 1986, për organizimin e një demonstrate pro-palestineze në Londër më 18 janar 2025, mbi të cilën policia kishte vendosur kushte.
Javën e kaluar, gjykatësi Daniel Sternberg refuzoi ta hidhte poshtë çështjen, pavarësisht provave të paraqitura nga avokati mbrojtës Mark Summers se protestuesit nuk i shkelën kushtet dhe as nuk kishin ndonjë qëllim për ta bërë këtë. Gjyqi shihet si një tjetër tregues i tkurrjes së shpejtë të hapësirës për shprehjen e lirë të mospajtimit në Britani.
Policimi i politizuar
Procedurat në gjyqin kundër Jamal dhe Nineham kanë zbuluar marrëdhënien jashtëzakonisht të ngushtë midis Policisë Metropolitane dhe grupeve sioniste. Kjo përfshin pranimin nga ana e policisë të rekomandimeve nga këto grupe lidhur me rrugët e demonstratave të lëvizjes për Palestinën.
Në negociatat mes drejtuesve të protestës dhe policisë para demonstratës së 18 janarit, policia kishte rënë parimisht dakord që demonstrata të formohej jashtë selisë së BBC-së në qendër të Londrës, e cila ndodhet pranë Sinagogës Qendrore. Protestuesit ishin mbledhur aty edhe më parë dhe ishin të vendosur ta bënin sërish për të vënë në dukje anshmërinë pro-izraelite të BBC-së.
Gjatë gjyqit, u zbulua se komandanti i policisë Adam Slonecki mori një letër nga Këshilli i Lidershipit Hebrenj (JLC), i cili e kërcënonte me rishikim gjyqësor nëse nuk vendoste kushte ndaj protestës. Slonecki gjithashtu pati një seri takimesh me grupe të ndryshme pro-izraelite pas marrjes së letrës.
Më 20 dhjetor, ai u takua me organizatorët e protestës dhe shpjegoi – pa ofruar prova ose pa përmendur takimet që kishin ndodhur – se demonstratat po prodhonin një “ndikim kumulativ” në formën e ndërprerjes serioze të stilit të jetesës hebraike, dhe se protestuesve do t’u ndalohej marshimi në afërsi të BBC-së.
Në fund, policia lejoi vetëm një protestë statike më 18 janar, në Whitehall. Në një fjalim të matur atë ditë, Jamal njoftoi nga skena se një delegacion i vogël protestuesish do të ecte drejt BBC-së për të vendosur lule në kujtim të të vrarëve në Gazë. Nëse pengoheshin, ata do t’i linin lulet në këmbët e policisë dhe do të shpërndaheshin. Policia pretendon se fjalimi i Jamal përbënte nxitje për shkeljen e kushteve. Në fakt, ndërsa protestuesit prisnin që policia të vendoste se ku mund të liheshin lulet, Nineham u arrestua dhunshëm.
Mbrojtja argumentoi se policia u ndikua në mënyrë të padrejtë nga presioni pro-izraelit në prag të demonstratës dhe dështoi të lehtësonte të drejtën për të protestuar. Fakti që komandanti i policisë nuk bëri asnjë përpjekje për t’u takuar me pjesë të komunitetit hebraic që janë pro-palestinez, vërteton sugjerimin për anshmëri policore.
Kufizimet në rritje ndaj protestës
Gjyqi i Jamal dhe Nineham duhet parë në kontekstin e përpjekjeve në rritje të qeverive të njëpasnjëshme britanike për të kufizuar të drejtat e lirisë së shprehjes dhe tubimit.
Në vitin 2022, Parlamenti Britanik miratoi Aktin e Policisë, Krimit, Dënimit dhe Gjykatave, i cili zgjeroi kompetencat e policisë për të vendosur kushte bazuar në vendndodhjen, madhësinë e protestave dhe nivelet e zhurmës. Kjo është konsideruar si një fyerje për liritë civile, pjesërisht sepse ndjek një logjikë që mbështetet në perceptimin e policisë për rrezikun, dhe jo në dëmin aktual.
Në vitin 2023, Konservatorët prezantuan amendamente për të forcuar Aktin e Rendit Publik të vitit 1986. Akti i Rendit Publik 2023 i pajis policët me fuqi më të mëdha për të parandaluar protestat që konsiderohen penguese – me përkufizime të paqarta se çfarë përbën pengesë – dhe përfshin kufizime parandaluese rreth lirisë së tubimit dhe shoqërimit.
Të dyja aktet kritikohen gjerësisht se kanë një “efekt ftohës” (chilling effect) mbi njerëzit që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën legjitime demokratike për të protestuar.
Gjithashtu në vitin 2023, ish-Sekretarja e Brendshme Suella Braverman tentoi të kalonte rregullore për të ulur pragun e asaj që konsiderohet “pengesë serioze”, por kjo u rrëzua nga Gjykata e Apelit në vitin 2025, e cila vendosi se qeveria kishte tejkaluar kompetencat e saj.
Tani qeveria Laburiste – në një linjë me Konservatorët – po kërkon të zgjerojë më tej diskrecionin e policisë mbi rregullimin e protestave përmes Projektligjit për Krimin dhe Policimin, një element i të cilit është menaxhimi i “ndikimit kumulativ”. Mbi 100 deputetë kanë shprehur kundërshtim ndaj tij, sepse ai do të kufizonte protestat bazuar në shpeshtësinë dhe jo në sjelljen, duke i bërë ato më të kushtëzuara nga vullneti i policisë.
Paralelisht, qeveria po përpiqet të kalojë një projektligj që do të përgjysmonte numrin e gjyqeve që shkojnë në juri. Nëse ky legjislacion kalon, më pak raste të lidhura me protestat mund të arrijnë te juritë, duke reduktuar rezistencën ndaj ligjeve jopopullore.
Kjo vjen krahas amendamenteve të bëra vitin e kaluar në Aktin e Terrorizmit të vitit 2000 për të ndaluar organizatën “Palestine Action”, duke e bërë vepër penale anëtarësimin ose mbështetjen e saj, e dënueshme deri në 14 vjet burg. Këto masa erdhën pasi një grup aktivistësh – të njohur si “Filton 24” – hynë në fabrikën e dronëve Elbit Systems në Bristol për të protestuar kundër gjenocidit të Izraelit në Gazë. Ata u arrestuan dhe u mbajtën në paraburgim, shumë prej tyre për më shumë se 18 muaj.
Ndonëse ata u shpallën së fundmi të pafajshëm për akuzat më të rënda, dhe organizata arriti të fitonte një rishikim gjyqësor që vendosi se vendimi i sekretares së brendshme për ta shpallur “Palestine Action” si organizatë “terroriste” ishte i paligjshëm, policia ka bërë tashmë 2,700 arrestime dhe do të vazhdojë me to në pritje të rezultatit të një apeli. Njëri nga “Filton 24”, Qesser Zuhrah, u riarrestua më 30 mars për një postim në rrjetet sociale që bënte thirrje për “aksion të drejtpërdrejtë”.
Ndikimi kumulativ
Vendosja e legjislacionit më të ashpër u prezantua si përgjigje ndaj protestuesve për klimën dhe atyre kundër monarkisë. Tani ai po përforcohet mbi protestat për Palestinën. Por është e qartë se nuk do të ndalet me aq.
Nëse zbatohet, legjislacioni i propozuar rreth ndikimit kumulativ mund të përdoret kundër çdo grupi njerëzish që ushtrojnë të drejta demokratike, qofshin ata sindikalistë apo aktivistë kundër luftës, duke frenuar aftësinë e tyre për t’u organizuar lirshëm.
Kjo mund të shërbejë gjithashtu për të përforcuar ndarjen në shoqëri, pasi masat po zbatohen gjithnjë e më shumë sipas diskrecionit të policisë. Kohët e fundit, për shembull, policia nuk u ka dhënë leje organizatorëve të protestës që të marshojnë në rrugën e propozuar për demonstratën vjetore të Ditës së Nakba-s më 16 maj, ndërkohë që i kanë dhënë Tommy Robinson-it, një fashisti të njohur, të gjithë qendrën e Londrës për të zhvilluar marshimin e tij të ekstremit të djathtë.
Cili do qoftë rezultati i gjyqit të Jamal dhe Nineham më 1 prill, duhet të ketë një mobilizim mbarëshoqëror për të mbrojtur të drejtat e lirisë së shprehjes dhe tubimit. Kjo nuk ka të bëjë më vetëm me kauzën palestineze, por me demokracinë britanike.
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit -Feyzi Ismail, dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Al Jazeera-s.
Aktualitet
Trump: Kemi arritur suksese në Iran, por lufta vazhdon
Published
1 day agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një fjalimi televiziv, deklaroi se ushtria amerikane pothuajse i ka përmbushur qëllimet e saj në Iran. Edhe pse lufta ka hyrë në javën e pestë, ai nuk dha një datë të saktë se kur do të përfundojë ajo, por u zotua se do ta kthejë këtë shtet në “Epokën e Gurit”, raporton Reuters.
Trump tha se forcat amerikane kanë shkatërruar marinën dhe aviacionin e Iranit, si dhe kanë dëmtuar rëndë programet e tyre raketore dhe bërthamore. “Ne i kemi të gjitha letrat në dorë, ata nuk kanë asgjë,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë.
Përkundër këtyre deklaratave, mbeten ende çështje të pazgjidhura si statusi i uranit të pasuruar dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, e cila është pikë kyçe për furnizimin global me naftë. Trump u shpreh se kjo rrugë detare do të hapet “natyrshëm” sapo të përfundojë lufta.
Paralajmërimet për sulme të reja Presidenti njoftoi se SHBA do të godasë fort Iranin edhe për dy apo tri javë të tjera. Nëse udhëheqësit e rinj iranianë nuk pranojnë të bisedojnë, ai paralajmëroi sulme mbi rrjetin elektrik dhe infrastrukturën e naftës.
Rritja e çmimeve dhe presioni ndërkombëtar Fjalimi i Trump nuk dha shumë shpresë për qytetarët amerikanë dhe aleatët, të cilët po përballen me rritjen e çmimit të derivateve. Trump ia hodhi fajin Iranit për shtrenjtimin e naftës dhe kërkoi nga vendet e tjera që varen nga ky furnizim të marrin drejtimin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Edhe pse u raportua se Trump mund të fliste për raportet me NATO-n, ai nuk e përmendi aleancën në fjalimin e tij 19-minutësh. Ndërkohë, tregjet financiare reaguan me rënie, duke reflektuar frikën se ky konflikt mund të zgjasë ende. /Reuters/
Arijanet Muric: “Kemi rikthyer shpresën, koha jonë do të vijë”
45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës
Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist
Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 3 prill, në vitet nëntëdhjetë
Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, hapet rruga për organizimin e ngjarjes madhore
Qeveria miraton Projektligjin për Çmimet Tavan
Shqiptarët “pushtojnë” NBA-n, valle dhe muzikë tradicionale në parketin e Chicago Bulls
Premiera globale e filmit të ri të Malick më 26 maj
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
