Botë

​Trump thotë se do të dërgojë armë të reja në Ukrainë

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se planifikon të dërgojë armë shtesë mbrojtëse në Ukrainë, pasi administrata e tij ndaloi disa dërgesa javën e kaluar.

“Do të dërgojmë më shumë armë. Duhet ta bëjmë – ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten“, tha Trump përpara një darke me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, raporton CNN.

“Ata po goditen shumë rëndë. Do të na duhet të dërgojmë më shumë armë“, shtoi Trump.

“Armë mbrojtëse, kryesisht, por po goditen shumë, shumë rëndë“.

Komentet e fundit të presidentit vijnë pasi një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN-it javën e kaluar se administrata Trump po ndalonte disa dërgesa armësh në Ukrainë, duke përfshirë raketat e mbrojtjes ajrore. Vendimi erdhi pas një shqyrtimi të shpenzimeve ushtarake dhe mbështetjes amerikane për vendet e huaja, i cili u nënshkrua nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha në atë kohë se vendimi u mor “për të vënë interesat e Amerikës në radhë të parë”.

Disa zyrtarë amerikanë lanë të kuptohej se rishikimi i ndihmës për Ukrainën lidhej pjesërisht me përpjekjen e Pentagonit për t’u përqendruar te Kina dhe për t’u përgatitur për konflikte të mundshme në të ardhmen në Paqësor – një çështje e prioritizuar nga shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby.

“Departamenti i Mbrojtjes vazhdon t’i ofrojë Presidentit mundësi të forta për të vazhduar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në përputhje me qëllimin e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte tragjike. Në të njëjtën kohë, Departamenti po shqyrton dhe përshtat me rigorozitet qasjen e tij për arritjen e këtij objektivi, duke ruajtur gjithashtu gatishmërinë e forcave amerikane për prioritetet e mbrojtjes së Administratës“, tha Colby në një deklaratë në kohën e pauzës.

Rusia mirëpriti ndalimin e disa dërgesave në Ukrainë, duke pretenduar – pa dhënë asnjë provë – se kjo u bë sepse SHBA-të nuk kishin armë të mjaftueshme.

“Me udhëzimin e presidentit Trump, Departamenti i Mbrojtjes do të dërgojë armë shtesë mbrojtëse në Ukrainë për të siguruar që ukrainasit të mund të mbrojnë veten ndërsa ne punojmë për të siguruar një paqe të qëndrueshme“, tha zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, në një deklaratë të hënën.

SHBA-ja e ka furnizuar Ukrainën me sisteme mbrojtjeje ajrore, dronë, raketahedhës, radarë, tanke dhe armë anti-blind, duke çuar në shqetësime për pakësimin e rezervave amerikane.

Trump më parë ndaloi të gjitha dërgesat e ndihmës ushtarake për Ukrainën në mars, pas një debati të nxehtë në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Trump rifilloi fluksin e ndihmës në Ukrainë rreth një javë më vonë.

Vendimi për të dërguar armë shtesë vjen gjithashtu pasi Trump foli veçmas javën e kaluar si me presidentin rus, Vladimir Putin, ashtu edhe me Zelenskyn. Ai tha më pas se biseda e tij me Putinin ishte zhgënjyese dhe se nuk kishte “asnjë përparim” drejt një armëpushimi.

Ndërkohë, Zelensky në javët e fundit iu është lutur aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të vendit të tij pas intensifikimit të sulmeve ajrore ruse. Rusia lëshoi një numër rekord dronësh në Ukrainë gjatë natës së të premtes, vetëm disa orë pas telefonatës Trump-Putin.

Trump më vonë të premten tha se SHBA-ja po shqyrton kërkesën e Ukrainës për më shumë sisteme mbrojtëse Patriot pas një telefonate “shumë të mirë” me Zelenskyn.

Presidenti ukrainas tha të shtunën se biseda e fundit me Trump ishte më e mira dhe “më produktive” që ai ka pasur.

Trump të hënën riafirmoi pakënaqësinë e tij me udhëheqësin rus, duke thënë: “Nuk jam aspak i kënaqur me presidentin Putin“.

Aktualitet

Trump bën thirrje për mbështetje nga kjo betejë vendimtare për ekonominë dhe Kongresin

Published

on

By

Teksa amerikanët po u drejtohen masivisht kutive të votimit në këto zgjedhje përcaktuese, Presidenti Donald Trump ka shfrytëzuar fjalën e tij për t’u bërë thirrje votuesve që të mbështesin kandidatët e partisë së tij.

Përmes një sërë mesazhesh në platformën Truth Social dhe një interviste telefonike për Fox News, Trump veçoi atë që e cilësoi si përparim ekonomik nën administratën e tij, ndërsa pretendoi gjithashtu se ka “kontroll të plotë” mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Sondazhet e fundit tregojnë se ekonomia dhe çmimet e larta mbeten faktori kryesor që po përcakton votën e qytetarëve, ku një pjesë e mirë e elektoratit po shprehet e shqetësuar për menaxhimin e sfidave ekonomike dhe efekteve të konflikteve ndërkombëtare.

Rezultati i këtij votimi do të jetë përcaktues për të ardhmen e legjislativit amerikan, pasi do të vendosë nëse Republikanët do të ruajnë shumicën në Kongres apo nëse Demokratët do të marrin kontrollin e dhomave përfaqësuese.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA sulmon ishullin strategjik të Iranit në Ngushticën e Hormuzit

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ushtarake në ishullin Qeshm të Iranit, i cili gjendet në Ngushticën e Hormuzit, kanë konfirmuar zyrtarë amerikanë për rrjetin CBS. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se të hënën janë dëgjuar disa shpërthime radhazi në ishull.

Zyrtarët amerikanë i përshkruan sulmet si mbrojtëse dhe të kufizuara, duke sqaruar se ato erdhën si përgjigje ndaj veprimeve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, i cili kishte shënjestruar një avion ushtarak amerikan.

Ky veprim ushtarak vjen në prag të zgjedhjeve të sotme të mesmandatit në SHBA, që do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit. Presidenti Donald Trump është përballur me presion edhe nga brenda partisë së tij për t’i dhënë fund konfliktit të hapur që filloi në shkurt pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Pavarësisht goditjes, Trump deklaroi se nuk ka nxitim për të shkallëzuar më tej sulmet.

“Në një mënyrë ose në një tjetër, ne do të bëjmë diçka, por nuk ka nxitim. Ne i gjymtuam financiarisht. Ata nuk kanë para, nuk kanë benzinë dhe populli i tyre po lodhet shumë nga kjo”, tha Trump për agjencinë Axios.

Paralelisht me veprimet ushtarake, diplomacia vazhdon pas skenës. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, konfirmoi për IRNA-n se po zhvillohen bisedime “shumë intensive” me SHBA-në nëpërmjet ndërmjetësve. Ai theksoi se Teherani është i përgatitur si për skenarë diplomatikë ashtu edhe ushtarakë, duke i lënë në dorë Uashingtonit të zgjedhë mes rrugës së negociatave ose gabimit të agresionit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara