Botë

Trump propozon largimin e palestinezëve nga Gaza për t’i hapur rrugë “pronësisë” amerikane

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli më 4 shkurt një propozim, sipas të cilit, palestinezët e zhvendosur do të largoheshin nga Rripi i Gazës, duke i hapur rrugën SHBA-së për të marrë në pronësi këtë territor bregdetar dhe për ta zhvilluar ekonomikisht në një vend “fenomenal”, ku kombësi të ndryshme mund të jetojnë në paqe.

Trump tha se kjo do të ndodhte pas zhvendosjes së popullit palestinez në vende të tjera, për t’i larguar nga ajo që ai e quajti “gropë ferri” me ndërtesa të shkatërruara, pas më shumë se një viti luftë mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.

Trump e bëri këtë propozim gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se një hap kaq drastik është i nevojshëm, sepse idetë e tjera për t’i dhënë fund konfliktit dekadësh mes palestinezëve dhe izraelitëve nuk kanë funksionuar.

Propozimi i tij për Gazën do të nënkuptonte se SHBA-ja do ta ketë atë nën kontroll, si dhe do të përmbyste politikën amerikane afatgjate që mbështeste zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Trump tha se SHBA-ja do të punojë për çmontimin e të gjitha bombave të pashpërthyera dhe armëve të tjera në këtë territor, si dhe për pastrimin e ndërtesave të shkatërruara, para se ta zhvillojë ekonomikisht zonën.

Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë. Do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të ndihet krenare”, tha Trump.

Presidenti nuk dha menjëherë detaje mbi vendet ku palestinezët do të zhvendoseshin, por tha se do të mbështeste vendosjen e tyre “në mënyrë të përhershme” në shtete të tjera. Më herët gjatë ditës, ai përsëriti thirrjen e tij që Jordania, Egjipti dhe shtetet e tjera arabe t’i pranojnë palestinezët nga Gaza.

Hamasi ka këmbëngulur se dëshiron të mbetet në Gazë.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, e dënoi më herët thirrjen e Trumpit për largimin e palestinezëve si një “dëbim nga toka e tyre”.

Mark Dubowitz, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, tha se Trump mund ta ketë hedhur këtë ide për të rritur presionin pasi vendet arabe refuzuan kërkesën e tij për të pranuar palestinezët.

Tani, ai po rrit presionin: Nëse nuk i pranoni ju, do t’i largojmë vetë dhe do ta marrim nën kontroll Gazën”, shkroi Dubowitz në X. “Klasik Trump: Shkon në ekstrem, duke e bërë atë që dikur dukej e paimagjinueshme të duket papritur si një mes i arsyeshëm“.

Në një deklaratë të lëshuar pas njoftimit të Trumpit, Hamasi e hodhi poshtë idenë që palestinezët duhet të largohen nga territori.

Në vend që të mbahet përgjegjës pushtimi sionist për krimet e gjenocidit dhe dëbimit, ai po shpërblehet, nuk po ndëshkohet”, tha Hamasi. “Ne i refuzojmë deklaratat e Trumpit, në të cilat ai thotë se banorët e Gazës nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen, dhe i konsiderojmë ato një recetë për krijimin e kaosit dhe tensioneve në rajon”.

Ministria e Jashtme saudite lëshoi një deklaratë ku theksoi se mbështetja e saj për krijimin e një shteti të pavarur palestinez është një “qëndrim i palëkundur, i qëndrueshëm dhe i patundur”.

Sipas deklaratës, princi i kurorës, Mohammed bin Salman, sundimtari de facto i Arabisë Saudite, ka thënë se vendi i tij nuk do të ndalojë përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Trump tha se e kishte diskutuar propozimin e tij me Netanyahun gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Ai gjithashtu tha se e kishte ngritur këtë çështje me liderë të tjerë të vendeve të Lindjes së Mesme dhe pretendoi se ishte pritur pozitivisht.

Netanyahu tha se Trump sheh një të ardhme ndryshe për Rripin e Gazës, të cilin ai e përshkroi si burimin e shumë “vuajtjeve dhe fatkeqësive” për popullin izraelit.

Ai ka një ide të ndryshme”, tha Netanyahu. “Është diçka që mund ta ndryshojë historinë dhe ia vlen ta ndjekim këtë rrugë”.

Vetëm dy javë pas fillimit të mandatit të tij të dytë, Trump priti Netanyahun për të diskutuar të ardhmen e armëpushimit në Gaza, lirimin e pengjeve dhe një përpjekje të re për një marrëveshje normalizimi mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Aktualitet

Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët

Published

on

By

Një avion luftarak i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar mbi territorin e Iranit, kanë bërë të ditur tre burime amerikane, duke konfirmuar kështu raportimet e mediave shtetërore iraniane.

Forcat amerikane kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, sipas të njëjtave burime. Përpjekjet e mundshme për shpëtim duket se janë kapur në disa video të postuara në rrjetet sociale, të cilat janë konfirmuar nga CNN.

Agjencia shtetërore “Tasnim” njoftoi se kërkimet për ekuipazhin e zhdukur deri më tani kanë qenë “të pasukseshme”. Ndërkohë, në “Fars News”, një spiker njoftoi se po ofrohet një shpërblim për këdo që arrin të kapë “pilotin ose pilotët armiq”.

Për momentin, mbetet ende e paqartë se në cilën pjesë të Iranit është rrëzuar avioni luftarak./ CNN/

Continue Reading

Aktualitet

Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

By

Presidenti ukrainas,  Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.

“Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Ngushtica duhet të zhbllokohet”.

Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.

Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.

Continue Reading

Aktualitet

Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin

Published

on

By

Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.

Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.

Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.

“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.

Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.

Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.

Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.

“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”

Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.

Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.

“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”

Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë

Published

on

By

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.

Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.

Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.

“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.

“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”

Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.

Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/

Continue Reading

Të kërkuara