Botë

Trump kërcënon BE-në dhe Kinën me tarifa nga 1 shkurti

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Turmp, është zotuar të martën se do të vendosë tarifa ndaj Bashkimit Evropian dhe Kinës.

Ai ka thënë se administrata e tij po shqyrton një tarifë ndëshkuese prej 10 për qind ndaj importeve kineze, sepse fentanili po dërgohet nga Kina në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë.

Trump bëri kërcënimet e tij të fundit për tarifa para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi mori pushtetin pa vendosur menjëherë tarifa, siç kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore, raporton Reuters.

Tregjet financiare dhe grupet tregtare shijuan përkohësisht qetësinë të martën, por komentet e tij të fundit theksuan dëshirën e kamotshme të Trumpit për tarifa më të gjera dhe një afat të ri – 1 shkurt – për tarifa prej 25 për qind ndaj Kanadasë dhe Meksikës, si dhe tarifa ndaj Kinës dhe BE-së.

Presidenti amerikan ka thënë se BE-ja dhe vendet e tjera kanë, po ashtu, tregti të çekuilibruar dhe shqetësuese me SHBA-në.

“Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq me ne”, është shprehur Trump, duke përsëritur komentet e bëra të hënën. “Do të ketë tarifa për ta. Kjo është e vetmja mënyrë… do të ketë barazi”.

Trump ka thënë të hënën se po konsideronte vendosjen e tarifave ndaj Kanadasë dhe Meksikës, përveç nëse ato ashpërsojnë masat ndaj trafikimit drejt SHBA-së të emigrantëve ilegalë dhe të fentanilit, përfshirë kimikalet përbërëse nga Kina.

Këshilltari për tregti i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, i ka thënë televizionit CNBC, të martën, se kërcënimi i Trumpit për tarifa ndaj Kanadasë dhe Meksikës është për t’i bërë trysni dy vendeve.

“Arsyeja pse ai po shqyrton 25, 25 dhe 10 [për qind], apo çfarëdo që të jetë, ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, është sepse 300 amerikanë vdesin çdo ditë” nga mbidoza me fentanil, ka thënë Navarro.

Të hënën, Trump ka njoftuar ashpërsim të masave ndaj imigracionit, përfshirë një ndalim të gjerë të azilit.

Ai, po ashtu, ka nënshkruar një memorandum tregtar dhe ka detyruar agjencitë federale që të bëjnë një shqyrtim gjithëpërfshirës të një varg çështjeve tregtare deri më 1 prill.

Këtu përfshihen analiza të deficiteve të vazhdueshme tregtare të SHBA-së, praktikat e tregtisë së pabarabartë dhe manipulimin e valutave në mesin e vendeve partnere, përfshirë Kinën.

Meksika dhe Kanadaja kanë reaguar me tone të buta ndaj afatit të 1 shkurtit të vënë nga Trump.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ka thënë se do të nënvizojë sovranitetin dhe pavarësinë e Meksikës, dhe se do t’i përgjigjet veprimeve amerikane “hap pas hapi”.

Por, ajo ka shtuar se marrëveshja e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada nuk mund të rinegociohet deri më 2026, një koment që kishte për synim parandalimin e ideve që Trump të kërkojë një ndryshim të parakohshëm të paktit që gjeneron mbi 1.8 trilionë dollarë çdo vit./REL/

Lajmet

Dështojnë bisedimet për buxhetin: Kryeministri i Belgjikës De Wever ofron dorëheqjen

Published

on

By

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka ofruar dorëheqjen Mbretit Philippe pas dështimit të negociatave për buxhetin brenda koalicionit të tij pesëpartiak.

Nacionalisti konservator flamand, i cili mori detyrën në shkurt të vitit 2025 për të trajtuar borxhin e lartë të vendit, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partnerëve të qeverisë për buxhetin e vitit 2027.

Pallati Mbretëror konfirmoi dorëheqjen, ndërsa Mbreti Philippe e ka shtyrë vendimin për pranimin e saj duke shprehur keqardhje për mungesën e marrëveshjes. Monarku belgjik do të nisë konsultimet me krerët e grupeve parlamentare të martën, përpara se ta presë sërish De Weverin në takimin e së premtes. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Katër të vrarë dhe rreth 15 të plagosur nga të shtënat në tri lokacione në Dallas

Published

on

Katër persona janë vrarë dhe rreth 15 të tjerë janë plagosur pas tri incidenteve me armë zjarri gjatë natës në lagjen “Deep Ellum” të Dallasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas policisë, të shtënat ndodhën në tri lokacione të ndryshme në këtë lagje, e njohur për jetën e natës, baret, restorantet dhe ambientet me muzikë live. Në disa lokale të zonës ishin organizuar ngjarje për festën e Halloween-it.

Shefi i Policisë së Dallasit, Daniel Comeaux, deklaroi gjatë një konference për media se ende nuk dihet nëse të shtënat ndodhën brenda ndonjë biznesi apo në rrugë. Ai bëri të ditur se hetimet paraprake nuk kanë zbuluar ndonjë lidhje mes tri incidenteve.

Sipas njoftimit të policisë, të shtënat e para ndodhën rreth orës 00:20, të dytat pak pas orës 01:00, ndërsa incidenti i tretë u raportua rreth gjysmë ore më vonë.

Comeaux paralajmëroi se numri i të plagosurve mund të ndryshojë, pasi disa persona janë paraqitur vetë në institucionet shëndetësore për të marrë ndihmë mjekësore.

Disa persona janë arrestuar dhe po merren në pyetje, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse personat e arrestuar kanë lidhje me të shtënat.

Tri incidentet ndodhën brenda një distance prej rreth 800 metrash nga njëri-tjetri, në një zonë ku kishte prani të madhe të qytetarëve për shkak të aktiviteteve të Halloween-it.

Shefi i policisë bëri të ditur se numri i zyrtarëve policorë në terren ishte shtuar paraprakisht, për shkak të pritjes së turmave të mëdha gjatë festës.

/A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Kibersulme në Ukrainë e Rusi: Dërgohen alarme të rreme për sulme bërthamore

Published

on

By

Sistemet e njoftimeve të emergjencës në Ukrainë dhe Rusi janë përballur me kibersulme gjatë ditës së djeshme (e diel, 1 nëntor 2026), duke shpërndarë alarme të rreme për sulme bërthamore, kimike dhe luftime rrugore.

Në Ukrainë, aplikacioni i alarmit ajror lëshoi disa njoftime të njëpasnjëshme për banorët e Kievit gjatë mbrëmjes së të diellës.

Në orën 22:47 u dërgua mesazhi > “Kërcënim nga rrezatimi. Është shpallur kërcënim nga rrezatimi në Kiev”, ndërsa një minutë më vonë u dërgua një mesazh në gjuhën ruse ku shkruhej > “Përshëndetje! Do të ketë alarm bërthamor në të gjithë Ukrainën. Mos u shqetësoni, po fluturon Oreshnik”.

Më pas vijuan paralajmërime për kërcënim kimik dhe luftime rrugore me udhëzimin për të mos dalë jashtë. Rreth një orë më vonë, në orën 23:53, autoritetet ukrainase anuluan të gjitha alarmet. Forcat Ajrore konfirmuan se aplikacioni u hakua nga ndërhyrja ruse, ndërsa zyrtarët deklaruan se përdorimi i gjuhës ruse nuk nxiti panik pasi zgjoi menjëherë dyshime te qytetarët.

Disa orë më vonë, edhe Ministria e Emergjencave e Rusisë njoftoi se ra pre e një sulmi kibernetik, ku përdoruesit morën email-e me informacione të rreme për sulme bërthamore brenda territorit rus.

Krahas luftimeve kibernetike, të dyja palët vazhduan sulmet mbi objektet energjetike. Sulmet me dronë ukrainas dëmtuan rafinerinë e naftës në Kstovo në rajonin Nizhny Novgorod të Rusisë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe ujit të ngrohtë. Në anën tjetër, Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se sulmet ruse mbi infrastrukturën energjetike lanë qindra mijëra shtëpi pa energji elektrike në katër rajone të Ukrainës. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Lituania do të vendosë shërbimin universal ushtarak nga viti 2032

Published

on

By

Lituania planifikon ta shndërrojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një sistem universal nga viti 2032, duke rritur numrin e rekrutëve vjetorë nga 5,000 në rreth 7,500. Vendimi u miratua nga Këshilli Shtetëror i Mbrojtjes dhe u konfirmua nga Presidenti Gitanas Nausėda, me synim forcimin e gatishmërisë ushtarake përballë kërcënimeve në rritje të sigurisë në rajon.

Modeli i ri do të përfshijë të gjithë të rinjtë që plotësojnë kriteret ligjore dhe pritet të kushtojë mes 100 e 120 milionë euro. Krahas kësaj, vendi synon që deri në vitin 2040 ta rrisë rezervën aktive ushtarake nga 50,000 në 74,000 personel. Kryeministri Mindaugas Sinkevicius sqaroi se afati deri në vitin 2032 i është lënë ushtrisë për përgatitjen e infrastrukturës, akomodimit dhe trajnimit të rreth 300 instruktorëve shtesë.

Lituania kishte rikthyer shërbimin ushtarak në formë të pjesshme në vitin 2015 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ky hap i ri përkon me shqetësimet e shteteve baltike dhe Polonisë për kërcënimet hibride dhe agresionin e mundshëm nga Rusia, veçanërisht pas incidenteve të fundit me dronë të hyrë nga hapësira ajrore e Bjellorusisë. /The Geopost/

Continue Reading

Të kërkuara