Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar Bashkimin Evropian me një tarifë prej 200% ndaj verës, shampanjës dhe pijeve alkoolike, nëse BE-ja zbaton tarifën e propozuar prej 50% ndaj uiskit amerikan.
Ky paralajmërim vjen pas vendosjes së tarifave nga administrata amerikane ndaj aluminit dhe çelikut, për të cilat BE-ja ka planifikuar masa kundërpërgjigjëse që do të hyjnë në fuqi më 1 prill.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump theksoi se SHBA do të vendosë tarifë të lartë ndaj produkteve evropiane nëse BE-ja vazhdon me planet e saj. Ai shtoi se kjo do të përfitonte biznesin e verës dhe shampanjës në SHBA. Pas kërcënimit, Trump konfirmoi se do të reagojë ndaj çdo veprimi të BE-së që dëmton interesat amerikane.
“Bashkimi Evropian, një nga autoritetet më armiqësore dhe abuzive të taksave dhe tarifave në botë, i cili u krijua me qëllimin e vetëm për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara, sapo ka vendosur një tarifë të keqe prej 50% për Whisky. Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA-ja së shpejti do të vendosë një tarifë 200% për të gjitha verë-rat, shampanjën dhe produkte alkoolike që vijnë nga Franca dhe vendet e tjera të përfaqësuara të BE-së. Kjo do të jetë e mrekullueshme për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA”, shkruan Trump.
Kjo situatë ka shpërthyer në një luftë tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, e cila ka përfshirë tarifat për një sërë mallrash, përfshirë uiskin burbon, xhinset dhe motoçikletat Harley-Davidson, të cilat do të goditen nga tarifa e BE-së.
Pakoja e dytë e masave tarifore, që pritet të aplikohet më 13 prill, përfshin mallra të tjerë me një vlerë të përgjithshme prej 18 miliardë eurosh, për të cilën BE-ja pret mbështetje të shumicës së vendeve anëtare.