Botë

Trump emëron Muskun në krye të një departamenti të ri

Published

on

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të emërojë Elon Muskun në një rol që synon të krijojë një qeveri më efikase, duke i dhënë edhe më shumë ndikim njeriut më të pasur në botë, i cili dhuroi miliona dollarë për të ndihmuar Trumpin që të fitonte zgjedhjet presidenciale.

Musk dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy, do të drejtojnë së bashku një Departament të sapokrijuar për Efikasitetin e Qeverisë, entitet, që sipas Trumpit, do të operojë jashtë ekzekutivit amerikan.

Përmes një deklarate, Trump tha se Musk dhe Ramaswamy, “do t’i mundësojnë administratës sime që të zhdukë burokracinë qeveritare, që të zvogëlojë numrin e rregulloreve të tepërta, që të shkurtojë shpenzimet e kota dhe që të ristrukturojë agjencitë federale”.

Trump tha se ky departament i ri do të realizojë ëndrrat e kamotshme të republikanëve dhe do të ofrojë “këshilla dhe udhëzime nga jashtë Qeverisë”, duke sinjalizuar se rolet e Muskut dhe Ramaswamyt mund të jenë joformale dhe nuk do të ketë nevojë për miratimin e Senatit për emërimin e tyre. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Muskut që të mbeste në krye të kompanisë së tij për makina elektrike, Tesla, të platformës sociale X, dhe të kompanisë së raketave, SpaceX.

Departamenti i ri do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën për Menaxhim dhe Buxhet për të “udhëhequr reformat në shkallë të gjerë dhe për të krijuar një qasje të formës sipërmarrëse” ndaj Qeverisë që nuk është parë më parë, tha Trump.

Puna e këtij departamenti, sipas Trumpit, do të përfundonte më 4 korrik 2026, në 250-vjetorin e nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë së SHBA-së.

Musk, i listuar si personi më i pasur në botë nga revista Forbes, veçse pritej të përfitonte nga fitorja e Trumpit, pasi sipërmarrësi miliarder pritet të ushtrojë ndikim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar kompanitë e tij dhe për të siguruar trajtim më të favorshëm nga Qeveria.

Musk ka dhënë miliona dollarë për të mbështetur fushatën e Trumpit për zgjedhjet presidenciale dhe të dy kanë pasur edhe dalje publike.

Trump i ka lidhur përpjekjet për efikasitet me Projektin Manatan, ndërmarrja e SHBA-së për krijimin e bombës bërthamore që ndihmoi në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, teksa Musk premtoi se do të ketë transparencë.

Të gjitha veprimet e Departamentit për Efikasitet të Qeverisë do të publikohen online me transparencë maksimale”, tha Musk në X, duke i kërkuar publikut që të japë këshilla.

“Ne po ashtu do të merremi me shpenzimet mëdha të dollarëve të taksave tuaja. Do të jetë jashtëzakonisht tragjike dhe jashtëzakonisht argëtuese”, tha Musk.

Në tetor, gjatë një tubimi të Trumpit, Musk kishte deklaruar se buxheti federal mund të ulet “për të paktën” 2 trilionë dollarë. Sipas Zyrës së Buxhetit në Kongres, shpenzimet diskrecionale, përshirë shpenzimet e mbrojtjes, vlerësohet se janë 1.9 trilion dollarë nga 6.75 trilionë dollarë sa janë shpenzimet e përgjithshme federale për vitin fiskal 2024.

Paratë tuaja po shpërdorohen dhe Departamenti për Efikasitet të Qeverisë do ta rregullojë këtë problem”, tha Musk gjatë tubimit.

Ndërkaq, Ramaswamy është themelues i një kompanie farmaceutike. Ai kishte garuar kundër Trumpit për nominimin e republikanëve, por kur u tërhoq nga gara, ai mbështeti ish-presidentin Trump.

Në një libër të publikuar më 2021, Ramaswamy ka kritikuar vendimet e disa kompanive të mëdha që bazojnë strategjinë e tyre të biznesit rreth drejtësisë sociale dhe shqetësimeve për ndryshimet klimatike.

Ramaswamy tha se ky emërim nënkupton se ai do të tërhiqet nga synimi për t’u emëruar anëtar i Senatit në Ohajo./REL/

Aktualitet

Trump njofton se bisedimet me Iranin do të fillojnë të hënën pas anulimit të sulmeve

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se bisedimet e reja me Iranin do të fillojnë të hënën, pasi anuloi ato që ai i quajti goditje “masive” ndaj këtij shteti.

“Ata e dinin shkallën e sulmit sepse e panë atë duke u përgatitur,” u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One të dielën. “Ne po flasim me ta në formën e një negocimi. Ai fillon nesër pas dite.”

Në një postim më të hershëm në Truth Social, Trump tha se i është kërkuar nga Irani dhe aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme të “pezullojë” çfarëdo sulmi, meqenëse “parametrat” e një marrëveshjeje janë dakorduar.

Irani ende nuk u është përgjigjur deklaratave të Trump. Presidenti amerikan ka zotuar vazhdimisht se një fund i negociuar i luftës është afër, vetëm që sulmet hakmarrëse të rinisnin përsëri.

Në deklaratat e tij në Air Force One, Trump refuzoi të caktojë një afat kohor për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin, duke shtuar: “Do të shohim si do të shkojë. Jemi të gatshëm të veprojmë në çdo kohë që dëshirojmë… Nuk po kërkoj të vras njerëz.”

Trump shtoi se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman — si dhe partnerët e SHBA-së si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari — i kishin bërë thirrje të mos kryente sulme gjatë fundjavës.

“Ishim të gjithë të gatshëm për të vepruar,” tha Trump. “Arsyeja pse kërkuan është se mendojnë se ka një marrëveshje,” tha ai. “Ka një marrëveshje për Hormuzin, dhe do të ketë një marrëveshje për çështjen bërthamore.”

Çmimet globale të naftës ranë të hënën në mëngjes në tregtimin në Azi pas njoftimit të Trump. Nafta e papërpunuar Brent ra me 4.5% në 83.98 dollarë (62.26 funte), ndërsa nafta që tregtohet në SHBA ra me 4.6% në 80.74 dollarë (59.85 funte).

Çmimet e energjisë kanë pasur luhatje që kur konflikti nisi më 28 shkurt, ndërsa tregtarët reaguan ndaj pengesave në transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Përafërsisht 20% e naftës së papërpunuar dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë zakonisht kalon përmes kësaj ngushtice.

Agjencia e lajmeve gjysmë-zyrtare e Iranit, Mehr, mohoi se Teherani i ka kërkuar SHBA-së të pezullojë veprimet e mëtejshme ushtarake, duke i quajtur pretendimet e Trump “asgjë më shumë se një gënjeshtër e re”.

Të dielën, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se negociatat me Omanin për një marrëveshje lidhur me Ngushticën e Hormuzit janë “në rrugë të mbarë për t’u finalizuar”, sipas medieve iraniane.

Presidenti amerikan nuk ka bërë ende të ditur vendin ku do të mbahen bisedimet të hënën, e as pjesëmarrësit e mundshëm.

Gjatë fjalës së tij në Air Force One, Trump tha se sulmet e planifikuara do të kishin qenë “sulmi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe mund të kishin nxjerrë nga shinat propozimet për një fund të negociuar të luftës me muaj të tërë.

Trump refuzoi të përgjigjej nëse kishte planifikuar të godiste infrastrukturën energjetike të Iranit, diçka që ekspertët e së drejtës ndërkombëtare kanë thënë se mund të përbënte krim luftë.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mbrojtjes në Iran, Majid Ibn al-Reza, më herët tha se Teherani e sheh çdo kërcënim nga kundërshtarët e tij si “real dhe të besueshëm”, madje edhe nëse ai bën pjesë në luftën psikologjike. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi

Published

on

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.

“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.

Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.

“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.

Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.

Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

Published

on

Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, sipas njoftimeve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në disa faza. Sipas tij, pas përfundimit të procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga territori palestinez.

Në bazë të planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera do t’ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi.

Pas kësaj, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe një forcë e re policore palestineze pritet të marrin përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të grupit palestinez kanë deklaruar se çarmatimi nuk do të nisë pa tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes.

Trump ka falënderuar Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre në ndërmjetësimin e bisedimeve, duke e përshkruar marrëveshjen si një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Merz: Mali i Zi duhet të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret për anëtarësim.

Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të pengohen nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe mbetet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në negociatat për anëtarësim.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman rikujtoi se Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve që përmbushin Kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, deklarata përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të Malit të Zi, i cili synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara