Botë

Trump dhe Harris për Rusinë, ja çfarë qëndrimi kanë dy kandidatët ndaj Putin

Published

on

Zgjedhjet e së martës kanë një peshë të madhe për Kremlinin dhe pavarësisht përgjigjes ironike dhe disi ngacmuese të Putinit, ajo duket se përmblodhi pikëpamjen e Rusisë se zgjedhjet nuk ofrojnë alternativa të mira.

Analistët thonë se asnjëri kandidat nuk ka dhënë sinjale të forta për përmirësimin e marrëdhënieve, që kanë arritur pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

Nënpresidentja Harris ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Rusisë, ndërsa ish-Presidenti Trump njihet për admirimin që ka për Putinin.

Megjithatë, në takimin e shtatorit, zoti Putin u ankua se kur zoti Trump ishte në detyrë, Shtetet e Bashkuara vendosën “më shumë kufizime dhe sanksione kundër Rusisë, se çdo president tjetër para tij”.

Timothy Colton nga Akademia e Harvardit për Studimin e Çështjeve Ndërkombëtare tha se udhëheqja e Kremlinit është “në përgjithësi e bindur se asgjë e mirë nuk do të rezultojë nga zgjedhjet në këndvështrimin e Rusisë”.

Por ai shtoi se në përgjithësi,  Trump “është ndoshta preferenca e tyre; ai është një figurë më e njohur”.

Nënpresidentja Harris ka gjasa të vazhdojë mbështetjen masive ushtarake dhe ekonomike të administratës së Presidentit Biden për Ukrainën, ndërsa agresioni i Rusisë po shkon drejt vitit të tretë.

Ish-Presidenti Trump është mburrur se raportet e tij me Putinin dhe respekti nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski janë aq të forta sa ai mund të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës “për 24 orë”.

Ai nuk pranon të ofrojë detaje mbi strategjinë e tij, por komentet e fundit që kritikojnë sanksionet kundër Rusisë sugjerojnë se ai mund t’i heqë ato në këmbim të arritjes së një zgjidhjeje për konfliktin.

Gjatë debatit presidencial, zoti Trump dy herë refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt nëse ai dëshironte që Ukraina të fitonte luftën, ndërsa Harris vlerësoi mbështetjen perëndimore për Kievin dhe kërkoi që ajo të vazhdojë.

Kandidati republikan për nënpresident, senatori JD Vance, ka përmendur propozimin për çmilitarizim nga Ukraina të territoreve të pushtuara nga Rusia dhe arritjen e një marrëveshje për t’i dhënë status neutral të përhershëm këtyre rajoneve.

Trump mund të ketë në mendje një zgjidhje të tillë. Kievi nuk do ta pranonte këtë, por Trump ka treguar pak simpati për Ukrainën, duke thënë se Zelenski “nuk duhej të lejonte fillimin e luftës”.

Nënpresidentja Harris nuk ka ofruar detaje se si do të ndryshonte qëndrimi i saj nga ai i Presidentit Biden.

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës më shumë se 59.5 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe ekonomike që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në 2022.

Ajo ka thënë më parë se do të ishte marrëzi të rrezikonim aleancat globale, që Shtetet e Bashkuara i kanë krijuar dhe dënoi “brutalitetin” e Putinit.

Një fitore e zonjës Harris “ka të ngjarë të ofrojë një vazhdimësi të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për sa kohë që do të sigurohej mbështetja e Kongresit”, thotë një raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Në raport gjithashtu thuhet se ajo do të mund të kërkonte përfundimin e luftimeve në mënyrë më aktive sesa Presidenti Biden.

Rritja e kundërshtimeve në Kongres ndaj shpenzimeve të mëdha për ndihmën ndaj Ukrainës mund të frenojë ose të ndryshojë strategjinë e saj.

Putini ka përmendur në mënyrë të përsëritur kërcënimin bërthamor në përpjekje për të frenuar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën.

Traktati “New START”, marrëveshja e fundit ende në fuqi për kontrollin e armëve bërthamore mes Moskës dhe Uashingtonit, do të skadojë në vitin 2026, një vit pas ardhjes në pushtet të administratës së re amerikane.

Presidenti Biden e rinovoi traktatin pak kohë pas marrjes së detyrës dhe zonja Harris, nëse i fiton zgjedhjet, pritet të bëjë të njëjtën gjë.

Traktati “New START” kufizon numrin e platformave për lëshimin e raketave bërthamore ndërkontinentale.

Ndonëse nuk u tërhoq nga traktati, Rusia e pezulloi zbatimin e tij në vitin 2023 dhe Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën me masa, duke përfshirë ndërprerjen e ndarjes së informacionit mbi vendndodhjen dhe statusin e raketave.

Ish-Presidenti Trump, megjithëse ka paralajmëruar për kërcënimin e “ngrohjes bërthamore”, kur ishte në detyrë ndërmori hapa për të çmontuar regjimin e kontrollit të armëve, duke përfshirë tërheqjen nga Traktati “INF” për armët bërthamore me rreze të mesme veprimi, i cili ndalonte dislokimin e raketat bërthamore dhe konvencionale me bazë tokësore, me rreze veprimi prej 500-5,500 kilometrash.

Gjatë mandatit të tij si president, zoti Trump bëri thirrje për një traktat të ri bërthamor, që do të përfshinte Rusinë dhe Kinën.

Live

Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë

Published

on

By

Një seri kërcënimesh të rreme për bomba ka përfshirë katër vende evropiane – Danimarkën, Çekinë, Rumaninë dhe Irlandën – duke prekur aeroporte, fluturime pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE.

Incidentet vijnë pas një jave të ngarkuar me alarme të ngjashme, ku më shumë se 20 fluturime kanë pranuar kërcënime anonime, duke detyruar devijimin e disave prej tyre.

Në Rumani, një avion i kompanisë “TAROM” që udhëtonte nga Praga për në Bukuresht mori kërcënim për bombë, mirëpo vazhdoi fluturimin dhe u ul i sigurt në destinacion, ku autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Në Danimarkë, policia forcoi praninë në aeroportin e Kopenhagës për të dytën ditë me radhë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror, duke njoftuar se situata mbetet nën kontroll dhe fluturimet po zhvillohen normalisht.

Në Çeki, policia ndërmori masa shtesë sigurie në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës pas sinjaleve të reja ndaj avionëve.

Në Irlandë, selia e televizionit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë, gjë që solli ndërprerjen e transmetimeve të drejtpërdrejta. Policia irlandeze konfirmoi se po heton kërcënimet e drejtuara ndaj mediave atje dhe në Evropë.

Vëllimi i madh i kërcënimeve brenda një kohe të shkurtër konsiderohet i pazakontë nga ekspertët e sigurisë. Incidentet po ndodhin në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike dhe paralajmërimesh se rajoni mund të jetë cak i sulmeve hibride. /BBC/

Continue Reading

Live

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Continue Reading

Live

Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë

Published

on

By

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Aer Lingus” i llojit Airbus A320, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar me urgjencë drejt bazës ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas marrjes së një alarmi për kërcënim me bombë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Francës, Sébastien Lecornu, e cila bëri me dije se autoritetet franceze po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit francez.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni i fluturimit EI402 të “Aer Lingus” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 të mëngjesit dhe kishte si destinacion Aeroportin Fiumicino “Leonardo da Vinci” në Romë, ku parashikohej të ulej në orën 10:50. Autoritetet e sigurisë po kryejnë kontrollet e nevojshme në bazën ushtarake në Francë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

By

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

Të kërkuara