Lajmet

​Tri vjet nga fitorja e LVV-së, shtrirja e sovranitetit në veri shihet si e arritura e vetme

Sipas analistëve, gjatë udhëheqjes së Kurtit, veriu po frymon më ndryshe sesa më parë.

Published

on

Sot janë bërë tri vjet nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas analistëve politikë, nuk ka sjellë ndryshime të mëdha në zhvillimin e vendit, por theksojnë rolin e ekzekutivit në vendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të vendit. Sipas tyre, gjatë udhëheqjes së Kurtit, veriu po frymon më ndryshe sesa më parë si dhe po luftohen grupet kriminale dhe terroriste atje.

Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë se në veri ka më shumë shtrirje të sundimit të ligjit, por sipas tij vendi po vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian për shkak të mosshpalljes së zgjedhjeve të reja në veri.

“Sa i përket veriut ka pasur lëvizje për shkak se policia tashmë është më prezente, mund të themi se grupet terroriste që janë vërtetuar me rastin e 24 shtatorit në Banjskë, pak a shumë janë larguar nga ajo pjesë. Veriu po frymon pak më ndryshe sesa ka qenë para dy apo tri viteve, por prapë se prapë gjithçka po lidhet me dialogut. Kosova ka mbetur e stagnuar në procesin e dialogut, janë dy marrëveshje që janë arritur nga kjo qeveri dhe presioni ndërkombëtar për zbatimin e këtyre marrëveshjeve është shumë i madh. Kosova akoma mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian pikërisht për shkak të situatës në veri”, thotë Demhasaj.

Në anën tjetër, analisti tjetër politik, Gazmir Raci, thotë se shtrirja e sovranitetit në veri është suksesi më i madh i Qeverisë Kurti. Ai deklaron se ekzekutivi ka një rezultat të jashtëzakonshëm në shpartallimin e grupeve kriminale në veri dhe luftimin e kontrabandës.

“Është rezultat i jashtëzakonshëm qasja ndaj veriut dhe sidomos në shpartallimin e grupeve kriminale në veri dhe jo hyrja në bisedime me grupe kriminale sa për të qeverisur koalicionin në Prishtinë, përmes Listës Serbe. Mendoj se rendi dhe ligji në veri, lufta kundër krimit, kontrabandës, mbi 15 laborator të narkotikëve janë mbyllur në veri. A e dini çfarë dëmi të madh i janë shkaktuar Kosovës në ato laboratorë, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në aspektin njerëzor. Kriptovalutat, krimi në barna, ka sektorë të ndryshëm që lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka progres të jashtëzakonshëm”, thekson ai.

Megjithatë, analisti Demahasaj, shton se Qeveria Kurti në rrafshin e brendshëm ka qenë e dobët, pasi s’ka realizuar ndonjë reformë ose ndryshim që do të ishte i prekshëm për qytetarët. Ai përmend dikasterin e arsimit, shëndetësisë, reformat në drejtësi dhe zhvillimit ekonomik ku ka çaluar më së shumti Qeveria Kurti.

Sipas tij, Kurti s’ka bërë progres as në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, sigurimin e njohjeve të reja dhe as anëtarësimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

“Mund të themi se relativisht ka qenë një qeverisje e dobët për shkak se në aspektin e brendshëm nuk ka pasur ndonjë reformë apo ndryshim të madh që mundet me qenë e prekshme për qytetarët. S’ka pas ndryshime as në aspektin e arsimit, shëndetësisë dhe as të zhvillimit ekonomik ose të tregut energjetik. Në një mënyrë Kosova ka stagnuar dhe ka mbetur aty ku ka qenë si para tri viteve. Njëjtë mund të themi se është situata edhe sa i përket reformave që janë filluar nga kjo qeveri, si reforma në drejtësi, siç kanë përmendur për Vettingun e gjëra të tjera. Por tri vjet kanë shkuar dhe akoma jemi në start të diskutimit për reformën në drejtësi. Për këto tri vite nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, të paktën nga ajo që ka proklamuar LVV-ja. Njëkohësisht mund të themi se kanë vazhduar punësimet partiake, punësimet politike në krejt institucionet e pavarura, që sish dashur me qenë”, thekson Demhasaj.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2021 kishte fituar mbi 50 për qind të votave, ku edhe e vetme ka formuar kabinetin qeveritar.

lajme

UBT dhe Universiteti “Fan S. Noli” nga Korça diskutojnë projekte të përbashkëta në fushën e inovacionit dhe inteligjencës artificiale

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë, të kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, së bashku me stafin Dr. Aida Mosko, Prof. As. Dr. Lorena Zeqo dhe Marie Dojçe.

Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të njihej nga afër me infrastrukturën moderne të UBT-së, laboratorët inovativë, hapësirat teknologjike dhe projektet zhvillimore që realizohen në kuadër të Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik.

Në takimin ndërmjet përfaqësuesve të dy institucioneve u diskutua për avancimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional, zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe kërkimore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Fokus i veçantë iu kushtua inovacionit në arsim, inteligjencës artificiale, programeve ndërkombëtare, shkëmbimeve akademike dhe ndërlidhjes së studimeve me tregun e punës dhe industrinë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar, duke theksuar se partneritete të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë në arsim, shkencë dhe teknologji, si dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu, delegacioni mori pjesë edhe në Konferencën për Lidership, ku Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, theksoi:

“UBT është pararojë jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në botë. Korça është një qytet me traditë në arsim dhe vendi ku u hap shkolla e parë shqipe. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi së bashku për të zhvilluar më tej projektet tona të përbashkëta, sidomos në fushën e inteligjencës artificiale”, tha Ekonomi.

Continue Reading

lajme

United Hospital fuqizon kujdesin për shëndetin e gruas – Shërbime moderne gjinekologjike me përkushtim profesional

Published

on

By

Shëndeti i gruas dhe i nënës mbetet një nga shtyllat kryesore të një shoqërie të shëndetshme, ndërsa kujdesi profesional gjinekologjik është vendimtar për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të shumë problemeve shëndetësore. Duke u mbështetur në standardet bashkëkohore të mjekësisë, United Hospital vazhdon të ofrojë shërbime të avancuara në fushën e gjinekologjisë dhe obstetrikës, duke garantuar siguri, profesionalizëm dhe përkujdesje të personalizuar për çdo paciente.

Nën vizionin strategjik të Prof. Dr. Edmond Hajrizit, United Hospital ka ndërtuar një model bashkëkohor të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, ku teknologjia, digjitalizimi dhe inovacioni janë shndërruar në shtyllat kryesore të transformimit klinik. Integrimi i sistemeve inteligjente, pajisjeve diagnostikuese të gjeneratës së fundit dhe proceseve të digjitalizuara ka ngritur standardet e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit në trajtimin e pacientëve.

Ky vizion modern ka prodhuar rezultate të prekshme edhe në fushën e gjinekologjisë dhe obstetrikës, duke mundësuar diagnostikim më të hershëm, monitorim më të saktë të shtatzënisë, planifikim optimal të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kujdes multidisiplinar sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare.

Në këtë mënyrë, United Hospital po afirmohet si një qendër moderne e ekselencës mjekësore, ku inovacioni teknologjik vihet në funksion të mbrojtjes së shëndetit të gruas dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së kujdesit shëndetësor.

Në kuadër të këtij angazhimi, Dr. Flora Belegu-Spahija, Specialiste në Gjinekologji dhe Obstetri, ofron një gamë të plotë shërbimesh për shëndetin riprodhues të grave, duke përfshirë kontrollet rutinë gjinekologjike, diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve, ndjekjen profesionale të shtatzënisë, si dhe trajtimin e rasteve që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

Në United Hospital, çdo paciente trajtohet sipas nevojave të saj specifike, ndërsa çdo procedurë planifikohet me kujdes maksimal dhe realizohet në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e anesteziologjisë dhe specialistëve të tjerë, duke garantuar standarde të larta të sigurisë dhe cilësisë.

Investimi në teknologji moderne, përvoja profesionale e stafit mjekësor dhe qasja humane ndaj pacientes e kanë bërë United Hospital një adresë të besueshme për gratë që kërkojnë kujdes shëndetësor cilësor në çdo fazë të jetës së tyre.

Për vizitë ose konsultë, pacientet mund të rezervojnë termin në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, në objektin e United Hospital, në aksin Prishtinë–Ferizaj, Km 7, ku shëndeti i gruas trajtohet me profesionalizëm, dinjitet dhe teknologji të avancuar./rajonipress/

Continue Reading

Botë

UBT uron 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë dhe 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Published

on

By

4 Korriku i vitit 1776 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne – shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 250-vjetorin e këtij akti historik, bota rikujton dhe feston vlerat universale të lirisë, demokracisë, barazisë dhe drejtësisë, mbi të cilat u ndërtua shteti amerikan dhe që vazhdojnë të frymëzojnë kombe e shoqëri anembanë globit.

Në këtë ditë të veçantë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e miqësisë së qëndrueshme dhe partneritetit të fortë ndërmjet popullit shqiptar dhe atij amerikan.

“Sot, në këtë jubile historik të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne shprehim mirënjohjen dhe respektin tonë për një vend që është simbol i lirisë, demokracisë dhe mbështetjes së vazhdueshme për popullin e Kosovës. Miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve është e veçantë, e sinqertë dhe e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta që forcohen brez pas brezi”, është shprehur Rektori Hajrizi.

UBT, si institucion lider në arsimin e lartë dhe inovacionin në Kosovë, vazhdon të ndërtojë dhe fuqizojë partneritetet me institucionet akademike dhe organizatat amerikane, duke krijuar ura bashkëpunimi në fushën e arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit profesional.

Në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të SHBA-së, UBT organizoi forumin ndërkombëtar “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, si pjesë e projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, program zyrtar ndërkombëtar për këtë jubile historik.

Si Partneri Kryesor Akademik i kësaj nisme në Kosovë, UBT bëri bashkë diplomatë, akademikë, ekspertë amerikanë, përfaqësues institucionalë, profesorë dhe studentë, për të diskutuar mbi partneritetin strategjik Kosovë–SHBA, rolin e arsimit në ndërtimin e lidershipit demokratik dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik në forcimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Me këtë rast, UBT nderoi edhe personalitete amerikane për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj Kosovës dhe partneritetit transatlantik.

Continue Reading

Lajmet

Konferenca për Lidership në UBT: Ministrja Kusari-Lila, Rektori Hajrizi dhe ekspertët diskutojnë për qeverisjen e inovacionit dhe sfidat e inteligjencës artificiale në Kosovë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua paneli i dytë i Konferencës Ndërkombëtare të Lidershipit me temë qendrore: “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”.

Ky takim mblodhi përfaqësues institucionalë, drejtues akademikë dhe ekspertë për të diskutuar mbi rrugëtimin e përbashkët të teknologjisë, politikave publike, arsimit të lartë dhe zhvillimit ekonomik. Përmes analizave të detajuara, panelistët shpjeguan sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale (IA) në integrimin e sistemeve të ndryshme në Kosovë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vuri në dukje se inovacioni dhe teknologjia kanë ecur shumë më shpejt se rregullimet ligjore, duke krijuar një hendek të madh që kërkon adresim të menjëhershëm përmes politikave publike. Ajo theksoi se për herë të parë dikasteri i saj ka marrë portofolin e inovacionit, duke synuar ndërlidhjen më të mirë të institucioneve me sektorin privat.

“Ne jemi në mesin e konceptualizimit dhe ndërlidhjes së funksionimit të inteligjencës artificiale, inovacionit, politikave publike dhe aplikimit e inkurajimit të sektorit privat për përdorimin e tyre. Kam ndjerë se për herë të parë e kemi një sektor ku hendeku ndërmjet politikave publike dhe sektorit privat është më i madhi ndonjëherë, sepse inovacioni, teknologjia informative dhe çdo gjë që lidhet me konceptin e zbulimeve dhe kreativitetit ka ecur shumë më shpejt, pa qenë domosdoshmërisht e rregulluar”, u shpreh Kusari-Lila.

Në rrafshin akademik, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ndal tek impakti që ka përhapja e shpejtë e dijes kognitive globale mbi universitetet.

Sipas tij, kjo periudhë transformimi nuk rrezikon ekzistencën e institucioneve arsimore, por shërben si një momentum për të reflektuar mbi rolin e tyre të ri, që duhet të jetë ai i një nxitësi dhe koordinuesi kryesor në ekosistemin inovativ.

“Impakti i inteligjencës artificiale apo i një dije të përgjithshme kognitive globale, e cila tashmë është e qasshme, shtron në pikëpyetje proceset e mëparshme klasike dhe tradicionale të formatit sesi institucionet kanë jetuar. Pozicioni i universiteteve është duke u shtruar në pikëpyetje, jo në kuptimin negativ, por si një momentum për të reflektuar dhe për t’u transformuar në të ardhmen. Nuk është në pyetje ekzistenca e universitetit, por roli dhe formati i tij që të ketë sa më shumë impakt”, theskoi Hajrizi.

Nga këndvështrimi i zhvillimit të bizneseve, Dekani i Fakultetit të Menaxhimit, Biznesit dhe Ekonomi, Muhamet Gërvalla, shpjegoi se si globalizimi dhe IA po thyejnë barrierat gjeografike. Ai theksoi se epoka e re kërkon që kompanitë të ndryshojnë mendësi, duke lëvizur nga fokusi i thjeshtë tek burimet e veta të brendshme, drejt krijimit të shërbimeve të personalizuara dhe kuptimit digjital të klientit.

“Inteligjenca artificiale është një nga mundësitë e arta të cilat duhet t’i shfrytëzojnë bizneset, në mënyrë që ato fillimisht të udhëhiqen në aspektin e mendësisë, duke filluar prej krijimit apo përcaktimit të strategjisë së tyre biznesore e pastaj në atë operacional. Sot ka ndryshuar qasja, nuk është e mjaftueshme ajo formë e vjetër e operimit. Bizneset duhet të transformohen në atë kuptim që të njohin interesat e klientëve dhe të krijojnë një personalizim virtual të individit”, sipas Gërvalles.

Ndërkaq, sfidat praktike të mungesës së të dhënave të integruara në Kosovë u adresuan nga Besnik Qehaja, Dekan i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT. Ai mori si shembull sistemin shëndetësor, ku vuri në dukje se pa pasur platforma që mbledhin dhe gjenerojnë informata të plota, është mjaft e vështirë të krijohen modele për vendimmarrje të bazuara në inteligjencën artificiale, duke prekur këtu edhe aspektet etike të sigurisë.

“Mungesa e informatave për shkak të sistemeve që nuk janë të integruara na bën pak më të disfavorshëm në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe etikën, por edhe në aspektin e vendimmarrjes. Për momentin, pa pasur të dhëna të gjeneruara, nuk mundemi t’i ideojmë ose t’i krijojmë modelet për vendimmarrje duke u mbështetur në inteligjencën artificiale. Megjithatë, sistemet janë në implementim e sipër dhe falë inteligjencës artificiale ato do të implementohen më shpejt”, u shpreh Qehaja.

Diskutimet e këtij paneli nxorën në pah se sekreti i suksesit në këtë epokë të re qëndron te ndërthurja e shpejtësisë së teknologjisë me ruajtjen e aspektit human dhe ndërtimin e platformave digjitale të sigurta.

 

Continue Reading

Të kërkuara