Lajmet

​Tri vjet nga fitorja e LVV-së, shtrirja e sovranitetit në veri shihet si e arritura e vetme

Sipas analistëve, gjatë udhëheqjes së Kurtit, veriu po frymon më ndryshe sesa më parë.

Published

on

Sot janë bërë tri vjet nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas analistëve politikë, nuk ka sjellë ndryshime të mëdha në zhvillimin e vendit, por theksojnë rolin e ekzekutivit në vendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të vendit. Sipas tyre, gjatë udhëheqjes së Kurtit, veriu po frymon më ndryshe sesa më parë si dhe po luftohen grupet kriminale dhe terroriste atje.

Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë se në veri ka më shumë shtrirje të sundimit të ligjit, por sipas tij vendi po vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian për shkak të mosshpalljes së zgjedhjeve të reja në veri.

“Sa i përket veriut ka pasur lëvizje për shkak se policia tashmë është më prezente, mund të themi se grupet terroriste që janë vërtetuar me rastin e 24 shtatorit në Banjskë, pak a shumë janë larguar nga ajo pjesë. Veriu po frymon pak më ndryshe sesa ka qenë para dy apo tri viteve, por prapë se prapë gjithçka po lidhet me dialogut. Kosova ka mbetur e stagnuar në procesin e dialogut, janë dy marrëveshje që janë arritur nga kjo qeveri dhe presioni ndërkombëtar për zbatimin e këtyre marrëveshjeve është shumë i madh. Kosova akoma mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian pikërisht për shkak të situatës në veri”, thotë Demhasaj.

Në anën tjetër, analisti tjetër politik, Gazmir Raci, thotë se shtrirja e sovranitetit në veri është suksesi më i madh i Qeverisë Kurti. Ai deklaron se ekzekutivi ka një rezultat të jashtëzakonshëm në shpartallimin e grupeve kriminale në veri dhe luftimin e kontrabandës.

“Është rezultat i jashtëzakonshëm qasja ndaj veriut dhe sidomos në shpartallimin e grupeve kriminale në veri dhe jo hyrja në bisedime me grupe kriminale sa për të qeverisur koalicionin në Prishtinë, përmes Listës Serbe. Mendoj se rendi dhe ligji në veri, lufta kundër krimit, kontrabandës, mbi 15 laborator të narkotikëve janë mbyllur në veri. A e dini çfarë dëmi të madh i janë shkaktuar Kosovës në ato laboratorë, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në aspektin njerëzor. Kriptovalutat, krimi në barna, ka sektorë të ndryshëm që lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka progres të jashtëzakonshëm”, thekson ai.

Megjithatë, analisti Demahasaj, shton se Qeveria Kurti në rrafshin e brendshëm ka qenë e dobët, pasi s’ka realizuar ndonjë reformë ose ndryshim që do të ishte i prekshëm për qytetarët. Ai përmend dikasterin e arsimit, shëndetësisë, reformat në drejtësi dhe zhvillimit ekonomik ku ka çaluar më së shumti Qeveria Kurti.

Sipas tij, Kurti s’ka bërë progres as në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, sigurimin e njohjeve të reja dhe as anëtarësimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

“Mund të themi se relativisht ka qenë një qeverisje e dobët për shkak se në aspektin e brendshëm nuk ka pasur ndonjë reformë apo ndryshim të madh që mundet me qenë e prekshme për qytetarët. S’ka pas ndryshime as në aspektin e arsimit, shëndetësisë dhe as të zhvillimit ekonomik ose të tregut energjetik. Në një mënyrë Kosova ka stagnuar dhe ka mbetur aty ku ka qenë si para tri viteve. Njëjtë mund të themi se është situata edhe sa i përket reformave që janë filluar nga kjo qeveri, si reforma në drejtësi, siç kanë përmendur për Vettingun e gjëra të tjera. Por tri vjet kanë shkuar dhe akoma jemi në start të diskutimit për reformën në drejtësi. Për këto tri vite nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, të paktën nga ajo që ka proklamuar LVV-ja. Njëkohësisht mund të themi se kanë vazhduar punësimet partiake, punësimet politike në krejt institucionet e pavarura, që sish dashur me qenë”, thekson Demhasaj.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2021 kishte fituar mbi 50 për qind të votave, ku edhe e vetme ka formuar kabinetin qeveritar.

lajme

U ndaluan punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot: Inspektorati i Punës konstaton parregullsi

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot, pas konstatimit të parregullsive që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

Vendimi u mor gjatë inspektimeve të rregullta në terren, ku inspektorët konstatuan se subjektet ndërtuese nuk i kishin plotësuar kushtet ligjore për mbrojtjen e punëtorëve. Ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e plotë të këtyre parregullsive dhe krijimin e një ambienti të sigurt pune.

Me këtë rast, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet legjislacionin në fuqi, duke paralajmëruar se garantimi i sigurisë dhe i shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i pakompromis. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Pejë për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur

Published

on

By

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra të rënda penale kundër integritetit seksual ndaj vajzës së tij të mitur.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa viktima po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore.

Sipas të dhënave zyrtare nga raporti i Prokurorit të Shtetit, Departamenti për Të Mitur po e ngarkon të dyshuarin për veprat penale “Sulmi seksual” dhe “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve, organet e rendit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale, kryesisht pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale. /E.A/

Continue Reading

lajme

Macron uron presidenten Justina Shiroka-Pula: Franca mbështet perspektivën evropiane dhe dialogun e Kosovës

Published

on

By

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër urimi presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e zgjedhjes së saj në krye të shtetit, duke riafirmuar përkushtimin e Parisit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në letrën e tij, kreu i shtetit francez shprehu shpresën se ky mandat do të mundësojë avancimin e reformave kyçe që kontribuojnë drejtpërdrejt në perspektivën evropiane të Kosovës. Macron po ashtu solli në vëmendje partneritetin historik mes dy vendeve, si dhe takimin e realizuar më parë me kryeministrin Albin Kurti në Paris.

Urimi i presidentit francez nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin e fundit diplomatik, duke veçuar vizitën e ministrit të deleguar për Evropën në Prishtinë gjatë muajit korrik, e cila u kurorëzua me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të reja bilaterale.

Në përmbyllje të letrës, Macron theksoi rëndësinë e veçantë që ka normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke riafirmuar mbështetjen e plotë të Francës për procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Drita e Prishtina përballen sot në Gjilan për majën e tabelës

Published

on

By

Kampioni në fuqi, Drita, dhe klubi më i trofeshëm në futbollin kosovar, Prishtina, do të përballen sot në Gjilan në kuadër të ndeshjes së mbetur nga xhiroja e dytë e Albi Mall Superligës. Sfidë kjo ku tri pikët mbajnë një peshë të jashtëzakonshme në luftën për kreun e tabelës.

Ballafaqimi i dy gjigantëve të futbollit vendor do të zhvillohet në stadiumin ndihmës me bari artificial në Gjilan, ku ambalazhohet një përplasje e fortë taktike. Për skuadrën e Dritës, ky takim përfaqëson shansin ideal për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për t’u barazuar me Prishtinën në pozitën e dytë me 26 pikë. Në krahun tjetër, bardhekaltërit nga kryeqyteti synojnë një fitore që do t’i ngjiste në kuotën e 29 pikëve, duke parakaluar lideren aktuale, Malishevën, që udhëheq me 27 pikë.

Format e të dyja ekipeve paralajmërojnë një duel mjaft interesant. Drita hyn në këtë përballje pas katër fitoreve radhazi në kampionat, përfshirë edhe një triumf bindës 0-3 të arritur pikërisht ndaj Prishtinës në kryeqytet. Ndërkaq, Prishtina – e cila e e nisi këtë edicion me shtatë fitore rresht – ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë dulet e fundit, duke kërkuar kësisoj këndelljen në një nga transfertat më të vështira të sezonit.

Peshën e takimit e rrit edhe bilanci i historikut mes tyre. Në dhjetë përballjet e fundit, Drita dominon me pesë fitore kundrejt dy të Prishtinës, ndërsa tri sfida janë mbyllur me barazim. Sidoqoftë, Prishtina mbetet skuadra më e dekoruar në vend me 11 tituj kampioni, nëntë Kupa dhe 11 Superkupa pas pavarësimit të futbollit kosovar. Nga ana tjetër, Drita ka konsoliduar suksesin në futbollin e pasluftës me pesë tituj kampioni, dy prej të cilëve radhazi në edicionet e fundit, duke i dhënë këtij derbi të gjitha përbërësit e një përplasjeje të madhe sportive. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara