Sport

Trepça triumfon ndaj Yllit, ngushton serinë finale

Rezultati është 2:1 për therandasit, kurse përballja e radhës do të zhvillohet të enjten në Mitrovicë

Published

on

Trepça ka shënuar dje fitore në udhëtim ndaj Golden Eagle Yllit 55:58 (20:17, 10:12, 10:13, 15:16), në ndeshjen e tretë të “Play-off”-it. Tashmë rezultati është 2:1 për therandasit, kurse përballja e radhës do të zhvillohet të enjten në Mitrovicë. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione.

Vendasit e nisën ndeshjen për mrekulli, me një seri prej 9:0, megjithatë, mysafirët shpejt u rikthyen, për të kaluar në epërsi 11:13, ndërsa deri në fund të çerekut të parë u zhvillua lojë më e barabartë, duke përfunduar me shifrat 20:17. Periudha e dytë ishte tërësisht e barabartë, ku skuadrat aplikuan mbrojtje më të fortë, ndërsa asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, ku pjesa e parë përfundon 30:29.

Edhe perioda e tretë ishte e ngjashme me atë të dytën, ku epërsinë më të lartë e kishin ‘Xehetarët’, gjashtë pikë, 31:37, sidoqoftë, therandasit nuk lejuan shkëputjen e mysafirëve, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 40:42. Të përkrahur edhe nga tifozët vendas, Ylli e nisi shumë më mirë dhjetëminutëshin e fundit, për të krijuar epërsi deri në nëntë pikë, 52:43, por drama nuk kishte përfunduar dhe ‘Xehetarët’ rikthehen për të kaluar në epërsi 52:56 dhe ishin më të vëmendshmen në fund për të triumfuar 55:58.

Te Ylli u dalluan Chris Harris me tetë pikë e 11 kërcime dhe Dajuan Graf me 14 pikë, gjashtë kërcime e tetë asistime, kurse te mysafirët u dalluan Drilon Hajrizi me 21 pikë e nëntë kërcime dhe Andrew Gordon me 12 pikë e 16 kërcime.

Sport

Rrufeja godet fushën gjatë ndeshjes, humb jetën një futbollist

Published

on

By

Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Tajlandë, ku një rrufe goditi fushën e lojës, duke shkaktuar vdekjen e një futbollisti dhe plagosjen e 12 personave të tjerë.

Sipas raportimit të The Sun, momenti i rëndë është kapur edhe në video. Pamjet tregojnë dy skuadrat duke vazhduar lojën pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike, kur papritur një rrufe e fuqishme godet fushën, duke ndriçuar zonën me një shkëndijë të fortë dhe duke krijuar flakë e tym në vendin e goditjes.

Viktima është identifikuar si Safwan Awae, 24 vjeç, i cili u godit drejtpërdrejt nga rrufeja. Pavarësisht përpjekjeve të bashkëlojtarëve për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta mbajtur në jetë deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas goditjes, në fushë u krijuan skena paniku, me lojtarët dhe shikuesit që vrapuan për t’u larguar nga zona, ndërsa të plagosurit u transportuan për trajtim mjekësor.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e zhvillimit të aktiviteteve sportive në kushte të motit të rënduar, veçanërisht gjatë stuhive me shkarkesa elektrike.

D.L

Continue Reading

Sport

Supergol i Edon Zhegrovës i sjell Juventusit fitoren ndaj Chelseat

Published

on

By

Edon Zhegrova ka shkëlqyer në ndeshjen miqësore të Juventusit ndaj Chelseat, duke realizuar një supergol që i siguroi skuadrës italiane fitoren minimale 1:0.

Takimi u zhvillua në Hong Kong, ku Juventusi po zhvillon fazën përgatitore për sezonin e ri. Reprezentuesi i Kosovës u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë dhe la menjëherë gjurmë me paraqitjen e tij.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 67-të. Pas një aksioni të gjatë të ndërtuar që nga portieri dhe me një seri pasimesh, topi përfundoi te Zhegrova, i cili goditi fuqishëm me të majtën nga distanca. Goditja e tij përfundoi në këndin e portës, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit të Chelseat.

Ky ishte goli i parë i 27-vjeçarit me fanellën e Juventusit dhe, ndonëse në një ndeshje miqësore, konsiderohet një moment i rëndësishëm për besimin dhe të ardhmen e tij te skuadra bardhezi.

Zhegrova nuk kishte shënuar që nga 24 nëntori i vitit 2024, kur i kishte dhënë fitoren Lilleit me rezultat 1:0 ndaj Rennesit në kampionatin francez. Pas asaj ndeshjeje ai u përball me një periudhë të gjatë mungese për shkak të lëndimit.

Pas transferimit te Juventusi një vit më parë, sulmuesi kosovar ka treguar herë pas here cilësitë e tij, por ende nuk kishte arritur të stabilizohej në formacionin bazë dhe nuk kishte regjistruar gola apo asistime në ndeshjet zyrtare.

Në fazën përgatitore për sezonin e ri, Zhegrova kishte luajtur nga një pjesë në miqësoret ndaj Baselit dhe Nicës, ndërsa nuk ishte grumbulluar për sfidën ndaj Standard Liezhit. Ndaj Chelseat, ai më në fund demonstroi cilësinë që e karakterizon, duke realizuar një gol spektakolar që mund t’i japë një shtysë të madhe në luftën për një vend titullari te Juventusi.

D.L

Continue Reading

Sport

Milot Rashica pranë vazhdimit te Beshiktashi, Italiano nuk dëshiron largimin e tij

Published

on

By

Milot Rashica ka gjasa të vazhdojë të jetë pjesë e Beshiktashit edhe në sezonin e ri të Superligës së Turqisë, pavarësisht interesimit të disa klubeve për shërbimet e tij.

Sipas raportimeve të mediave turke, drejtuesit e Beshiktashit kanë pranuar disa oferta për reprezentuesin e Kosovës, por trajneri Vincenzo Italiano nuk është i gatshëm të heqë dorë nga 29-vjeçari.

Bëhet e ditur se menaxhmenti i klubit ia ka lënë trajnerit italian vendimin përfundimtar lidhur me të ardhmen e Rashicës, ndërsa sinjalet e deritanishme tregojnë se ai konsiderohet pjesë e rëndësishme e planeve për sezonin e ri.

Rashica dha një tjetër dëshmi të vlerës së tij javën e kaluar, kur u aktivizua nga stoli në ndeshjen ndaj Midtjyllandit dhe gjeti rrugën e rrjetës, duke ndihmuar skuadrën me një paraqitje pozitive.

Sipas situatës aktuale, Beshiktashi është i gatshëm ta lejojë largimin e sulmuesit kosovar vetëm në rast se në adresë të klubit arrin një ofertë e jashtëzakonshme financiare.

D.L

Continue Reading

Sport

Mitrovica ndalet në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve

Published

on

By

Kampionia e Kosovës në futboll për femra, Mitrovica, është eliminuar në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pasi u mposht me rezultat të thellë 5:0 nga kampionia e Norvegjisë, Brann.

Takimi u zhvillua të mërkurën në Budapest të Hungarisë, ku skuadra norvegjeze konfirmoi statusin e favoritit me një paraqitje dominuese. Brann kaloi në epërsi që në minutën e gjashtë, ndërsa dyfishoi rezultatin në minutën e 13-të. Deri në përfundim të pjesës së parë, norvegjezet realizuan edhe dy gola të tjerë, duke e mbyllur praktikisht çështjen e fituesit.

Me këtë fitore, Brann siguroi kualifikimin në finalen e mini-turneut të raundit të dytë kualifikues, ndërsa Mitrovica do të luajë të shtunën ndeshjen për vendin e tretë ndaj humbësit të përballjes mes Ferencvaroshit të Hungarisë dhe PAOK-ut të Greqisë.

Për skuadrën kosovare, kjo sfidë ka rëndësi të madhe, pasi një fitore do t’i siguronte vazhdimin e garave evropiane në raundin e parë kualifikues të UEFA Europa Cup për femra, niveli i dytë kontinental për klube. Në rast humbjeje, Mitrovica do ta përfundojë aventurën evropiane për këtë edicion.

Brann konsiderohej kundërshtari më i vështirë i mundshëm në këtë fazë të garës. Kampionia norvegjeze, fituese e dy titujve kombëtarë, e nisi garimin evropian pikërisht nga raundi i dytë, ndërsa Mitrovica kishte kaluar me sukses raundin e parë kualifikues, duke mposhtur fillimisht Zimbru Chisinau të Moldavisë me rezultat 10:0 dhe më pas kampionen e Bullgarisë, Ludogorets, me shifrat 2:0.

Megjithatë, niveli shumë më i lartë i konkurrencës në raundin e dytë u reflektua qartë në ndeshjen ndaj Brannit, që siguroi një fitore bindëse dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt fazës së ardhshme.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara