Sport

Kualifikimi i skuadrave së Kosovës në Evropë, shikueshmëria pas pandemisë dhe rekordi i arritur nga Ballkani

Katër skuadra nga Kosova, do të jenë pjesëmarrëse në garat kualifikuese për Champions League, Europa League dhe Conference League.

Published

on

Ulis Hamiti, student i vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT

Me përfundimin e një sezoni tjetër në BKT Superligën e Kosovës shënohet edhe një kampionat i kompletuar, në të cilin skuadrat të cilat morën pjesë përjetuan emocione të përziera. Por edhe pas festës së shumë skuadrave, pyetja kryesore vazhdon të jetë se si do të performojnë ekipet e Kosovës në fazën kualifikuese në garat evropiane. Këtu flitet për tri kompeticionet kryesore: UEFA Champions League, UEFA Europa League dhe kompeticioni i ri i themeluar dhe implementuar në këtë sezon që përfundoi, UEFA Conference League.

Katër skuadrat e Kosovës që do të jenë në garat kualifikuese për këta tre turne janë: Ballkani që e fitoi titullin e kampionit këtë sezon, Drita që përfundoi në vendin e dytë, Gjilani në pozitën e tretë dhe Llapi fitues i Kupës së Kosovës. Pritshmëritë janë të larta për të gjithë, sidomos për ata që e kanë trajtuar kategorinë më të lartë të Kosovës gjatë këtij sezoni. Është viti i parë që nga Kosova do të garojnë katër skuadra në gara evropiane.

Arbon Flugaj, gazetar i njohur i sportit në Kosovë, jep mendimin e tij se si do të zhvillohen ndeshjet kualifikuese.

“Ballkani me kalimin e një raundi në Champions League, edhe në rast eleminimi pastaj do të siguronte të paktën “Play Off” në Conference League dhe mendoj se nëse përforcohet me dy lojtarë kualitativ nga jashtë, në pozitën e qendër sulmuesit dhe mesfushorit mbrojtës, atëherë do kenë paraqitje të mirë. Këtë sezon si mundësi e mirë që të paktën t’i mbushin arkat e klubit nëse vetëm nuk arrin inkuadrimin në Conference League”, filloi Flugaj.

Ndërkohë për tri skuadrat e tjera pjesëmarrëse, ai është më i mprehtë në opinionet e tij.

“Prej Dritës pres paraqitje solide dhe kalimin e të paktën 2-3 raundeve kualifikuese në Conference League, në rast se iu prin fati në short. Nga ana tjetër, Llapi i Tahir Batatinës, do të ketë shumë presion për të  kaluar raundin e parë, pasi vitin e kaluar dështuan totalisht ndaj Shkupit. Shpresoj ta kem gabim, mirëpo aktualisht mendoj se Llapi do të performojë më së dobti prej klubeve tona. Për Gjilanin është e vështirë të thuhet diçka para se të mësojmë se kush do të jetë trajner i skuadrës dhe cilat do të jenë planet e tij në afatin kalimtar verorë, në bazë të informacioneve që kam nga brenda klubit pritet të ketë prurje të mëdha por nuk e di se a do mjaftoj koha që skuadra të formohet”, potencoi Flugaj.

Padyshim një faktor i cili do t’i ndihmojë skuadrat e Kosovës do të jetë prania fizike e tifozëve. Përgjatë dy viteve të fundit ka pasur momente të turbullta sa i përket lejimit të tifozëve në fushë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por që me konfirmimin dhe lejen për tifozët që të jenë të pranishëm fizikisht në stadium, futbolli në Kosovë po rikthehet në normalitet. Flugaj gjithashtu bën krahasimin e vijueshmërisë gjatë sezonit të kaluar dhe qëllimeve aktuale.

“Sa i përket shikueshmërisë përmes televizionit, ajo definitivisht është rritur për shkak se deri pak para disa muajve stadiumet kanë qenë të mbyllura për shikues, ose janë lejuar një përqindje e vogël e tyre“, tha Flugaj.

Në fund ai shprehet mjaft optimist për sezonin e ardhshëm, por njëkohësisht ndalet dhe trajton temën e rikthimit të shikuesve gjatë pjesës së dytë të këtij kampionati që lamë pas.

“Duke parë ritmin e zhvillimit të futbollit tonë dhe transferimeve të cilat pritet të ndodhin, pres që edicioni i ardhshëm të jetë super i shikuar dhe ndoshta më i miri ndonjëherë. Sigurisht që pas pandemisë shikuesit janë vërshuar drejt stadiumeve, pavarësisht kësaj, pjesa e dytë e kampionatit stagnoi pak në këtë aspekt, ndoshta edhe pse skuadrat kishin dalë nga objektivat sezonale”, përmbylli Flugaj.

Përveç Flugaj, edhe gazetari i njohur i sportit në Kosovë, Faton Polisi, u përgjigj në pyetjet se si mendon se katër skuadrat kryesore do të performojnë në garat evropiane. Ai shprehet optimist duke thënë se pjesëmarrja në raundet kualifikuese, për garat evropiane do ta ndihmojë shumë BKT Superligën e Kosovës në shumë aspekte të ndryshme.

“Pjesëmarrja e  skuadrave, një në kualifikimet e Champions League, dhe tri në Conference League e ka bërë interesante BKT Superligën e Kosovës. Pjesëmarrja në garat evropiane është motiv më i madh për shumë lojtarë të futbollit të Kosovës, për shkak se synimi i tyre është që me paraqitje të mirë të bindin edhe menaxherë të ndryshëm të shprehin interesimin për t’ua mundësuar kalimin në ndonjë klub të Evropës. Jo vetëm lojtarët, por edhe klubet janë përfituese nga paraqitja në garat evropiane në nivel klubesh”, filloi Polisi.

Megjithatë ai nuk e fsheh faktin se skuadrat e Kosovës ende duhet të punojnë shumë për të arritur fazën e grupeve në garat evropiane.

“Përvoja në garat evropiane nuk mungon. Nuk ka munguar ngritja e tyre, por ende mendoj se klubet e Kosovës janë larg të arrijnë të paraqiten në fazën e grupeve të garave të organizuara nga Uefa. Ballkani është pa përvojë në arenën ndërkombëtare, Drita tashmë ka krijuar një përvojë dhe së fundi kishte një paraqitje të mirë, në veçanti ndaj finalistit të ligës së Evropës, Feyenoordit, skuadër e cila me vështirësi e eleminoi Dritën. Edhe Gjilani ka përvojën, por mendoj se do të penalizohet me ndryshimet që ka bërë së fundi në stafin teknik dhe atë organizativ të klubit. Ndërsa Llapi dështoi sezonin e kaluar, por mendoj se do të jetë më i mobilizuar sezonin e ardhshëm”, tha Polisi

Gazetari i njohur i sportit shtoi se fati do të luajë rolin kryesor në performancat e këtyre skuadrave. Ai gjithashtu tregoi se çfarë do të thotë mungesa e pjesëmarrjes së Prishtinës në kualifikimin për garat evropiane për futbollin kosovar.

 “Rrugëtimi i këtyre garave kualifikuese evropiane, Ligën e Kampionëve, Ligën e Konferencës do të varet nga shorti që do ta kenë. Për imazhin e futbollit të Kosovës është humbje e madhe që Prishtina nuk do të paraqitet në garat e Evropës”, qartësoi Polisi.

Në fund ai e trajtoi çështjen e shikueshmërisë së BKT Superligës së Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në të cilat pandemia ka pasur një rol të madh në mënyrën se si ka ndryshuar pikëpamja e përgjithshme. Ndryshe nga Flugaj ai është kritik ndaj mënyrës se si është trajtuar rikthimi i shikuesve në stadium, por gjithashtu jep mendimin e tij rreth kësaj dhe se çfarë mund të bëhet për të vazhduar përpara.

“Nuk mund të bëhet krahasimi me dy sezonet e kaluara, në të cilat numri i shikueshmërisë për shkak të koronavirusit ka qenë i kufizuar. Por ajo që mund të them është se numri i shikuesve në tribuna nuk ka qenë i kënaqshëm as sezonin që përfundoi pak ditë më parë. Klubet duhet të punojnë më shumë me shikuesit, është pozitive që ka pasur rënie të përleshjeve në mes shikuesve. Ka pasur një rritje të lehtë të pranisë së shikuesve, por jo në një nivel të kënaqshëm. Përfitimet e klubeve nuk janë të mëdha nga shitja e biletave, madje nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet që bëhen për ujë gjatë një jave“, përmbylli Polisi.

Me gjithë supozimet dhe probabilitetet e mundshme sa i përket kualifikimit evropian, është e rëndësishme të përmendet se me suksesin e Ballkanit këtë sezon, BKT Superliga e Kosovës numëron 10 skuadra të ndryshme të cilat e kanë fituar kampionatin gjatë shekullit 21, shifër kjo e cila barazon rekordin e Suedisë, që po ashtu i ka parë dhe përgëzuar 10 skuadra, të cilat janë shpallur kampione të ligës së tyre gjatë këtij shekulli./UBTNews/

Sport

Zhegrova “E dua Juventusin dhe dua të bëj gjëra të mëdha me këtë klub”

Published

on

By

Edon Zhegrova luajti vetëm rreth 15 minuta në fund të ndeshjes së Kosovës ndaj Izraelit, e cila përfundoi me rezultat 0-0 në kuadër të Ligës së Kombeve. Në një intervistë ekskluzive për “Sportmediaset”, anësori kosovar foli për përballjen e fundit me Dardanët, të ardhmen e tij te Juventusi dhe objektivat e klubit italian.

“Fakti që nisa nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të startoj dhe të luaj”, deklaroi Zhegrova për “Sportmediaset”.

Kosova në ndeshjen e radhës do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht kryeson grupin.

“Unë besoj te kombëtarja ime. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. E njëjta gjë vlen edhe për grupin. Do të bëjmë gjithçka për të përfunduar të parët”, u shpreh ai.

Zhegrova foli edhe për eksperiencën e tij te Juventusi, duke theksuar se ndihet shumë i lumtur që është pjesë e klubit torinez.

“Jam shumë i lumtur që jam te Juventusi. Është një klub i shkëlqyer dhe nuk mund të mos jem i lumtur me shokët e mi të skuadrës, trajnerin, stafin dhe të gjithë ekipin. Është një privilegj për mua të jem pjesë e këtij klubi dhe do të jap më të mirën time sa herë që të zgjidhem për të luajtur”, tha Zhegrova.

Gjatë verës, emri i tij ishte lidhur me një largim të mundshëm nga Juventusi, por kosovari vendosi të qëndrojë në Torino.

“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha vërtet i lumtur dhe nuk doja të largohesha nga Juventusi në këtë mënyrë, pa lënë gjurmën time. Kështu që doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, deklaroi ai për “Sportmediaset”.

Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për Europa League, një vendim që sipas tij i takon trajnerit Luciano Spalletti.

“Është zgjedhja e Spallettit. Çfarëdo që të vendoset, unë do të bëj më të mirën time për klubin dhe respektoj çdo vendim”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës.

I pyetur nëse Juventusi mund ta fitojë Scudetton, Zhegrova u shfaq optimist për potencialin e skuadrës.

“Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të mirë. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, me synimin për të fituar çdo ndeshje që luajmë. Mendoj se kemi cilësinë e nevojshme. Në fund do t’i nxjerrim përfundimet”, tha ai.

Në fund, Zhegrova u pyet edhe për rivalitetin me Interin, kampionin në fuqi të Italisë, duke e mbyllur intervistën me një përgjigje me humor.

“A jemi më të fortë se ata? Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha Zhegrova me buzëqeshje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Deputetët e PDK-së lëshojnë mbledhjen e Komisionit: Ligji për Specialen të jetë prioritet absolut

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Kjo lëvizje vjen si pjesë e bojkotit të PDK-së në komisionet parlamentare, e cila kërkon që Kuvendi të mos vazhdojë me punë rutinore pa u proceduar paraprakisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetja Musliu theksoi se Kuvendi nuk guxon të jetë indiferent ndaj kërkesave të qytetarëve në të gjithë vendin dhe në mërgatë, duke nëvizuar se asnjë çështje tjetër nuk duhet të ketë përparësi para këtij ligji.

Këtë qëndrim e mbështeti edhe deputeti Demaku, i cili u shpreh se projektligji për Dhomat e Specializuara është prioriteti numër një dhe se të gjitha temat e tjera mund të presin. /E.A/

Continue Reading

Sport

Muric ende në dyshim për ndeshjen ndaj Milanit, Sassuolo pret rikthimin e tij

Published

on

By

Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes te Sassuolo, me klubin italian që po e përcjell me shqetësim gjendjen e tij fizike dhe rikthimin në dispozicion.

Muric u dëmtua në minutën e 65-të të ndeshjes mes Kosovës dhe Austrisë, të cilën Dardanët e humbën me rezultat 3-1. Që nga atëherë, gjendja e tij është monitoruar vazhdimisht nga stafi mjekësor i Kosovës.

Sipas “SassuoloNews”, portieri kosovar ende nuk është rikuperuar plotësisht, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.

Për gjendjen e Muricit kishte folur edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, para ndeshjes ndaj Izraelit.

“Ai pësoi një goditje në ndeshjen kundër Austrisë. Nuk mendoj se do të jetë në gjendje të luajë kundër Izraelit, por do të shohim se si është për momentin”, kishte deklaruar Foda.

Muric më pas nuk ishte në formacion për përballjen ndaj Izraelit, ndërsa tani vëmendja është kthyer te rikthimi i tij në kampionat.

Sassuolo do të përballet me Milanin të dielën, më 11 tetor, në një ndeshje që nis nga ora 18:00. Megjithatë, Muric aktualisht mbetet në dyshim për këtë sfidë.

Trajneri Alberto Aquilani po e përcjell nga afër situatën dhe, nëse portieri kosovar nuk arrin të rikuperohet në kohë, në portë pritet të aktivizohet Turati.

Për Sassuolon, rikthimi i Muricit do të ishte i rëndësishëm para një përballjeje të vështirë ndaj Milanit. Ditët në vijim pritet të sjellin më shumë qartësi për gjendjen e portierit të Kosovës dhe mundësinë e aktivizimit të tij.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zhegrova pas barazimit me Izraelin: Shpresoj të luaj nga minuta e parë ndaj Austrisë

Published

on

By

Edon Zhegrova ka komentuar barazimin pa gola të Kosovës kundër Izraelit, duke shprehur hapur dëshirën për të qenë titullar në sfidën e ardhshme. Sulmuesi kosovar u inkuadrua në fushë vetëm në minutën e 77-të, por në minutat e pakta në dispozicion nuk arriti të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes që përfundoi 0-0.

Në një deklaratë për mediumin italian SportMediaset, Zhegrova theksoi se aktivizimi nga stoli matcheshte vendim i trajnerit, ndërsa vëmendjen e ka kthyer nga përballja e radhës.

“Të nisja nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të filloj dhe të luaj,” u shpreh ai.

Kosova do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht udhëheq grupin. Pavarësisht sfidës së vështirë, 25-vjeçari ka besim të plotë te forca e “Dardanëve” për të kërkuar tre pikët në shtëpi.

“Unë besoj te kombëtarja ime, kemi lojtarë cilësorë. Do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. Do të bëjmë gjithçka edhe për të përfunduar të parët në grup,” shtoi sulmuesi.

Zhegrova kishte shënuar gol nga pika e bardhë në përballjen e kaluar ndaj austriakëve në Vjenë, ku Kosova u mposht me rezultatin 3-1. /D.L/

Continue Reading

Të kërkuara