John Travolta kujton vallëzimin shumë të diskutuar me Lady Diana-n: ‘Ishte si një përrallë’
Në nëntor të vitit 1985, Lady Diana dhe John Travolta ishin të ftuar në një mbrëmje organizuar nga presidenti i Amerikës asokohe, Ronald Reagan dhe bashkëshortja e tij, Nancy. Travolta mbante veshur një kostum të zi, ndërsa Diana një fustan prej cope kadifeje në ngjyrë blu të errët, shoqëruar me një varëse me gur safiri dhe perla. Diana dhe Travolta vallëzuan nën tingujt e filmit “Saturday Night Fever”, një nga filmat që e vendosi Travolta-n në qendër të vëmendjes. Vallëzimi i tyre, tepër i diskutuar në atë periudhë, është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e aktorit.
Në një intervistë për Esquire Mexico, 67-vjeçari rikujtoi vallëzimin, për të cilin u shpreh se nuk ishte i përgatitur për të kërcyer me princeshën e Uellsit.”Nuk mendoja se do të më kërkonin të kërceja me të. Ishte privilegj dhe nder i madh të kërceja dhe mendova, ‘Duhet të ketë një arsye dhe më mirë të jap maksimumin’. Kjo do të thoshte të drejtoje vallëzimin mirë dhe të argëtoheshim. Kjo ishte pjesa e lehtë, por vetëm fakti i përshëndetjes së duhur ndaj Diana-s, të qenit me vetëbesim dhe kërkesa për të kërcyer ishte një detyrë e ndërlikuar.” – tha ai.
Travolta u shpreh se momentin e përjetoi si një “përrallë” që do të vazhdonte ta mbante mend për dekadat e ardhshme.
“Mendoni thjesht për vendodhjen. Ishim në Shtëpinë e Bardhë. Ishte mesnatë. Skena është si një ëndërr. Unë i afrohem, i prek bërrylin, e ftoj të vallëzojmë. Ajo rrotullohet dhe më jep atë buzëqeshjen joshëse, paksa të trishtuar dhe pranon ftesën. Dhe pastaj u gjendëm atje, duke kërcyer së bashku sikur të ishte një përrallë..
Aktori shtoi se nuk e imagjinonte kurrë që do të ndodhte. Ylli i “Saturday Night Fever” ka zbuluar më parë se ishte Nancy Reagan ajo që i tha se princeshë Diana dëshironte të kërcente me të. Në një tjetër intervistë, në “Good Morning America” në vitin 2016, Travolta u pyet nëse kishte ndonjë gjë nga vitet ’80 që do të donte të sillte sërish. Ai tha se do të donte të kërcente përsëri me Lady Diana-n.
Në atë periudhë, vallëzimi i Diana-s nën shoqërinë e një ylli të Hollywood-it shkaktoi jo pak komente dhe sot, fustani nga Victor Edelstein konsiderohet si një nga veshjet më ikonike të saj.
Të njëjtin fustan, Diana e veshi edhe në evente madhore, duke përfshirë këtu një vizitë shtetërore në Austri në 1986-n, një në Shtëpinë Mbretërore të Operës në 1991-shin dhe me të njëjtin fustan u fotografua nga fotografi britanik Antony Charles Robert Armstrong-Jones i njohur si Lord Snowdon sepse në 1960–1978 ishte bashkëshorti i princeshës Margaret (motra e mbretëreshës Elizabeth II), kontesha e Snowdon.
Filmi kosovar “Dua” ka pasur premierën rajonale mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, ku u shfaq në kuadër të programit garues “Competition Programme – Narrative Feature Film” të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Filmi është me regji të Blerta Bashollit dhe është prodhuar nga Ikonë Studio.
Në rolet kryesore interpretojnë Pinea Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Matoshi, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.
Premiera në Sarajevë shënon një tjetër prezantim të rëndësishëm për kinematografinë kosovare në një prej festivaleve më të njohura të filmit në rajon./A.K/
Pas sukseseve të saj në skenat ndërkombëtare, monodrama “Arka”, me interpretim të aktorit kosovar Mentor Zymberaj, do të prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës ‘Dulcinea’ në Ulqin.
“ARKA” do të ngjitet në skenë më 19 gusht 2026, në orën 21:00, në Skenën Verore të Kalasë së Ulqinit, në kuadër të ceremonisë solemne të hapjes dhe ditës së parë të festivalit..
Paraqitja e Zymberajt është pjesë e programit ndërkombëtar të festivalit, i cili zhvillohet nga 19 deri më 22 gusht në Ulqin.
Rrëfimi prekës i një adoleshenteje nga Kosova gjatë periudhës së okupimit nga Serbia ka marrë vëmendjen e publikut në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës.
Filmi “Dua”, nën regjinë e regjisores së njohur Blerta Basholli, ka dhënë premierën e tij rajonale në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë. Projeksioni u shfaq në kuadër të kategorisë garuese “Narrative Feature Film”, ku u mirëprit nga vizitorët dhe kritikët e artit kinematografik.
Përmes këtij projekti, Basholli sjell një histori personale dhe kolektive të qëndresës, duke pasqyruar përjetimet dhe sfidat e të rinjve në Kosovë gjatë viteve të vështira të shtypjes politike e ushtarake. /A.K/
Po vazhdojnë punimet për restaurimin e shkollës së vjetër të fshatit Mushnikovë në Prizren, një objekt me rëndësi të veçantë historike, arkitekturore dhe arsimore.
E ndërtuar në vitin 1905, kjo shkollë konsiderohet një nga shembujt e rrallë të objekteve shkollore rurale të fillimit të shekullit XX, duke ruajtur gjurmë të zhvillimit të arsimit dhe jetës së komunitetit ndër vite.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se punimet për restaurimin e objektit po vazhdojnë me qëllim të ruajtjes së vlerave historike dhe arkitekturore të tij.
Përmes këtij projekti synohet të ruhet një pjesë e rëndësishme e historisë së Mushnikovës dhe të mbrohet një objekt që dëshmon për traditën e arsimit dhe zhvillimin e jetës shoqërore në këtë zonë.
Restaurimi i shkollës së vjetër është pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës./A.K/