Lajmet

Trajtimi i pabarabartë i qytetarëve të Kosovës në Serbi

Marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia.

Published

on

Ajhane Fetahu (28) nga Bujanoci në jug të Serbisë, nuk mund të gjejë punë në profesionin e saj sepse autoritetet atje nuk ia njohin diplomën, të cilën e mori në vitin 2016 në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin për mami. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Serbi as nuk duan ta shikojnë diplomën e saj, aq më pak t’ia japin asaj mundësinë për ta nostrifikuar atë.

Fetahu aktualisht është duke punuar si agjente shitjesh në Telekomin e Serbisë në Bujanoc (punë për të cilën kërkohet diploma e shkollës së mesme). Ajo tregon se kjo nuk është puna e saj e ëndrrave, por po detyrohet që të punojë diçka.

“Unë doja të vazhdoja me studimet master, por diploma ime universitare nuk më njihet. Nuk munda që të regjistrohem (në Serbi) në drejtimin master”, thotë Fetahu për Radion Evropa e Lirë.

“Ne jemi të detyruar të bëjmë punë që mund të mos na pëlqejnë. Gjithashtu, për shkak se nuk na njihet diploma, detyrohemi të largohemi nga vendi sepse nuk mund të fitojmë praktikë në profesion”, shton ajo.

Ndërkaq, Marija Raduloviq (36) nga Kragujevci (Serbi) me diplomë universitare në Beograd mban pozitën e Zëvendësit të Avokatit të Popullit në Kosovë.

Raduloviq ka diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Beogradit dhe më pas studimet master i ka mbaruar në Fakultetin e Shkencave Politike në po të njëjtin universitet.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ajo thotë se gjatë punësimit të saj në Kosovë “askush nuk më kërkoi asgjë” dhe nuk kishte probleme që të punësohej me diplomën e fituar në Beograd.

Para se të bëhej Zëvendës i Avokatit të Popullit, Raduloviq gjithashtu ka punuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si “redaktore e rasteve në gjuhën serbe” dhe si këshilltare e ministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Probleme me lirinë e lëvizjes

Qytetarët e Kosovës, që hyjnë në territorin e Serbisë, në pikat kufitare pajisen me një dokument të përkohshëm identifikues pasi Serbia nuk i njeh kartat e identitetit për shkak se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Hamdi Retkoceri, pronar i kompanisë së udhëtimeve “Adios Tours”, që qarkullon në linjën Prishtinë-Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i pajisjes me këtë dokument merr kohë dhe paraqet problem për lëvizje.

“Qytetarët udhëtojnë me letërnjoftim të Kosovës, ata (autoritetet kufitare serbe) ua japin një letër të formatit A4, që faktikisht e zëvendëson letërnjoftimin e Kosovës, e kthen në letërnjoftim të Serbisë. Ai (dokumenti i lëshuar nga autoritetet serbe) nuk është letërnjoftim, por është një letër me të dhënat e letërnjoftimit të Kosovës, mirëpo me vulë të Serbisë, pasi nuk e njohin letërnjoftimin e Kosovës. Ky sistem është moti, që nga marrëveshja (e Brukseli) nuk ka ndryshuar asgjë”, thotë ai.

Por, një procesi të tillë, sipas Retkocerit, nuk u nënshtrohen qytetarët e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.

Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.

Kurse në pikën e tretë të kësaj marrëveshjeje po ashtu thuhet se “secila palë mund të zbatojë një sistem ku letërnjoftimet do shoqërohen nga dokumente me shkrim “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë transit në një shtet të tretë.

Që nga ajo kohë, Serbia ka aplikuar dokumentet me shkrim “hyrje-dalje”, kurse autoritet e Kosovës nuk e kanë aplikuar një gjë të tillë.

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vendosë masa reciprociteti, në këtë pikë, më 20 shtator, kur ekzekutivi vendosi masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, thotë Jeta Krasniqi nga ky institut.

“Nëse lëshohet për qytetarët e Kosovës, pse jo edhe për qytetarët e Serbisë”, thotë Krasniqi.

Kurti: Kosova angazhohet për reciprocitet të plotë me Serbinë

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti kanë paralajmëruar masa të reja reciprociteti. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga zyra për informim e kryeministrisë që të dijë se cilat janë masat konkrete që pritet të marrë qeveria, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për agjencinë e lajmeve Ekonomiaonline, më 4 tetor ka thënë se reciprociteti i targave nuk shterë konceptin e reciprocitetit. Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të angazhohet që me shtetin e Serbisë të ketë reciprocitet të plotë.

“Kosova dhe Serbia nuk mund të kenë marrëdhënie të pabarabartë asimetrike, andaj si shtet i pavarur, si qeveri do të angazhohemi që në vijim të kemi reciprocitet të plotë që do të vinte drejtësi në vend sa i përket raporteve tona, e në kuadër të këtij reciprociteti në qendër të jetë edhe njohja reciproke, pra dita kur Serbia e njeh Kosovën. Por, edhe sa i përket diplomave, kualifikimeve akademike profesionale dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve, padyshim se jemi të interesuar”, ka thënë Kurti.

Marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia

Marrëveshja për lëvizjen e lirë është një nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e që nuk zbatohen nga shteti i Serbisë.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi kishte nisur më 2011 me bisedime për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike, për të kaluar më pas në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Rreth 30 marrëveshje janë arritur deri më tani, por shumë prej tyre nuk zbatohen në terren. Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se disa nga këto marrëveshje janë negociuar sërish, por që nuk kanë gjetur zbatim në praktikë.

Marrëveshjet tjera që ende nuk ka gjetur zbatim, sipas Jeta Krasniqit janë Marrëveshja për energjinë, revitalizimin e Urës së Mitrovicës. Pastaj është Marrëveshja për njohjen e diplomave universitare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe Marrëveshja për integrimin e kufijve.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Detajet specifike janë harmonizuar me një marrëveshje të vitit 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2015 se parimet e Asociacionit nuk janë të harmonizuar plotësisht me Kushtetutën e Kosovës, por gjykata ka shtuar se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, më 20 shtator kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, e cila obligonte të gjithë shoferët e automjeteve me targa të Serbisë t’i hiqnin ato dhe t’i zëvendësonin me targa të përkohshme prej letre.

Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel u pajtuan që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.

Continue Reading

Vendi

Kosova U19 nis kualifikimet për Euro 2027 me barazim ndaj Armenisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës U19 ka ndarë pikët me Armeninë në ndeshjen hapëse të Grupit 2 (Liga B), të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2027.

Ndeshja e zhvilluar në Turqi përfundoi me rezultatin 1-1.

Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut kaluan të parët në avantazh në minutën e 19-të përmes Lorik Mehmetit, por pavarësisht dominimit në pjesën e parë, nuk arritën ta gjenin golin e dytë për të siguruar fitoren.

 

 

Continue Reading

Vendi

REL: Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit.

Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill, nuk i ka emëruar ende anëtarët e rinj të KQZ-së, pavarësisht se afati ligjor po kalon, paralajmërojnë ekspertët.

Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë të martën se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

Kabineti nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Derisa kabineti i presidentes nuk tregoi se kush sa kandidatë ia ka propozuar asaj, raportohet se partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka propozuar tre.

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se e ka propozuar një kandidat.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.

“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.

Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.

Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.

“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor. /REL/

 

Continue Reading

Vendi

Gllogjani nderon dëshmorët në 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”

Published

on

By

Me rastin e 24 marsit, qytetarë të shumtë vizituan varrezat e dëshmorëve në Gllogjan për të nderuar 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, duke kujtuar betejën e vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, raporton Ekonomia Online.

Në këtë përvjetor, u lartësua sakrifica e dëshmorëve Him Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht gjatë rrethimit të fshatit.

Qytetari Ragip Gegaj theksoi rëndësinë e këtij vendi duke u shprehur se “kombi nuk ka nevojë me shku në Qabe, sepse Qaben e kanë në Dukagjin e në Drenicë”, duke shtuar se vizita te varret e dëshmorëve është detyrim për të mos harruar ditët më të vështira të Kosovës.

Ndjenja e krenarisë u reflektua edhe nga vizitorë të tjerë, si Gani Çeku nga Irzniqi, i cili u shpreh se homazhet në Prekaz e Gllogjan janë një privilegj për çdo qytetar.

“Këtu ne jemi të privilegjuar sa herë që vijmë këtu dhe bëjmë vizita, homazhe. Vendi i shenjtë, jo vetëm për mua, po për krejt popullin e Kosovës. Prekazi edhe Gllogjani. Unë jam shumë, shumë krenar që vizitoj këto varreza të dëshmorëve”, tha ai.

Ndërsa Shefqet Demhasaj nga Carrabregu nënvizoi se “tërë Kosova ia ka borxh Dukagjinit” për rezistencën e madhe që mundësoi lirinë e popullit.

Pjesë e këtij përvjetori ishin edhe brezat e rinj, si nxënësja Sumeja Lajçi e cila recitoi vargje për dëshmorët, duke dëshmuar se kujtimi për betejën e 24 marsit 1998 mbetet i gjallë dhe i shenjtë për të gjithë shqiptarët. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Osmani kujton nisjen e bombardimeve të NATO-s: Aleancat t’i ruajmë sa lirinë

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore të Serbisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka vlerësuar lart ndërhyrjen e aleancës që i dha fund shtypjes ndaj popullit të Kosovës.

“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron”, ka shkruar presidentja.

Ajo ka theksuar se aleancat që mbrojnë lirinë duhet të ruhen me të njëjtin përkushtim si vetë liria.

Në kuadër të këtij përvjetori, presidentja Osmani ka shpërndarë edhe fjalimin historik të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, përmes të cilit ai kishte dhënë urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese 78-ditore.

Video:

Continue Reading

Të kërkuara