

Published
4 years agoon
By
Betim GashiLojërat e shtyra Olimpike nisin sot në Tokio me një ceremoni të vogël të hapjes, pasi qyteti vazhdon të luftojë me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.
Ceremonia do të nisë në orën 20:00 sipas kohës lokale dhe nuk pritet të jetë madhështore si në të kaluarën, marrë parasysh gjendjen e pandemisë, e cila ka vrarë mbi katër milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka prekur mbi 192 milionë.
Organizatorët nuk kanë publikuar detaje në lidhje me shfaqjen, por kanë thënë se rregullat e rrepta të koronavirusit nënkuptojnë që vetëm 950 njerëz do të jenë në Stadiumin Olimpik, i cili ka kapacitet për 68,000 vetë. Sipas organizatorëve, vetëm rreth 15 udhëheqës globalë do të jenë të pranishëm.
Ata kanë vendosur dy javë më parë që të ndalojnë gati plotësisht pjesëmarrjen e spektatorëve në ngjarjet olimpike, pasi në Tokio është shpallur gjendje e re e jashtëzakonshme, në përgjigje të rasteve në rritje të koronavirusit.
Të enjten, Tokio ka raportuar 1,979 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e lartë ditore qysh në janar. Rreth 90 njerëz të akredituar për Olimpiadë, përfshirë disa atletë, kanë rezultuar pozitivë po ashtu.
Atletët janë nën kufizime të rrepta gjithashtu. Ata duhet të mbajnë maskë në fytyrë gjatë gjithë kohës – përveç kur hanë, pinë, stërviten, garojnë ose flenë – dhe të minimizojnë ndërveprimin fizik me të tjerët, si dhe të testohen çdo ditë për koronavirus.
Lojërat Olimpike Verore 2020, të cilat janë shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, janë përcjellë nga një seri e shkarkimeve të zyrtarëve olimpikë.
Shkarkimi i fundit ka qenë ai i drejtorit të ceremonisë së hapjes, Kentar Kobayashi, i cili, sipas disa pamjeve nga vitet 1990, që kanë dalë në publik së voni, ka bërë shaka me Holokaustin.
Shefja e Olimpiadës, Seiko Hashimoto, ka njoftuar të enjten për shkarkimin e tij, duke thënë se videoja ku është shfaqur Kobayashi “përqesh fakte të dhimbshme të historisë”.
Kobayashi, ish-aktor komik, ka thënë përmes një deklarate se e kupton që “zgjedhja e tij e fjalëve në atë kohë ishte e gabuar” dhe ka shprehur pendesë për veprimin.
Një pjesë muzikore katërminutëshe, që ka kompozuar ai, është hequr nga ceremonia, por vendimi për të shkarkuar Kobayashin nuk do të ndikojë ndryshe në ceremoni, kanë thënë organizatorët.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, është përpjekur t’i zbusë shqetësimet se Lojërat Olimpike mund të rrisin numrin e rasteve me koronavirus.
Në një takim me perandorin japonez, Kaiser Naruhito, të enjten, Bach ka premtuar se do të bëhen përpjekje maksimale për të parandaluar rreziqet ndaj popullit të Japonisë.
“Në rrethana të tilla, administrimi i Lojërave, duke marrë të gjitha masat e mundshme kundër koronavirusit, nuk është një detyrë aspak e lehtë”, është cituar të ketë thënë Naruhito.
Japonia ka raportuar rreth 853,000 raste me koronavirus dhe rreth 15,100 vdekje që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar.
Në krahasim me popullsinë, këto shifra janë shumë më të ulëta se në shumë vende të tjera, por programi i imunizimit të Japonisë ka arritur të vaksinojë plotësisht vetëm rreth 23 për qind të popullsisë.
Lojërat do të përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike./REL
You may like
Aktualitet
UBT sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar vizionarit dhe inxhinierit Karl Gega
Published
12 hours agoon
July 14, 2025By
Driton Iseni
UBT do të sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar jetës dhe veprës së inxhinierit të njohur të shekullit XIX, Karl Gega – një figurë kyçe e historisë evropiane të inxhinierisë dhe ndërlidhjes ndërkulturore.
Ekspozita do të hapet, nesër, më 15 korrik, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan, duke filluar nga ora 17:00, duke shënuar një moment të rëndësishëm kulturor dhe shkencor për vendin dhe mbarë rajonin.
E realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Musei Civici di Venezia, kjo ekspozitë sjell në vëmendje trashëgiminë evropiane të Karl Gegës si një inxhinier që bashkoi kulturat dhe ndërlidhi komunitetet përmes projekteve të tij vizionare.
Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka theksuar se kjo ekspozitë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërinstitucional dhe dëshmi e përkushtimit të UBT-së për të promovuar dijen, kulturën dhe trashëgiminë përmes një qasjeje akademike dhe inovative.
Kontributi i studentëve dhe stafit të Fakulteteve të Artit dhe Medias Digjitale, Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Dizajnit të Integruar, ka qenë thelbësor në përgatitjen dhe realizimin e kësaj ekspozite.
Ekspozita përfshin dokumente arkivore, plane inxhinierike, vizatime origjinale dhe materiale multimediale, duke e shndërruar në një përvojë edukative dhe vizuale që ndërlidh të kaluarën me të ardhmen, shkencën me artin, dhe trashëgiminë me inovacionin.
Përmes këtij organizimi, UBT dëshmon rolin e vet si institucion lider në krijimin e urave ndërmjet kulturave dhe shkencave të ndryshme, si dhe angazhimin e tij për të sjellë në Kosovë aktivitete me përmbajtje ndërkombëtare dhe vlerë të lartë arsimore dhe kulturore.
Lajmet
Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit
Published
20 hours agoon
July 14, 2025By
UBTnews
Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Prishtinë u arrestua një grua nën dyshimin se ushtoi dhunë psikike ndaj anëtarve të familjes.
“Është arrestuar e dyshuara kosovare për shkak se e njëjta dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes së saj. Pas inicimit të rastit e dyshuara në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në rastin e parë në Gjakovë një person është arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka shkaktuar dhunë psikike e fizike ndaj tri grave.
“Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se në gjendje të dehur i ka shkaktuar dhunë psikike dhe fizike 3 viktimave femra kosovare. Pas inicimit të rastit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në rastin e dytë në Gjakovë, u arrestua një grua nën dyshimin se kishte rrahur një tjetër.
“Është arrestuar e dyshuara kosovare për shkak se e njëjta dyshohet se kishte rrahur viktimën femër kosovare. Pas inicimit të rastit e dyshuara në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Kurse, në rastin tjetër në Gjakovë, u arresua një grua nën dyshimin se ushtroi dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje tjetër.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare e cila pas një mosmarrëveshje kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me urdhër të prokurorit e dyshuara pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Kurse, në Malishevë u arrestua një burrë pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj një gruaje.
“Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se kishte shkaktuar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Diaspora ka nisur të vijë në Kosovë, e pritjet nëpër kufijtë e vendit mund të jenë më të gjata.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Jarinjë, ku qytetarët po presin deri në 10 minuta për të hyrë në vend.
Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të mëdha, me fluks dukshëm më të ulët.
Autoritetet kufitare mbeten në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e pritshëm në ditët në vijim, ndërsa mërgimtarët vazhdojnë të kthehen për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Lajmet
Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën
Published
20 hours agoon
July 14, 2025By
UBTnews
Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpall sot aktgjykimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte, të kryera në vitin 1999.
Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.
Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.
Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave.
Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.
Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.
Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

UBT sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar vizionarit dhe inxhinierit Karl Gega

Sistemet e Informacionit në praktikë – Drejtori i Riga Pharm, Herolind Bajraliu, ligjëron në Global UBT Fest

Përmbyllet me sukses Akademia Verore e Medias dhe Komunikimit në UBT: Në qendër të vëmendjes, roli i komunikimit dhe etika në media

Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit

Pritjet në kufi deri në 10 minuta

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën

Arrestohen dy të dyshuar se sulmuan dhe penguan policët shkaku i një gjobe të kundërvajtjes

Përmbyllet me sukses Akademia Verore e Fakultetit Juridik – Një eksperiencë praktike dhe teorike për studentët

Fakulteti i Shkencave të Sportit në UBT përmbyll me sukses aktivitetet e Akademisë Verore 2025
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore