Lajmet

Themelorja dhe Apeli konfirmojnë aktakuzën ndaj Dragisha Milenkoviq për krime lufte në Kosovë

Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Published

on

Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar aktakuzën kundër Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar dy vendimet në fjalë me të cilat është konfirmuar aktakuza e këtij rasti.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Millenkoviq, avokati Dejan Vasiq kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës me pretendimin se hetimin të cilin e ka zbatuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është joligjor në pikëpamje të nenit 61, par.3 dhe nenit 129, par.9 të KPPK-së.

Kjo me pretendimin se mbrojtja nuk është ftuar asnjëherë në lidhje me zbatimin e veprimeve hetimore nga ana e policisë, në dëgjimin e dëshmitarëve, duke aluduar se kjo mënyrë e mbledhjes së provave nuk është e mundur në asnjë gjykatë apo prokurori në Kosovë, përveç në lëndët ku serbët janë të akuzuar për krime lufte.

Po ashtu, avokati Vasiq në kërkesën për hudhje të aktakuzës ka pretenduar se nuk është vërtetuar në masë të mjaftueshme dyshimi i bazuar i nevojshëm për akuzim, gjithashtu pretendoi se provat që i ka siguruar Prokuroria janë joligjore.

Mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas vendimit të përpiluar më 28 shkurt 2024, ka refuzuar kërkesën e Vasiq si të pabazuar.

Në këtë vendim thuhet se, gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të mbrojtjes, ka arritur në përfundim se kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimi i provave janë të pabazuara, pasi që në rastin konkret provat mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë të pranueshme dhe ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar të kërkuar në këtë fazë të procedurës penale për të parashtruar aktakuzën dhe proceduar çështjen deri në shqyrtim gjyqësor.

“Sa i përket pretendimeve të mbrojtësit të të pandehurit se hetimi të cilin e ka zbatuar PSRK është joligjor në pikëpamje të neni 61 par.3 dhe nenit 129 par.9 të KPPK-së, pasi që mbrojtja nuk është ftuar asnjëherë në lidhje me zbatimin e veprimeve hetimore nga ana e policisë, në dëgjimin e dëshmitarëve, gjykata këto pretendime i hodhi poshtë si të pabazuara dhe të pa argumentuara, ngase PSRK ka zhvilluar hetime sipas dispozitave ligjore që i parasheh KPPK, hetimi është mbikëqyrur edhe nga gjyqtari i procedurës paraprake, dhe si i tillë është i ligjshëm dhe provat janë marrë në mënyrë të ligjshme duke mos i shkelur apo cenuar të drejtat e mbrojtjes”, thuhet tutje në vendimin e Themelores.

Ndërsa, në raport me pretendimet e mbrojtësit se “nuk prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se është kryer vepra penale sipas aktakuzës”, gjykata ka vlerësuar se bazuar në provat bashkëngjitur aktakuzës, siç janë: deklaratat e të dëmtuarve-dëshmitarëve  deri në këtë fazë të procedurës, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri është kryerës veprës penale e cila me aktakuzë i vihet në barrë.

“Andaj me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjes së të vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara e në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK-së, e nga të cilat prova në përfundim të këtij shqyrtimi do të konstatohet nëse ekziston përgjegjësia penale e të pandehurit në raport me veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në vendimin e Themelores.

Kundër këtij aktvendimi, avokati Vasiq kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Ai kishte propozuar që Apeli të aprovojë ankesën e tij dhe të ndryshojë aktvendimin e atakuar duke i shpallur të gjitha provat e papranueshme të cekura në aktakuzën e Prokurorisë, apo të njëjtin të anulojë dhe ta kthejë në rivendosje.

Mirëpo, më 20 mars 2024, Apeli ka marrë vendim me të cilin ka konstatuar se ankesa e parashtruar është e pabazuar.

Apeli ka gjetur se aktvendimi i ankimuar nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit.

“Nga shikimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme me refuzimin e kërkesave të mbrojtjes”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, aktakuza e ngritur nga ana e PSRK-së përmban të gjitha elementet e duhura ligjore siç i parasheh dispozita e nenit 235 paragrafi 1 të KPP-së, dispozitë kjo që rregullon aktakuzës, ndërsa nuk ekzistojnë arsyet për hedhjen e aktakuzës ashtu siç i ka paraparë dispozita ligore e nenit 244 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3, 1.5, 1.6 dhe 1.7 të KPP-së.

Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, meqë pretendimet ankimore në këtë fazë të procedurës penale u vlerësuan si të pabazuara.

Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Vendi

Foda me ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Izraelit: Rikthehet Avdullahu, mbetet në dyshim Muriq

Published

on

By

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e përditësuar të lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e sontme përballë Izraelit.

Në listën zyrtare të dorëzuar në UEFA është përfshirë mesfushaari Leon Avdullahu, i cili është rikthyer me ekip pas një shkëputjeje të përkohshme për arsye familjare. Po ashtu, në listë janë përfshirë Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu, ndërsa jashtë grumbullimit për këtë sfidë kanë mbetur Baton Zabërgja, Vesel Demaku dhe Leard Sadriu.

Në dyshim për këtë përballje mbetet portieri Arijanet Muriq, i cili pësoi një lëndim gjatë ndeshjes së kaluar ndaj Austrisë.

Kosova zhvillon sonte ndeshjen e tretë në kuadër të Grupit B3 në Ligën e Kombeve kundër Izraelit, në stadiumin e Debrecenit në Hungari, nga ora 20:45. Pasi e nisën edicionin me fitore 1:0 ndaj Irlandës dhe pësuan humbje 3:1 ndaj Austrisë në Vjenë, “Dardanët” do të presin Austrinë në Prishtinë më 4 tetor.

Continue Reading

Vendi

Mbyllen përkohësisht disa rrugë në Prishtinë për shkak të protestës për UÇK-në

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ora 15:00 do të mbyllen përkohësisht për qarkullim rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri” në kryeqytet, për shkak të protestës gjithpopullore që do të mbahet sot nga ora 16:00.

Protesta organizohet në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, varësisht nga zhvillimet në terren dhe lëvizja e pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të trafikut edhe në rrugë të tjera ndërlidhëse.

“Sipas planifikimeve policore, prej orës 15:00 rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë: ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Enver Zymeri’, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, Policia e Kosovës bën të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve

Continue Reading

Vendi

Sot shënohet 29-vjetori i protestave studentore të 1 Tetorit 1997

Published

on

By

Sot shënohet 29-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një nga kthesat më të mëdha historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Protesta paqësore e 1 tetorit të vitit 1997 u organizua si përgjigje ndaj masave të dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili kishte dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare, duke imponuar me forcë plan-programin serb.

E prirë nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, marshimi paqësor u ndërpre dhe u shpërnda me dhunë brutale nga policia serbe. Si pasojë e ndërhyrjes policore, dhjetëra studentë dhe profesorë mbetën të lënduar e të arrestuar.

Akti i guximshëm i studentëve mori një jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke tejkaluar çdo zhvillim tjetër politik të asaj periudhe. Kjo ngjarje historike konsiderohet si një pikë kthese që vendosi çështjen e Kosovës në krye të agjendës diplomacisë ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara