Lajmet

“The Telegraph”: Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri

“Me ujërat e tij bruz, rërën e bardhë dhe palmat, qyteti bregdetar shqiptar i Ksamilit ofron një version ekonomik të plazheve tropikale.

Published

on

Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri, shkruan Mark Stratton për “The Telegraph”. “Me ujërat e tij bruz, rërën e bardhë dhe palmat, qyteti bregdetar shqiptar i Ksamilit ofron një version ekonomik të plazheve tropikale.

Pashë një postim në Instagram pak kohë më parë që përshkruante qytetin bregdetar shqiptar të Ksamilit si Karaibet e Evropës. Kishte më shumë se një ngjashmëri kalimtare, me palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat e diellit me kashtë. Me shqetësimin aktual mbi emigracionin shqiptar që po zien, fillova të imagjinoja një rrëfim alternativ të britanikëve “të uritur” për diell, që dynden në drejtim të kundërt për të kërkuar pak rreze dielli karaibike. Kështu që vendosa të bëjë një vizitë, për ta parë tamam se si bëhej ky krahasim.

Ksamili është sigurisht më i shpejtë dhe më i lirë për të shkuar se sa ishujt Barbados. Fluturova për në Korfuz, ishulli më i afërt grek me Rivierën Shqiptare, që shtrihet përreth 160 kilometra përgjatë bregut lindor të detit Jon. Nga qyteti i Korfuzit është një kalim me traget për 40 minuta drejt Sarandës.

“Atje ka shumë siguri dhe qetësi”, më tha taksisti që më çoi në portin e Korfuzit.

Në Sarandë, guida Gëzim Shimi qeshi kur i thashë komentin e taksistit grek.

“I gjithë publiciteti është i mirë. Gjatë viteve të fundit, unë kam udhëhequr shumë britanikë kureshtarë për të parë se si është Shqipëria në të vërtetë”, më tha Gëzimi.

Udhëtuam 30 minuta në jug të Sarandës për në Ksamil, i cili ndodhet pak mbi kufirin e Greqisë Veriore. Ksamili nuk ekzistonte derisa regjimi komunist i Enver Hoxhës e vendosi atë në vitet 1960 si bazë për prodhimin e vajit të ullirit. “Është vetëm disa milje nga Korfuzi, kështu që vetëm ata me prejardhje të besueshme politike lejoheshin të jetonin këtu gjatë komunizmit”, tha Gëzimi.

“Shqiptarët rrezikonin jetën duke marrë varka të vogla apo edhe duke notuar drejt Korfuzit, për t’i ikur marrëzisë staliniste të Hoxhës”, shton ai.

Ksamili është një qytet i vogël, i mbrojtur nga tre ishuj të gjelbër në det. Plazhi është i mbushur me hotele, restorante dhe bare dhe është i ndarë për përdorim privat, megjithëse shumica ishin të mbyllura kur mbërrita para sezonit. Vetëm një numër i vogël njerëzish ishin të zhytur në shtretër, nën çadra me kashtë.

“Poda Boutique Hotel” është i hapur dhe unë takova autoren e postimit në Instagram që më tërhoqi këtu, Anna Poda, drejtoreshë menaxhuese e këtij biznesi familjar me 20 dhoma.

“Ju mund të shihni se deti bruz dhe rëra e bardhë janë pothuajse si të Karaibeve”, thotë ajo.

“Britanikët, gjermanët dhe italianët zënë tre vendet e para. Njerëzit vijnë për 310 ditë me diell çdo vit dhe çmime vërtet janë të mira”, shtoi ajo.

Sedimentet nga malet e mermerta përreth krijojnë një fund deti me rërë të bardhë që jep një ngjyrë të mrekullueshme qumështi. Dhe dhoma ime dyshe, me pamjen e saj të mrekullueshme të ballkonit drejt Korfuzit, kushton vetëm 80 paund për natë. Përgjatë gjithë kohës, Riviera Shqiptare ka pasur vlera të jashtëzakonshme, veçanërisht kuzhina e ndikuar nga italianët, e pasur me ushqime deti. Në hotel, një vakt me tre pjata me sallatë greke, linguini me midhje dhe levrek të pjekur në skarë kushton vetëm 2 250 lekë (17 paund).

Megjithatë, nuk kishte asgjë nga Karaibet kur një shi i lehtë filloi të nesërmen në mëngjes. Për fat të mirë, një peizazh historik, aq i mirë sa kudo në Evropë, është pranë Ksamilit, me qytetërimet greke, romake dhe osmane që kanë lënë gjurmët e tyre.

Butrinti është një nga tre vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Shqipërisë dhe një vlerë arkeologjike. Virgjili e përmendi atë në “Eneidën” si datimin para rënies së Trojës, por lavdia e vërtetë filloi rreth shekullit III para Krishtit me romakët që u futën brenda dhe lanë struktura karakteristike sublime, përfshirë një teatër 3 000 vendesh me mbishkrime latine.

Një orë ecje me makinë na çoi në malet për në Gjirokastër, shtëpitë trekatëshe osmane prej guri dhe kalaja e përmasave të Kështjellës Windsor pothuajse nuk kanë ndryshuar që nga shekulli XVIII. Ajo u njoh nga UNESCO në vitin 2005. Kuzhina është e ndikuar nga osmanët. Për drekë, hëngra imam bajalldi, një pjatë e quajtur sipas emrit të një kleriku mysliman, i cili konsumoi shumë patëllxhanë të mbushur dhe i ra të fikët.

Diku tjetër, plazhi i Porto Palermos mbikëqyret nga një kështjellë me mure të trasha e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si një mburojë kundër britanikëve në Korfuz.

Porto Palermo ka gjithashtu një bazë të braktisur nëndetësesh me një tunel të gjatë. Gëzimi tha se u deshën 30 vjet për ta ndërtuar, kryesisht sepse Hoxha u konfliktua me BRSS-në dhe Kinën, të cilët po financonin ndërtimin e saj. Si kompensim, ai refuzoi të kthente katër nëndetëse sovjetike, shkruan ATSh.

Natën e fundit e kalova pranë Vlorës, ku deti Jon takohet me Adriatikun dhe hoteli ”Paradise Beach” ka dhoma dyshe të mëdha me pamje nga deti për 75 paund. Ajri i mbrëmjes ishte i ngrohtë, deti në ngjyrë blu dhe stafi më trajtoi si një mik të humbur prej kohësh.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara