Kulturë

“The Last Kingdom”: Pesë të vërteta historike për Uhdredin e Bebanburgut

Aventurat e Vikingut të lindur në Saksoni dhe ndikimi i tij në monarkinë angleze ka kapur imagjinatën e audiencave kudo.

Published

on

Fansat e serialit “The Last Kingdom: Seven Kings Must Die” nuk e kanë të huaj personazhin sypatrembur Utrehd i Bebbanburghut. I njohur gjithashtu si Uhtred Ragnarsson ose Uhtred the Brave, aventurat e Vikingut të lindur në Saksoni dhe ndikimi i tij në monarkinë angleze ka kapur imagjinatën e audiencave kudo.

Krijuar fillimisht nga autori Bernard Cornwell për serinë e tij Saxon Stories, Uhtred Ragnarsson është thjesht imagjinar, por i frymëzuar nga një figurë historike shumë reale.

Ja pesë fakte rreth Uhtredid të vërtetë të Bebbanburghut.

  1. Ai ishte lord i Bebbanburghut

Babai i Uhtred, Waltheof, ishte pasardhës nga familja Eadwulfing që kishte sunduar Bebbanbughun (sot Bamburgh) dhe zonën përreth të Northumbrias për më shumë se një shekull. Megjithatë, ndryshe nga pasardhësit e mëparshëm, ku titulli kalohej nga babai te djali pas vdekjes së ealdormanit, Uhtredit iu dha titulli kur babai i tij ishte ende gjallë.

Kur Malcolm II i Skocisë pushtoi Northumbrian dhe rrethoi Durhamin në 1006, babai i Uhtredit refuzoi të ngrinte një ushtri. Shumë i moshuar për të luftuar, ai vendosi të qëndrojë në kështjellën e tij. Duke vepruar në emër të babait të tij, Uhtred mblodhi trupat nga Bernicia dhe Yorkshire dhe i dha fund me sukses rrethimit.

Mbreti Ethelred ishte aq mirënjohës për trimërinë e Uhtred-it, saqë i dha atij rolin e ealdormanit të Bebbanburgh-ut, pavarësisht se babai i Uhtredit ishte ende gjallë.

  1. Ai nuk ishte viking

Për zhgënjimin e shumë prej shikuesve të serialit, Uhtredi i vërtetë nuk ishte pjesërisht sakson, pjesërisht danez. Rrënjët skandinave të emrit të babait të tij sugjerojnë se mund të ketë pasur ndonjë trashëgimi të largët nga pushtimet e kaluara vikinge në linjën e gjakut të Uhtredit. Sidoqoftë, ai me siguri nuk u rrëmbye dhe nuk u rrit nga sulmuesit vikingë.

  1. Ishte martuar tri herë

Uhtred u martua tre herë dhe la trashëgimtarë nga secila prej martesave. Martesa e tij e parë ishte me Ecgfridën, vajzën e peshkopit Aldhun, të cilin Uhtredi e kishte ndihmuar në ndërtimin e Katedrales së Durhamit. Prej kësaj, atij iu dhanë disa prona dhe toka që i përkisnin kishës, dhe së bashku ata patën një djalë – Ealdred.

Uhtred përfundimisht hoqi dorë nga martesa e tij me Ecgfridan dhe u martua me Sigan, vajzën e Styr Ulfsson nga York-u. Sidoqoftë, martesa erdhi me kushtin që Uhtredi të vriste armikun e Styrit, Thurbrand the Hold. Uhtredi nuk e kreu vrasjen dhe çifti u nda edhe pse kishin dy vajza.

Në fund, Uhtred u martua me Ælfgifun, vajzën e mbretit Ethelred. Së bashku ata patën një vajzë.

  1. Ai nuk e njihte mbretin Alfred

Uhtredi nuk ishte një mercenar i paguar nga mbreti Alfred i Madh. Në fakt, ata as që ishin gjallë në të njëjtën kohë. Mbreti Alfredi i Madh sundoi nga 871-886, plot një shekull përpara se të lindte Uhtred.

Uhtred, megjithatë, u ndesh me Vikingun, Cnutin e frikshëm. Ndërsa Uhtred ishte duke bërë fushatë me djalin e mbretit Ethelred, Edmund, Cnut pushtoi Yorkshire. Kur ishte rrugës për në një takim paqeje me Cnutin, Uhtred dhe 40 nga njerëzit e tij u zunë në pritë nga Thurbrand the Hold (po ai Thurbrand që supozohej të kishte vrarë gjatë martesës së tij të dytë) dhe u vranë. Thurbrand kishte bashkëpunuar me Cnutin, i cili kishte orkestruar atentatin.

  1. Vrasja e tij nisi një gjakmarrje

Vrasja e Uhtredit nisi një gjakmarrje që zgjati dekada. Djali i Uhtredit, Ealdred, u hakmor për vdekjen e babait të tij duke vrarë Thurbrand-in, por nga ana tjetër, u vra vetë nga djali i Thurbrandit, Carl. Gjakmarrja vazhdoi të ndërtohej me brezin e ri të secilës familje dhe arriti kulmin gati 60 vjet më vonë kur nipi i Ealdred urdhëroi vdekjen e shumicës së djemve dhe nipërve të Carlit.

Continue Reading

Kulturë

Pierce Brosnan: Callum Turner i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm

Published

on

By

Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.

Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.

“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.

Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.

Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shkrimtarë dhe gazetarë shqiptaro-amerikanë vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në Washington

Published

on

Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.

Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.

Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.

Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.

Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.

Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara