Lajmet

Teuta Mustafa, shoferja e parë shqiptare në kantonin St. Gallen

Published

on

Pa dyshim, puna në çdo shtet, shoqëri a kulturë,ka vlerën dhe pozitën e saj.

Shumë gra shqiptare janë duke arritur suksese në mërgim, në profesionet që kanë zgjedhur të punojnë. Patjetër që njëra nga këto është edhe shqiptarja Teuta Mustafa Helshani, me prejardhje nga qyteti i Ferizajt.

Tuta është njëra nga femrat e pakta shqiptare që kanë zgjedhur këtë profesion, duke vozitur autobusin përreth qendrës së St.Gallen-it, shkruan albinfo.ch.

Nga Kosova, drejt një jete të re në Zvicër

Teuta Mustafa Helshani është lindur dhe rritur në qytetin e Ferizajit, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, për të vazhduar më pas edhe studimet në Universitetin e Prishtinës.

“Jam lindur në Ferizaj në vitin 1990, kam mbaruar shkollën fillore dhe të mesme po në të njëjtin qytet, për të vazhduar pastaj me studime në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Ekonomik, Departamenti “Banka, Financa dhe Kontabilitet”, tregon ajo për Albinfo.ch, transmeton KultPlus.

Pavarësisht shkollimit të saj, Teutën duket se fati e dërgoi në rrugë dhe projekte të tjera të jetës, nga ajo çfarë kishte studiuar.

“Pas përfundimit të studimeve nuk pata fatin që profesionin tim ta ushtroj në vendlindjen time. Pas kurorëzimit të dashurisë me martesë në vitin 2013, unë vazhdova jetën pranë bashkëshortit tim në Zvicër”, shprehet ajo.

Emigrimi dhe ambientimi në kulturën zvicerane

Për çdo shqiptar që emigron, reliteti i vendlindjes me atë të Zvicrës është ndryshe. Përshtatja, ambienti, gjuha, shoqëria, kultura dhe punësimi kanë qenë disa nga sfidat, të cilat pothuajse çdo mërgimtar i ka përjetuar në fillmet e veta në mërgim.

Teuta ndan historinë e saj për Albinfo.ch lidhur me ambientimin jo të lehtë në Zvicër, jetën e re, familjen dhe anën profesionale të saj, transmeton KultPlus.

“Në vitin 2013, kur isha në moshën 23-vjeçare, fillova një jetë të re bashkëshortore, në Wil, rajon i St.Gallen-it. Duke marrë parasysh se unë u rrita dhe mbarova shkollimin në Kosovë, ka qenë shumë e vështirë në fillim. Po pata fatin të gjeja ngrohtësinë familjare dhe mbështetjen e bashkëshortit dhe prindërve të tij, që ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për një fillim të ri, larg vendlindjes”, tregon ajo.

Teuta shprehet se në jetë njeriu duhet të vërë qëllimet dhe synimet e saj, për të pasur sukses, pavarësisht se në cilin vend është.

“Është e vërtetë se kultura zvicerane është më ndryshe, por nëse ke një personalitet dhe një synim në jetë, atëherë kjo nuk të sjellë asnjë problem për të vazhduar tutje. Sa i përket shoqërisë, ka qenë e vështirë për mua në fillimet e mia, por duke ndjekur kurse intensive të gjuhës, me kalimin e kohës kam arritur të kem një rreth të mirë shoqëror”, shprehet Teuta.

Dëshira dhe pasioni për vozitje

Teuta që në moshë të re kishte dëshirë të kamotshme për vozitje. Por, vozitja për kategorinë D kishte një domethënie të veçantë, që një ditë të jetë shofere e autobusëve në Zvicër.

“Dëshira e kamotshme dhe një pasion që unë kisha për vozitje më shtyu që të përgatitem për kategorinë D (shofere autobusi). Ishte një rrugë jo e lehtë dhe si çdo gjë tjetër, kishte edhe kjo pengesa. Në fund, unë ia dola që në prill të vitit 2017 të jem e pajisur me leje të qarkullimit për kategorin D”, tregon ajo.

Pak muaj pas kalimit të provimeve, Teuta në vitin 2018 u punësua te firma “Regiobus”, me seli në Gossau.

Në atë kohë, Teuta ishte vetëm 27-vjeçare dhe duhet veçuar se ishte shoferja më e re në mesin e kolegëve në “Regiobus”.

Ajo vozit në rajonin e St.Gallen-it, mban linjën Gossau-St. Gallen dhe anasjelltas, Herisau-Abtwil-Engelburg dhe linjën Wil-Uzwil.

Vlen të theksohet se Teuta ishte femra e parë shqiptare shofere në kantonin St.Gallen.

“Sipas informatave dhe reagimeve të udhëtarëve (shqiptarë), po, unë kam qenë shoferja e parë shqiptare në rajon të St.Galles. Derisa tash e gati një vit më është bashkangjitur edhe një kolege tjetër shqiptare”, tregon Teuta për Albinfo.ch.

Një mesazh i denjë për femrat shqiptare

Çdo punë që bëhet, në vete do përkushtim, durim dhe shumë dëshirë për të përfunduar atë. Teuta, ani pse është një grua dhe nënë e shkëlqyeshme, normalisht ka obligime të mëdha, por ajo gjen kohë për të gjitha, qoftë për familje, për punë dhe çdo gjë që atë e preokupon, shkruan tutje albinfo.ch.

“Nuk është e lehtë të punosh dhe të njëjtën kohë të jesh nënë dhe të kujdesesh për familje. Unë, për fat të mire, punoj vetëm 60% të kohës, kshtu që kjo më shërben të kem hapësirë edhe për fëmijë dhe familjen në kuptim të plotë”, tregon ajo.

Duke qenë se të jesh shofere autobusi në Kosovë dhe në Shqipëri, në fakt, ende është tabu dhe shihen me sy tjetër, Teuta për këtë dha një mesazhi për femrat shqiptare.

“Është shumë e vërtetë që në Kosovë shoferet femra shihen me një sy ndryshe ose ndjenjë pasigurie, por besoj që tash në kohën e fundit është duke ndryshuar ky perceptim. Sa i përket mesazhit, kam një lutje për prindërit, që së pari të arsimojnë vajzën dhe ta ngritin atë në vlera me të mëdha, siç edhe e meritojnë. Vajzat, nënat e reja, të mos hezitojnë t’i ndjekin ëndrrat, sepse gjithçka është e mundur nëse ka vullnet dhe dëshirë të madhe, asgjë nuk është e pamundur në çdo sferë të jetës”, thotë Teuta në mesazhin e saj drejtuar femrave shqiptare.

Kosova të falë një ndjesi të veçantë

Teuta është shumë e lidhur me Kosovën, ajo tregon se Kosova i fal ndjesi të veçantë. Pothuajse çdo vit ajo viziton katër herë Kosovën, pasi të afërmit e saj familjarë jetojnë në Kosovë.

“Unë jam një vizitore e rregullt e Kosovës, para pandemisë deri në katër herë në vit kemi ardhur me familje. Është ndenjë e bukur me qenë në vendlindjen tënde, pranë familjes. Kjo sepse familja ime jeton në Kosovë dhe për atë dëshira është e madhe për Kosovën, ashtu dhe malli për vendlindjen”, përfundon Teuta.

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara