Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përmendur sërish Kosovën dhe Serbinë.
Donald Trump gjatë një vizite disaditore në Skoci u takua sot me kryeministrin britanik Keir Starmer.
Ai para mediave ka folur për tema ndryshme aktuale në botë. Ai tha se ka shumë armëpushime në botë dhe sikur ai nuk do të ishte në detyrë, do të zhvilloheshin gjashtë luftëra.
“Nëse nuk do të isha unë këtejpari, do të ishin tani gjashtë luftëra të mëdha. India do të luftonte me Pakistanin. Serbia dhe Kosova janë një tjetër. Ne kemi shumë pika të nxehta që ishin në luftë”, ka thënë Trump.
Ai tha se ndërhyrja e tij çoi në një armëpushim mes Tajlandës dhe Kamboxhias, teksa përmendi edhe marrëveshjen e paqes mes Ruandës dhe Kongos pas shumë viteve luftë dhe miliona të vdekur.
Trump tha se është i zhgënjyer me presidentin rus Vladimir Putin dhe po e shkurton afatin 50-ditor që i dha Rusisë për luftën në Ukrainë.
“Jam i zhgënjyer nga presidenti Putin, shumë i zhgënjyer prej tij. Po e shkurtoj afatin 50-ditor që i dhashë,” tha Trump.
Presidenti amerikan njoftoi dy javë më parë se i kishte dhënë Putin 50 ditë për të arritur një marrëveshje me Ukrainën përpara se të përballej me pasojat.
“Do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse nuk arrijmë një marrëveshje brenda 50 ditëve,” tha Trump në atë kohë.