Magazinë

Testamenti i Gene Hackman: Aktori s’ua la fëmijëve asnjë cent prej pasurisë 80 milionë dollarëshe!

Published

on

Testamenti i aktorit legjendar Gene Hackman është publikuar, por ende mbetet pasiguri rreth pasurisë së tij prej 80 milionë dollarësh.

Fituesi i dy çmimeve Oscar ia la gjithë pasurinë bashkëshortes së tij prej 30 vitesh, Betsy Arakawa. Por, Arakawa, 65 vjeçe, u gjet e vdekur së bashku me bashkëshortin e saj në shtëpinë e tyre në New Mexico muajin e kaluar, raporton BBC.

Ekspertët ligjorë thanë se tani, meqenëse autoritetet thonë se Arakawa vdiq shtatë ditë para bashkëshortit, fëmijët e Hackman-it mund ta trashëgojnë pasurinë e tij, pavarësisht se nuk janë përmendur në testament.

Tre fëmijët e tij nga martesa e mëparshme me Faye Maltese, Christopher, 65 vjeç, Elizabeth, 62 vjeçe, dhe Leslie, 58 vjeçe – nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë çështje.

Dokumentet ligjore të siguruara nga BBC tregojnë se Hackman, 95 vjeç, e kishte përmendur Arakawa si përfituesen e vetme të pasurisë së tij në vitin 1995, me përditësimin e fundit të bërë në vitin 2005.

Avokati nga Kalifornia, Tre Lovell, i tha BBC-së se pasuria mund të kalojë te fëmijët e tij sipas ligjeve të trashëgimisë.

“Pasuria do të shpërndahet sipas ligjeve të trashëgimisë pa testament, dhe fëmijët do të jenë ligjërisht në radhë për ta trashëguar”, tha ai.

“Ata gjithashtu do të duhet të provojnë që testamenti është i pavlefshëm, pasi Arakawa vdiq para Hackmanit”, shtoi ai.

Autoritetet thonë se Arakawa vdiq më 11 shkurt, u infektua me virus të rrallë, disa ditë para se Hackman kishte vdekur nga shkaqe natyrore.

Çifti u gjet i vdekur në dhoma të ndryshme të shtëpisë 4 milionë dollarëshe në Santa Fe më 26 shkurt, pasi sigurimi i lagjes kreu kontroll dhe i pa trupat përmes dritares. Hackman ka folur më parë për marrëdhënien e tij me fëmijët.

“Si aktor, bëhesh shumë egoist”, i tha ai The New York Times në vitin 1989.

“Edhe pse kisha një familje, pranoja role që më ndanin nga ata për tre ose katër muaj. Tundimet e famës, paratë dhe njohja ishin shumë të mëdha për djaloshin e varfër brenda meje”.

Fëmijët e tij, edhe pse rrallë në vëmendjen e publikut, ndonjëherë e shoqëronin në tapetin e kuq, në një intervistë tjetër, Hackman foli për vështirësitë që fëmijët e tij kishin duke u rritur me një prind të famshëm. /UBT News/

Magazinë

Gjykimi i rrjetit të spiunazhit në Portland gjatë Luftës së Ftohtë

Published

on

Gjykimi i rrjetit të spiunazhit në Portland filloi më 13 mars 1961 dhe u bë një nga rastet më të njohura të spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë.Në qendër të këtij skandali ishte një grup prej pesë personash që spiunonin për Bashkimin Sovjetik. Mes tyre ishin edhe Helen dhe Peter Kroger, të cilët u dënuan me burg në vitin 1961 për dërgimin e informacioneve sekrete britanike në Moskë.Ata u liruan nga burgu në vitin 1969, në këmbim të një ligjëruesi britanik që mbahej në Bashkimin Sovjetik. Gazetari i BBC-së, Tom Mangold, raportoi se çifti udhëtoi drejt Polonisë dhe dukej shumë i lumtur pas lirimit.

Spiunët ishin përqendruar te një qendër kërkimore detare në Portland, në jug të Anglisë, ku zhvilloheshin projekte sekrete të Marinës Mbretërore Britanike, sidomos për sistemet kundër nëndetëseve.Dy nga spiunët punonin brenda kësaj qendre. Njëri prej tyre ishte Harry Houghton, ish-oficer i marinës britanike. Ai ishte rekrutuar nga inteligjenca komuniste gjatë kohës kur punonte në Ambasadën Britanike në Poloni.

Pas kthimit në Britani në vitin 1953, ai vazhdoi spiunazhin dhe filloi edhe një lidhje me kolegen e tij Ethel Gee, e cila kishte qasje në dokumente sekrete. Të dy udhëtonin shpesh në Londër për t’i dorëzuar materialet një agjenti të KGB-së.

Sipas dokumenteve të publikuara nga MI5 në vitin 2019, rrjeti mund të ishte zbuluar shumë më herët. Gruaja e Houghton kishte dyshuar për aktivitetet e tij dhe kishte gjetur dokumente të shënuara “top secret” si dhe një kamerë të vogël të fshehur në shtëpi. Megjithatë, dyshimet e saj nuk u morën seriozisht.

Spiunët përdornin kamera shumë të vogla për të fotografuar dokumentet sekrete. Informacioni zvogëlohej në një pikë shumë të vogël filmi dhe mund të fshihej në kartolina ose libra që dërgoheshin në Moskë.

Burimi: BBC

Continue Reading

Magazinë

Zbulohen artistët e parë për festivalin e madh në Bristol në vitin 2026

Published

on

By

Një nga festivalet më të mëdha falas në Mbretërinë e Bashkuar, Bristol Harbour Festival, ka zbuluar artistët e parë që do të performojnë në edicionin e vitit 2026.

Festivali zhvillohet çdo korrik dhe për një fundjavë e kthen qytetin e Bristolit në një qendër të madhe arti dhe muzike. Sivjet ai do të mbahet nga 17 deri më 19 korrik.

Në natën e parë të festivalit do të performojnë Fedzilla, Sam and the Womp dhe artisti vendas Dr Meaker.

Ky aktivitet tërheq çdo vit qindra mijëra vizitorë, të cilët mblidhen pranë portit të qytetit për të shijuar muzikë, art dhe performanca të ndryshme.

Koordinatorja e programit muzikor të festivalit, Noemi Antonelli, tha se qëllimi është që programi të pasqyrojë skenën aktuale muzikore të Bristol-it.

Ndërsa Tony Dyer, udhëheqës i Këshillit të Qytetit të Bristol-it, tha se festivali është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit.

“Bristol Harbour Festival bashkon komunitetet dhe tregon kreativitetin që e bën qytetin tonë të veçantë,” tha ai.

Shumë artistë vendas do të marrin pjesë përmes programit “Made in Bristol”, ku më shumë se 300 artistë kanë aplikuar për të performuar.

Këtë vit do të ketë edhe disa risi, përfshirë një skenë të re për muzikantët e rrugës në Cascade Steps. Ndërkohë, në Millennium Square të shtunën do të ketë muzikë folk dhe americana, ndërsa të dielën soul dhe funk.

Po ashtu, anija-klub Thekla do të organizojë sërish diskon e heshtur (silent disco), një nga aktivitetet më të njohura të festivalit.

Burimi: BBC

Continue Reading

Magazinë

A e ka humbur shkëlqimin “djali i artë” i Hollywood-it, Timothée Chalamet? 

Published

on

By

Aktori i njohur i Hollywood-it Timothée Chalamet është përballur me kritika të shumta pas komenteve të tij të fundit për baletin dhe operën, duke nxitur debat në botën e artit dhe kulturës.

Në një intervistë me aktorin Matthew McConaughey, me të cilin kishte luajtur në filmin Interstellar, Chalamet deklaroi se nuk dëshiron të punojë në fusha si baleti apo opera, duke thënë se janë forma arti për të cilat “askujt nuk i intereson më”. Edhe pse ai më pas shtoi se kishte respekt për artistët e këtyre disiplinave, deklarata e tij shkaktoi reagime të forta.

Mes kritikëve ishte edhe sopranoja amerikane Isabel Leonard, e cila tha se komentet e aktorit tregojnë mungesë respekti ndaj artistëve të tjerë. Debati u përhap edhe në rrjetet sociale dhe në mediat e kulturës pop, ndërsa disa institucione artistike reaguan me ironi.

Kompania Seattle Opera madje ofroi zbritje për biletat e operës Carmen duke përdorur kodin promocional “TIMOTHEE”, duke e kthyer polemikën në një formë marketingu.

Komentet e Chalamet erdhën në një moment të ndjeshëm, pasi aktori është i nominuar për çmimin e aktorit më të mirë në Academy Awards për rolin e tij në filmin Marty Supreme.

Megjithatë, sipas disa analistëve të industrisë së filmit, polemika mund të mos ketë ndikim të madh në garën për Oscar, edhe pse aktori ka humbur disa nga çmimet paraprake si BAFTA Awards.

Pavarësisht kritikave, Chalamet mbetet një nga aktorët më të përfolur të brezit të tij dhe ende konsiderohet kandidat i fortë në garën për çmimin më prestigjioz të kinemasë.

Marrë dhe përshtatur nga BBC.

Continue Reading

Magazinë

Bryan Larkin tregon përvojën e rëndë gjatë xhirimeve të “Jailbroken”

Published

on

By

Aktori skocez Bryan Larkin thotë se përvoja intensive gjatë xhirimeve të filmit të tij më të ri nuk është diçka që do të dëshironte ta përjetonte në jetën reale.
Filmi i ri Jailbroken është xhiruar tërësisht brenda një qelie burgu. Larkin thotë se presioni psikologjik i këtij projekti e bën atë “ndoshta filmin më të mirë kundër burgut që mund të ekzistojë”.
Aktori 52-vjeçar, i rritur në East Kilbride në Scotland, luan rolin e Joe-s, një i burgosur i dhunshëm i cili, vetëm pak ditë para lirimit nga burgu, merr një telefonatë tronditëse ku mëson se ish-bashkëshortja dhe djali i tij janë rrëmbyer.
I armatosur vetëm me një telefon të kontrabanduar në qeli, ai futet në një garë me kohën për t’i shpëtuar, ndërsa është ende i mbyllur brenda burgut.
Filmi pati premierën botërore në Glasgow Film Festival të enjten në mbrëmje.
Në film luan edhe aktori veteran skocez David Hayman, i cili interpreton rolin e një gardiani burgu sadist.
Megjithatë, Larkin thotë se synimi i tij ishte të tregonte edhe anën njerëzore të personazhit.
“Do të shihni një njeri të dhunshëm dhe toksik,” tha ai. “Por edhe njerëzit më të prishur kanë diçka që e duan.”
Në rastin e Joe-s, motivimi i tij është të shpëtojë “një djalë që nuk ka asnjë kujtim për të”.
Për t’u futur në rol, Larkin punoi me regjisorin Vasily Chuprina dhe skenaristin Raymond Friel për tre muaj para fillimit të xhirimeve.
Së bashku ata u përpoqën të theksonin dobësitë e fshehura të personazhit Joe.
Por sapo nisën xhirimet, realiteti i setit të ngushtë filloi të ndikonte në gjendjen psikologjike të aktorit.
“Ka pasur momente kur ndihesha sikur ajo qeli ishte shtëpia ime,” tha Larkin.
Ai pranon se hapësira e mbyllur e bëri të vështirë të dilte nga karakteri, duke e bërë të ndihej territorial ndaj kujtdo që hynte në set.
Duke e vendosur publikun brenda një qelie me një njeri të dëshpëruar, filmi përpiqet të zhveshë aksionin tradicional dhe të fokusohet te psikologjia njerëzore dhe pasojat e një jete kriminale.
Larkin shpreson që udhëtimi i rëndë emocional i filmit të lërë një ndikim të fortë tek shikuesit.
“Nëse po mendon të bësh diçka që mund të të çojë në burg, shiko ‘Jailbroken’ para se ta bësh,” paralajmëroi ai.
Marrë dhe përshtatur nga BBC

Continue Reading

Të kërkuara