Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, u theksua rëndësia e rrëfimeve të të mbijetuarve që ato të dëgjohen, të ndjehen dhe të përkrahen. Për këtë u tha se ‘trauma nuk ka skadencë ashtu siç nuk ka afat edhe kërkesa për drejtësi’.
Në kuadër të fushatës “trauma nuk ka afat”, nga drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti tha se pasojat e këtij krimi, më së miri Kosova arrin t’i shoh qe 25 vjet me radhë që nuk janë prezent vetëm për të mbijetuarit por edhe për familjet e tyre.
Tutje Rushiti tha se nuk duhet heshtur, të dëgjohen historitë e të reflektohet.
“Pasojat afatgjate të këtij krimi, më së miri ne në Kosovë 25 vite me radhë arrijmë ti shohim që nuk janë prezent vetëm për të mbijetuarit, por fatkeqësisht janë prezent edhe tek fëmijët e tyre. Sot në kuadër të fushatës “Trauma nuk ka afat” qe po zhvillojmë së bashku me Ambasadën britanike ne Kosovë dhe me platformën bëhu zëri im kemi zgjedhur të mos heshtim më, kemi zgjedhur të dëgjojmë historitë e të mbijetuarve që të reflektojmë por njëkohësisht të veprojmë me hapa konkret, sepse të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës nuk shërohen me kohën, koha nuk shëron plagët, por drejtësia, përkujdesja dhe rehabilitimi.”, tha Rushiti.
Ndërsa, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves u shpreh se dhuna seksuale akoma përdoret si armë dhe strategji e qëllimshme e luftës.
“Dhuna seksuale akoma përdoret si armë dhe strategji e qëllimshme e luftës. Sot është një mundësi që ta pranojmë dhe të luftojmë atë, por gjithashtu një ditë që të festojmë qëndrueshmërinë dhe t’i bëjmë thirrje drejtësisë. Është një ditë që të theksojmë besimin tonë se të mbijetuarit kurrë më nuk duhet të heshtën ose të injorohen, por të njohen, përkrahen dhe fuqizohen. Ju e njihni dhimbjen, por e njihni edhe forcën”, u shpreh Hargreaves.
E mbijetuara dytësore e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Venesa Sulimani tha se trauma e dhunës seksuale nuk është një histori por një trashëgimi, e cila sipas saj, qëndron në jetën e përditshme të të mbijetuarve.
“Kur flasim për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, biseda shpesh mbetet e kapur pas historisë — çfarë ndodhi, kur dhe ku. Por trauma, trauma nuk është histori, është trashëgimi. jo nuk qëndron e mbyllur në të kaluarën. Ajo qëndron, jehon dhe shfaqet në jetën e përditshme të të mbijetuarve. Ajo zë vend në trupat e tyre, në familjet e tyre dhe në brezat që vijnë”, tha Sulimani.
Në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt pati edhe homazhe në parkun “Heroinat” në Prishtinë.