Mbrëmë është mbyllur edicioni i 16-të i EtnoFest-it, ku janë ndarë çmimet për 21 performanca dhe kategori të ndryshme artistike.
Para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, publiku pati mundësinë të ndiqte performancën artistike “Echoes of Origin”, me Flaka Gorancën, e cila solli këngë të njohura shqiptare në një ndërthurje mes traditës dhe muzikës klasike.
Juria profesionale e përbërë nga Bislim Muçaj (kryetar), Artan Arifi (anëtar) dhe Agron Gerguri (anëtar), ndau çmimet në kategoritë e mëposhtme:Etnoperformanca më e mirë: “Echoes of Origin” – Flaka Goranci, për trajtimin artistik të rrënjëve, ku zëri unik dhe ndërthurja e traditës me modernen krijuan një lidhje të veçantë me kujtesën kulturore.
Etnoansambli më i mirë: “Vullkani i Istogut” – Istog, për energjinë, autenticitetin dhe ruajtjen e traditës së Istogut përmes një interpretimi të fuqishëm skenik.
Instrumentisti më i mirë: Blerim Grubi, për mjeshtërinë e lartë në interpretim dhe stilin e veçantë që i jep muzikës tradicionale.
Instrumentistja më e mirë: Lule Elezi, për teknikën e sigurt në piano dhe interpretimin e përpunuar, duke përcjellë melodinë me qartësi, finesë dhe emocion.
Kostumografia më e mirë: Ansambli “Devolli” – Korçë, për kostumet tradicionale të Korçës, të pasura me ngjyra, ornamente dhe të punuara me kujdes.
Koreografia më e mirë: Gjergj Prevazi me “Void”, për kombinimin e lëvizjes, ritmit dhe hapësirës në një koreografi të saktë dhe të fuqishme skenikisht.
Valltaret më të mira: Katerina Gogadhe dhe Chiara Xoxi, për harmoninë e rrallë skenike, sinkronizimin dhe komunikimin e natyrshëm përmes lëvizjes.
Valltari më i mirë: Vasjar Hysa me ansamblin “Afërdita” – Belsh, për ritmin e sigurt, lëvizjet e fuqishme dhe prezencën e spikatur skenike.
Këngëtarja më e mirë: Arta Jashari, për zërin me ngjyra unike, interpretimin dhe ndjeshmërinë e veçantë që përcjell këngën me origjinalitet.
Këngëtari më i mirë: Mustafë Ramaj, për vokalin e fuqishëm dhe interpretimin emocionues, të realizuar me mjeshtëri skenike.
Orkestra më e mirë: Ansambli “Dardanus” nga Tetova, për harmoninë instrumentale dhe interpretimin elegant të trashëgimisë muzikore.
Koncerti artistik më i mirë: Grupi “Tavera” – Izrael, për koncertin që solli në skenë tingujt e traditës së tyre muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.
Shfaqja më e mirë: “Pylli”, produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, për realizimin mbresëlënës skenik dhe trajtimin e thellë të emocioneve njerëzore.
Regjia më e mirë: Ilir Bokshi, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, produksion i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, për vizionin e ndërtuar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri të thellë regjisoriale.
Aktori më i mirë: Adrian Morina, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, për interpretimin bindës, emocionet e fuqishme dhe thellësinë psikologjike të rolit.
Aktorja më e mirë: Hajat Toçilla, me shfaqjen “Pylli”, për interpretimin plot emocione dhe vërtetësi që i dha personazhit.
Skenografia më e mirë: Bekim Korça, me shfaqjen “Pylli”, për konceptin pamor origjinal dhe krijimin e një universi skenik funksional e domethënës.
Çmimi për inovacion artistik: “Soloist of GOB” nga Bolonja, Itali, për trajtimin artistik dhe inovativ të motiveve të frymëzuara nga okarina e Runikut, një prej instrumenteve më të hershme të gjetura në trojet shqiptare.
Çmimi special i EtnoFest-it: Armend Baloku me performancën “Lahuta e Malcís”, për një performancë të jashtëzakonshme që përcolli fuqinë e trashëgimisë epike shqiptare dhe mbajti publikun të përfshirë.
Çmimi i karrierës: Selman Jusufi, për një karrierë mbi katër dekada, më shumë se 200 role dhe një kontribut të çmuar në skenën artistike, duke lënë gjurmë të veçanta në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.
Me këtë ceremoni, edicioni i 16-të i EtnoFest-it u përmbyll duke vlerësuar artistë, ansamble dhe krijues nga Kosova, Shqipëria e vende të tjera, të cilët përmes artit dhe performancës kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. /A.M/