Lajmet

Tensionet Rusi-Ukrainë, rreziku i një lufte në Europë më pranë se kurrë më parë

Vendet perëndimore dyshojnë se Rusia po përgatit një pretekst për një sulm të ri ndaj Ukrainës.

Published

on

Europa është më pranë luftës se sa ka qenë që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Fjalët e zymta paralajmëruese vijnë nga një diplomat i lartë i Bashkimit Europian që ka folur jashtë kamerave për BBC, lidhur me tensionet e fundit mes perëndimit dhe Rusisë, që ka grumbulluar mijëra ushtarë pranë kufirit me Ukrainën.

Atmosfera në Bruksel është e tensionuar. Ka frikë reale se Europa mund të shkojë drejt krizës më të keqe të sigurisë në dekada. Megjithatë, në kamera thonë se nuk ka gjasa që Rusia të lëshojë një sulm në drejtim të Ukrainës.

“Ne vazhdojmë të punojmë për të përgatitur sanksione në rast se, edhe pse informacionet e inteligjencës na bëjnë të besojmë se përderisa negociatat vazhdojnë dhe grumbullimi ushtarak i Rusisë nuk është plotësuar, mundësia e një sulmi masiv kundër Ukrainës nuk është skenari më i mundshëm. Ka metoda të tjera sulmuese, si sulmet kibernetike, si ai që pësoi qeveria ukrainase në disa prej sajteve të saj”, tha shefi i diplomacisë së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Vendet perëndimore dyshojnë se Rusia po përgatit një pretekst për një sulm të ri ndaj Ukrainës, të cilës i aneksoi Krimenë në vitin 2014. Moska hedh poshtë çdo plan pushtimi, por ka paralajmëruar se mund të marrë veprime të paspecifikuara ushtarake derisa Shtetet e Bashkuara dhe NATO të pranojnë listën e kërkesave, duke përfshirë mosanëtarësimin e Ukrainës në aleancë.

Si për të konfirmuar që kërcënimi i një lufte është real, Britania e Madhe po furnizon Kievin me armatime për vetëmbrojtje si raketa antitank me rreze të shkurtër. Ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, bëri të ditur se edhe një ekip i vogël me ushtarë britanikë do të dërgohet në Ukrainë për të bërë trajnime, pasi siç tha ai, “ka shqetësime legjitime dhe reale” që trupat ruse mund të përdoren për një pushtim.

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Mitrovicën e Veriut, dyshohet se i përkasin periudhës së luftës

Published

on

By

Sektori i Hetimeve për Persona të Zhdukur Gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ka kryer një proces zhvarrosjeje në Mitrovicën e Veriut, pas miratimit të urdhëresës përkatëse nga gjykata.

Gjatë gërmimeve në terren janë gjetur disa mbetje eshtërore njerëzore, të cilat dyshohet se i përkasin periudhës së viteve 1998–1999.

Policia e Kosovës njofton se mbetjet e gjetura janë tërhequr nga vendngjarja dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme mjekësoro-ligjore dhe identifikim.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu pret në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka prit sot në takim zyrtar delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të këtij takimi, ndërsa delegacioni i NATO-s do të vazhdojë agjendën e tij në Kuvend me disa takime të tjera gjatë ditës.

Në orën 10:00 është paraparë takimi i delegacionit me Komisionet Parlamentare për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian. Ndërkaq, nga ora 11:00, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të takohet me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

28 tetor 1993

Edhe një kthim masiv i refugjatëve shqiptarë nga Greqia

Zëdhënësi i Ministrisë së Rendit Publik të Shqipërisë, konfirmoi se parmbrëmë ka filluar një kthim i refugjatëve shqiptarë nga Greqia. Edhe pse ende nuk ka shifra të plota për numrin e personave që janë dëbuar me dhunë nga forcat e policisë greke, besohet se vetëm parmbrëmë janë kthyer mbi 2.150 refugjatë në të dyja pikat kufitare në Kakavi dhe Kapshticë.

Ky është dëbimi i tretë masiv i refugjatëve shqiptarë nga Greqia brenda 20 muajve të fundit. Siç dihet vetëm në qershorin e kaluar me dhunë nga Greqia u dëbuan mbi 25.000 refugjatë shqiptarë.

Në të dy pikat e kufirit janë marrë masa të nevojshme, për pritjen, vendosjen dhe përcjelljen e refugjatëve në shtëpitë e tyre, bënë të ditur Radio-Tirana.

 

28 tetor 1994

Dhjetë raste të verdhëzës në Podujevë

Në komunën e Podujevës janë evidentuar 10 raste të sëmurësh nga verdhëza. Personat e sëmurë kryesisht janë nga Podujeva, Dumnica, Perani dhe Obranxha. Në fshatin Dumnicë deri më tash janë sëmurë 5 veta.

Tash për tash nuk dihet nëse është fjala për epidemi. Mjekët e Shtëpisë së shëndetit në Podujevë kanë rekomanduar që qytetarët të ndërmarrin masa preventive, sidomos në aspektin higjenik, në mënyrë që të pengohet përhapja e sëmundjes.

 

28 tetor 1995

Në Malishevë rreth 40 fshatra pa rrymë elektrike

Me vendimin e organeve të dhunshme të “Elektrokosovës”, që nga e enjtja, pa rrymë elektrike kanë mbetur 40 fshatra të komunës së Malishevës.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se, sikur edhe sbumë herë deri më tash, rryma u ndërpre me pretekst të gjoja mospërmbushjes së obligimeve nga ana e banorëve të këtyre fshatrave.

Siç dihet edhe në aleboratin e fundit të radikalëve serbë të këtij muaji, ndërprerja e rrymës elektrike për vendbanimet shqiptare është propozuar si një mjet terrori për spastrimin etnik të Kosovës.

 

 28 tetor 1997

Studentët e Fakultetit Pedagogjik në Shkup edhe sivjet bojkotojnë mësimin

Shkup, 28 tetor (QIK)

Studentët shqiptarë në Fakultetit Pedagogjik të Shkupit për shkak të mossigurimit të kuadrit arsimor në gjuhën shqipe, edhe sivjet bojkotojnë mësimin dhe thonë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet nga ana e dekanatit, ata do të organizojnë një protestë publike.

Tani për tani mësimi ndiqet vetëm në lëndët ku ligjërojnë profesorët shqiptarë.

Për gjendjen e këtillë, e cila hyri në vitin e tretë, studentët fajësojnë dekanin, për të cilin thonë se nuk është i interesuar për t’i plotësuar kërkesat e studentëve shqiptarë, të cilat janë të garantuara edhe me Ligjin për Fakultetin Pedagogjik, të cilin e solli Kuvendi i Maqedonisë para dy vjetësh.

Studentët e Fakultetit Pedagogjik në Shkup, deri tash kanë realizuar disa takime me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por ata nuk kanë dhënë rezultate të pritura.

 

28 tetor 1998

Bill Klinton: Kosova të kthehet prapë në duart e popullit të saj

Jam i inkurajuar që qëndrimi këmbëngulës dhe vendosmëria e NATO-s e kanë detyruar presidentin Millosheviq të tërheqë forcat e tij dhe të përmbushë në masë të madhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare. Shpresoj se klima e frikës dhe e kërcënimit do të eleminohet në Kosovë dhe se shqiptarët e Kosovës mund të kthehen në fshatrat e tyre, si dhe, çka është edhe më e rëndësishme në planin afatgjatë, mund të vazhdojnë negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme e paqësore.

Që nga fillimi, kemi pasur tri objektiva dominuese në Kosovë: e para, të ndërpritet dhuna që kërcënon stabilitetin e brishtë të Ballkanit; e dyta, të pengohet shndërrimi i krizës humanitare në katastrofë, duke ndërprerë dhunën kundër shqiptarëve të Kosovës; dhe, e treta, Kosova të kthehet prapë në duart e popullit të saj, duke iu kthyer atij vetadministrimi.

Drejt të gjitha këtyre objektivave kemi arritur një përparim real. Luftimet janë ndalur; personat e zhvendosur kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre; ndihma humanitare po qarkullon; ndërsa Milosheviqi është dakorduar të bëjë negociata për vetadministrim të Kosovës dhe është pajtuar me një kalendar për ta arritur këtë qëllim.

Megjithatë, nuk mjafton vetëm premtimi i Millosheviqit për zbatimin e kërkesave. Ai duhet të vazhdojë përmbushjen e tyre. Për verifikimin e kësaj, bashkësia ndërkombëtare do të dërgojë një prani të madhe ndërkombëtare në Kosovë, nga toka dhe nga ajri, gjë që Milosheviqi e ka kundërshtuar për një dekadë. Si rezultat i përmirësimit të klimës së sigurisë, rreth 40 mijë njerëz të zhvendosur tanimë kanë zbritur nga malet në shtëpitë e tyre dhe i janë shmangur vdekjes nga të ftohtit. Derisa armëpushimi të vazhdojë në Kosovë do të futen më shumë punëtorë humanitarë dhe më shumë ndihma humanitare. Forcat serbe duhet të rrinë anash, postblloqet duhet të hiqen, shkalla e besimit te njerëzit që ende janë të zhvendosur duhet të rritet, në mënyrë që edhe ata të kthehen në shtëpi para të ftohtit.

Në planin afatgjatë, stabiliteti i Kosovës varet nga zgjidhja e qëndrueshme politike dhe nga krijimi i demokracisë dhe i shoqërisë civile, përfshirë edhe shtypin e lirë në gjithë Jugosllavinë. Z. Millosheviq është pajtuar për zgjedhje demokratike në Kosovë, të mbikëqyrura ndërkombëtarisht, për vetadministrim substancial dhe për polici lokale – me një fjalë, të drejtat që kosovarët i kanë kërkuar qëkur Milosheviqi ua hoqi atyre autonominë, para një dekade.

Vullneti për veprim i NATO-s, i kombinuar me diplomaci të vendosur, ka krijuar mundësi për ndërprerrjen e vuajtjeve dhe represionit në Kosovë dhe për të futur njerëzit e saj në rrugën e paqes. Por, kjo është shans e jo garancë. Prandaj, NATO vendosi sot ta ruajë autoritetin, forcën dhe gatishmërinë e saj për të vepruar, në qoftë se Millosheviqi u bishtnon zotimeve që ka marrë. Jemi në një çast shpresëdhënës, por nuk duhet të kemi iluzione se është një rrugë e gjatë para nesh derisa shpresa të triumfojë mbi urrejtjen në Ballkan. Sot ndihem shumë më mirë, por ende kërkohet që të sundojnë liria dhe paqja. Edhe një herë dua të falënderoj zotin Solana, gjeneralin Klark, zotin Hollbruk, zotin Hill dhe të tjerët që kanë punuar shumë për arritjen e kësaj.

Foto: Bill Klinton

Continue Reading

Lajmet

Sulm me thikë ndaj xhandarit të Ambasadës së Izraelit në Beograd, Daçiq e cilëson akt terrorist

Published

on

By

Një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe që ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd është sulmuar me dy thika gjatë mesnatës. Sulmuesi u qëllua për mort nga polici në vetëmbrojtje, ndërsa Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka cilësuar ngjarjen si sulm terrorist.

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 në lagjen Dedinje. Sipas Daçiqit, i dyshuari — që dyshohet të jetë një 15-vjeçar nga Shabaci — ka bërtitur “Allahu Akbar” gjatë sulmit. Polici ka pësuar lëndime të lehta në fytyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet serbe dyshojnë se sulmuesi ishte mbështetës i organizatës terroriste ISIS, duke u bazuar në simbolet e gjetura në rrjetet e tij sociale. Pas këtij incidenti, Serbia ka ngritur nivelin e kërcënimit terrorist në “të kuq”, me prani të shtuar policore në vendet publike dhe objektet strategjike.

Ky është incidenti i dytë i këtij lloji pranë kësaj ambasade, pas sulmit me hark ndaj një tjetër pjesëtari të Xhandarmërisë në qershor të vitit 2024. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara