Lajmet

Telefoni e shpëtoi nga plumbi, rrëfimi rrëqethës i ish-gazetarit të BBC-së për sulmin ndaj familjes Jashari

Duke folur për luftën në Prekaz, Smith ka thënë se serbët kishin tentuar ta vrisnin.

Published

on

Ish-gazetari i BBC-së, Vaughan Smith, i cili gjatë luftës ka xhiruar masakrën e familjes Jashari, ka rrëfyer për tmerrin që ka parë më datë 5, 6 dhe 7 mars të 1998-ës. Ai ka thënë se brutalitetin që e ka parë në Kosovë, nuk kishte rastis ta shoh në asnjë vend tjetër.

Duke folur për luftën në Prekaz, Smith ka thënë se serbët kishin tentuar ta vrisnin, por që kishte arritur të shpëtonte, pasi plumbi e kishte goditur telefonin mobil.

Si pjesëmarrës edhe në luftën e Bosnjë dhe Hercegovinë, Smith ka thënë se tanket që kanë sulmuar familjen Jashari kanë qenë të vjedhura nga holandezët në Bosnjë e Hercegovinë.

“Më kujtohet që erdha me xhirua çka po ndodh në Kosovë. Atëherë nuk e kam kuptuar krejt se çfarë po ndodh por i pash forcat serbe duke hyrë në Prekaz, u fsheha dhe fillova me xhiru aksionin, kishte shumë zjarr. Shumë më vonë e kam kuptuar rëndësinë që ishte duke ndodhur atë ditë më 5 mars të vitit 1998. Unë kisha ardh prej Bosnjës me mbulu luftën e Kosovës, dhe kur e kyçura xhirimet, po shoh se disa prej tankeve që serbët i kishin vjedh prej holandezeve në Bosnjë, i kishin marrë për me i sulmu Jashart dhe në atë kohë fillova me i xhiru dhe më vrenjtën serbët se isha duke i xhiruar prej majës së kodrës, edhe gjuajtën në drejtim timin dhe unë shpëtova vetëm pse plumbi përfundoi në telefonin tim mobil”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ndonëse kishte dëgjuar për UÇK-në, Smith nuk e njihte dikë nga udhëheqësit e saj. Thotë se ishte takuar me një njëri në Zvicër, e i cili i kishte treguar për organizimin që po ndodhte në Kosovë.

“Unë kisha dëgjuar për UÇK-në se kisha shkuar në Zvicër dhe isha takuar me një njëri që u quajt Pleurat Sejdiu, më ka treguar për UÇK-në dhe me ka treguar se çfarë është duke ndodhur dhe më pat vendos në kontakt me UÇK-në këtu (në Kosovë), por nuk i dija të gjitha detajet por pak kisha dëgjuar, e më vonë e kuptova kur erdha në Kosovë, e sot e kësaj dite jam shumë i lumtur që edhe Aeroporti i Kosovës e ka emrin Adem Jashari”, tha Smith.

Smith ka thënë se mobilizimin e popullatës që ka parë në Kosovë, nuk e ka parë në asnjë vend ku ka pasur luftë.

“Çka më ka befasuar është brutaliteti i asaj masakre, si e vrasin krejt familjen, jo vetëm ata që ishin të armatosur, mandej çfarë më ka befasuar se unë kam qenë në luftërat tjera në Irak e Bosnjë, nuk e kam parë mënyrën sesi e ka mobilizuar krejt popullatën ajo masakër. Ajo masakër i ka mobilizuar të gjithë njerëzit, jashtë Kosovës kanë filluar të vijnë njerëzit. Pra ka pasur efekt të kundërt të asaj se çka dojshin serbët, pra me i demoralizuar këtë popullatë, në fakt e ka mobiluzu”, ka thënë ai.  

Rajoni

Me shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së

Published

on

Këshilli Studentor i UBT-së ka zhvilluar procesin zgjedhor për përzgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të studentëve, në një proces të drejtë, transparent dhe të monitoruar nga autoritetet akademike të institucionit. Me shumicë votash, Vesa Shatri është zgjedhur Kryetare e Këshillit Studentor të UBT-së, duke marrë besimin e studentëve për të udhëhequr strukturën përfaqësuese të tyre.

Në përbërjen e re të kryesisë, janë zgjedhur këta përfaqësues:

  • Kryetare: Vesa Shatri
  • Nënkryetare: Eliona Kastrati
  • Sekretar: Mal Shehu
  • Këshilli Akademik: Ema Spahija
  • Komisioni për Ankesa: Elena Jashanica
  • Komisioni i Cilësisë: Odesa Mala
  • Komisioni Disiplinor: Rizgjim Sejdiu
  • Komisioni i Etikës: Arianit Hasani

Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga përfaqësues të lartë të UBT-së, përfshirë Prorektorin e UBT-së, Prof. Dr. Binak Beqaj, sekretarin e institucionit, Prof. Dr. Artan Tahiri, këshilltarin në Zyrën e Rektorit, Prof. Dr. Elmi Kelmendi, koordinatoren për Çështje Akademike në UBT, Mirlinda Jashanica, si dhe Ismije Pllana, nga zyra e sekretarit.

Zgjedhja e kryesisë së re vjen me synimin që përfaqësimi i studentëve të jetë sa më efektiv, gjithëpërfshirës dhe i orientuar drejt përmirësimit të vazhdueshëm të jetës akademike e studentore në UBT. Përfaqësuesit e rinj do të angazhohen për të qenë zëri i studentëve, për të adresuar kërkesat e tyre dhe për të bashkëpunuar ngushtë me menaxhmentin e institucionit.

Në fjalën e saj, Kryetarja e re, Vesa Shatri, falënderoi studentët për besimin dhe theksoi angazhimin e saj për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të ndërtuar ura komunikimi të qëndrueshme mes studentëve dhe strukturave drejtuese të UBT-së.

Continue Reading

Lajmet

BE-ja i kërkon KPK-së zbatimin e plotë të reformave: Shteti ligjor, parakusht i domosdoshëm për integrim

Published

on

By

Zyra e Bashkimit Evropian ka njoftuar se në takimin e zhvilluar me Këshillin Prokurorial të Kosovës, u është bërë thirrje të gjithë anëtarëve të tij t’i zbatojnë plotësisht reformat e KPK-së.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo zyrë, thuhet se shteti ligjor është parakusht thelbësor për Bashkimin Evropian.

Zyra e BE-së në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të tij që të zbatojnë plotësisht dhe së bashku reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të mbrojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Pas shkarkimit të u.d. së kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe përplasjeve brenda KPK-së, Zyra e BE-së dje ka kërkuar takim urgjent me të gjithë anëtarët.

Ndërsa tri organizata të shoqërisë civile kanë paralajmëruar për rritje të rrezikut të kundërligjshmërisë në KPK.

Për këtë arsye ato kanë kërkuar ndërhyrjen e gjykatës./EO

Continue Reading

Lajmet

​Certifikohet NISMA

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot subjektin politik Nisma Socialdemokrate, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se Nisma ka përmbushur të gjitha kriteret sipas ligjit për zgjedhje dhe ka paguar taksën për certifikim.

Periudha e certifikimeve politike ka përfunduar me 30 nëntor. Subjekti politik NISMA ka përmbushur kriteret për certifikim duke dorëzuar listën e nënshkrimeve dhe mbështetësve dhe ka paguar taksën për certifikim. Nuk ka gjoba nga PZAP, KQZ dhe Zyra”, tha Buzhala.

Më 2 dhjetor 2025, KQZ mori vendim për certifikimin e 22 subjekteve politike, 16 parti politike; tri koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa nuk e ka certifikuar Listën Serbe./KP

Continue Reading

Lajmet

Lista Serbe fton konferencë për media pas moscertifikimit nga KQZ

Published

on

By

Lista Serbe, ka njoftuar se sot më 03.12.2025, në ora 15:00, në selinë e partisë do të mbajnë konferencë për media.

Sipas njoftimit, drejtuesit do të flasin për vendimin nga KQZ-ja i cili siç pretendojnë ata ka penguar pjesëmarrjen e subjektit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, transmeton KosovaPress.

Udhëheqja e Listës Serbe do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku do të flasë për vendimin joligjor për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025” thuhet në njoftimin e partisë.

Ndërsa dje gjatë mbledhjes së dytë lidhur me përgatitjet për procesin zgjedhor, KQZ-së nuk ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

KQZ votoi certifikimin ndaras për partitë politike, meqë rast Lista Serbe me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime nuk u certifikua./KP

Continue Reading

Të kërkuara