Lajmet

Telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale po e shkatërrojnë shëndetin mendor të fëmijëve

Nga John Burn–Murdoch.

Published

on

Nga John Burn–Murdoch

Diçka po shkon shumë keq me adoleshentët sot. Gjatë viteve 1994-2010, pjesa e adoleshentëve britanikë që nuk e konsideronin të pëlqyeshëm veten e tyre ra disi, nga 6 në 4 për qind. Ndërkohë që nga viti 2010 e këtej kjo përqindje është dyfishuar.

Ndjeshëm u rrit edhe shkalla e atyre që e mendojnë veten si njerëz të dështuar, që shqetësohen shumë, dhe që janë të pakënaqur me jetën e tyre. Të njëjtat tendenca janë të dukshme edhe përtej Atlantikut. Numri i nxënësve të shkollave të mesme në SHBA, të cilët thonë se jeta u duket shpeshherë e pakuptimtë është rritur gjatë 12 viteve të fundit. Dhe kjo dukuri nuk ka prekur vetëm anglosferën.

Në Francë, normat e depresionit tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeç janë 4-fishuar gjatë dekadëssë fundit. Pra kudo që të shihni, shëndeti mendor i të rinjve po degradon frikshëm, dhe momenti kur kurba pëson një rritje të jashtëzakonshme është i njëjtë:viti 2010, kur telefonat inteligjentë kaluan nga një produkt luksoz, në një mjet që mund të zotërohej nga gati kushdo.

Teoria se pasja e mediave sociale dhe kënaqësive të tjera dixhitale gjatë gjithë kohës mund të ketë një efekt të dëmshëm mbi shëndetin mendor të njerëzve nuk është e re. Mbështetësi i saj kryesor është Zhan Tuenge, profesor i psikologjisë në Universitetin Shtetëror të San Diegos, autor i dhjetëra studimeve mbi këtë çështje.

Por teza e tij është ende larg pranimit universal nga kolegët. Kërkimet e Tuenge dhe kolegut të tij Xhonathan Haid, është kritikuar ndonjëherë për shfrytëzimin e valës së kundërshtimit popullor ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë. Megjithatë, ndërsa po shtohen provat për argumentet e tyre, tani shumë njerëz po pyesin se përse na është dashur kaq shumë kohë për të pranuar atë që ishte përpara syve tanë.

Shenjat janë kudo. Së pari, komunikimi dhe shoqërimi në formën dixhitale, i ka zëvendësuar në masë kontaktet fizike. Përqindja e adoleshentëve amerikanë që takohen personalisht me miqtë më pak se një herë në muaj ishte 3 për qind midis viteve 1990 dhe vitit 2010.

Por ajo mbërriti në 10 për qind në vitin 2019, ndërkohë që pjesa e atyre që thonë se janë “vazhdimisht online”  ka arritur tani 46 për qind. Disa e kundërshtojnë pretendimin se aplikacionet po e zëvendësojnë jetën reale. Tek e fundit, njerëzit që janë më të ngarkuar në Instagram, janë shpesh më të zënë edhe në botën reale.

Por këtij argumenti i mungon një dinamikë kryesore:këto tendenca veprojnë në nivel brezash dhe jo individual. Ndërsa është shtuar koha e qëndrimit para ekraneve dixhitalë, të gjithë rrinë më pak me njëri-tjetrin fizikisht. Por e habitshme është edhe dinamika në nivel individual.

Studimet tregojnë se sa më shumë kohë që kalojnë adoleshentët në rrjetet sociale, aq më i dobët është shëndeti i tyre mendor. Problemi është më i theksuar për vajzat, të cilat kalojnë gjithashtu shumë më tepër kohë në mediat sociale sesa djemtë, duke shpjeguar edhe përkeqësimin më të madh të shëndetit mendor të vajzave sesa djemve.

Të dhënat tregojnë se vajzat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj mediave sociale, me një kohë më të gjatë kaluar para ekranit që lidhet me ndikime psikologjike negative, përfshirë vetëdëmtimin. Është një histori e ngjashme me normat më të larta të depresionit tek adoleshentët liberalë sesa ata konservatorë. Në rast se dyshoni se fëmijët liberalë janë më në depresion për shkak të rritjes në një kulturë që vlerëson shqetësimin për padrejtësitë, unë do t’ju këshilloja të bëni shumë kujdes.

Së pari, hulumtimi i Tuenge tregon një shpjegim më të mundshëm:të rinjtë liberalë kalojnë më shumë kohë në internet sesa konservatorët. Së dyti, ne shohim të njëjtin prirje në rritje midis konservatorëve. Disa thonë se sot shoqëria është më e hapur për diskutimin e shëndetit mendor, ndaj ajo që po shohim është vetëm një rritje në raportim dhe jo prevalencë.

Por adoleshentët britanikë që kalojnë 5 ose më shumë orë në ditë në mediat sociale janë 2-3 më të rrezikuar nga vetëdëmtimi sesa bashkëmoshatarët e tyre që kalojnë më pak orë në internet. Një histori e ngjashme është në SHBA me idetë vetëvrasëse të të rinjve.

Të tjerë theksojnë se korrelacioni nuk është një shkakësi. Kjo është e vërtetë, por tani kemi një numër në rritje kërkimesh që tregojnë se reduktimi i kohës në mediat sociale e përmirëson shëndetin mendor. Atëherë çfarë mund të bëjmë? Përgjigja më e zakonshme është “edukimi i fëmijëve dhe prindërve”.

Por siç e tregojnë rastet e obezitetit dhe të pirjes së duhanit, fushatat e informimit publik janë dukshëm joefektive përballë varësisë nga bota virtuale. Një alternativë tjetër do të ishte ndërtimi i një fushate mbi provat, sipas të cilave kur njerëzit inkurajohen të kenë një shkëputje të gjatë nga mediat sociale, disa prej tyre shkëputen përgjithmonë.

Dhe pastaj janë rregulloret. Pse të mos rritet kufiri i moshës mbi aplikacionet e rrjeteve sociale dhe të ndëshkohen kompanitë që nuk i zbatojnë ato? Gjithsesi unë nuk jam shumë optimist. Lufta kundër obezitetit ka qenë kaq e vështirë, pikërisht sepse nuk mund t’i ndalosh dot njerëzit të hanë ushqim.

Ndërsa lufta ndaj varësisë nga mediat sociale është e vështirë, sepse nuk mund t‘i ndalosh njerëzit të përdorin telefonat inteligjentë dhe aplikacionet e tyre. Derisa dikush të shpikë ekuivalentin e një ilaçi për rënie në peshe për Instagram, e ardhmja duket e zymtë. / “Financial Times” – Bota.al

Continue Reading

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara