Teknologji

Teknologjia në Ukrainë përballë sfidave të luftës

Shumë kompani teknologjike po zhvendosen në perëndim të vendit, duke i ikur pushtimit rus, tha Veselovskyi.

Published

on

Pak më shumë se një javë më parë, Polina Boichuk ishte e zënë duke ndihmuar në organizimin e një ceremonie çmimesh teknologjike në Ukrainë – por jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

“Është e tmerrshme. Kjo nuk mund të ndodhë. Unë, familja ime, miqtë e mi po qëndrojmë në bodrume anembanë vendit”, tha ajo.

Kompania e konsulencës, Truman, kishte planifikuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për në muajin prill dhe kishte ftuar media nga e gjithë bota. Tani, kompanitë e teknologjisë kanë një prioritet të ri, si të ndihmojnë përpjekjet e luftës.

“Ne nuk mendojmë për konferencat e teknologjisë, por vetëm për sigurinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Të gjitha kompanitë e teknologjisë dhe bizneset fillestare që u nominuan për projektin tonë po luftojnë tani në frontin kibernetik”, tha Boichuk.

Nëpërmjet një videolidhje në Google Meet, Stepan Veselovskyi, shefi ekzekutiv i Lviv IT Cluster, një komunitet teknologjik që bashkon gati 200 kompani në Ukrainën perëndimore, tregoi se zyra e tij tani është plot me furnizime kryesore si ilaçe, ushqim dhe shtretër.

“Para luftës ne kishim një organizatë biznesi – por tani jemi shndërruar në një organizatë vullnetare. Të gjithë janë tani vullnetarë. Kushdo që ka makinë po furnizohet me mallra në qytete tjera, pavarësisht rrezikut”, tha ai.

Shumë kompani teknologjike po zhvendosen në perëndim të vendit, duke i ikur pushtimit rus, tha Veselovskyi. Ai tha se është shumë e domosdoshme për kompanitë të vazhdojnë të ofrojnë shërbime. Veselovskyi po punon gjithashtu me 200 ekspertë të sigurisë kibernetike.

Me një skenë teknologjike të zhvilluar, Ukraina po bëhej shpejt një qendër kryesore në Evropën Lindore dhe vitin e kaluar regjistroi “dekacorns” e saj të parë si start up me vlerë mbi 10 miliardë dollarë (7.5 miliardë futa). Tani, shumë njerëz janë fokusuar në mbledhjen e fondeve për ushtrinë.

Start up-i me bazë në Ukrainë, Adwisely ka hapur një faqe interneti që tregon se si të dhuroni fonde për ushtrinë ukrainase. Aplikacioni celular Diia po u mundëson ukrainasve të dhurojnë grante qeveritare për vaksinat COVID-19 për ushtrinë dhe miliona dollarë janë dhuruar./UBTNews/

Teknologji

Ndërprerje e madhe globale prek Google, Snapchat, Canva e dhjetëra platforma tjera

Published

on

Disa nga aplikacionet e faqet më të mëdha në botë, përfshirë Amazon, Google, Snapchat, Roblox, dhe Canva u goditën nga një ndërprerje teknologjike të hënën në mëngjes, duke shkaktuar probleme për miliona përdorues anembanë botës.

Sipas faqes së monitorimit Down Detector, problemet nisën rreth orës 09:00 të mëngjesit (CET) dhe u përhapën shpejt në platforma të shumta që mbështeten në Amazon Web Services (AWS) – një nga ofruesit më të mëdhenj të infrastrukturës cloud në botë.

Shkaku i ndërprerjes

AWS, që u ofron kompanive akses në serverë, ruajtje dhe baza të dhënash pa nevojën e ndërtimit të infrastrukturës së tyre fizike, raportoi se deri në orën 12:35 pasdite (CET) problemi ishte “zbutur plotësisht” dhe se shumica e shërbimeve ishin në proces rikuperimi.

Ndërprerja preku një gamë të gjerë faqesh dhe aplikacionesh, nga lojërat online deri te shërbimet qeveritare dhe financiare.

Platformat e prekura

Sipas Down Detector, ndër platformat e goditura ishin: Snapchat, Slack, Signal, Tinder, Ring, Roblox, Clash Royale, Life360, MyFitnessPal, Xero, Canva, Amazon, Amazon Web Services, Amazon Music, Prime Video, Clash of Clans, Fortnite, Wordle, Duolingo, Coinbase, HMRC, Vodafone, PlayStation dhe Pokémon Go.

Po ashtu, ndërprerja ndikoi edhe tek ofruesit francezë të telekomunikacionit SFR dhe Free, si dhe tek autoriteti tatimor britanik HMRC.

Platforma e kriptomonedhave Coinbase siguroi klientët e saj se “të gjitha fondet janë të sigurta”, pavarësisht problemeve të aksesit.

Ndikim global dhe në transportin ajror

Gazeta The New York Times raportoi se ndërprerja preku edhe udhëtimet ajrore në SHBA, me vonesa të gjata në sportelet e regjistrimit në Aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut, pasi disa kioska dhe sisteme digjitale dolën jashtë funksionit.

Disa orë pas incidentit, Down Detector vuri re një ulje të ndjeshme të raportimeve për probleme, duke treguar se shumica e shërbimeve ishin rikthyer në normalitet. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Kina akuzon SHBA-në për sulm kibernetik

Published

on

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për infiltrim në Qendrën Kombëtare të Kohës, duke paralajmëruar se këto shkelje mund të ndikojnë në rrjetet e komunikimit, sistemet financiare, furnizimin me energji elektrike dhe orarin standard ndërkombëtar, raporton Reuters.

Në një deklaratë të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës, thuhet se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) e SHBA-së ka kryer një operacion sulmi kibernetik ndaj kësaj qendre për një periudhë të gjatë.

Ministria thekson se ka zbuluar prova lidhur me të dhënat dhe kredencialet e vjedhura, të cilat datojnë nga viti 2022 dhe u përdorën për spiunimin e pajisjeve mobile dhe sistemeve të rrjetit të punonjësve të qendrës.

Po ashtu, u bë e ditur se agjencia amerikane kishte shfrytëzuar një dobësi në shërbimin e mesazheve të një marke të huaj telefonash inteligjentë për të pasur qasje në pajisjet e stafit në vitin 2022, pa u përmendur emri i markës.

Qendra Kombëtare e Kohës është një institut kërkimor nën Akademinë e Shkencave të Kinës, e cila krijon, mirëmban dhe po ashtu transmeton orarin standard të vendit.

Hetimi i ministrisë ka zbuluar gjithashtu se SHBA-ja ka kryer sulme ndaj sistemeve të brendshme të rrjetit të qendrës, duke theksuar seriozitetin e këtyre sulmeve kibernetike. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Teknologji

Studim i ri: ChatGPT jep përgjigje më të sakta kur përdoruesit janë më pak të sjellshëm

Published

on

Një studim i ri nga Universiteti Penn State ka zbuluar një rezultat befasues: ChatGPT performon më mirë kur përdoruesit nuk përdorin fraza të sjellshme si “të lutem” dhe “faleminderit”.

Sipas analizës së kryer me 250 pyetje testuese, kërkesat me ton më të drejtpërdrejtë arritën saktësi prej 84.8%, ndërsa ato të formuluara në mënyrë më të sjellshme arritën vetëm 80.8%.

Studiuesit shpjegojnë se fjalët e tepërta dhe strukturat e ndërlikuara që shoqërojnë pyetjet e sjellshme mund të shtojnë konfuzion, duke e bërë më të vështirë për inteligjencën artificiale të kuptojë qëllimin e saktë të përdoruesit.

Në të kundërt, komandat e qarta dhe të drejtpërdrejta si “Më jep përgjigjen” e bëjnë kërkesën më të kuptueshme për sistemin.

Ironikisht, toni që mund të tingëllojë i ashpër për njerëzit, ndihmon që makinat të kuptojnë më qartë se çfarë kërkohet prej tyre.

Pra, a është ide e mirë të jesh i pasjellshëm me AI? Studiuesit thonë se nuk ka nevojë të jesh i vrazhdë, por qartësia dhe shkurtësia janë çelësi për të marrë përgjigje më të sakta dhe efikase. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Apple heq aplikacionin ICEBlock pas shqetësimeve për sigurinë e agjentëve

Published

on

Apple ka hequr nga App Store aplikacionin ICEBlock, i cili lejonte përdoruesit të shënonin në hartë vendndodhjet ku kishin parë agjentë të Shërbimit për Imigracion (ICE).

Gjithashtu, janë larguar edhe aplikacione të tjera me funksion të ngjashëm.

Sipas raportimeve të Fox Business, prokurorja e shtetit Pam Bondi kërkoi heqjen e këtyre aplikacioneve, duke theksuar se “janë krijuar për të vënë në rrezik agjentët e ICE, vetëm sepse po bëjnë punën e tyre.”

Apple deklaroi se App Store është krijuar për të qenë një vend i sigurt dhe i besueshëm për të zbuluar aplikacione.

Bazuar në informacionet e marrë nga autoritetet ligjzbatuese mbi rreziqet që paraqiste ICEBlock, kompania vendosi të heqë aplikacionin dhe të ngjashmit me të, sipas Engadget.

Kërkesa për heqjen e aplikacioneve erdhi pas raportimeve se një sulmues në Dallas, i cili hapi zjarr ndaj një objekti të ICE, kishte përdorur aplikacione për gjurmim – përfshirë ICEBlock – për të qëlluar nga çatia.

Sulmuesi vrau dy emigrantë dhe plagosi një të tretë, edhe pse synimi i tij ishin agjentët e ICE.

Zhvilluesi i aplikacionit, Joshua Aron, i tha Fox Business se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga vendimi i Apple.

ICEBlock kishte arritur majat e listave të App Storepas kritikave nga zyrtarët e administratës, që rritën popullaritetin e aplikacionit.

Zyrtarët paralajmëruan Aronin se po e ndiqnin, e këshilluan të ishte i kujdesshëm, pasi aplikacioni rrezikonte jetët e oficerëve të rendit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara