Lajmet

Të zgjohesh në luftë: Disidentët rusë kujtojnë “tmerrin” e pushtimit të Ukrainës

“Ishte si një rrufe në qiell të pastër. Ashtu u ndjeva… 24 shkurti ishte si një rrufe…”

Published

on

Pushtimi masiv dhe i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia ishte tronditje e madhe për shumë rusë.

“Sigurisht, më kujtohet”, thotë Ivan Koretnikov, një artist 84-vjeçar nga qyteti Perm, për ditën kur nisi sulmi një vit më parë.

“Ishte si një rrufe në qiell të pastër. Ashtu u ndjeva… 24 shkurti ishte si një rrufe. Deri në minutën e fundit, refuzoja ta besoja”, thotë ai.

Edhe pse shumica dërrmuese e rusëve e ka mbështetur – qoftë në mënyrë pasive, qoftë në mënyrë aktive – luftën në Ukrainë, mijëra të tjerë janë tmerruar nga vendimi i presidentit të tyre, Vladimir Putin, për të pushtuar fqinjin jugor.

“Jam çmendur”

Një grua që ka protestuar kundër luftës në korrik, u ka bërë thirrje edhe bashkëqytetarëve të saj të ngrihen, duke i paralajmëruar se “heshtja e tyre për atë që ndodh në Ukrainë, vret njerëz”.

“Unë, thjesht, jam tronditur”, kujton Polina Mukhacheva, një e sapodiplomuar në shkollën juridike në qytetin e Kirovit, rreth 900 kilometra në verilindje të Moskës.

“Fillimisht kam menduar se do të nënkuptonte paqëndrueshmëri financiare dhe kjo më ka frikësuar më shumë. Por, më pas, e kam kuptuar se kjo është një luftë e vërtetë, se njerëzit po vriten, dhe jam çmendur”, kujton Mukhacheva për portalin Idel.Realities të Radios Evropa e Lirë.

“Ditët e ardhshme i kam kaluar si në mjegull”, thotë ajo.

Ilmira Rakhmutullina, koreografe në kryeqytetin e Bashkortostanit, Ufa, ka rrëfim të ngjashëm.

“Unë dhe motra ime nuk kemi fjetur fare natën e 23-24 shkurtit”, thotë ajo.

“Kemi qenë aq të shqetësuara saqë, thjesht, nuk kemi mundur të flemë. Jemi tronditur dhe tmerruar nga ajo që po ndodhte”, thotë Rakhmutullina.

Në Samara, rreth 450 kilometra në jugperëndim të Ufës, aktivisti Vladimir Avdonin thotë se bota e tij është transformuar.

“Lajmet për luftën më kanë zënë në befasi”, thotë ai.

“Fillimisht jam tronditur. Por, shpejt, kam arritur në përfundimin se duhet të veproj… se të gjithë ne, qytetarët e Rusisë, mbajmë përgjegjësi për atë që është duke ndodhur. Pikërisht atë ditë jam përgatitur të mbaj një protestë individuale”, thotë Avdonin.

Në Rusi, protestat me një person janë teknikisht të ligjshme, megjithëse njerëzit që i bëjnë ato, ndalohen rregullisht, dhe shpesh përballen me akuza të tilla si “mosbindje ndaj oficerit të policisë” ose “rezistencë ndaj arrestimit”.

“Nëse nuk bën asgjë dhe hesht, bëhesh ndihmës i një krimi”, thotë Avdonin.

“Nuk e kam ndërmend të bëhem ndihmës i krimeve të Putinit”, shton ai.

“Diskutimet politike do të na shkatërrojnë familjen”

Pasojat e luftës në Ukrainë janë duke ndarë familje në gjithë Rusinë.

Banorja e Kirovit, Mukhacheva – e cila është arrestuar në prill të vitit të kaluar për vendosjen e një fjongoje jeshile në flokët e saj, në kohën kur disidentët kundër luftës po përdornin ngjyrën e gjelbër si simbol të paqes – thotë se prindërit e saj i kanë kërkuar të mos shprehë kundërshtime ndaj luftës.

“Ata mendojnë se është më mirë të ulen në heshtje dhe, siç thonë, të mos tërheqin vëmendjen. Më së shumti që bëjnë, është të flasin mes vete në kuzhinë”, thotë Mukhacheva.

“Nëna ime është pak a shumë neutrale, por babai im është për luftën, ndërsa unë dhe gjyshja jemi kundër”, thotë ajo.

“Askush nuk mund t’ia ndryshojë mendjen askujt. Mamaja është e shqetësuar seriozisht se diskutimet politike do të na shkatërrojnë familjen, ndaj përpiqet të heshtë dhe t’i shmangë konfliktet”, shton Mukhacheva.

Disidenti kundër luftës, Iskander Gabrakhmanov, nga kryeqyteti i Tatarstanit, Kazan, rrëfen një përvojë të ngjashme.

“Nëna ime… as nuk e dënon dhe as nuk e mbështet atë që është duke ndodhur”, thotë ai.

“Por, babai im do që ta rikthejë Bashkimin Sovjetik. Ky është vendi ku ai është rritur, ku ka kaluar rininë e tij dhe, kështu, mendon se është koha e duhur. Unë e kuptoj mendimin e tij, por në thelb nuk jam dakord”, thotë Gabrakhmanov.

“Një kalimtar ka thirrur policinë”

Yelena Baibekova ka qenë mësuese e matematikës në qytetin jugor të Astrakhanit, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Ajo ka pasur telashe me ligjin kur ka dëgjuar lajmin, pasi ka mbajtur një protestë individuale kundër luftës në një shesh qendror të qytetit, më 22 shkurt.

“Unë kam qëndruar pranë një qendre tregtare me një tabelë që lexonte: Putin = Luftë = Krizë = Degradim = Armiqësi ndërkombëtare”, kujton Baibekova.

“Një kalimtar është zemëruar dhe ka thirrur policinë, kështu që jam zhvendosur në një rrugë tjetër”, thotë ajo.

Policia është shfaqur në shtëpinë e saj dy ditë më vonë dhe e ka arrestuar, sepse një fqinj ka raportuar një peshqir me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, të varur në ballkonin e saj.

“Seanca ime gjyqësore ka zgjatur tre minuta”, kujton Baibekova, duke shtuar se është dënuar me pesë ditë burgim.

“Më pas, më kanë hedhur në një qeli me disa alkoolistë që kanë pirë duhan vazhdimisht”, thotë ajo.

Kur është liruar, drejtori i shkollës i ka shqiptuar masë disiplinore për mungesë në punë, ndërsa në prill është pushuar nga puna.

“Kur kam qenë në paraburgim, disa mësues më kanë shkruar për të më mbështetur plotësisht, por nuk kanë mundur të veprojnë si unë”, thotë Baibekova. “Kemi qenë vetëm dy nga një grup prej 56 personash”, thotë ajo.

“Heshtja e tyre do të vrasë njerëz”

Në javët e para pas pushtimit, më shumë se 13.000 rusë janë arrestuar për protesta kundër luftës, ka bërë të ditur OVD-Info, organizatë që monitoron represionin në Rusi.

Qeveria ka miratuar shpejt ligje që kriminalizojnë disidencën kundër luftës, në të gjitha format.

Me gjithë valën e re të protestave pasi Putini ka urdhëruar mobilizimin ushtarak në shtator, në Rusi nuk është forcuar ndonjë lëvizje e konsiderueshme publike kundër luftës.

Disidentja kundër luftës në Ufa, Rakhmatullina, ka protestuar katër herë në javët e para pas nisjes së pushtimit.

“Gjëja kryesore është se njerëzit nuk duhet të mësohen me atë që është duke ndodhur në Ukrainë. Ata nuk duhet të mësohen me ndjenjën e pafuqisë”, thotë ajo.

“Nuk mund të mësohen, sepse nëse e bëjnë këtë, heshtja e tyre për atë që është duke ndodhur në Ukrainë, do të vrasë njerëz – vërtet ose në mënyrë metaforike”, thotë Rakhmatullina.

“I pranoj rreziqet”

Lyaisan Sultangareyeva, 25 vjeçe, banore e qytetit të vogël të Bashkortostanit, Tuimazi, është gjobitur vazhdimisht për protestat e saj kundër luftës.

“Kam protestuar sepse nuk kam mundur të hesht. Nuk kam mundur të qëndroj mënjanë dhe të shikoj. Nuk e njoh asnjë person në Tuimazi që ka protestuar hapur kundër luftës”, thotë Sultangareyeva.

“Sigurisht që kam frikë të shkoj në burg. Po bëj gjithçka që mundem për ta shmangur këtë. Por, jam e përgatitur psikikisht për këtë… E di që do ta shkatërrojë jetën time dhe të të afërmve të mi, por mendoj se, ndoshta, nuk ka rrugë tjetër. Unë i pranoj rreziqet”, shton ajo.

Sultangareyeva mbetet në Rusi, ashtu si edhe disidentët e tjerë: Mukhacheva, Avdonin, Koretnikov dhe Gabdrakhmanov.

Mësuesja e shkarkuar e matematikës, Yelena Baibekova, është larguar nga Rusia disa muaj pas nisjes së pushtimit dhe ka aplikuar për azil politik në Gjermani.

Ilmira Rakhmatullina dhe motra e saj janë larguar nga Rusia për në Armeni./REL

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara