Lajmet

​Të paktën 20 të vrarë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës

Published

on

Të paktën 20 palestinezë u vranë nga sulmi i ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Burime mjekësore për Anadolu thanë se sulmet izraelite shënjestruan shtëpitë dhe tendat e civilëve që strehonin palestinezët e zhvendosur në enklavë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Izraeli ka vrarë më shumë se 62.700 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Continue Reading

Rajoni

Ministrja “Diella” bëhet temë edhe në CNN

Published

on

By

Aktorja e njohur shqiptare Anila Bisha ka nisur veprime ligjore kundër qeverisë së Shqipërisë, duke kërkuar që fytyra dhe zëri i saj të hiqen nga ministrja virtuale e inteligjencës artificiale, “Diella”.
Bisha tha se nuk ishte e informuar për përdorimin e identitetit të saj për këtë projekt dhe e konsideron atë si një shkelje të të dhënave personale, si dhe një përdorim të paautorizuar të identitetit të saj për qëllime politike.
Për këtë arsye, aktorja ka depozituar një masë të përkohshme në gjykatën administrative dhe përfaqësuesit e saj planifikojnë të paraqesin një padi formale për dëme dhe kompensim.
“Diella”, e prezantuar vitin e kaluar nga Kryeministri Edi Rama, u promovua si ministrja e parë AI në botë, e cila synon të sigurojë që tenderat publikë të përpunohen pa korrupsion. Ministrja virtuale njihet për veshjen tradicionale shqiptare dhe përgjigjet e saj të shkurtra dhe të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve qeveritarë.
Qeveria shqiptare nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për këtë çështje, ndërsa Bisha thotë se ndihet e detyruar të ndërmarrë veprime ligjore pasi kërkesat e saj për një takim dhe diskutim mbi përdorimin e imazhit nuk morën përgjigje, shkruan CNN.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mësuesi nga Nishi ndëshkohet pasi mbulon grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

Published

on

By

Njëzet e pesë euro – kjo është gjoba që aktivisti opozitar dhe mësuesi pagoi, pasi “pa leje” e kishte mbuluar grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ndodhet në oborrin e një shkolle fillore në juglindje të Serbisë, ku ai është i punësuar.

Partia në pushtet në Serbi, Partia Progresive Serbe (SNS), e dënoi këtë veprim dhe i cilësoi aktivistët e Frontit të Gjelbër të Majtë (ZLF) nga Nishi, të cilët morën pjesë në largimin e grafitit, si “auto-shovinistë”.

Slogani nacionalist “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shkruar në mbarë Serbinë, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile i kanë larguar këto slogane edhe në vitet paraprake, duke argumentuar se një mesazh i tillë përhap jotolerancë dhe nxit konflikte.

Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila u ndërmor për shkak të krimeve të luftës që forcat serbe kishin kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Kallëzim anonim

“Ky grafit bën thirrje për luftë dhe konflikte. Ky mesazh na kthen në vitet ’90, në një kohë kur Serbia po humbte jetë të reja dhe territore”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Dejan Petroviq, 54 vjeç, mësues në shkollën e Nishit “Uçitel Tasa”.

Petroviq shton se grafiti në fjalë është shkruar në oborrin e shkollës disa vite më parë dhe se ai, në disa raste, i ka sugjeruar drejtoreshës së shkollës se një mesazh i tillë nuk është i përshtatshëm dhe duhet të hiqet, por autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar.

“Në një moment i thashë drejtoreshës se, nëse ajo nuk është në gjendje të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë, unë do ta bëja vetë me shpenzimet e mia. Ajo nuk më ndaloi, por vetëm heshti. Unë e kuptova këtë si një shenjë miratimi”, thotë Petroviq.

Së bashku me kolegun e tij Rastisllav Diniq nga Fronti i Majtë i Gjelbër, të cilit i përket, Dejan Petroviq gjatë fundjavës që shkoi ai ngjyroi me ngjyrë të bardhë murin ku ishte shkruar grafiti.

Disa ditë më vonë, në shkollë erdhën punonjës komunalë të policisë dhe i thanë të shkonte në qendrën në Nishit të këtij shërbimi, ku do t’i dorëzohej një kallëzim penal.

“Mu thanë se personi që kishte dorëzuar kallëzimin ishte një qytetar anonim që kishte bërë denoncimin se unë kisha pikturuar pa miratimin e drejtoreshës”, shprehet ai.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë drejtoreshën e Shkollës Fillore “Uçitel Tasa”, Radmilla Kërstiq, por ajo nuk ishte e disponueshme për bisedë dhe nuk iu përgjigj as mesazheve SMS që iu dërguan.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe policisë komunale të Nishit me pyetjen se sa kallëzime penale për të njëjtin veprim janë dorëzuar gjatë vitit 2025, si dhe nëse grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” trajtohen si përhapje e urrejtjes, diskriminimi dhe thirrje për konflikte, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Për heqjen e grafiteve nga hapësirat publike përgjegjëse janë shërbimet komunale të pushtetit lokal në Serbi, ndërsa për fasadat e objekteve private përgjegjës janë pronarët e tyre.

Çfarë thonë nga partia në pushtet në Serbi?

Në Partinë Progresive Serbe kanë dënuar veprimin e aktivistëve nga Nishi, të Frontit të Majtë të Gjelbër.

Kreu i partisë në pushtet dhe ish-kryeministri Millosh Vuçeviq, tha se bëhet fjalë për një veprim “skandaloz” të njerëzve që “garojnë në auto-shovinizëm”.

“Urrejnë gjithçka që është serbe, urrejnë ushtrinë tonë dhe Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçeviq përmes një video-mesazhi të publikuar në X.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, duke përfunduar kështu luftën dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë.

Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh.

Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë janë dënuar zyrtarë të lartë serbë.

A është shkelur Ligji për arsimin në Serbi?

Për rastin e heqjes së grafitit nga oborri i shkollës, është shprehur Komiteti i SNS-së në Nish që ka akuzuar Frontin e Majtë të Gjelbër se ka shkelur Ligjin mbi bazat e sistemit arsimor dhe edukativ, i cili ndalon veprimtarinë politike partiake në institucionet arsimore.

“I bëj thirrje organeve që të reagojnë ndaj këtij shkeljeje të ligjit, dhe po u bëj thirrje edhe organizatave të tyre punuese që të reagojnë, sepse është e papranueshme që mësuesit dhe punonjësit e arsimit të marrin pjesë në një veprim politik partiak”, ka theksuar kreu i grupit të këshilltarëve komunalë në Nish të SNS-së, Urosh Radulloviq.

Mësuesi Dejan Petroviq mohon se ka shkelur ligjin dhe thekson se SNS-ja po përpiqet të frikësojë të gjithë ata që mund të guxonin të bënin të njëjtën gjë.

“Ne ishim në oborrin e shkollës, por gjatë fundjavës, kur nuk kishte nxënës dhe nuk zhvillohej mësim. Bëmë diçka që është në dobi jo vetëm të fëmijëve, por të gjithë komunitetit shkollor”, thotë Petroviq.

“Projekti shtetëror”

Grafitet të titulluara “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqën në mbarë Serbinë në fillim të vitit 2023. Mesazhin me simbole ushtarake, për disa ditë e shkruanin burra të panjohur në fasadat publike dhe private, si dhe në muret mbajtëse përgjatë autostradave.

Bëhet fjalë për një varg nga ripërpunimi i një kënge popullore serbe. Siç ka konstatuar antropologu Ivan Çoloviq, vargu “kur ushtria të kthehet në Kosovë” nuk ekziston në formën origjinale të këngës të cilës i referohen ata që e shkruajnë këtë slogan. Ai shfaqet për herë të parë në vitin 2011 në librin “Kosova është koka e Lazarit” të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohij Radoviq.

Murale nuk janë të nënshkruara, por në një portal, i cili është paraqitur si portal jozyrtar informativ i tifozëve të Cervena Zvezdës, thuhet se ky varg është pikturuar në shumë vende në Beograd.

“Ky është një projekt shtetëror. Të tilla parulla mund të gjenden jo vetëm këtu në Nish, por edhe në qytete të tjera të Serbisë, në autostrada, në shumë vende publik”, vlerëson Dejan Petroviq.

Veprimet kundër aktivistëve

Për pikturimin e muraleve në ndërtesa banimi nevojitet miratimi i banorëve që jetojnë aty, dhe nëse objekti është i mbrojtur, kërkohet leja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë.

Aktivistë nga disa organizata të shoqërisë civile, përfshirë edhe shoqatën KROKODIL, në shkurt 2023 e mbuluan një nga këto murale në Sheshin Sllavia të Beogradit. Para se të përfundonin veprimin, në vendngjarje shkoi policia komunale, që shqiptoi gjoba për aktivistët.

Shumë shpejt, në të njëjtin vend u shfaq një mural me të njëjtin mesazh.

“Nëse guxoni të hiqni muralin ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, i vendosur ilegalisht në një hapësirë publike, është e garantuar se do të ketë reagim nga autoritetet nëse ju kapin, dhe edhe nga një numër qytetarësh që reagojnë shumë agresivisht. Kur ai mural rikthehet, kjo ndodh në mes të ditës, para syve të policisë dhe kalimtarëve”, thotë Vlladimir Arsenijeviq nga shoqata KROKODIL për REL-in.

Gjykata për kundërvajtje në Beograd ka dhënë disa vendime lirimi për aktivistët kundër të cilëve policia komunale kishte nisur procedime për muralin në Sllavia. Në dy vendime të veçanta nga korriku dhe nëntori i vitit 2024, gjykata ka vlerësuar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer shkelje.

Vlladimir Arsenijeviq thotë se këto vendime duhet të shërbejnë si inkurajim jo vetëm për aktivistët, por për të gjithë qytetarët.

“Nëse një grafit i vendosur ilegalisht, me çdo përmbajtje, shfaqet në fasadën e një ndërtesë, qytetarët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin ta heqin. Kjo është ajo që përpiqemi t’ua transmetojmë qytetarëve – nuk ekziston ndonjë shërbim që do të vijë ta heqë. Këtë duhet ta bëjmë ne vetë”, thotë ai.

Përveç grafiteve që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë në Kosovë, në hapësirën publike të Serbisë mund të shihen edhe murale që lartësojnë kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

Njëri nga më të njohurit u shfaq në rrugën Njegosheva në Beograd në fund të korrikut 2021, një muaj pas dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës së Sërpska në Hagë për krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

 

 

Continue Reading

Botë

REL:Rubio në prag të Konferencës së Mynihut: Bota ndodhet në një moment definues

Published

on

By

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbërritur në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) , duke thënë se bota ndodhet në një “moment definues”.

“Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Bota e vjetër ka ikur – sinqerisht, bota në të cilën u rrita – dhe ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë, dhe kjo do të kërkojë nga të gjithë ne që të rishqyrtojmë se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë,” tha Rubio në komentet para nisjes nga baza ajrore Andreës në Maryland.

Rubio tha se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më 14 shkurt, kur ai të arrijë, megjithëse nuk ishte “100 për qind” i sigurt se takimi do të ndodhë.

I pyetur për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë zhytur qindra mijëra njerëz në të ftohtë dhe errësirë gjatë dimrit, Rubio tha se kjo është arsyeja pse Uashingtoni po vazhdon përpjekjet e tij për paqe.

“Njerëzit po vuajnë. Është koha më e ftohtë e vitit. Është vuajtje e paimagjinueshme,” shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i tha Radios Evropa e Lirë se pret të flasë gjithashtu me Rubion.

“Ne do të jemi të interesuar [të vazhdojmë] kontaktet tona të rregullta në nivelet më të larta,” tha Sybiha, i cili mirëpriti vizitorë, përfshirë Ministrin e Jashtëm gjerman, Johann ëadephul, në një ekspozitë dronësh në “Shtëpinë e Ukrainës” në Mynih.

“Vetëm [presidenti amerikan Donald] Trump mund ta përfundojë luftën, vetëm pala amerikane,” i tha Sybiha REL-it.

Organizatorët e MSC-së thanë se ngjarja e këtij viti është më e madhja ndonjëherë, me më shumë se 1,000 delegatë, përfshirë rreth 50 krerë qeverish dhe diplomatë të lartë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjithashtu ka konfirmuar se është nisur për të marrë pjesë në konferencë më 13 shkurt, ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka anuluar pjesëmarrjen e saj “për shkak të “angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit”.

Konferenca e Mynihut po zhvillohet në një kohë trazirash globale, me mundësinë e sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj Iranit, me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia që po i afrohet përvjetorit të katërt dhe me tensione lidhur me të ardhmen e aleancës transatlantike të NATO-s.

Këto shqetësime të fundit u shfaqën në një aktivitet të vogël anësor në prag të konferencës, ku ish-presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso, tha: “ne duhet… të mbetemi atlantikë, por ta evropianizojmë NATO-n.”

Barroso bëri thirrje për pavarësi më të madhe evropiane në mbrojtje mes frikës se Uashingtoni po tërhiqej nga angazhimi, duke shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë Ukrainën do të forconte gjithashtu sigurinë e tij.

“Të jemi të sinqertë, ata nuk do të jenë anëtarë të NATO-s,” i tha Barroso REL-it. “Por anëtarë të Bashkimit Evropian – mendoj se mund të jenë. Pra, le të gjejmë një mënyrë.”

E pyetur se çfarë pret nga fjalimi i Rubios në konferencë më 14 shkurt dhe nga angazhimi i SHBA-së me evropianët, ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Toiu, u tha gazetarëve: “Shpresoj që delegacioni i SHBA-së… do të ritheksojë një mesazh të fortë mbështetjeje”.

“Dhe gjithashtu përtej fjalëve, përtej bisedave, mendoj se ajo që na duhet tani është veprim i përbashkët, burime të përbashkëta për qëndrueshmërinë, por edhe për procesin e paqes [në Ukrainë].”

Toiu shtoi se “ndërtimi ose rindërtimi i besimit në partneritetin transatlantik është gjithashtu shumë i rëndësishëm për hapat e ardhshëm në procesin e paqes në Ukrainë.”

Kancelari gjerman Friedrich Merz do ta hapë zyrtarisht konferencën menjëherë pas drekës, duke vendosur tonin për diskutimet pasuese.

Në fjalimet e fundit, ai ka dyfishuar theksin në mesazhin se Evropa duhet të forcojë fuqinë e saj ushtarake përballë agresionit rus dhe pasigurisë mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj NATO-s.

Evropa do të dëgjohej vetëm “kur të mësojmë gjuhën e politikës së fuqisë, kur të bëhemi vetë një fuqi evropiane,” tha ai në janar.

Gjendja mbizotëruese këtu pasqyrohet edhe në titujt e diskutimeve të ndryshme të planifikuara. Dita fillon me një mëngjes lutjeje të titulluar “Ndërtimi i Urave në një Botë të Tensionuar”, i ndjekur nga një panel diskutimi i quajtur “Rregulla pa Fuqi? Zhvillimi i Kapacitetit Gjeostrategjik të Evropës”.

Diskutimi në skenën kryesore pasdite quhet “Pikë Thyerjeje: Rendi Ndërkombëtar mes Reformës dhe Shkatërrimit.”

Gjatë rrugës për në Mynih, Rubio shprehu besim se mesazhi i tij për evropianët e shqetësuar do të “pritej mirë.” Ai shoqërohet nga një grup i madh dypartiak senatorësh amerikanë, të cilët kanë njoftuar takime me Zelenskyy-n, shefin e NATO-s Mark Rutte dhe të tjerë.

Në një deklaratë, anëtarja kryesore e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Jeanne Shaheen, tha se do ta përdorë këtë udhëtim për të “forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe për t’u bërë thirrje kolegëve të saj në Kongres që të miratojnë legjislacion dypartiak për sanksione për të mbajtur Rusinë dhe mbështetësit e saj përgjegjës.”

 

Continue Reading

Lajmet

Atentati me dy të vrarë në Rinas, çështja i kalon SPAK

Published

on

By

Prokuroria e Tiranës i ka kaluar për kompetencë SPAK hetimet mbi atentatin që ndodhi në rreth-rrotullimin e Rinasit, ku humbën jetën dy persona, për shkak të dyshimeve se ngjarja lidhet me një grup të strukturuar kriminal.

Pas verifikimeve, Prokuroria e Tiranës arriti në përfundimin se organi më i përshtatshëm për të hetuar ngjarjen është struktura e posaçme kundër krimit të organizuar.

Në atentatin që ndodhi mesditën e së kaluarës, humbën jetën Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe Muçi Shaljani, alias Sheqeri, agjent i AMP, njofton Euronews

Continue Reading

Të kërkuara