Lajmet

Të gjitha masat antiCOVID që hyjnë sot në fuqi

Qeveria e Kosovës ditë më parë mori vendim për masa të reja antiCOVID-19.

Published

on

Ndër masat që pritet të hyjnë sot në fuqi është, fillimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës. Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi do të mbahet në dy grupe. Institucionet do të punojnë me kapacitetet të plota, personeli duhet të ofrojë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse. Kufizimi i lëvizjes mbetet i njëjti, nga ora 22:00-05:00h.

Më poshtë sjellim gjitha masat që do të hyjnë sot në fuqi:

Masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial]

1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19;

2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

3. Nga data 13 tetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri 2.4.

4. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

5. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen: 5.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

5.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19; 5.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

5.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

5.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

5.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare.

C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]

6. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.

7. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4

8. Nga data 13 tetor 2021, punonjësit/personeli sipas pikës 6, duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri 2.4.

Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

10. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.

11. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

12. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:

12.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;

12.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;

12.3 Gjatë ngrënies apo pijes.

13. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

14. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 13.

D. [Kufizimi i qarkullimit]

15. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:

15.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);

15.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;

15.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

15.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit; 15.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 17, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.

16. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 15 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

17. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.

Dh. [Institucionet e arsimit]

18. Procesi mësimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor vazhdon në mënyrë të rregullt.

19. Procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar zhvillohet sipas skenarëve përkatës të përcaktuar në udhëzuesin për institucionet e arsimit, mirëpo parakusht për mësimin me prani fizike është prania e jo më shumë se 20 nxënësve për klasë. Nëse në një klasë janë më shumë se 20 nxënës, mund të punohet me skenarin A (me klasë të përgjysmuar) ose me skenarin B (mësim i kombinuar, ku një pjesë e nxënësve e ndjekin mësimin në distancë. Përzgjedhja e nxënësve që do ndjekin mësimin në distancë (online) bëhet me rotacion çdo javë.

20. Procesi mësimor në institucionet publike dhe private universitare zhvillohet sipas udhëzuesit përkatës, me kusht që numri i personave të lejuar në një klasë mundëson në mënyrë rigoroze mbajtjen e distancës prej 1.5 metra në mes të personave.

21. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

22. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4., në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.

23. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.

24. Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni sipas pikës 18, 19 dhe 20, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

25. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

26. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..

F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

27. Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në njëzet (20) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Obligohet që pjesëmarrësit të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse.

27.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej 1.5 metrash në mes të personave.

28. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon numrin prej njëzet (20) persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.

29. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

30. Pavarësisht pikës 27 dhe 29, për koncerte dhe festivale vlen pika 33. 31. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.

32. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.

G. [Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]

33. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Gj. [Gastronomia]

34. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

35. Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve.

36. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

37. Nga data 27 shator 2021, lejohet shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

38. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

39. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

39.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:

39.2 Ndërsa paguan porosinë;

39.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

39.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

40. Në rastet nga pika 39.1 deri 39.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.

41. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.

42. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

43. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

44. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metërshe.

45. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.

46. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak. 47. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

48. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]

49. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

50. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje

numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

51. Klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra të thirrjeve (call center) duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.

52. Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve (call center) është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

I. [Puna me palë]

53. Nga data 27 shtator 2021, në institucionet publike/private apo biznese, punonjësit/personeli i cili ka punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt. Obligohet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

54. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatorëve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.

J. [Transporti publik]

55. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë.

56. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

57. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.

K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]

58. Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej 1.5 metrash në mes të personave.

59. Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 58, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.

60. Në veprimtaritë sipas pikës 58, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

L. [Sporti dhe rekreacioni]

61. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

62. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.

63. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 10% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse.

64. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse.

65. Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura apo të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

66. Organizatorët e garës janë të obliguar të caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

67. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët dhe stafi, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi.

68. Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

69. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2.

70. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.

LL. [Banjat termale]

71. Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

M. [Tregjet dhe therja e kafshëve]

72. Tregjet publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve lejohet të zhvillojnë veprimtarinë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe vendosja e tezgave në distancë fizike prej të paktën 2 metra.

N. [Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 2.1 deri 2.4]

73. Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin e dëshmive sipas pikës 2.1 deri 2.4, bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe mbiemri i personit të autorizuar.

74. Prezantimi i dëshimeve të përmendura në pikat 2.1 deri 2.4, bëhet në një formë e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbahen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave.

75. Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë përmendura në pikat 2.1 deri 2.4, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

76. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

76.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

76.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

76.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve; 76.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;

76.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,

76.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;

76.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;

76.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor; 76.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

76.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;

77. Udhëzuesit nga pika 76 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

78. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.

O. [Zbatimi]

79. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente të komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

80. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave,

gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

81. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

82. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

83. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

84. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

P. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/35]

85. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/35, i datës 12.09.2021.

Q. [Hyrja në fuqi]

86. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. 

Vendi

United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi

Published

on

Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.

Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës

Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.

Shërbimet përfshijnë:

Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.

Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.

Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.

Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.

Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës

Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.

United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.

 

Kontakti për termine dhe informata:

UNITED HOSPITAL

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë

United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

lajme

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Të kërkuara