Botë
Talibanët mbyllin mediat e pavarura në Afganistan
Published
5 years agoon
By
UBT newsSkena lulëzuese mediatike në Afganistan, është konsideruar si një prej arritjeve më të mëdha në 20 vjetët e fundit, që prej se talibanët u rrëzuan nga pushteti më 2001.
Por, rikthimi i shpejt i talibanëve është duke u ndryshuar situatën, pasi ka filluar shtypja e lirisë së medias, në territoret që ky grup militant ka marrë nga forcat qeveritare në këto muajt e fundit.
Grupi militant ka mbyllur me forcë dhjetëra stacione lokale të radios, gazeta e televizione në qarqet që ka marrë nën kontroll, që prej se forcat e huaja ushtarake, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, nisën tërheqjen nga Afganistani më 1 maj.
Organizatat e tjera mediatike janë mbyllur nga frika e hakmarrjes së talibanëve dhe shumë gazetarë janë larguar nga shtëpitë e tyre ose po fshihen. Talibanët janë fajësuar për vrasjen e dhjetëra gazetarëve dhe punëtorëve të mediave në vitet e fundit.
Disa media, që janë lejuar të operojnë, janë detyruar që të transmetojnë propagandë të talibanëve. Këtyre mediave u është ndaluar të transmetojnë muzikë apo zërat e grave. Lajmet janë zëvendësuar me buletinet e miratuara nga talibanët, recitimet nga Kurani dhe predikimet islame.
“Të detyruar për të punuar për talibanët”
Radio Nawbahar Balkh, media komerciale me seli në Balkh, qark në provincën me të njëjtin emër, u mbyll muajin e kaluar, kur talibanët morën nën kontroll këtë zonë në veri të Afganistanit.
Shumica prej 18 punëtorëve të kësaj radioje, përfshirë edhe katër gra, u larguan ose u fshehën. Vetëm dy teknikë nuk ikën.
Brenda ditësh, kjo radio rinisi transmetimin. Por, kësaj radhe, ajo u mor nën udhëheqjen e talibanëve.
“Ata që qëndruan u detyruan të punojnë dhe të transmetojnë informacione për talibanët”, tha një ish-punëtor i kësaj radioje, që u largua në Mazar-eSharif, kryeqytetin e provincës.
Ish-punëtorët, të cilët folën në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë, thanë se kjo radio është shndërruar në një zëdhënëse të talibanëve.
“Talibanët e përdorin këtë radio për të shpërndarë propagandë kundër qeverisë”, tha një ish-punëtor. “Ata po ashtu transmetojnë predikime fetare. Muzika dhe emisionet argëtuese janë ndaluar”.
Në zonat e tjera, që janë marrë nën kontroll, talibanët kanë lejuar që të punojnë radio stacionet, por kanë vendosur kufizime mbi përmbajtjen që mund të transmetojnë.
Radio Sedaye Kokcha, një radio private në qarkun Jurm në provincën Badakshan, u ndalua që të transmetojë disa prej programeve të saj. Kryengritësit gjithashtu nuk kanë lejuar gratë që të punojnë.
“Ne aktualisht po transmetojmë programe për agrikulturë, shëndetësi dhe letërsi, por ne kemi censuruar programet muzikore”, tha Nasir Ahmad Akhgar, drejtor i kësaj radioje.
“Tani, vetëm burrat po punojnë në radio”, shtoi ai.
Të plaçkitur dhe të shkatërruar
Në shtatë vjetët e fundit, Radio Dehrawud ka transmetuar lajme dhe programe për çështje aktuale, por edhe për kulturë e programe argëtuese.
Por, kur muajin e kaluar militantët talibanë morën nën kontroll qarkun Dehrawud, në provincën jugore Uruzgan, kjo radio u mbyll.
“Fillimisht, talibanët nuk na lanë që të hyjmë në ndërtesën e radios”, tha Mohammad Omar Waziri, drejtor i Radio Dehrawud, i cili që atëherë u largua nga qarku.
“Më pas pajisjet u plaçkitën. Disa ditë më vonë radioja u shkatërrua”, tregoi ai.
Talibanët pretendojnë se kjo radio ishte plaçkitur para se grupi militant të merrte nën kontroll qarkun. Por, grupi për të drejtat e mediave, NAI ka kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se talibanët plaçkitën dhe shkatërruan këtë radio pasi morën nën kontroll qarkun Dehrawud.
Ehsanullah Wolesmal, menaxher i radios private në Tirin Kot, që gjendet në kryeqytetin e Uruzganit, tha se mediat kanë frikë se talibanët do ta marrin nën kontroll qytetin.
“Mediat në Tarin Kot do të shkatërrohen kur të vijnë talibanët”, tha ai. “Ne u bëjmë thirrje talibanëve të kuptojnë se radio stacionet private dhe lokale janë neutrale dhe nuk duhet të trajtohen në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Në zonat që kanë nën kontroll, talibanët gjithashtu kanë ndaluar përdorimin e telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale, për të parandaluar që njerëzit të kenë qasje në informacione të pavarura.
Disa afganë thonë se janë rrahur nga talibanët pasi kanë postuar komente kritike në rrjetin social Facebook. Anëtarët e grupeve të shoqërisë civile, në zonat e kontrolluara nga talibanët, janë kërcënuar dhe arrestuar.
Talibanët po ashtu kanë vrarë dhjetëra gazetarë dhe kanë shënjestruar dhjetëra media të pavarura që kanë raportuar në mënyrë kritike për ta. Të paktën 12 gazetarë afganë dhe punëtorë të mediave janë vrarë gjatë këtij viti, ku për vrasjen e shumicës së tyre janë fajësuar militantët talibanë.
Në maj, talibanët akuzuan mediat e pavarura për “propagandë të njëanshme” dhe kërcënuan gazetarët se do të kenë “pasoja”.
Disa media të mbyllura
Të paktën 35 media janë mbyllur që prej se talibanët nisën ofensivën e tyre ushtarake më 1 maj, ka thënë Ministria e Informacionit dhe Kulturës e Afganistanit. Ende nuk është e qartë se sa media janë mbyllur vetë ose janë detyruar nga talibanët që të mbyllen.
Gjashtë media të tjera private janë marrë nën kontrollin e talibanëve, tha ministria më 3 gusht.
Grupi NAI tha se të dhënat tregojnë se 51 media janë mbyllur që prej muajit prill: 44 radio stacione, pesë televizione, një qendër mediale dhe një agjenci e lajmeve.
Shumica e mediave të mbyllura ishin në provincat që kanë qenë cak i sulmeve të talibanëve, përfshirë edhe provincat jugore Kandahar dhe Helmand, por edhe në provincat veriore si Badakhshan, Takhar, Baghlan, Samangan, Balkh, Sar-e Pul, Jawzjan, Faryab, dhe Badghis.
Mbi 1.000 gazetarë dhe punonjës të mediave, përfshirë 150 gra, kanë humbur vendet e punës që prej prillit, ka thënë grupi NAI.
Që prej pushtimit më 2001, të udhëhequr nga SHBA-ja, që çoi në largimin nga pushteti të talibanëve, pas pesë vjet udhëheqjeje, skena mediale në Afganistan ka lulëzuar.
Afganistani tani vlerësohet se ka 170 radio, mbi 100 gazeta dhe dhjetëra stacione televizive.
Nën regjimin e talibanëve kishte vetëm një radio shtetërore, Zëri i Sheriatit të Talibanëve, ku kryesisht transmetoheshin lutjet dhe mësime fetare.
Talibanët rivendosin ligjet shtypëse
Shtypja e lirisë së medias nga talibanët vjen në kohën kur grupi ekstremist po rivendos shumë prej ligjeve shtypëse dhe po rikthen politikat që kishte pasur gjatë regjimit më 1996-2001.
Në kohën kur e kontrollonin Afganistanin, talibanët kishin detyruar gratë që të mbuloheshin, ua ndaluan atyre që të punojnë jashtë shtëpive të tyre, e kishin kufizuar edukimin e vajzave dhe u kishin kërkuar grave që të ishin të shoqëruara nga të afërmit burra nëse dilnin nga shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, burrave iu ishte ndaluar që të rruanin mjekrat. Ata po ashtu ishin detyruar që të luteshin pesë herë në ditë. Ndërkaq, dëgjimi i muzikës dhe shikimi i televizorit u bë i jashtëligjshëm.
Shumica e këtyre politikave tashmë janë rikthyer në zonat që tashmë janë nën kontrollin e talibanëve, thonë banorët. Kjo po ndodh pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të talibanëve se ky grup ka ndryshuar dhe se nuk do të risjellë strukturat shtypëse./REL
Aktualitet
Palestinezët në Bregun Perëndimor me frikë për jetën e fëmijëve të tyre edhe në shkollë
Published
5 hours agoon
September 18, 2026By
UBTNews
“Bassam al-Assaf” ka vendosur një gardh të gjatë me tela me gjemba rreth kompleksit dhe ka përforcuar portat e shkollës, në përpjekje për t’u ofruar qetësi prindërve. Tashmë, ekipet e ambulancave janë vendosur në rrugën jashtë shkollës, ndërsa disa prindër vullnetarisht po qëndrojnë jashtë shkollës gjatë gjithë ditës, si një veprim shtesë mbrojtjeje, raporton BBC.
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor palestinez, drejtori i shkollës së djemve në al-Mughayyir, “Bassam al-Assaf”, mbërriti në punë para agimit, duke kaluar pranë rrethimit të sapovendosur me tela me gjemba dhe portave të përforcuara të shkollës, ndërsa dielli fillonte të depërtonte mes ullinjve përreth fshatit, thellë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Jemi të frikësuar”, tha al-Assaf. “Nxënësit kanë frikë dhe prindërit e tyre kanë frikë”.
Gjashtë persona, përfshirë tre nxënës të kësaj shkolle, janë vrarë në al-Mughayyir këtë vit, në një valë dhune të lidhur me kolonët kundër palestinezëve. Njëri prej tyre, 14-vjeçari Aws al-Naasan, u qëllua për vdekje nga një kolon jashtë portave të shkollës në prill.
“Isha brenda klasës sime dhe dy nxënës të vegjël erdhën me vrap për të më thënë se kishte kolonë pranë murit të shkollës”, kujton mësuesi i anglishtes, Waheed Abu Naem, vëllai i të cilit, Jihad, u vra gjithashtu nga një ushtar izraelit në të njëjtin sulm.
Waheed tha se po përpiqej t’i zhvendoste nxënësit në një vend të sigurt brenda portës së shkollës, kur koloni qëlloi në drejtim të tyre. Pamjet e regjistruara me telefon tregojnë momentin kur Aws u qëllua.
“Kur e ktheva pashë shumë gjak që i dilte nga hunda dhe goja dhe plumbin në kokë”, tha Waheed. “E humbëm”.
Ai tha se plumbat vazhduan të godisnin ndërtesën e shkollës, ndërsa nxënësit fshiheshin pas mureve të klasave ose shtriheshin përtokë.
Ushtria izraelite në një deklaratë në atë kohë tha se ishin hedhur gurë ndaj një veture që transportonte “civilë, përfshirë një ushtar rezervist”, dhe se rezervisti kishte dalë nga automjeti dhe kishte qëlluar ndaj personave të dyshuar.
Mediat izraelite raportuan se rezervisti u pezullua më vonë nga detyra dhe se nisi një hetim.
Që nga ajo ditë, numri i viktimave është rritur, bashkë me frikën e prindërve.
Hezitimi për t’i çuar fëmijët në shkollë
Gjatë verës, edhe dy nxënës të tjerë u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite gjatë sulmeve dhe inkursioneve të kolonëve në fshat, së bashku me një 19-vjeçar që sapo kishte përfunduar shkollën.
Në të dyja rastet, ushtria izraelite tha se forcat e saj iu përgjigjën personave që nxitën “një trazirë të dhunshme”.
Me tri banka bosh në klasat e tyre, disa prindër hezitonin t’i dërgonin fëmijët në shkollë për vitin e ri shkollor.
Shkolla ndodhet pikërisht në skajin e al-Mughayyir, një fshat i izoluar në verilindje të Ramallahut, i rrethuar gjithnjë e më shumë nga postblloqe të kolonëve hebrenj dhe që shpesh bllokohet nga forcat izraelite, të cilat rregullisht vendosin një pikë kontrolli të improvizuar në hyrje.
“Bassam al-Assaf” ka vendosur një gardh të gjatë me tela me gjemba rreth kompleksit dhe ka përforcuar portat e shkollës, në përpjekje për t’u ofruar qetësi prindërve. Tashmë, ekipet e ambulancave janë vendosur në rrugën jashtë shkollës, ndërsa disa prindër vullnetarisht po qëndrojnë jashtë shkollës gjatë gjithë ditës, si një veprim shtesë mbrojtjeje.
“Erdha sepse kjo i bën fëmijët të ndiejnë se prindërit e tyre janë me ta, se janë të sigurt, kjo u jep një lloj sigurie”, tha Haroon Bishara, i cili ka një djalë në klasën e parë dhe një në të dytën.
“Këtë vit kemi më shumë frikë për fëmijët tanë. E dimë se në shkollë nuk ka siguri”, shtoi ai.
Por Bishara tha se kjo frikë ishte e përzier me vendosmërinë për të mos lejuar që kërcënimi nga sulmet e kolonëve t’i detyronte të largoheshin.
Të rreshtuar në oborr, nxënësit dëgjuan gjatë gjithë ditës udhëzimet që mësuesit përsëritën vazhdimisht: nëse ushtarët ose kolonët afrohen pranë shkollës, mos bërtisni, mos u afroni dhe mos reagoni.
Pak më shumë se një orë pasi nisën mësimet, kolonët u panë përmes dritareve të shkollës: dy burra që çonin delet përmes fushave palestineze, disa qindra metra larg shkollës, ndërsa ushtarët izraelitë qëndronin aty pranë.
Pak minuta më vonë, u shfaq një tjetër kolon me një tufë delesh.
“Që nga prilli ata janë afruar më shumë me fshatin”, tha Abu Naem. “Më parë i mbanin delet pas kësaj kodre, por tani ushtarët i sjellin kolonët deri te fshati”.
BBC-ja i ka kërkuar ushtrisë izraelite një përgjigje ndaj të gjitha akuzave të përfshira në këtë raport, por ajo nuk ka dhënë një përgjigje përpara publikimit të tekstit.
“Shënjestrimi i qëllimshëm”
Të gjitha vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Shumë prej postblloqeve të vogla dhe të improvizuara të kolonëve që janë shtuar përreth al-Mughayyrit janë gjithashtu të paligjshme sipas ligjit izraelit.
Por një prej ekipeve të ambulancës të vendosura jashtë shkollës tha se, në vend që t’i largonin vendbanimet e paligjshme, ushtarët izraelitë kishin filluar të mbështesnin dhe lehtësonin inkursionet e kolonëve në fshat.
Hadi al-Naasan, shofer ambulance në fshat, tha se gjatë vitit të fundit kishte pasur një ndryshim në sjelljen e forcave izraelite. Sipas tij, rritja e numrit të palestinezëve të vrarë dhe të plagosur në al-Mughayyir këtë vit e pasqyronte këtë ndryshim.
“Në fillim të vitit 2025, sulmet e kolonëve ishin të pakta, për shkak të ndërhyrjeve të ushtrisë”, tha ai. “Në vitin 2026, situata ndryshoi plotësisht: kolonët u bënë plotësisht të mbrojtur nga ushtarët pushtues. Këtë vit, numri i dëshmorëve është më i lartë, numri i të plagosurve është gjithashtu shumë më i madh, dhe numri i fëmijëve të plagosur është rritur gjithashtu”.
Hadi, së bashku me banorë të tjerë të al-Mughayyrit, beson se disa kolonë izraelitë tashmë po i shënjestrojnë qëllimisht fëmijët, me qëllim që të ushtrojnë presion mbi të rriturit e fshatit që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Një Komision Hetimor i OKB-së, në një raport të publikuar në qershor, konstatoi se sulmet e kolonëve “kanë përdorur fëmijët si mjet në kuadër të një strategjie më të gjerë shtrënguese për t’i dëbuar palestinezët nga toka e tyre”.
Ai përshkroi gjithashtu “një model të kolonëve që shënjestronin qëllimisht fëmijët palestinezë” teksa ata luanin pranë shtëpive të tyre, shkonin ose ktheheshin nga shkolla, kujdeseshin për fermat apo kullosnin bagëtitë, “duke i kthyer hapësirat e përditshme në vende frike”.
Izraeli e ka hedhur poshtë raportin, duke e cilësuar atë si një “mashtrim shpifës”.
Fermeri, Sami Abu Rahma, beson fort se disa kolonë të dhunshëm po i shënjestrojnë fëmijët.
Në fund të korrikut, djali i tij nëntëvjeçar, Salim, u qëllua dhe u plagos teksa luante me vëllezërit dhe motrat e tij në fermën familjare të deleve jashtë al-Mughayyrit. Plumbi ende ndodhet në krahun e tij.
Pamjet e kamerave të sigurisë në fermë tregojnë Salimin duke treguar me gisht dhe duke u bërtitur prindërve të tij se kolonët po afroheshin, përpara se të vraponte për t’u strehuar me vëllezërit, motrat dhe nënën e tij, ndërsa dëgjohen dy të shtëna. Salimi shihet duke kapur shpatullën.
“Në atë moment, nuk mendon më; thjesht ndien frikë”, tha Sami. “Frikë se, Zoti na ruajt, sulmuesi po qëllonte për të vrarë. Gjëja e parë që të shkon në mendje është humbja e gjësë më të çmuar që ke”, shtoi Sami.
Ai tha se burri që qëlloi djalin e tij jetonte në një postbllok të paligjshëm të kolonëve, i cili ishte shfaqur pranë fermës në qershor, dhe se më parë kishte qëlluar ndaj Salimit në të njëjtën zonë, një javë më herët.
“Ti nuk ndihesh më se mund t’i mbash të sigurt në rrugë, madje as në shkollë”, tha ai.
“Kolonët nuk duan që ne të qëndrojmë këtu; duan të na bëjnë të ndihemi sikur nuk kemi të ardhme këtu”.
Sami tha se ishte fermeri i fundit që mban dele që kishte mbetur në atë zonë, pasi të tjerët ishin larguar me forcë nga sulmet e kolonëve. Sipas tij, koloni që qëlloi djalin i kishte thënë vazhdimisht familjes të largohej nga toka e tyre.
“Pavarësisht se sa i vendosur mund të jesh për të qëndruar”, shtoi ai, “çfarë bën kur kolonët fillojnë të qëllojnë mbi fëmijët e tu?”
Këshilli rajonal i kolonëve tha se një ushtar jashtë detyrës ishte arrestuar nën dyshimin se kishte lidhje me të shtënat.
“Na vjen keq për çdo dëm ndaj njerëzve të pafajshëm, qofshin hebrenj apo arabë, dhe kundërshtojmë çdo akt dhune që shkel ligjin”, thuhej në një deklaratë të tij, duke shtuar se kundërshtonte “përpjekjen për t’ia atribuuar të gjithë komunitetit të kolonëve në Jude dhe Samari aktet që ende nuk janë përcaktuar nga një hetim, si dhe pretendimin e pabazë se kullotja e ligjshme e deleve apo prania hebraike në zonë janë pjesë e një plani të qëllimshëm për të dëmtuar fëmijët ose për t’i dëbuar banorët nga shtëpitë e tyre”.
Al-Mughayyri është pjesë e një modeli që po shfaqet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku gjithnjë e më shumë postblloqe të paligjshme të kolonëve po rrethojnë fshatrat palestineze, kolonët po marrin më shumë mbrojtje nga forcat izraelite dhe sulmet po zhvendosen nga fermat dhe tokat e kullotave drejt zonave të banuara, ku gratë dhe fëmijët janë më të rrezikuar.
“Fëmijët, kur shohin ushtrinë duke hyrë, nuk e kuptojnë rëndësinë e situatës”, tha Hadi al-Naasan, pjesëtar i ekipit lokal të ambulancës. “Të rriturit janë më të vetëdijshëm se si mund të zhvillohen ngjarjet”.
Statistikat e OKB-së
Shifrat e OKB-së sugjerojnë se numri i palestinezëve të plagosur gjatë sulmeve të kolonëve nga ushtarët izraelitë ose vetë kolonët është rritur ndjeshëm këtë vit, në një mesatare prej tre të plagosurish në ditë, ndërsa edhe numri i plagosjeve të shkaktuara drejtpërdrejt nga kolonët është më i lartë.
Kjo rritje është shoqëruar me zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe postblloqeve të kolonëve në Bregun Perëndimor.
Të gjitha vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe qeveria izraelite, e cila mbështet fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve, po përballet me presion në rritje ndërkombëtar.
Arrestimi i disa kolonëve të dhunshëm dhe një plan i raportuar i kryeministrit izraelit për të çmontuar postblloqet e paligjshme në Bregun Perëndimor, nuk i kanë ndalur deri tani sulmet dhe as nuk i kanë qetësuar palestinezët, të cilët thonë se postblloqet e shkatërruara më parë nga autoritetet izraelite janë rindërtuar shpejt.
Teksa zgjedhjet izraelite janë më pak se dy muaj larg, ministria izraelite e Financave çoi përpara këtë javë planet për të marrë nën kontroll regjistrimin e tokave në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, një masë që organizata izraelite monitoruese e vendbanimeve “Peace Now” e përshkroi si “një hap të qartë drejt aneksimit”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ia ka atribuuar dhunën e kolonëve një pakice të vogël ekstremiste, duke i përshkruar ata në një intervistë të fundit televizive si “150 delinkuentë të rinj”.
Që nga fillimi i vitit 2025, OKB-ja ka regjistruar 316 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite ose kolonët dhe më shumë se 5,600 të plagosur, deri në fund të korrikut 2026. Sipas OKB-së, gjatë së njëjtës periudhë janë vrarë 20 izraelitë, përfshirë një fëmijë dhe tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa 123 izraelitë janë plagosur.
Prindërit palestinezë që kanë qëndruar në fshatra si al-Mughayyri, pavarësisht përshkallëzimit të dhunës së kolonëve, tani po përballen me një frikë gjithnjë e më të madhe se mund t’i humbasin fëmijët e tyre nëse qëndrojnë në tokën e tyre.
Lajmet
BE i Ofron Kanadasë statusin e paprecedent të “anëtares së asociuar”
Published
1 day agoon
September 17, 2026By
UBTNews
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka bërë një ofertë historike Kanadasë për t’u bërë “anëtarja e parë e asociuar” e Bashkimit Evropian, duke kërkuar ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në nivelin më të lartë të mundshëm.
Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Evropian në Strasburg pranë kryeministrit kanadez, Mark Carney, Von der Leyen theksoi se të dyja palët ndajnë të njëjtat vlera demokratike dhe qasje për sfidat globale si inteligjenca artificiale, ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë dhe gjeopolitika. Oferta përfshin thellimin e bashkëpunimit përmes përmirësimit të marrëveshjes tregtare, krijimin e një aleance teknologjike, integrimin e industrive të mbrojtjes, si dhe investime të përbashkëta në energji, minerale kritike, siguri kibernetike dhe rajonin e Arktikut.
Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj ndryshimeve gjeopolitike pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka vendosur tarifa ndaj aleatëve dhe ka sugjeruar mundësinë e anëtarësimit të Kanadasë si shteti i 51-të i SHBA-së. Në këtë kuadër, Kanadaja po kërkon të ulë varësinë tregtare nga Uashingtoni përmes kësaj aleance unike me bllokun evropian, ndonëse mbeten për t’u definuar detajet se si do të funksionojë ky status i ri me tregun e përbashkët të BE-së. /Reuters/
Aktualitet
Arabia Saudite rrëzon dronin pranë Mekës, reagime të ashpra ndaj Houthve
Published
2 days agoon
September 16, 2026By
UBTNews
Arabia Saudite ka njoftuar se ka rrëzuar një dron të rebelëve Houthi në periferi të Mekës, duke shënuar herën e parë në pothuajse një dekadë që shënjestrohet qyteti më i shenjtë i Islamit. Ndonëse rebelët jemenas të mbështetur nga Irani e kanë mohuar sulmin, ngjarja ka nxitur reagime dhe dënime të ashpra rajonale.
Zëdhënësi i Koalicionit Saudit, Turki al-Maliki, e quajti ngjarjen një provokim ndaj ndjenjave të miliona myslimanëve dhe u zotua për masa parandaluese. Gjithashtu, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) e dënoi ashpër veprimin, duke e cilësuar si shkelje të shenjtërisë së vendeve të shenjta. Ky incident rrit tensionet dhe rrezikon ta përfshijë Arabinë Saudite më thellë në një konflikt të gjerë rajonal.
Meka mbetet qendra më e rëndësishme shpirtërore për botën islame si vendlindja e Profetit Muhamed, ku miliona pelegrinë udhëtojnë çdo vit për të kryer obligimet fetare. Shënjestrimi i një zone me një peshë të tillë simbole administrative dhe fetare konsiderohet një vijë e kuqe e kapërcyer, gjë që shton presionin mbi Riadin për të reaguar ushtarakisht dhe rrit gjasat për një përshkallëzim të ri në luftën mes SHBA-së dhe Iranit.
Aktualitet
NATO-ja e rrëzon një dron në Lituani teksa Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme
Published
3 days agoon
September 15, 2026By
UBTNews
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme gjatë natës duke goditur një pikë karburanti dhe një rafineri nafte, sipas autoriteteve vendëse dhe kanaleve vëzhguese në Telegram.
Këto sulme ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën mbrëma se Moska dhe Kievi ishin pajtuar të mos i sulmonin objektet energjetike të njëri-tjetrit.
Ndërkohë, autoritetet lituaneze thanë se një avion luftarak i NATO-s e rrëzoi një dron që hyri në hapësirën ajrore të vendit në orët e para të së martës.
Në kryeqytetin ukrainas, një pikë karburanti dhe disa objekte magazinimi u goditën të martën herët dhe një burrë u shtrua në spital në gjendje të rëndë pas sulmit, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
Rusia i ka zgjeruar sulmet së fundmi edhe ndaj pikave të karburantit në Kiev, ndërsa autoritetet ukrainase thonë se rreth 300 pika karburanti janë goditur muajt e fundit, shumica e tyre në ose pranë rajoneve të vijës së frontit.
Ndërkohë, një sulm me raketa në qytetin rus Taganrog, pranë kufirit me Ukrainën, dëmtoi një magazinë në pronësi të shitësit online Ozon, si dhe magazina që u përkasin kompanive bujqësore, tha të martën guvernatori rajonal, Yuri Slyusar.
Rajoni i Samarës në Rusi u vu gjithashtu në shënjestër të dronëve gjatë natës, ndërsa një objekt industrial pësoi dëme, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Fedorishchev, i cili shtoi se 40 dronë u shkatërruan gjatë sulmit.
Ai nuk tregoi se për cilin objekt bëhej fjalë. Ky rajon është shtëpi e një numri rafinerish të mëdha të naftës.
Kanalet vëzhguese në Telegram raportuan se pas një sulmi me dronë, në zonën industriale të rafinerisë së naftës në Syzran, në rajonin e Samarës, u pa një zjarr.
Sulmet ndodhën pak pasi Trump tha në një postim në Truth Social të hënën se: “Ukraina është pahtuar për të mos i goditur caqet energjetike ruse. Rusia është pajtuar për të njëjtën gjë!”
Pas postimit të Trumpit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi ishte i gatshëm t’i ndalte sulmet ndaj Rusisë nëse aleatët e Ukrainës do të garantonin se Moska do t’i ndalte sulmet ndaj objekteve energjetike, infrastrukturës kritike dhe rrugëve të furnizimit me ushqime në Ukrainë.
Avioni i NATO-s rrëzon dronin mbi Lituani
Ndërkohë, në Lituani, një avion luftarak i NATO-s e rrëzoi një dron të martën herët në mëngjes, tha Qendra Kombëtare Lituaneze për Menaxhimin e Krizave, pasi më herët ishte lëshuar një alarm për dronë në kryeqytet, Vilnius, dhe në rajonin përreth.
“Së bashku me aleatët e vet të NATO-s, Lituania do ta mbrojë hapësirën e vet ajrore”, shkroi presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, në X pas incidentit.
Sipas transmetuesit publik lituanez LRT, i cili iu referua të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave, droni kishte ardhur nga Bjellorusia fqinje dhe po lëvizte drejt perëndimit.
Incidenti në Lituani, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ndodhi pas sulmeve të fundit me dronë nga Rusia pranë kufirit me Poloninë.
Kievi ka paralajmëruar së fundi se Moska “po troket në derën e NATO-s”.
“Sulmet barbare të Rusisë në kufirin Ukrainë-Poloni, në Yahodyn, nuk janë thjesht vazhdim i sulmeve të saj ndaj kufijve shtetërorë”, shkroi në X të dielën ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha.
“Ky është terrori i Putinit që po ‘troket’ drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, shtoi ai. /REL/
Mijëra qytetarë në protestë masive në Prishtinë kundër dënimit të ish-drejtuesve të UÇK-së
Përballje e zjarrtë në Gjilan, Prishtina kërkon vazhdimin e serisë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 18 shtator 1993-1998
Irlanda vjen në Prishtinë, por ndeshjet me Izraelin mbizotërojnë diskutimet
Sot i jepet lamtumira e fundit Flora Brovinës
Arrestohet një person në Novobërdë i dyshuar për dhunim
Arrestohet një person në Podujevë pasi kanosi zyrtarin policor në detyrë
Kuriozitetet e ditës
Gjendet një person pa shenja jete në “Bregun e Diellit” në Prishtinë
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport2 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet1 month agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet2 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
