Diplomati më i lartë i Iranit, Abbas Araqchi, e ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se po përpiqet ta diktojë politikën amerikane ndaj Iranit, pasi Netanyahu përsëriti thirrjen e tij për shpërbërjen e plotë të programit bërthamor të Teheranit.
Negociatorët iranianë dhe amerikanë përfunduan një rund të tretë të bisedimeve indirekte mbi programin bërthamor të Iranit më 26 prill, ndërsa një raund i katërt është planifikuar për më 3 maj, me shumë mundësi në një vend evropian.
Duke folur në Jerusalem një ditë pas bisedimeve, Netanyahu tha se çdo marrëveshje me Iranin duhet të synojë shpërbërjen e plotë të programit bërthamor dhe gjithashtu të trajtojë kapacitetet raketore të Teheranit.
“Marrëveshja e vërtetë që funksionon është marrëveshja që eliminon kapacitetin e Iranit për të pasuruar uranium për armë bërthamore”, tha Netanyahu, duke shtuar se një marrëveshje e mirë duhet gjithashtu “të përfshijë parandalimin e raketave balistike”.
Duke shkruar në X, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se ishte “tronditëse… se sa hapur Netanyahu po i dikton tashmë presidentit Trump se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë në diplomacinë e tij me Iranin”.
Diplomati iranian theksoi se vendi i tij ishte “mjaftueshëm i fortë dhe i sigurt” për të “penguar çdo përpjekje të aktorëve të jashtëm dashakeqës për të sabotuar politikën e tij të jashtme ose për t’i diktuar drejtimin e saj”.
“Ne mund të shpresojmë vetëm që homologët tanë amerikanë të jenë po aq të vendosur”, shtoi ai.
Komentet e Netanyahut erdhën pasi një shpërthim vdekjeprurës goditi portin Shahid Rajaei në Iran, duke vrarë të paktën 46 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 1.000 të tjerë.
Disa spekulojnë se shpërthimi kishte lidhje me një dërgesë të një përbërësi kimik të përdorur për të prodhuar karburant për raketa balistike, megjithëse Irani mohon se ndonjë lloj karburanti ishte ruajtur në terminalin e konteinerëve.
Farzin Nadimi, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Uashingtonit, i tha Radios Farda të REL-it se ngjyra portokalli e ndezur e zjarrit fillestar ishte në përputhje me djegien e një komponenti që përdoret në karburantin për raketa.
Të dhënat publike sugjerojnë se Irani ka marrë dërgesa të këtij kimikati në port më herët gjatë këtij viti.
Sipas disa raporteve, administrata e Donald Trumpit më parë e kishte penguar Netanyahun të ndërmerrte sulme ndaj objekteve bërthamore të Teheranit. Megjithatë, presidenti amerikan ka thënë se vetë ai do të ishte “në krye të sulmit” drejt një lufte me Iranin nëse nuk do të mund të arrinte një marrëveshje.
Ali Shamkhani, një ndihmës i lartë i liderit suprem të Iranit dhe ish-këshilltar i sigurisë kombëtare, paralajmëroi më 28 prill se Izraeli do të përballej me “pasoja të paimagjinueshme” nëse do të sulmonte objektet bërthamore të Iranit.
“Pyetja është: A janë këto kërcënime rezultat i veprimit të pavarur të Izraelit, apo janë të koordinuara me Trump për të shtyrë përpara negociatat me Iranin?” shkroi ai në X./REL/