Lajmet

Takimi Kurti-Vuçiq “buzë incidentit”

Bisedimet Kosovë-Serbi kanë qenë jo vetëm të pafrytshme, por shpesh me tensione.

Published

on

Në Bruksel u mbajt një takim mjaft i ashpër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE. Takimi përfundoi pa shënuar asnjë afrim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit se ky ishte një prej takimeve më të vështira që ka pasur prej fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Takimi i përbashkët në Bruksel u mbajt me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe pas konsultimeve në takimet e ndara me delegacionet e Kosovës dhe atij të Serbisë.

Por në fund nuk pati asnjë dakordim për asnjë çështje të shtuar sot. “Delegacioni i Prishtinës kërkonte vetëm njohjen e Kosovës dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiq, i cili gjatë deklaratës së tij shpesh bënte pauza dhe përpiqej të formulonte mendimet.

Takimi pranë incidentit

Por nga deklarata e tij, e më pas edhe e kryeministrit Kurti u pa se bisedimet kanë qenë jo vetëm të pafrytshme, por shpesh me tensione, e që disa persona të afërt me delegacionet e quajtën madje edhe në buzë të incidenteve. “Ishte mirë që kemi pasur një distancë prej dy metrash”, tha Kurti, në pyetjen a ka pasur ndonjë incident. Për dallim prej Vuçiqit, i cili mendon se kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës është një qëndrim ekstrem, Kurti tha se pala kosovare ka qenë shumë konstruktive dhe se “Serbia do të duhej të lirohej nga e kaluara e vet dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.”

Belgien Albin Kurti, Ministerpräsident vom Kosovo

Ne kemi pasur qëndrim konstruktiv, tha kryeministri Kurti, i cili në bisedime ishte bashkë me zëvendësin e tij Besnik Bislimi. “Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme Dhe shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Ndërsa takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik”, shpjegoi Kurti në fillim duke shtuar se ai ka paraqitur katër kërkesa:

Kërkesat e Albin Kurtit

Që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ta avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të marrëveshjes që kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE -në. Që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Që pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e të drejtave të pakicave. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët në Serbi. Dhe që për çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë, të largohen nga pozita personat që duhen marrë në pyetje për krime, siç janë Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe Zoran Angjelkoviq.

Kryeministri i Kosovës tha se për propozimin e tij të parë nuk ka marrë përgjigje të qartë, ndërsa tri propozimet e tjera janë refuzuar. I pyetur se cili është qëndrimi i tij ndaj kërkesave për themelimin e Asociacionit me shumicë serbe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë marrëveshjen e mëparshme, në 23 pika. Ndërsa edhe populli i Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik. Ndërsa në pyetjen e DW nëse Kosova do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid, të cilën e ka thënë disa herë ai në prag të bisedimeve të sotme, kryeministri u përgjigj se ata janë në përgatitje të dokumentacionit dhe se për këtë kanë nevojë për koordinim të mëtejshëm.

Brüssel Treffen Vucic und Kurti mit EU Chefdiplomat Josep Borrell

Pala serbe e quan provokim qëndrimin e Kurtit

Ndërsa presidenti i Serbisë dukej i hutuar pas takimit.Ai tha se Albin Kurti ka ardhur në Bruksel për të thënë “se nuk do të arrijë marrëveshje për asgjë” dhe se gjatë këtij takimi ka pasur “provokime”, “papërgjegjësi” e “joseriozitet të palës serbe”.

“Sinqerisht nuk di çfarë t’iu them. Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky. Vetë kohëzgjatja e takimit flet për atë se cilat ishin rezultatet e këtij takimi. U pajtuam që në fund të korrikut të vazhdojmë dialogun. Shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë paqen dhe stabilitetin, gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, theksoi Vuçiq.

Megjithatë, Vuçiq vazhdoi më pas se janë tri lajme të rëndësishme nga ky takim: E para se delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar dhe nuk duan të diskutojnë për Asociacionin e Komunave Serbe. E dyta, kërkesa e tyre që urgjentisht dhe menjëherë të njohim Kosovën e pavarur. Dhe e treta, fakti që ata e quajnë incident dhe provokim pjesëmarrjen e serbëve në një liturgji në Prishtinë. Këto kërkesa, sikur edhe kërkesën që nga delegacioni për kërkimin e të pagjeturve të largohet Velko Odaloviq, Vuçiqi i quajti si “mungesë e realitetit, seriozitetit dhe përgjegjësi”.

Megjithë mosmarrëveshjet e shumta dhe “takimin buzë incidentit”, siç u shprehën disa nga pjesëmarrësit, palët janë dakord për vazhdimin e bisedimeve. Përfaqësuesit e BE thonë se takimi nuk ka qenë fare i lehtë. “Por me rëndësi është që dialogu ka vazhduar”, theksoi ndërmjetësi Miroslav Lajçak.

Takimi i Lajçak dhe Mathew Palmer me kryeministrin Kurti

BE: Palët konfirmuan dialogun si rrugën e vetme

“Të dy liderët kanë qenë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë në shprehjen e mendimeve të tyre, se çfarë duan dhe çfarë presin nga dialogu. Për BE është me rëndësi që të dy palët e kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë rrugë tjetër për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përveç dialogut”, theksoi Lajçak.  Lajçak tha se të dy palët do të vazhdojnë konsultimet për vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e përgjithshëm të raporteve dhe se dialogu do të vazhdojë në fund të korrikut.

Ndërsa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka bërë të ditur para takimit se ai do të vazhdoj konsultimet edhe me partnerët amerikanë për këtë çështje, pasi pas takimit me delegacioniet e Serbisë dhe Kosovës, ai është takuar edhe me presidentin e SHBA Josep Biden. Shefi i delegacionit serb në bisedime dhe përfaqësuesi i zyrës për Kosovës e Metohi, Petar Petkoviq, në kohën sa po zgjaste takimi doli para gazetarëve serbë dhe tha se ndërkohë ka dhe konsultime të BE-së me SHBA për këtë dialog dhe se pozicioni i Serbisë nuk është i lehtë. Por, siç tha ai, Serbia do të vazhdojë betejën e saj. Takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik në Bruksel.  DW

Lajmet

Prof. Blerim Canaj në “Inside Politics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave

Published

on

By

Në podcastin “Inside Politics with Anisa I”, i ftuar ishte profesori i shkencave politike në UBT, Blerim Canaj, i cili foli për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në rajon, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si ajo funksionon në praktikë.

Canaj tha se nëse demokracia shihet nga këndvështrimi historik që nga Greqia antike, atëherë shqetësimet e filozofëve si Platoni dhe Aristoteli mund të jenë ende relevante edhe sot. Sipas tij, shpesh krijohet përshtypja se sot jetojmë në një demokraci formale.

“Kam përshtypjen se ne sot jetojmë në një demokraci formale. Kemi zgjedhje, dhe në Kosovë ato madje janë për t’u lavdëruar krahas rajonit, por demokracia nuk nënkupton vetëm votimin,” u shpreh ai.

Sipas Canajt, demokracia nuk kufizohet vetëm te votimi, por përfshin edhe funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave. Ai theksoi se në realitetin ballkanik, rol të madh shpesh luan edhe fuqia financiare dhe mënyra se si ajo ndikon në proceset politike.

Në Ballkan shpesh rol të madh luan kush i ka paratë. Fatkeqësisht, në periudhën e zgjedhjeve shpesh shohim sulme ndaj mediave dhe përdorim të buxhetit të shtetit, gjë që e dëmton zgjedhjen e lirë dhe të barabartë,” tha ai.

Ai shtoi se në shumë raste kjo krijon avantazh për ata që kanë më shumë burime financiare dhe e deformon garën demokratike.

Duke folur për fenomenin e “liderëve të fortë”, profesori Canaj u shpreh se në shoqërinë tonë ende nuk mbizotërojnë partitë programore, por kulti i liderit. Sipas tij, kjo ka ndikuar që vëmendja të largohet nga programet politike dhe të fokusohet te individi.

“Nuk fokusohemi te programet politike, por te kulti i liderit. Dhe nga kjo shpesh prodhohen edhe deputetë që nuk janë të përgatitur sa duhet,” u shpreh ai.

Ai theksoi se kjo qasje ka sjellë edhe largimin e njerëzve profesionalë nga politika, pasi shpesh përballja me kandidatë më pak të përgatitur krijon frustrim. Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e kultit të liderit dhe në krijimin e një dinamike ku lideri shihet si figurë qendrore, pothuajse “si baba”, ndërsa mbështetësit ndihen pjesë e një strukture familjare politike.

Në pjesën për mediat, Canaj tha se ato kanë rol thelbësor në funksionimin e demokracisë dhe në informimin e qytetarëve. Ai i konsideroi mediat si një lloj “qeverie në vete”, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe në politikë.

“Po të mos ishin mediat, njerëzit nuk do t’i dinin të mirat dhe të këqijat e një vendi. Unë mediat i shoh si një qeveri në vete,” u shpreh ai.

Sipas tij, një shoqëri që i sulmon mediat rrezikon të rrëshqasë drejt tendencave autokratike, ndërsa theksoi se pa media të lira dhe funksionale nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të ekzistojnë brenda vetë mediave.

Continue Reading

Lajmet

Eksperti norvegjez Anders Johan Almas ligjëroi në UBT mbi ndërtimin e qëndrueshëm dhe adaptimin klimatik

Published

on

By

Fakulteti i Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon të sjellë ekspertë ndërkombëtarë që u ofrojnë studentëve njohuri dhe përvoja nga praktikat më të avancuara globale.

Në këtë kuadër, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Assoc. Prof. Dr. Anders Johan Almas nga Western Norway University of Applied Sciences (HVL), e organizuar në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha.

Gjatë ligjëratës me temën “Building Envelopes and Climate Adaptation”, Dr. Almas trajtoi rëndësinë e projektimit të mbështjellësve të ndërtesave dhe rolin e tyre në rritjen e efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj kushteve klimatike në ndryshim. Përmes shembujve konkretë dhe praktikave të aplikuara në vende të ndryshme, studentët u njohën me qasjet moderne që po transformojnë industrinë globale të ndërtimit.

Me më shumë se 20 vite përvojë në industri, kërkim shkencor dhe akademi, Dr. Almas ka kontribuar në fusha të ndryshme si menaxhimi i ndërtesave, projektimi, konsulenca, ndërtimi dhe hulumtimi shkencor. Përvoja e tij përfshin institucione dhe kompani prestigjioze si NTNU, SINTEF, Multiconsult, Veidekke, Vestlandsforsking dhe HVL, duke sjellë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në ndërtimin e qëndrueshëm.

Për studentët e Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës, kjo ligjëratë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat reale të sektorit dhe mënyrën se si njohuritë akademike zbatohen në praktikë. Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit i ndihmuan studentët të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi rolin e profesionistëve të ardhshëm në projektimin dhe menaxhimin e ndërtesave të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Juridikut në UBT zhvillojnë vizitë studimore në Gjykatën Komerciale, duke përfituar përvojë praktike nga proceset gjyqësore

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik në UBT për të kombinuar mësimin teorik me përvojën praktike, studentët e lëndës “Procedura Civile e Avancuar”, të udhëhequr nga Prof. Egzona Osmanaj, realizuan një vizitë studimore në Gjykatën Komerciale të Kosovës.

Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili i njoftoi me organizimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj gjykate, si dhe me rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me biznesin, investimet dhe marrëdhëniet tregtare.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte mundësia që studentët të ndjekin nga afër një seancë gjyqësore, duke vëzhguar në praktikë zbatimin e procedurave civile dhe mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Kjo përvojë u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me realitetin e sistemit gjyqësor dhe praktikën profesionale.

Vizitat studimore të këtij lloji përbëjnë një pjesë të rëndësishme të metodologjisë së mësimdhënies në Fakultetin Juridik të UBT-së, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të njohur institucionet e drejtësisë, proceset ligjore dhe sfidat e profesionit juridik.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet zyrtari i Kllokotit për keqpërdorim detyre, dëm rreth 39 mijë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pas dyshimeve se ka dëmtuar buxhetin e shtetit.

Sipas hetimeve, S.S., i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars të vitit 2026 ka përfituar paga mujore pa u paraqitur fare në vendin e punës dhe pa ushtruar detyrat e tij zyrtare.

Prokuroria thotë se i dyshuari, “me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur obligimet e punës”, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth 39 mijë euro. Rasti është zbuluar pas hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore nga prokuroria në bashkëpunim me njësitet përkatëse.

Nga Prokuroria është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme, ndërsa pritet që në afatet ligjore të kërkohet edhe masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan. “Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara