Lajmet
“Syri i Popullit”, refuzohet propozimi për leximin e deklaratave të dëshmitarëve për shkak të mungesës së tyre
Published
5 years agoon
By
Betim GashiPër shkak të mungesës së dëshmitarëve, pasi disa ishin jashtë Kosovës e njërin nuk e gjeti policia, për gjykimin në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, ka dështuar seanca të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndërsa, është refuzuar propozimi që të lexohen deklaratat në mungesë të tyre.
Në këtë rast, Avni Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J, ndërsa, Sadri Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, pas hapjes së shqyrtimit ka bërë të ditur se prokurori Burim Çerkini, u ka dërguar një njoftim dhe kërkesë që ua dorëzoi palëve në fillim të seancës.
Lidhur me këtë kërkesë, ai bëri të ditur se sapo e kanë pranuar kërkesën, i kanë njoftuar avokatët e të akuzuarve.
Në këtë shkresë, sipas Konxhelit, prokurori ka njoftuar se dëshmitarët janë jashtë shtetit dhe nuk munden të paraqiten në gjykatë.
Gjykatësi Konxheli bëri të ditur që për të mos dështuar kjo seancë, kanë lëshuar edhe një urdhëresë për dëshmitarin Gëzim Haliti, për të cilin nuk kishin mundur më parë të sigurojnë prezencën e tij.
Kurse, tha se deri në këtë moment policia, nuk kanë njoftuar nëse kanë arritur ta gjejnë të njëjtin.
Tutje, ai bëri të ditur se prokurori ka propozuar që në mungesë të dëshmitarëve për shkak të ekonomizimit të procedurës, nëse pajtohen avokatët, të lexohen deklaratat e dëshmitarëve anonim.
“Në shkresa, janë tre dëshmitarë anonin, A1, A2 dhe A3. Në shkresat e lëndës, prokurori i kaluar është tërhequr nga dëshmitari A1, mirëpo meqenëse është prokuror tjetër tash, ky mundet me u deklaru a ka mendu për leximin e tre deklaratave të tre dëshmitarëve, meqenëse njëri nga ta nuk ka dhënë dëshmi në shqyrtim gjyqësor”, ka thënë gjykatësi Konxheli.
Kurse, prokurori Çerkini bëri të ditur se sa i përket dëshmitarit A1, siç është cekur në shkresën e dërguar në gjykatë, i njëjti nuk gjendet në Kosovë.
“Meqenëse, dëshmia e tij nuk është e karakterit të vërtetojë veprimin e datës kur ka ndodh vepra penale, ne duke ditur paraprakisht që edhe avokatët mbrojtës nuk do të pajtoheshin me leximin e deklaratës për shkak se nuk e ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor, ne tërhiqemi nga dëgjimi i këtij dëshmitari”, ka thënë prokurori.
Ndërsa, sipas tij, sa u përket dëshmitarëve A2 dhe A3, që sipas informatave zyrtare nuk gjenden në Kosovë, për shkak të ekonomizimit propozon që dëshmitë e tyre të dhëna në shqyrtimin paraprak të lexohen apo konsiderohen të lexuara.
“ Meqenëse të njëjtit janë përballur edhe me pyetjet e avokatëve mbrojtës. Nëse, pala mbrojtëse nuk pajtohet, ne nuk tërhiqemi nga dëgjimi i tyre dhe duhet të caktohet një datë tjetër dhe të mundohemi të sigurojmë. Njëjtë edhe për dëshmitarin Gzim Haliti, propozoj të lexohet nëse nuk mund të sigurojmë prezencën”, ka thënë prokurori.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Nasuf Hasani, është pajtuar me propozimin e prokurorit, kurse avokatët mbrojtës e kanë kundërshtuar këtë propozim.
Avokati Naim Rudari, që mbron Avni Llumnicën bëri të ditur se janë kundër leximit të deklaratave, për shkak se tani është procedurë krejtësisht e re, një prokuror i ri dhe trup gjykues tjetër.
“Dy dëshmitarët që kanë lidhje me Avni Llumnicën, Gzim Haliti dhe Nuhi Zeka, dëshmitë e tyre i kanë dhënë si të burgosur dhe ato deklarata janë jashtëzakonisht të pabesueshme. Nëse prokuroria qëndron pranë dëgjimit të dëshmitarëve, duhet t’i sigurojë dëshmitarët dhe ata duhet të ballafaqohen”, ka thënë Rudari.
Kurse, avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron të akuzuarit Ramabaja, deklaroi se mendon se e vërteta është më e rëndësishme se sa ekonomizimi i procedurës.
“Ne insistojmë që dëshmitarët anonim gjithsesi të ftohen në gjykatë sepse dëshmitë e tyre kanë qenë strumbullar i ngritjes së aktakuzës. Ju e nderuar gjykatë i keni lexuar ato deklarata, i keni parë pyetjet e mbrojtjes, prandaj kujtoj se dëgjimi i sërishëm i tyre, do të na tregoj se rasti ishte i montuar, se dëshmitarët janë punëtore të shërbimit të caktuar në Kosovë, prandaj nuk pajtohemi që deklaratat e tyre të lexohen”, ka thënë ai.
Pas këshillimit, trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli , ka bërë të ditur se fillimisht kërkon nga prokurori i shtetit që në një afat sa më të shkurtër kohor ta njoftojë gjykatën se a mund t’i sigurojë dëshmitarët anonim për seancën e radhës të datës 28 shtator 2021.
Tutje, tha se për dëshmitarët Haliti dhe Zeka, gjykata do të lëshojë urdhëresë që të sillen me detyrim për seancën e radhës, nëse të njëjtit gjenden në vendbanimin e tyre të përshkruar si në aktakuzë.
Prokurori Çerkini bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të mundohet të informohet nëse do të mund të jenë dëshmitarët anonim prezent dhe për çdo gjë do të njoftoj me kohë trupin gjykues.
Ndërkaq, gjykatësi Konxheli deklaroi se varësisht se çfarë i njofton prokurori, do t’i njoftoj palët e tjera me kohë.
Seancat e radhës priten të mbahen më 28 shtator dhe më 1 tetor.
Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.
Ndryshe, ky rast kishte marrë epilog në janar të vitit 2020, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtor të akuzuarit, por pas ankesave të ushtruara, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero.
Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.
Sipas aktakuzës së datës 27 tetor 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast.
Kjo pasi që PSRK heqë dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.
Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.
Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.
Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.
Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.
Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M.J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë M.J në kryerjen e veprës penale.
Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M.J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.
Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjeri M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës, në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë, Llumnica akuzohej se kishte kryer veprën penale “hakmarrje në ndihmë” nga neni 396, i Kodit Penal.
Llumnica sipas kësaj aktakuze, sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.
Për këtë, Llumnica akuzohej për veprën penale “Dhunim” nga neni 230 i Kodit Penal.
Të pandehurit M. J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohej se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë, etj.
Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.
Ndërsa, i pandehuri, tani i ndjerë, M.J. thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.
Me këtë, ata akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144, i Kodit Penal.
I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.
Ndërsa, i ndjeri M.J. nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria e akuzonte M.J. që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.
Tutje, në aktakuzë thuhet se M.J., fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.
Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën të ndjerit M.J. dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, J. kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës, por iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.
Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te i ndjeri M.J ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.
Për këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.
Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.
Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMW”, me targa te huaja.
Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.
Të ndjerit M. J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.
Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.
Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.
Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.
Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për t’u proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.
Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime.
Vendi
Rezalla kujton 98 viktimat: 27 vjet nga një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë
Published
6 hours agoon
April 5, 2026By
UBTNews
Janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës në Skenderaj, ku më 5 prill 1999 forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 98 civilë shqiptarë, banorë të këtij fshati dhe zonave përreth. Nga viktimat, 44 prej tyre u zhdukën me forcë, ndërsa më vonë një pjesë e trupave u gjetën në varreza masive në Rudnicë të Rashkës dhe iu kthyen familjarëve.
Sipas dëshmive, në ditën e masakrës, burrat dhe djemtë – nga mosha 13 deri në 90 vjeç – u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre, u ndanë nga familjet dhe më pas u ekzekutuan. Nga kjo ngjarje tragjike, vetëm tre persona arritën të mbijetojnë. Masakra e Rezallës konsiderohet ndër më të rëndat gjatë luftës në Kosovë.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, homazhe në Rezallë kanë bërë ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin Andin Hoti. Haxhiu deklaroi se në këtë zonë ishte zbatuar një plan i organizuar shfarosjeje nga regjimi serb, duke theksuar se pas vrasjeve, trupat e viktimave u zhvendosën në varre masive në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit.
Ajo shtoi se, pavarësisht përpjekjeve për fshehje, krimet nuk do të harrohen kurrë dhe do të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. Haxhiu gjithashtu theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për të siguruar drejtësi për viktimat e kësaj dhe masakrave të tjera të kryera gjatë luftës.
Kujtesë
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 5 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
7 hours agoon
April 5, 2026By
UBTNews
5 prill 1993
Lajmet kryesore:
Manifestim i madh proteste i shqiptarëve në Frankfurt
Pas rrahjes nga policia dje vdiq Ali Zeqa
U arrestuan Mehmet Hajrizi dhe disa veprimtarë të LDK-së
Pas manifestimit kulturor – në polici
Me sukses po vazhdon aksioni “Ta ruajmë ambientin”
Në Vushtrri policia serbe plaçkiti disa qytetarë shqiptarë
Në vendkalimin kufitar në Han të Elezit u plaçkit dr.Feti Mehdiu
Policia serbe në Prishtinë brutalisht rrahu nxënësin e shkollës fillore
Ftesë për paraqitje në policinë e Deçanit
Në Klinë lëvizje të mëdha policore
5 prill 1994
Lajm i plotë: Represioni në Kosovë
Ferizaj: – Më 1 prill, policia serbe në Ferizaj, me pretekst të kërkimit të armëve, Ramiz Jahiri u rrah brutalisht në stacionin e policisë në Ferizaj.
Në stacionin e policisë në Ferizaj, për shkak se i ishte lënë thirrja, u paraqit edhe Ramadan Bajraliu.
Me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe bastisi familjen e Mehmet Thaçit në Ferizaj, i cili u muar në stacionin e policisë. Policia e akuzonte se gjoja vëllau i tij, Halimi, ia ka dhënë Mehmetit tri revole. Ky u lirua të nesërmen pasdite rreth orës 14, me kusht që të lajmërohet sërish në stacionin e policisë.
Obiliq: – Dje, në shtëpinë tij u arrestua Remzi Haziri, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Raskovë të Obiliqit. Ai po mbahet ende në arrest.
Prishtinë: – Mbrëmë rreth orës 17, në rrugën Shkup – Prishtinë, në afërsi të Ferizajt, derisa po kthehej në shtëpi me veturën e tij, policia serbe rrahu brutalisht pa kurrfarë preteksti Malë Fazliun nga Hajvalia e Prishtinës.
Suharekë: – Sot, rreth orës 10, policia serbe ndali në rrugë, Danush Gashin kryetar i Degës së LASH-it në Suharekë.
Njoftohet se Danush Gashi ende po mbahet në stacionin e policisë në Suharekë.
Lajm të tjera:
Kongresisti amerikan Engël kërkon mbrojtje për Kosovën
Në Malishevë gjatë marsit u bastisën 50 familje shqiptare
Serbët uzurpuan banesën e dr. Bardhyl Çaushit
Forca ushtarake u vendosën në afërsi të Molliqit
Paralajmërohet botimi i përditshëm i gazetës “Flaka”
Në Istog për refugjatët serbë ndërtohen 220 shtëpi
Në Gjilan disa vetë në burg për kontrabandë me armë
Përparim Makolli – fitues i turneut të shahut “Kosova ’94”
5 prill 1995
Lajm i plotë: Fillon gjykimi kundër ish-policëve
Sot, në orën dhjetë në Gjykatën serbe të Qarkut në Pejë, filloi procesi i montuar politik kundër ish-policëve të Kosovës, përkatësisht aktivistëve të BSPK-së.
Në procesin e montuar në Pejë do të nxirren: Vëllaznim Shehu (1953), Gani Hajdaraj (1955), Sherif Shala (1946), Shaban Shala (1961), Sefer Hasanaj (1942), Xhevat Ibraj (1961), Idriz Elezaj (1945), Skënder Krasniqi (1955) dhe Dërgut Bibaj (1941), i deklaroi “Bujkut” mbrojtësi Adem Bajri.
Aktakuza numër 128/94 datë 16 shkurt, 1995, përmban dhjetë faqe tekst. Këta shqiptarë akuzohen për veprime përgatitore të “cënimit të integritetit territorial të RFJ-së”.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë vepruar sipas instruksioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, me qëllim të “shkëputjes së territorit të Kosovës dhe të bashkimit të me një shtet tjetër”.
Ata, po ashtu, akuzohen se paskan formuar “organet paralele të policisë, “qendrat e sigurimit”, se kinse kanë emëruar udhëheqësit e “policisë shqiptare”, komandantët e kryeshefat etj.etj.
Këta ish-policë e aktivistë të BSPK-së u burgosën që nga gjysma e dytë e nëntorit të vitit të kaluar.
Ata janë torturuar nga hetuesit serbë.
Organizata të shumta ndërkombëtare kanë dënuar dhe kanë protestuar kundër burgosjes e torturimit ndaj ish-policëve të Kosovës.
Miret vesh se avokatët e ish-policëve të Kosovës iu kanë drejtuar me një shkresë edhe Gjyqit për krimet kundër njerëzimit në Hagë.
Procesi në Pejë është i pari në një seri procesesh që pritet të organizohen kundër ish-policëve të Kosovës në Pejë, Prizren, Gjilan dhe në Prishtinë.
Prej gjysmës së dytë të nëntorit e deri tash janë arrestuar dhe torturuar qindra ish-policë të Kosovës.
Ndaj mbi 170 prej tyre janë ngritur aktpadi penale.
Mediumet dhe zyrtarët serbë kanë e kanë cilësuar arrestimin e ish-policëve si një sukses të madh në përpjekjet e tyre për asgjësimin e pushtetit paralel shqiptar, siç e cilësojnë ata pushtetin legal e legjitim të Kosovës.
Një eufori e tillë triumfi ishte shfaqur edhe gjatë arrestimeve të qindra shqiptarëve në vitin 1993, nën akuzë se gjoja kishin formuar Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Mirëpo edhe proceset e montuara politike serbe kundër tyre e dëshmuan të kundërtën. Në procese u dëshmua se të arrestuarit ishin torturuar në mënyrë sistematike dhe se ishin shtrënguar me dhunë të nënshkruanin deklarata të pavërteta.
Pritet që edhe proceset e montuara kundër ish-policëve të Kosovës të përfundojnë njësoj.
Gazeta “Bujku” duke njoftuar për procesin që fillon sot, shkruan duke u mbështetur në deklratat e mbrojtësve se prokurori, në aktakuzën e vet nuk ka kurrfarë prove, përpos disa materialeve të Sindikatës së Pavarur të SPB të Kosovës, ndonjë procesverbal i mbledhjes, libra të ndryshme dhe gjëra të tjera që u morën gjatë bastisjeve të shtëpive të të pandehurve.
Lajme të tjera:
Kryetari Rugova u takua me parlamentarët britanikë
Përfaqësuesit e katër ambasadave biseduan me përfaqësuesit e partive politike të Kosovës
Në Parlamentin Evropian u propozua një rezolutë për Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën
Dr.Fehmi Agani: E ashtuquajtura “lëvizje e rezistencës serbe” don të realizojë të parealizueshmen
Njoftim për ditën e dytë të “Javës së kulturës shqiptare” në Geteborg
U mbajt seanca e parë kundër vrasësit të fëmijës
Jetish Jashari u mbajt tri orë në vendkalimin kufitar në Preshevë
Dënime të rënda për pronarët e ndërmarrjeve private në Podujevë
Policia ndërhyri sërish në lokalet e SHF “Migjeni” në Mitrovicë
Gjatë muajit mars në Malishevë e Mitrovicë u keqtrajtuan dhjetëra familje shqiptare
Sot policia serbe arrestoi Ajshe Gërvallën
Policia ushtarake ndërhyri në shtëpinë e një ish-dezertori shqiptar në Mitrovicë
Dhuna e përditshme në Kosovë
Një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë po mbahet në arrest
Në Gjakovë u suluman dy inkasantë të Këshillit për vetëfinancim
Flota detare e NATO-s në Atlantik nën komandën portugeze
Akademiku serb Macura angazhohet për kolonizimin e Kosovës
Kërcënimet e Igiqit para gazetarëve suedezë
Njoftime serbe për arrestimin e një personi nga Tetova me 6 kilogramë drogë
5 prill 1997
Lajmet kryesore:
Apel i KMDLNJ-së drejtuar organizatave ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Grupet e armatosura pengojnë qeverisjen legjitime në Shqipëri
Socialistët serbë nuk shkuan Nju-Jork për shkak të takimit të liderëve të koalicionit me M. Olbrajt
Maqedonia me kute të ndryshme vlerëson punën e misioneve të huaja
Në Pejë inspektorët serbë morën në pyetje disa aktivistë shqiptarë
Një inspektor serb ndërhyri në lokalet e SHF “Migjeni” në Stanofc
Katër familje të bllokuara nga bora në Sharr
5 prill 1998
Lajm i plotë:
Shkodër: U gjetën të vrarë dy policë
Dy policë të drejtorisë së policisë së Shkodrës janë gjetur të vrarë në një lokal në qendër të qytetit në mëngjesin e së shtunës, njofton ATSH.
Sipas burimeve të kësaj drejtorie të shtunën ne mëngjes janë gjetur të vrarë në një lokal në afërsi të ish-drejtorisë së policisë së rrethit, policët Hasan Zagani dhe Gëzim Griani.
Të dy policët kanë qenë roje në godinën e ish komisariatit të policisë, në qendër të qytetit, që u dogj dhe u shkatërrua më 22 shkurt të këtij viti.
Lajme të tjera:
Sot përsëriten zgjedhjet në Fushë Kosovë dhe në Dragash
Në Deçan edhe më tutje gjendja e rëndë
SHBA: Thirrja për referendum – një tjetër taktikë diversante e Millosheviqit
Maroviq: Milosheviqit i ka dalë dorësh Kosova
Parlamenti i Shqipërisë diskuton projektligjin për policinë kufitare
“New York Times” për situatën në kufirin Shqipëri-Kosovë
Rrustem e Xhavit Hasani, që humbën jetën në Indiana të SHBA-ve, varrosen nesër në Livadicë të Podujevës
Foto: Ballina e gazetës “New York Times”
Vendi
Përfundon mandati i Osmanit, Haxhiu merr përkohësisht presidencën
Published
1 day agoon
April 4, 2026By
UBTNews
Presidentja Vjosa Osmani ka përfunduar të shtunën mandatin e saj, duke ia dorëzuar zyrtarisht detyrën kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila nga tani ushtron funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Në ceremoninë e dorëzimit, Osmani theksoi se po e mbyll mandatin me rezultate të rëndësishme, ndërsa Haxhiu u zotua se gjatë ushtrimit të këtij funksioni do të respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Në përmbyllje të ceremonisë, Osmani i dorëzoi simbolikisht Kushtetutën pasueses së saj të përkohshme.
Haxhiu merr këtë rol pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit të paraparë. Sipas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.
Ky afat u përcaktua pasi Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata vlerësoi se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 5 mars, kur Kuvendi nuk arriti të votojë kandidaturat e Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha për shkak të mungesës së kuorumit.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është në komunikim me liderët e partive më të mëdha opozitare për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Ai ka paralajmëruar edhe takime gjatë javës së ardhshme, pasi më herët kishte zhvilluar bisedime të ndara me Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku.
Zgjedhja e presidentit mbetet një nga çështjet kryesore politike në vend në javët në vijim.
Lajmet
Përdorimi i minave tokësore në luftë: Rasti i Kosovës dhe vazhdimësia e rrezikut
Published
1 day agoon
April 4, 2026By
UBTNews
Shkruan: Dr. Arian Kadriu
Minat kanë qenë prej kohësh një instrument lufte i diskutueshëm për shkak të natyrës së tyre të pakontrollueshme dhe efekteve të qëndrueshme pas konfliktit.
Lufta e Kosovës (1998-1999) paraqet një studim rasti bindës si të dobisë taktike ashtu edhe të pasojave humanitare afatgjata të këtyre armëve. Instrumenti kryesor ligjor është Traktati i Otavës (zyrtarisht Konventa për Ndalimin e Minave, 1997). 1. Ndalon minat tokësore kundër personelit (APL); 2. Ndalon përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e tyre; 3. Kërkon shkatërrimin e rezervave ekzistuese; 4. Detyron pastrimin e zonave të minuara dhe ndihmën për viktimat. Deri sot, mbi 160 vende janë palë në traktat.
Megjithatë, traktati NUK ndalon minat kundër automjeteve (anti-tank), megjithëse përdorimi i tyre rregullohet sipas kornizave të tjera si: “Konventa për Disa Armët Konvencionale (veçanërisht Protokolli II i Ndryshuar)”. Pra, ligjërisht minat kundër personelit janë të ndaluara për vendet që kanë nënshkruar traktatin, por jo të gjitha vendet e kanë nënshkruar atë, dhe disa ende i mbajnë dhe i përdorin ato ligjërisht. Gjetjet sugjerojnë se, ndërsa është bërë përparim i konsiderueshëm në çminim, rreziqet e mbetura mbeten veçanërisht nga municionet e pashpërthyera (UXO) dhe municionet thërrmuese – duke mbështetur kështu një shqetësim të fshehtë për sigurinë.
Minat janë simbol i luftës asimetrike dhe mbrojtëse. Kostoja e tyre e ulët, lehtësia e vendosjes dhe efekti psikologjik pengues i bëjnë ato tërheqëse si për aktorët shtetërorë ashtu edhe për ata joshtetërorë. Megjithatë, pamundësia e tyre për të bërë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve i bën ato një kërcënim të vazhdueshëm edhe shumë kohë pas ndërprerjes së armiqësive.
Logjika strategjike e përdorimit të minave në luftë prej një perspektivë ushtarake shpreh se minat funksionojnë si shumëzues force. Ato përdoren për të: Mohuar aksesin në territor, kanalizuar lëvizjen e armikut, mbrojnë pozicionet mbrojtëse, ju imponojnë kosto psikologjike armiqve apo kundërshtarëve. Efektiviteti i tyre i kostos është i dukshëm: kostot e prodhimit mund të jenë aq të ulëta sa disa dollarë për njësi, ndërsa kostot e heqjes mund të kalojnë qindra dollarë për minë. Megjithatë, kjo asimetri midis vendosjes dhe pastrimit nënvizon një paradoks më të gjerë strategjik: minat tokësore shpesh i mbijetojnë konflikteve për të cilat janë projektuar të shërbejnë, duke u transformuar nga asete taktike në detyrime afatgjata.
Minat gjatë luftës në Kosovë (1998-1999)
Në zonat e qeta të kodrave dhe fushave të Kosovës, nën barin që lëkundet sikur të mos ketë asgjë poshtë, mbetet një trashëgimi e heshtur lufte – një trashëgimi që nuk ndryshket aq shpejt sa venitet kujtesa. Minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera nuk janë relike të së kaluarës; ato janë kërcënime aktive të ngulitura në të tashmen, duke pritur jo me qëllim, por me indiferencë. Nga një perspektivë e sigurisë kombëtare, këto rreziqe të fshehura përfaqësojnë më shumë sesa rreziqe të izoluara – ato janë një faktor i vazhdueshëm destabilizues. Ato kufizojnë përdorimin e tokës, pengojnë zhvillimin e infrastrukturës dhe, ndoshta më kritikisht, gërryejnë ndjenjën e sigurisë së popullsisë në mjedisin e tyre. Siguria nuk përcaktohet vetëm nga kufijtë dhe forcat e armatosura, por nga besimi i qytetarëve për të ecur lirshëm nëpër tokën e tyre pa frikë nga ajo që fshihet nën këmbët e tyre.
“Çdo fushë e papastruar është një pikëpyetje në arkitekturën e paqes”, vëren një vlerësim i sigurisë. “Dhe paqja nuk mund të zërë rrënjë plotësisht aty ku vetë toka mbetet e pasigurt”.
Pavarësisht përpjekjeve të gjera për çminim që nga fundi i vitit 1999, rreziku nuk është eliminuar plotësisht. Zonat rurale, ish-vijat e frontit dhe terrenet më pak të arritshme ende paraqesin rreziqe, veçanërisht për ata, jetesa e të cilëve varet nga toka – fermerët, barinjtë dhe fëmijët që enden vetëm një hap shumë larg shtigjeve të njohura. Ky kërcënim ka edhe një dimension brezash. Për ata që e kujtojnë konfliktin, kujdesi mund të vijë instiktivisht. Por brezat e rinj, të distancuar nga emergjenca e luftës, mund të mos kenë të njëjtën vetëdije. Kjo krijon një boshllëk delikat, por të rrezikshëm – një boshllëk ku kurioziteti mund të mbizotërojë kujdesin.
“Edukimi për rrezikun nuk është një fushatë e njëhershme”, mund të argumentoj si ekspert i sigurisë kombëtare. “Ai duhet të evoluojë ndërsa kujtesa zbehet. Ndërgjegjësimi duhet të rinovohet, të rimësohet dhe të riimagjinohet për çdo brez”.
E megjithatë, ka diçka pothuajse poetike – megjithëse të zymtë – në mënyrën se si këto rreziqe vazhdojnë. Toka kujton atë që njerëzit përpiqen të harrojnë. Një livadh mund të lulëzojë përsëri, lulet e egra shtrihen drejt diellit, por poshtë tyre, historia qëndron në gjumë, metalike dhe e pafalshme. Pra, ndërgjegjësimi bëhet një formë vigjilence, pothuajse një ritual i qetë respekti. Shenja të vendosura përgjatë shtigjeve, mësime të dhëna në klasa, histori të ndara brenda familjeve – këto janë gardhet e padukshme që mbrojnë aty ku pastrimi fizik nuk ka arritur ende.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, minat tokësore dhe mbetjet e tjera shpërthyese të luftës (ERË) u vendosën gjerësisht. Ndikimi i menjëhershëm i tyre ndaj njerëzve ishte i rëndë. Në javët pas përfundimit të luftës, në qershor 1999, afërsisht 150 individë u vranë ose u plagosën nga minat dhe municionet e pashpërthyera.
Disa karakteristika që përcaktuan peizazhin e kontaminimit të Kosovës ishin përdorimi i gjerë i minave anti-personel nga aktorë të shumtë të lidhur me një burim – forcat paramilitare serbe. Gjithashtu ndikuan edhe mungesa e hartëzimit të saktë të fushave të minuara dhe kthimi i shpejtë i popullatave të zhvendosura në zona të pasigurta. Kombinim që prodhoi një nga nivelet më të larta të lëndimeve pas konfliktit në nivel global në atë kohë.
Intervenimi ndërkombëtar për çminim pas luftës
Pas luftës, Kosova u bë një vend i rëndësishëm i operacioneve ndërkombëtare humanitare të çminimit. Organizata të tilla si Forca e Kosovës (KFOR), Halo Trust dhe Ndihma Popullore Norvegjeze luajtën role qendrore. Përpjekjet e hershme (1999-2001) u përqendruan në pastrimin emergjent të infrastrukturës kritike, identifikimin e zonave të rrezikshme dhe fushatat e ndërgjegjësimit publik ku gjithashtu përfshiheshin ligjërata tematike nga ekspertët në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Këto iniciativa arritën sukses të matshëm. Mijëra pajisje shpërthyese u hoqën dhe sipërfaqe të mëdha toke u bënë të sigurta për përdorim civil. Megjithatë, optimizmi fillestar – siç ishin pretendimet në fillim të viteve 2000 – se problemi ishte “eliminuar praktikisht” – rezultoi i parakohshëm. Sondazhet pasuese zbuluan zona të minuara me perimetër më të gjerë sesa u vlerësua fillimisht.
A janë minat në Kosove akoma rrezik?
Pavarësisht progresit të konsiderueshëm, minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të mbetur në Kosovë. Të dhënat e fundit tregojnë se përafërsisht 10 kilometra katrorë tokë mbetet e kontaminuar me mbetje të municioneve thërrmuese. Rreziqet shpërthyese vazhdojnë në shumë komuna (të paktën 17). Dhjetëra mijëra pajisje shpërthyese janë hequr, megjithatë zbulimet e reja vazhdojnë dhe, për më tepër, mbi 500 viktima janë regjistruar që nga lufta nga shpërthimi i minave.
Rreziku sot është cilësisht i ndryshëm nga periudha menjëherë pas luftës, ku pasqyrohet frekuencë më e ulët, paparashikueshmëri më e lartë, përqendrim në zonat rurale, pyjore dhe më parë të kontestuara. Gjithashtu, ka rritje për aktivitete specifike (p.sh., bujqësi, ndërtim, ecje në natyrë) në zona ku mund të jenë akoma të minuara. Minat e pashpërthyera janë veçanërisht problematike për shkak të shpërndarjes së tyre të gjerë dhe paqëndrueshmërisë. Ka implikime socioekonomike dhe të sigurisë ku “ndotja” e mbetur vazhdon të kufizojë përdorimin e tokës dhe produktivitetin bujqësor, vonojë zhvillimin e infrastrukturës dhe të imponojë pasiguri psikologjike mbi popullatat lokale. Nga një perspektivë e sigurisë kombëtare, këta faktorë kontribuojnë në atë që mund të quhet “brishtësi pas konfliktit”, ku trashëgimitë e pazgjidhura të kohës së luftës dëmtojnë stabilitetin afatgjatë.
Kendveshtrimi Strategjik
Strategjia e Veprimit ndaj Minave e Kosovës (2025–2030) synon të eliminojë ndotjen e mbetur brenda dekadës. Arritja e këtij objektivi do të varet nga financimi dhe mbështetja teknike e qëndrueshme ndërkombëtare,Teknologjitë e përmirësuara të studimit dhe zbulimit dhe koordinimi institucional midis aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, zhdukja e plotë është në thelb e vështirë. Siç sugjerojnë provat nga Kosova dhe rajonet e tjera pas konfliktit, mbetjet shpërthyese mund të mbeten të fshehura për dekada, duke u rishfaqur periodikisht.
Rasti i Kosovës nënvizon një mësim qendror në luftën moderne: dobia e minave është e kufizuar në kohë, por pasojat e tyre janë të qëndrueshme. Ndërsa ato mund të ofrojnë avantazhe taktike afatshkurtra, kostot e tyre afatgjata humanitare, ekonomike dhe të sigurisë janë të konsiderueshme. Edhe pse Kosova nuk është me ndër territoret më të kontaminuara në nivel global, ajo ende nuk mund të konsiderohet plotësisht e lirë nga rreziku. Minat dhe municionet e pashpërthyera vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim me probabilitet të ulët, por të vazhdueshëm, veçanërisht në zonat rurale dhe ato të kontestuara më parë. Për politikëbërësit dhe strategët ushtarakë njësoj, përvoja e Kosovës përforcon nevojën për të rivlerësuar rolin e minave tokësore në luftën bashkëkohore – jo vetëm në aspektin e efektivitetit të fushëbetejës, por edhe në lidhje me trashëgiminë e tyre të qëndrueshme.
Rruga e Kosovës përpara nuk përcaktohet vetëm duke hequr këto mbetje, por duke transformuar marrëdhënien e saj me to: nga frika në njohuri, nga rreziku në rrezikun e menaxhuar dhe në fund të fundit, në zhdukjen e plotë.
(Autori është profesor në UBT. Ky tekst i kushtohet Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Minave dhe Ndihmën në Veprimin ndaj Minave, që shënohet çdo 4 prill, me vendimin e datës 8 dhjetor 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së)
Rezalla kujton 98 viktimat: 27 vjet nga një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 5 prill, në vitet nëntëdhjetë
Përfundon mandati i Osmanit, Haxhiu merr përkohësisht presidencën
Përdorimi i minave tokësore në luftë: Rasti i Kosovës dhe vazhdimësia e rrezikut
Profesori John Doone: Në Gjilan zhvillohen ushtrime për tërmete, por Kosova ende nuk ka sistem të plotë të edukimit për emergjenca civile
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 prill, në vitet nëntëdhjetë
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët
Emocione të forta,Kenan Yildiz publikon fotografi me Edon Zhegrovën
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
