Lajmet

Suspendimi i katër zyrtarëve policorë, Shala: Masë nga një presion politik

Published

on

Të martën është raportuar se janë suspenduar katër policë të Njësisë Speciale, pikërisht të Njësisë për Reagim të Shpejtë, Sami Hoti, Sedat Ramadani, Alert Kuqi dhe Artan Krasniqi.

Sipas raportimeve, suspendimi i tyre u bë pasi policët kishin bërë shaka mes kolegësh me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashën.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, kritikoi vendimin duke thënë se ai është rezultat i interferimeve politike dhe rrezikon të dëmtojë imazhin e Policisë së Kosovës.

“Tani është e qartë që interferimi politik padyshim ka ndikuar te pjesa e kontrollit të brendshëm të policisë së Kosovës, edhe pse suspendimi nuk ka ardhur si rezultat apo i ndonjë kërkese të IPK-së, por ka ardhur sipas të gjitha gjasave nga një presion i jashtëm politik dhe që mekanizmi i brendshëm policor i kontrollit nuk do të duhej fare të bie pre e këtij provokimi, pavarësisht asaj që ne nuk e dimë në fakt se çfarë shakaje dhe çfarë karakteri shakaje ka qenë ajo me të cilën është bërë dhe se si është bërë.
Por, sipas të gjitha gjasave zyrtarët policorë do të rikthehen në detyrë dhe me këtë gjë po humbet figura institucionale e policisë së Kosovës nga interferimet e caktuara, sepse këto grupet e mbyllura padyshim në vetvete ngërthejnë një element krucial. Pra, elementi i asaj që skena politike ka tentuar të devalvojë strukturën policore dhe ndoshta ndonjë koment apo mendim i ndonjë zyrtari policor është parë në formatin e një kërcënimi apo një prishje të imazhit, që në fakt nuk korrespondon me realitetin e fjalës”, tha Shala.

Sipas tij, veprime të tilla mund të demoralizojnë stafin policor dhe të ndikojnë në funksionimin e strukturave të sigurisë.

“Fakti që shumica e zyrtarëve policorë tanimë edhe me pjesën e përcaktimit të pagës, pjesën e përcaktimit të rrezikshmërisë dhe baraspeshimi në aspekte të ndryshme administrative ka krijuar një pakënaqësi të madhe, interferimet dhe marrja e masave, të themi administrative, të ndikuara dhe të motivuara politikisht mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, sepse ne kemi një element krucial. Elementi i asaj që nuk po kemi mundësi ta mbulojmë pjesën e nevojave tona me zyrtarë të rinj policorë për arsye që po janë të njohur me problematikën brenda strukturave policore, sepse problemet brenda policisë së Kosovës janë shumë më të thella dhe shumë më të rënda se ndoshta janë në shqyrtim të parë, për arsye që janë të mbingarkuar, kanë një mospërkrahje institucionale. Por, nevojat e tyre dhe të gjitha këto reflektojnë në një veprim ndoshta të motivuar, që sipas të gjitha gjasave politikisht, për suspendimin e zyrtarëve policorë”, tha Shala.

Shala shtoi se deri tani ky mekanizëm ka funksionuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike, duke ruajtur imazhin dhe llogaridhënien brenda Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka kontrollin e brendshëm dhe kontrollin e jashtëm. Pra, në kuadër të kontrollit të brendshëm hyjnë të gjitha masat disiplinore që vijnë nga ana e zyrtarëve policorë dhe që ndërmerren. Pra, në kuadër të kësaj kemi veprime të caktuara hetimore preliminare dhe në rast se ka elemente kriminale apo të veprës penale, më pas delegohen te mekanizmi i jashtëm që është IPK-ja. Deri në këtë masë, kontrolli i brendshëm deri më tani ka qenë në masën më të madhe të pandikuar politikisht për marrjen e veprimeve të caktuara për ta ruajtur imazhin e policisë së Kosovës dhe për të garantuar llogaridhënie brenda mekanizmit përkatës, por në fakt tanimë nga ndryshimet e këtyre viteve që kemi lënë pas, vërehet një tendencë e nivelit politik të interferojë brenda kontrollit të brendshëm policor”, tha Shala./S.K/KP/

Continue Reading

Vendi

Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës

Published

on

By

Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.

Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.

Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.

Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.

Continue Reading

Lajmet

Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan

Published

on

By

Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.

Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.

Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë

Published

on

By

Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:

Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.

Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.

Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës së luftës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota pro dhe asnjë kundër- Rezolutën për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës së luftës në Kosovë.

Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të cilat votuan unanimisht për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të parandaluar tentativat për rishikimin e historisë.

Përmes këtij votimi, deputetët treguan unanimitet, duke vlerësuar se mbrojtja e sakrificës së popullit dhe e të vërtetës historike është një obligim kombëtar që qëndron mbi dallimet politike.

Continue Reading

Të kërkuara