E Përditësuar:
11:09 – Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey derisa foli për UÇK-në tha para Gjykatës Speciale në Hagë se nuk ka pasur komandë qendrore.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.
Ai foli për një takim i cili sipas tij ishte mbajtur për t’i bindur komandantët e zonave për marrëveshjen për çarmatim. Aty sipas tij, është vërejtur se marrëdhënia e Thaçit me komandantët e zonave ishte “e ndërlikuar”.
“Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që besonim që në fillim lidhur me zotëri Thaçin, kur jemi njohur me të, pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin pak kohë, ose më mirë thënë, kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, në këtë rast për të cilin po flasim, po të shohim këtë vizatim, më lejoni të kthehem pak prapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me gjeneralin Clark sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin përpara se KFOR-i të hynte në Kosovë dhe unë, gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson, dhe është meritë e tyre kjo, kishim tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze dhe gjenerali Jackson pati nevojë që të sjelltë komandantët e UÇK-së dhe t’i rivendoste, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes, konkretisht marrëveshje për krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor, dhe i duhej ndihmë për t’i bindur komandantët për përgjigje pozitive”, tha ai.
“Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, shtoi dëshmitari.
Duke folur për periudhën e vitit 1999, ai tha se e kishin kuptuar që në UÇK nuk ka pasur komandë qendrore.
“Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Ceku ishte individi me më ndikim në UÇK, me shumë ndikim se të tjerët, megjithatë nuk duhej të ishte në një pozitë të tillë që të merrte përsipër këtë dhe kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje midis tyre. Gjatë takimit ne mund të shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë i cili shikonte prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin hollësitë e marrëveshjes që po diskutohej. Neve na dhanë përshtypje që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus që merrte pra mbështetje nga komandantët në terren. Dhe kjo ishte tërësish në përputhje me atë që kuptonim ne, sepse ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.
Jock Covey është dëshmitari i katërt në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner.
Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan./D.B/KP
10:18 – Jock Covey është dëshmitari i radhës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Amerikani e ka nisur dëshminë para Dhomave të Specializuara sot, më 30 tetor.

Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner.
Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan./D.B/KP
07:45
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku do vazhdojë paraqitja e provave të mbrojtjes me thirrjen e dëshmitarëve në këtë rast të gjykimit.

Specialja njofton se në këtë çështje gjyqësore pritet që dy dëshmitarë të japin dëshmi në sallë të gjyqit këtë javë.
Gjatë dy javëve të kaluar kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga Mbrojtja, si John Duncan i cili ishte dëshmitari i tretë i cili ishte një ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe.
Ai dha dëshmi kryesisht në seancë publike.
Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, Trupi Gjykues më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.
Trupi Gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele.
Në rastin e z. Selimi, Trupi Gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e Trupit Gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.
Trupi Gjykues tha se të akuzuarit gjenden në paraburgim për një kohë të gjatë, por vazhdimin e paraburgimit e gjykoi të arsyeshëm bazuar në faktet se ndaj të akuzuarve janë ngritur akuza për krime të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ata luajtën rol të rëndësishëm dhe mund të përballen me burgim të gjatë në qoftë se shpallen fajtorë./S.K/EO/