Sonte, palestra në Pejë do të jetë arenë e një prej përballjeve më intensive të sezonit në ProCredit Superligën e Kosovës. Dy prej skuadrave elitare, Peja dhe Golden Eagle Ylli, takohen në ndeshjen e dytë të serisë së parë të Play Off-it, një takim që pritet të dhurojë spektakël dhe rivalitet të lartë.
Posteri zyrtar i “Dite Ndeshjeje” paralajmëron një mbrëmje të zjarrtë me fillim nga ora 20:30, këtë të mërkurë. Nën moton “Gjithçka vendoset tani”, skuadrat do të kërkojnë fitoren në këtë fazë delikate, ku çdo gabim mund të jetë i kushtueshëm.
Në njërën anë, si nikoqirë, skuadra e Pejës, synon të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas për të kaluar përpara në këtë seri. Nga ana tjetër, “Yjet” nga Suhareka, vijnë në këtë takim me synimin e qartë për të bërë surprizën dhe për të marrë një fitore jetike në udhëtim.
Ky ballafaqim shihet si një nga më të barabartët e çerekfinaleve, duke pasur parasysh historinë dhe kualitetin e të dyja skuadrave.
Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në platformat ArtMotion dhe Kujtesa, duke u mundësuar tifozëve që nuk mund të jenë në palestër, të ndjekin çdo moment të kësaj drame basketbollistike.
Kush do t’i afrohet më shumë gjysmëfinales, Peja apo Golden Eagle Ylli? E mërkura do të na japë përgjigjen.